Emetimin e programit e ka filluar më 4 janar të vitit 1999, në fshatin Berishë të Rrafshnaltës të Drenicës.
Më 21 qershor të vitit 1999, është ndërprerë emetimi në Berishë, ndërsa më 12 korrik, të po atij viti ka rifilluar punën në Prishtinë, në lagjen Bregu i Diellit ku Radio-Kosova e Lirë emeton aktualisht. Me rastin e caktimit të statusit dhe të ndarjes së licencave, në fillim të vitit 2000, Zyra e Komisionerit të Përkohshëm për Media, e cila asokohe drejtohej nga zyrtari i lartë i OSBE-së, z. Simon Haselock, Radios Kosova e Lirë nuk ia ka pranuar statusin paraprak autonom, ashtu sikur iu ka pranuar disa mediumeve të tjera që kanë transmetuar para vendosjes së Zyrës së Misionit të OSBE-së për mediat, në Kosovë.
Me rastin e rikonfirmimit të licencave në nëntor të vitit 2000, Radios-Kosova e Lirë, iu ka marrë e drejta e emetimit në valën 101 megaherc, si dhe e drejta e posedimit të një frekuence ndihmëse.
Në prill të vitit 2001, me vendim të ZKPM-së Radios-Kosova e Lirë i ndalohet emetimi në bazën emetuese në Berishë, ku ka transmetuar prej 4 janarit të vitit 1999.
Aktualisht, Radio-Kosova e Lirë, transmeton 15 orë program ditor informativ, kulturor, edukativ dhe muzikor, në valët FM, në frekuencë 94.2, me mbulim të territorit të komunës të Prishtinës dhe të një pjese të territorit të Kosovës.
Nga një radio që gjatë luftës, mbulonte tërë territorin e Kosovës, dhe ishte i vetmi medium informativ në Kosovë, aktualisht Radio Kosova e Lirë, mbulon me dëgjueshmëri vetëm 25-30% të territorit të Kosovës, ndërsa, sipas rezultateve të anketës së Galupit, në vitin 2000 dhe 2001 ishte radioja më e dëgjueshme lokale në Kosovë. Mbështetur në hulumtimet e asociacionit Indeks-Kosova dhe Galup International, në vitin 2003 Radios Kosova e Lirë radhitej e katërta ndërsa në vitin 2004, ishte radioja e tretë me besueshmëri dhe dëgjueshmëri.
Zyrtarët e këtyre dy asociacioneve, me rastin e shpalljes së rezultateve, e kanë fshehur faktin se Radio-Kosova e Lirë dëgjohet vetëm në 25-30 për qind të territorit, dhe jo qind për qind sikur dëgjohen tri radiot e tjera të cilat e mbulojnë me valë tërë territorin e Kosovës.
Dëgjuesit, programi, përmbajtja dhe vështirësitë financiare
Ruajtja dhe restaurimi i konceptit kombëtar të programit, ka qenë dhe mbetet aktualisht prioritet i angazhimit të stafit drejtues dhe i të gjithë gazetarëve të Radios-Kosova e Lirë.
Koncepti militant afirmativ me përmbajtje edukative kombëtare me prioritet sidomos për shembujt e sakrificës dhe të heroizmit të dëshmorëve dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bën që kjo radio të dallohet nga koncepti dhe përmbajtja e të gjitha radiove që aktualisht emetojnë program në gjuhën shqipe, jo vetëm në Kosovë por në mbarë trojet etnike shqiptare.
Radio Kosova e Lirë trajton një gamë të gjerë temash historike dhe dokumentare të së kaluarës dhe të aktualitetit duke veçuar sidomos përmbajtjet afirmative kulturore, identitetin e mirëfilltë të kulturës tradicionale shqiptare, tolerancën ndër fetare, si dhe tema të tjera të veçanta me përmbajtje të ndryshme tematike, informative.
Në rrugën e gjatë dhe të mundimshme të instalimit dhe të realizimit gradual të këtij koncepti, Radio Kosova e Lirë, është bërë zë i pranueshëm dhe mjaft i preferuar sidomos për familjet e dëshmorëve, familjet e martirëve dhe viktimave të luftës, familjet me pjesëtarë të zhdukur gjatë luftës së fundit, për invalidët dhe veteranët e luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për shumicën e shqiptarëve liridashës.
Për konceptin programor të Radios-Kosova e Lirë, janë të huaja dhe të papranueshme temat joserioze, temat që e lëndojnë moralin autentik kombëtar, apo tema të mediokritetit pacifist.
Dominon mendimi se Kosovës të periudhës së tranzicionit dhe kombit shqiptar në përgjithësi, i nevojitet një koncept i tillë militant afirmativ. Përpjekjet për integrim kulturor mbarëkombëtar janë përpjekje pozitive, që duhet të afirmohen, që duhet të mbështeten nga të gjithë shqiptarët liridashës dhe nga të gjithë intelektualët e vërtetë të kombit, kudo ku jetojnë dhe veprojnë. Radio Kosova e Lirë është tejet e angazhuar në këtë drejtim.
Përpjekjet tona për të ndikuar në përparimin e këtij koncepti me aq sa na lejojnë mundësitë objektive kanë qenë dhe mbeten të kufizuara, meqë një program të tillë serioz militant kombëtar, nuk e përkrahin përgjegjësit ndërkombëtar të mediave, nuk e mbështesin financiarisht as partitë politike shqiptare, as institucionet tjera të vendit.
Pavarësisht nga injorimi që i është bërë Radios Kosova e Lirë sidomos nga Zyra e Komisionerit të Përkohshëm të Mediave, me rastin e caktimit të statusit, pavarësisht nga mungesa e mbështetjes institucionale, Radion Kosova e Lirë e kanë ndihmuar dhe ende vazhdojnë ta ndihmojnë drejtuesit e disa firmave në Kosovë, qoftë në formë të bashkëpunimit përmes kryerjes së shërbimeve me reklamë, qoftë me donatori për raste të veçanta.
Radio Kosova e Lirë prodhon program me përmbajtje tematike kombëtare për familjet e dëshmorëve, për invalidët dhe veteranët e luftës dhe për dëgjuesit të cilët e preferojnë konceptin serioz të programit tonë.
Në saje të rezultatit të anketave të bëra në opinion është konstatuar se programin e Radios Kosova e Lirë e preferojnë liridashësit shqiptarë kryesisht prej moshës 20-30 vjeçare, studentët, punëtorët, familjet e dëshmorëve, veteranët, invalidët e luftës dhe ushtarët e TMK-së.
Programin e Radios Kosova e Lirë më së tepërmi e preferojnë dëgjuesit e trevave që kanë qenë të përfshira në luftë, mirëpo për shkak të mungesës së dëgjueshmërisë, ata janë të privuar nga dëshira e tyre për ta dëgjuar programin tonë.
Pavarësisht nga vështirësitë financiare dhe nga kufizimi ekstrem i dëgjueshmërisë, me rastin e përcaktimit të statusit nga ZKPM, Radio-Kosova e Lirë, emeton 15 orë program ditor me përmbajtje informative, kulturore emisione tematike për dëshmorët, emisione kontaktuese, muzikore, spote me përmbajtje edukative arsimore, tema të ndryshme pedagogjike, filozofike e shoqërore, duke trajtuar tema serioze dhe tejet të rëndësishme për të kaluarën dhe kulturën kombëtare.