Dhuna shtetërore sllavo-maqedonase kundër shqiptarëve të Iliridës nuk do të ndërpritet derisa çështja shqiptare në ato troje të trajtohet përfundimisht, jo me marrëveshje të deklasuara si ajo e Ohrit, jo me pajtim të detyruar të palëve, që kurrë nuk mund të pajtohen, por vetëm me veprim energjike dhe të drejta, që duhet të udhëhiqen mbi principet unike të vetëvendosjes.
Kthimi brutal dhe i dhunshëm i policisë sllavomaqedonase në Haraçinë është kthimi i kriminelëve në vend të krimit. Dihet se Haraçina, ( ashtu sikur Sllupçani, e Tetova, Gostivari e Kumanova e shumë bastione të luftës sonë çlirimtare), ka ngelur pikë e zezë në kujtesën e forcave policore sllavo-maqedonase dhe autoriteteve të Shkupit zyrtar, të cilët më 13 gusht të vitit 2001 u detyruan ta nënshkruajnë Marrëveshjen e Ohrit, nën presion të forcave të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, të cilat nga Haraçina po përgatiteshin të hynin në Shkup.
Dihet, po ashtu se asokohe, në Shkup, kishte shkuar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, admirali, Gregori Xhonson dhe i kishte bindur autoritetet e Qeverisë së Shkupit se nuk mund ta fitonin luftën kundër shqiptarëve, por mund ta ruanin shtetin e tyre, nëse do të nënshkruanin një marrëveshje, e cila do t’ i joshte shqiptarët mendjelehtë dhe do të ruhej status quoja edhe për një kohë të gjatë në këtë shtet të krijuar si Republikë jugosllave në vitin 1945.
Këtë Marrëveshje kornizë, për, sikur shkruhej në të, zgjidhjen e situatës politike e të sigurisë në Maqedoni, më 13 gusht 2001 e nënshkruan kryetari i Republikës së Maqedonisë, Boris Trajkovski, lideri i VMRO-DPMNE-së dhe kryeministër Lubço Georgievski, liderët e LSDM-së Branko Cërvenkovski, të PPD-së Imer Imeri dhe PDSH-së Arbën Xhaferi. Nënshkrimet nga pala shqiptare, e cila gjatë tërë kohës së luftës ishte pjesë e koalicionit qeveritar, u bënë edhe me aprovimin e segmentit politik të Ushtrisë Çlirimtare kombëtare. Dihet se në të kundërtën marrëveshja nuk do të vlente.
Dihet po ashtu edhe zezona përçarëse që ndodhi në kreun e luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, e cila edhe pse kishte fituar epërsinë në terren, nuk i ruajti pozicionet e kësaj epërsie dhe u dorëzua në duart e faktorit ndërkombëtar dhe të kreut politik pacifist, i cili qëllim parësor kishte ruajtjen e pozitave në pushtet.
Luftëtarët e lirisë nuk e mirëpriten marrëveshjen, meqë ishin qind për qind të bindur se autoritetet sllavo-maqedonase njohin vetëm një gjuhë, atë të forcës, e cila i detyroi ta nënshkruajnë armëpushimin, në të cilin kreu i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare nuk diktoi kushte, edhe pse kishte forcë të diktonte dhe të mos i lëshonte armët nga dora, për shkak se në mënyrë direkte nuk ishte palë në bisedime.
Kanë kaluar tetë vjet nga ajo kohë, dhe për tetë vjet rresht shqiptarët liridashës së kësaj pjese të atdheut tonë etnik dhe historik nuk arritën të realizojnë madje as minimumin e Marrëveshjes së Ohrit, nëse në këtë minimum nuk e nënkuptojmë pjesëmarrjen e një klase të shqiptarëve në pushtet, së bashku me bullgaro-sllavët, që pretendojnë se janë maqedonas të kohës së Lekës së Madh, edhe pse asokohe sllavë nuk kishte as përtej Dnjeprit e Karpateve dhe lërë më në Ballkan.
Sulmet e pareshtura të forcave policore e ushtarake sllavomaqedone kundër shqiptarëve në këto pjesë të Shqipërisë etnike nuk kanë reshtur asnjëherë, ashtu sikur nuk ka reshtur as qëndresa dhe kundërvënia e forcave liridashëse shqiptare, edhe pse çdo herë e pabarabartë në forcë njerëzore dhe në armatim.
Të përkujtojmë me këtë rast vetëm një sulm mizor agresiv, dhe të përgatitur shumë kohë më parë, të ekzekutuar nga policia sllavomaqedone, më 7 nëntor 2007, në fshatin Brodec të Malësisë së Tetovës, ku qenë vrarë në rrethim gjashtë shqiptarë nga trojet e ndryshme të Shqipërisë etnike, gjashtë të tjerë morën plagë të rënda, ndërsa policia sllavomaqedone arrestoi dhjetëra të tjerë të cilët i maltretoi, mizorisht e barbarisht. Kjo dhunë shtetërore kundër shqiptarëve nuk është harruar, as kurrë nuk do të harrohet nga shqiptarët liridashës kudo ku janë ata, në Brodec, në Prekaz, në Gllogjan apo në Tanushë.
Lidhur me intervenimin e dhunshëm të forcave policore sllavomaqedonase në Haraqinë me një pretekst arrestimi, komandanti i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Xhezair Shaqiri-Hoxha ka dënuar ashpër operacionin e fundit policor. Ndërhyrjen brutale e tejet të dhunshme të policisë sllavo-maqedonase në këtë fshat Komandant Hoxha e ka quajtur terrorizim të popullatës shqiptare. “Ky operacion i njësiteve speciale, gjoja në kërkim të një vrasësi, ka për motiv terrorizimin e popullatës shqiptare në fshatra të tëra. Është turp i madh për Ali Ahmetin dhe BDI, të cilat janë në pushtet dhe ndodhin aksione të tilla”, ka theksuar ish-deputeti i Partisë Demokratike Kombëtare, Xhezair Shaqiri, i cili gjendet i arratisur në Karadakun e Shkupit, ndaj të cilit policia ka ngritur një fletë arrest, për gjoja organizim e rrëmbim, për të cilin komandant Hoxha ka theksuar se bëhet fjalë për proces të montuar. Komandant Hoxha ka theksuar me këtë rast se nëse forcat policore vazhdojnë të veprojnë në këtë mënyrë kundër shqiptarëve të pambrojtur ai do të mobilizojë ish-ushtarët e UÇK-së për të mbrojtur popullatën civile. Forca policore edhe sot janë të pranishme në fshatin Haraçinë në kërkim të një shqiptari, i cili dje nuk i`u dorëzuar policisë Aksionin policor për kërkimin e Murat Ajvazit nga fshati Haraçinë që realizoi të hënën, policia maqedonase e ka “shfrytëzuar” për të maltretuar edhe banorët e fshatit Mojancë. Pas dyshimeve se i kërkuari Ajvazi është strehuar në këtë fshat, njësitet policore janë futur edhe në disa shtëpi të banorëve të Mojancës, me ç’rast kanë përdorë dhunë edhe kundër tyre. Banorë të këtij fshati njoftojnë për sjellje brutale të policisë. Paraprakisht edhe banorë të Haraçinës u ankuan për përdorim të dhunës nga ana e policisë. Kjo nuk është hera e parë që policia sllavo-maqedonase të ndërmarrë aksione brutale në Haraçinë, të cilat zakonisht shoqërohen edhe me përdorim të dhunës ndaj popullatës shqiptare. Aksione të këtilla policia maqedonase zhvillon në të gjitha vendbanimet shqiptare, në sy të shqiptarëve që janë veshur me pushtet, në sy të tërë shqiptarëve që bëjnë gara për të marrë sa më shumë pushtet për vete, në Shkup, në Tiranë dhe në Prishtinë.
Sulmi i 14 dhjetorit 2009 në Haraçinë dhe në Mojancë, deklarata shumë kuptimplote e Komandant Hoxhës, pastaj heshtja hileçare e Ali Ahmetit, deklaratat hipokrite dhe të pabesa të Menduh Thaçit, i cili gjatë luftës së vitit 2001 ishte në koalicion qeveritar me Qeverinë antishqiptare dhe vrastare sllavomaqedonase dhe i cili së bashku me Arbër Xhaferin nuk dënjuan as të tërhiqeshin, të paktën sa për moral, fytyrë e njerëzi nga koalicioni me VMRO-DPMNE, sërish na kthen në kujtesë, jo vetëm pak gabime nga e kaluara, të cilat vazhdimisht po na përsëriten.
Megjithatë një gjë duhet ditur.
Çlirimtarët shqiptarë, të tri ushtrive tona vullnetare e fitimtare, tashmë e kanë mësuar artin e bërjes së ushtrive, apo të rigrupimit të vullnetarëve, në raste dhe rrethana të caktuara. Ata janë kudo në trojet tona të robëruara dhe gjysmë të lira, jo me emra të rrejshëm dhe duke u fshehur pas organizatave e armatave pompoze. Ata janë dhe do të jenë, sepse nuk vdes dot idealizmi, derisa rrojnë idealistët dhe liridashësit e dëshmuar në tri luftërat tona fitimtare e çlirimtare, të cilat dhanë rezultate të caktuara dhe të cilat në rast nevoje do të vazhdojnë të japin edhe më tej rezultate të reja, sepse Shqipëria e plotë dhe unike duhet të bëhet, me hir apo pa hir të politikanëve të sotëm, të vdekshëm, ajo do të bëhet për hir të idealit çlirimtar, të pavdekshëm. Ajo duhet të bëhet për jetën dhe ardhmërinë e kombit, me qëllim për të mos lejuar shpërbërjen, degjenerimin dhe zvetënim, sepse ne nuk jemi copa dhe pjesë të një tërësie virtuale, por jemi pjesë të një trungu, të një Shqipërie, e cila dikur shtrihej në më shumë se në gjysmën e Ballkanit. Tetë milionë shqiptarë të ndarë në pesë shtete nuk do të mesin të ndarë përgjithmonë. Ata duhet të bashkohen njëherë me vetveten, pastaj nëse duan le të bashkohen edhe me Evropën e re, por jo me Evropën e Gjergj Fishtës, e cila mjerisht qimen e ndërroi por vesin e lig nuk po e harron.