KOMANDANTIT LEGJENDAR, ADEM JASHARI Sa shpejt ikën vitet, tanimë kaloi një decenie, që kur gjuhët e flakëve të luftës së furishme kishin përfshirë Kosovën. Njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veç kishin lëshuar shtat dhe po mateshin me pushtuesin për t’i treguar atij se ky vend ka dalzotësit e vet, pra ka bijtë e vet që janë bërë gati për t’i dalë atdheut dhe popullit zot! Pjesëtarët e UÇK-së, po bënin historinë më të re të Kosovës, historinë e dhimbshme, por krenare, ata po mateshin me ashpërsitë e pushtuesit Serb dhëmbë për dhëmbë e flakë për flakë, i cili nuk po respektonte as edhe një normë njerëzore. Ata, po tregonin gatishmërinë e vet për të paguar çmimin e lirisë së tokave tona, pa varësisht kostos së saj- liria mbi të gjitha! Komandanti ynë Legjendar Adem Jashari, po përdridhte mustaqet e me shikimin e mprehtë po depërtonte atyre tymnajave e flakëve që po përcëllonin atdheun tonë. Ai kishte tre kut mustaqe, me trupin e tij si lis me rrema. Në shpinë kishte bjeshkët e Qyqavicës si mburojë, në gjoks mbante bjeshkët e Shkëlzenit si pararoje, me leshra si të Çerçizit dikur… >>> Si në legjendat e Gjergj Elez Alisë, po edhe Komandanti ynë me Bajlozin u pre në shtat sa gjaku shkoj rreke e lumenjtë u skuqen. Nëntë herë ishte pre me dushmanin e me nëntë plagë në shtat po qëndronte në këmbë e i patundur Komandanti ynë- si dikur Jakup Ferri me shokë. Ai po mbante plisin mbi sy si strehët e kullave tona prej guri, me mitralozin nën sqetull, pashëm pash po i binte fluturim qiellit të Kosovës e si shqiponja që ruan zogjtë e vet me flatra qiellin po mbulonte. Në lartësitë e tij, mund të fluturojnë vetëm, dhe vetëm shqiponjat e Kosovës që ranë për atdhe, nën kushtrimin e Komandantit Legjendar, Adem Jashari! Kur mërrolët lëshoheshin në ballin e Adem Jasharit, atëherë hallakatej edhe moti e zbrazej furishëm së bashku me breshëritë e plumbave të luftëtarëve të lirisë mbi armikun gjakatarë. Ademi Jashari me trimat e tij, bënë historinë më të re të Kosovës, ata kaluan përtej portës së legjendave, ata mitin e dikurshëm të flijimit e bënë realitet duke e ulur atë pranë oxhakut të kullave tona Shqiptari, ai dha krejt çka pati për të dhënë për lirinë tonë, për ne!… Komandanti ynë Legjendar se bashku me trimat e tij, tanimë i takojnë historisë së popullit tonë, ata u bënë legjendë, legjendë e gjallë e një qëndrese të pa imagjinueshme nga shumë strateg të së djeshmes, por edhe të sotmes! Që nga ajo ditë e deri me sot, kaloi një decenie. Qytetaria e civilizuar të gjithë atyre që bënë të pamundurën për çlirimin dhe përparimin e vendit të vet, por edhe për gjëra të tjera humane për njerëzimin në përgjithësi i nderon e respekton me ndjenjën më të shenjtë, nga se ata bënë flijimin më sublime në shenjë të një qëllimi human. Qysh nga lashtësitë mitike të mbretërisë së perëndive, kur Prometheu u sakrifikua në emër të moralit, të humanitetit dhe të dashurisë për njerëzinë, ka mbetur diku një shenjë që quhet guri, si: “ Guri i Prometheut!” bie fjala… Nga ajo kohë e deri me sot, në literaturën botërore ky shembull i mishërimit të mbrojtjes së njerëzimit në emër të humanitetit vetëmohues, flitet e shkruhet për këtë gur, ku thuhet se tek: ”Guri i Prometheut”, në emër të moralit e të njerëzimit u flijua ky dhe ai!… Ky sublimim në filozofi quhet mishërimi me njerëzoren, diçka e shenjët, diçka e madhërishme, diçka fisnike!… Që nga lufta e Kosovës me 1389, pra që nga atëherë qëndron një gur, ku më vonë bënë edhe një mur ku varrosen rropullitë e Sulltan Muratit të parë! Edhe sot ajo tyrbe në Mazgit të Kastriotit quhet Tyrbja e Sulltan Muratit, ku njerëzit kanë krijuar edhe besëtytni të ndryshme rreth saj, dhe shkojnë atje e gjunjëzohen (para kasapit të popullit të vet), për të kërkuar shërim! Po ashtu, kanë ngulur me shumë dinakëri edhe një guri tjetër diku në Gazimestan, ku tuboheshin pushtues e poltronë, për t’u betuar se do të djegin Kosovën, po ashtu edhe atje përkuleshin e duartrokisnin kasapin e rajonit dhe të shqiptarëve! Kështu popujt e civilizuar vejnë nga një gur diku në shenjë mirënjohje për diçka shumë njerëzore, por që popujt pushtues e dinak, këta gurë i vejnë diku edhe në shenjë hileje e qëllimi të përvetësimit të historisë e së bashku me historinë e imagjinuar prej kokave të sëmura- për pasojë kërkonin edhe “tapitë” mbi tokat që ata duan t’i pushtojnë e përvetësojnë. Dhe nuk i dihet e vjen një ditë kur ata duan të kërkojnë diçka me këtë gur që e kanë ngulur dikur me duart e veta në tokat tona- në tokat që atyre nuk iu kanë, dhe nuk do t’ju takojnë kurrë?! Ku ishim ne dje, ku jemi ne sot!? Ku ishim dje, po edhe ku jemi sot? Nëse dikush e bëri një mur për Sulltan Muratin, pse ne nuk e vumë nga një Gur për Millesh Kopiliqin, qoftë në fushëbetejën e tij, qoftë në vendlindjen e tij, qoftë në kryeqytet?! Kush është ai që mund të më tregoi mua sot, djalit tim, bijve tanë, brezave që do të na pasojnë nesër se: Ku mund të gjunjëzohemi ne, para gurit dhe emrit të Millesh Kopiliqit, ai që do të më tregoi këtë- unë, do t’i falë pasurinë time!… Në gurtë e varreve të krushqve kam hasur, dhe janë të paprekur me qindra vjet!- siç është e paprekur edhe legjenda për vëllavrasjen e dasmorëve tanë, sepse pushtuesi ynë e ruante me fanatizëm legjendën mbi vëlla-vrasjen tonë, për të na yshtur edhe më, por habit fakti se nuk janë ruajtur as gurët e as legjendat për trimat e asaj kohë që lanë kockat për lirinë e atdheut?! Kush i vrau gurët dhe legjendat dje nëpër shekuj- dhe kush po i vret sot e me porosi të kujt?! Sot, kur trimat tanë legjendën e zbriten nga qielli në tokë, dhe bënë realitet, të kapshëm dhe të prekshëm për dorën e shqiptarit. Madje e ulën atë këmbëkryq në sofrën e madhe të shqiptarisë! Mungojnë gurët e historisë; në Prishtinë, Freizaj, Therandë, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Besianë, Gjilan, Deçan e në shumë qytete e qyteza të Kosovës, mungon një guri- në shenjë respekti për Komandantin tonë Legjendar Adem Jashari?! Mos harroni se në po të gjitha këto vende të Kosovës së dikurshme, kishte me dhjetëra gurë të pushtuesve serbë, para të cilëve poltronët shqiptarë përkuleshin në mënyrë tragjiko-komike, madje nga tri herë në ditë! Mbi këta gurë është bazuar edhe “pakoja e Ahtisarit”!, Gurë, mbi të cilët po vihen edhe kufijtë e ri të plagëve të Kosovës të cilët ngadalë e një ditë do të bëhen realitet, madje pranuar e nënshkruar me dorën tonë, në mënyrë që ne të mos guxojmë të sillemi më as në afërsi të këtyre gurëve!… Disa absurditete në kohë që populli ynë po i gëlltitë sot me bukë- vështirë se do t’i hanin të tjerët, siç janë: Në Kuvendin e Kosovës në Prishtinë dje thanë: “Objektet e vetme që nuk kanë leje ndërtimi janë; Kisha Ortodokse dhe shtatorja e Lirisë”! E pati thënëpublikisht ish kryeparlamentari Daci atëbotë! Pra, ai nuk i dha dy metra truall për Komandantit Legjendar në Prishtinë!… Ata që vranë shtatoren e lirisë dhe portretin e saj dje, sot krejt solemnisht shkojnë e përkulen para Komandanti, dhe deklarohen në emër të atdheut! A nuk është kjo më shumë se ironi!?… Dhe si për ironi të fatit, populli ynë duartroket absurditetin!… Me qindra objekte të ndërtuara pa leje në Prishtinë, për bosët nuk ka nevojë as për leje, as për formalitete tjera, ngase ata “lejet” kanë në xhepat e thellë. E shtatorja e Lirisë nuk mund të ndërtohet pa leje, nga se nuk ka xhepa Shtatorja!… Atje përkulen shumë, madje edhe bosët që kanë ndenjur me Jelcinin këmbëkryq në Moskë, hë pra të gjitha këto në emër të atdhetarisë!… Mund të jetë fare lehtë, që kështu dikush moti, ta ketë vrarë edhe gurin e Millesh Kopiliqit, të Shaban Polluzhes, të Fazli Grajqevcit, të vëllezërve Gërvalla e të dhjetëra trimave të rënë për liri! Mirë atëherë, na ishte një kohë që i hante shumicën e atyre që nuk ndërzeheshin me pushtuesin! Po sot; më ke po ndërzehen këta, a mos e ndërzymja me të huajin iu ka kaluar në ves qysh nga kohët e kurvërisë së tyre të vjetra, mbase pleqtë tanë nuk kanë thënë kot se femra e ka një derë, por kurvëri e mashkullit?!… Në Prizren për disa vite me radhë, është refuzua një metër katror truall për Komandat Kumanovën!? Është vrarë edhe një gurë tjetër i historisë për komandant Kumanovën, e nga ana tjetër nuk ka guxuar të mungoi një gur për Car Dushan- Dushanoven! E sa interesant është t’i shikosh, sa solemn e sa hije rëndë shkojnë atje në radhë këta hipokrit ( në prag të zgjedhjeve), por edhe për ndonjë përvjetorë, t’i shikosh se si përkulën ata tërë naze para legjendave, pikërisht ata që gurët e historisë së legjendave janë munduar t’i vrasin me dorën e vet! Mileti iu duartroket vrasësve të historisë së djeshme, të sotme, por edhe të nesërme, a nuk është kjo më shumë se një absurd i llojit të vet! Një gur ku ka vënë kokën, një krua ku ka pirë ujë, një urë ku ka kaluar lumin, një mur ku është fortifikuar, një lis nën hijen e të cilit ku ka bërë një sy gjumë Komandanti ynë Legjendar- nderon Kosovën dhe historinë e saj. Në as një mënyrë, në as një rast, në as një kohë mohuesit e historisë së vendit të tyre, nuk mund t’i sjellin atdheut as liri, as paqe, as demokraci, as zhvillim, as përparim, as respekt, as dinjitet. Ata atdheut i sjellin vetëm ngecje, huti dhe mbrapa ecje! Para ca dite, në një nga gazetat të përditshme lexova se: “ iks-delegacioni, në krye me iks- liderin, shkuan të varri i Komandantit, dhe më pas në qendër të qytetit të Skenderajt, ku vunë kurora lulesh dhe nderuan Komandantin me prezencën e tyre!… Gazetar i nderuar, kjo fjala: Ata “nderuan“ Komandantin- më thartoi më shkaktoi një turbullimë në tërë qenien. Tek varri, ose shtatorja e Komandantit, njerëzit shkojnë për të qenë të nderuar pranë tij, e po tani sikur të kishim mundësi e ta pyesnim Komandantin se a na pranon që të përkulemi para tij- Ehuuu, ku do ta ndalnin vrapin disa!… Ky është absurditeti i kohës së sotme që po jetojmë, ku na janë mbështjellë për rreth demagog, dilinxhi, hajna, llaskuçë, matrapaz, zagarë, kusarë, dredhaxhi, plaçkatarë e të pacipë, të pa sinqertë e gënjeshtarë, udb-ashë e tradhtarë- dalloj po munde o populli im! Sa herë që vjen marsi, gurët rrokullisen, ata gumëzhinë për trimat, ata kërkojnë që të vendosen secili në vendin e vet, nga se ashtu peshojnë më mirë. Nuk kanë thënë kot që moti se: ” Guri rëndë peshon në vend të vet!”… Kush kërkon që të shtyhet me gurët e historisë, kush dëshiron rivalitet me gurët e atdheut, kush mendon që të matet me gurët e legjendës- ai i bënë gropën veti, dhe një gurë tek koka do atij do t’i mungoi, dhe varrin do ta ketë pa epitaf
Kontrolloni gjithashtu
Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota
Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …