Dr. Sulejman Abazi, Neshaj: Platforma e Shqipërisë Natyrale

Është e natyrshme dhe në të gjitha rastet meriton të përgëzohet. Përmbajtja e librit nuk “gjykon me pathos” (megjithëse për shumë raste do t’u bashkohesha opinionistëve për këtë çështje), por nënvleftëson elementët gjeopolitikë dhe gjeostrategjikë, të cilët varen në ndërthurjet dhe ndërmarrjet e veprimit të faktorit ndërkombëtar, përballë interesave të tyre në këtë rajon. Nuk besojmë se arrin të vlerësohet me vend përçmimi në parathënien e librit për gjithçka shqiptare, duke vënë shenjën e barazimit me produktin e politikës shqiptare në këto 20 vjet.


Historia e Shqipërisë është e shtrirë thellë në antikitet dhe e lidhur fort me të sotmen shqiptare. Ndoshta do të ishte me vend gjykimi i problemit shumë më gjerë se sa kaq, me gjithçka që kanë bërë, bëjnë dhe arrijnë të realizojnë shqiptarët brenda dhe jashtë hapësirës së tyre jetike e etnike në shërbim të përmirësimit të jetës së tyre dhe në shërbim të çështjes kombëtare. Jemi të vetëdijshëm se, jo çdo gjë që ka ndodhur në dy dekadat e fundit, ngjarjet kanë qenë në dorën e politikbërjes shqiptare, se nëse do të ishte kështu, atëherë për Brukselin, Rugovën, Berishën, Nanon apo dhe të tjerë “politikuaj”, rinia shqiptare nuk do të rrëmbente armët për të shpërbërë zinxhirin e kolonizimit, në kërkim të lirisë dhe pavarësisë kombëtare, por do të duhej të priste deri në pafundësi, që këtë t’ia “falte” Milloshi dje dhe Tadiçi e Gruevski sot. Djemtë dhe vajzat shqiptare të UÇK-ve u ngritën, luftuan dhe kërkuan fitoren.


Nëse në analizën dhe vlerësimin e botimit paraprakisht mund të jenë parë përballë këtij botimi edhe njerëz që nuk janë prononcuar, që janë stepur apo më keq, që e kanë kundërshtuar këtë “platformë”, kjo nuk duhet të alarmojë askënd, as autorin e as parashkruesin e librit, pasi as autori as shumë të tjerë, nuk mund të pretendojnë që t’i kthejnë të gjithë shqiptarët në pauses të kësaj “platformë” (nëse mund të vlerësohet e tillë në misionin e saj). Shtrimi i problemit në këtë mënyrë, për të marrë në mbrojtje vlerat individuale të autorit, përballë nevojës së ngritjes së vlerave insitucionale që mund të përmbajë platforma brenda saj, duke lënë të nënëkuptohet “i vetëm përballë opinionit”, nuk janë e njëjta gjë. Nëse komunikimi me lexuesin shqiptar dhe atë joshqiptar lidhet me shpalosjen e vlerave individuale të autorit, hyrësi i botimit nuk ka të drejtë të “hajë” paraprakisht mendimin dhe shprehjen e opinionit prej lexuesit, të cilët besojmë, se janë në gjendje të vlerësojnë thelbin e një publikimi sipas bindjeve dhe gjykimit të tyre dhe jo sipas parathënies së botimit. Nëse para botimit ka pasur kundërshti ndaj kësaj “platforme”, kjo përsëri nuk i jep të drejtën pjesës hyrëse të marrë në mbrojtje autorin dhe të bëjë vlerësime superiore për kontributin e tij në çështjen kombëtare dhe njohjen e thellë të çështjeve ballkanike. Ky mund të jetë një opinion individual por kurrësesi përgjithësues.


Vlerat e kuvendeve shqiptare në interes të Bashkimit Kombëtar janë fondamentale e të pazëvëndësueshme dhe ato në thelb kanë krijuar sot atë filozofi, të cilën me të drejtë e përmendim, “Filozofia e Ribashkimit Kombëtar”. Edhe nëse sot ajo nuk është e shkruar në ndonjë dokument të veçantë autentik shqiptar, ne kemi kuptuar se ajo ekziston dhe funksionon brenda genit shqiptar dhe vetëdijes sonë kombëtare. Por ndryshe nga kjo vlerë e ardhur thellë nga historia jonë e dhimbëshme mbijetese dhe lavdie, kjo filozofi sot kërkon adaptivitetin, uljen me këmbë në tokë, në realitetin politik konkret të hapësirës ballkanike, e veçanërisht asaj shqiptare, në kërkim të rrugëzgjidhjeve, larg historizimit të çështjes. Duke mos dashur të mbetem peng i paragjykimit të individit, ajo që na shqetëson në këtë rast, është krejt tjetër gjë.


Në aspektin e analizës dhe të parashtrimit të argumenteve bindëse, do të jetë me vënd që në pikpamje shkencore etimologjike, të shpjegohet sipas fjalorit shqip fjala “natyrale”. Atëherë me të drejtë do të pyesim: Ku është jonatyralja e Shqipërisë sonë? Probleme etnike kanë shumë shtete në Evropë, ku jo të gjithë e thonë, ose pretendojnë, siç pretendojmë ne shqiptarët për Ribashkimin Kombëtar. Pamvarësisht kësaj, nuk është dëgjuar ndonjëherë për “Rusi, Angli, Gjermani apo Serbi natyrale” , se po të ishte kështu, ndoshta do t’u takonte edhe shqiptarëve të kishin një kërkesë të tillë kohë më parë


Nëse shqiptarët sot u duhet të flasin për një Shqipëri historike, etnike, politike dhe për Shqipërinë e Ribashkuar të quajtur “Shqipëri”, kjo justifikohet nga arkivat e Perandorisë Osmane, e cila në ndarjen e saj administrative perandorake ka njohur katër vilajetet shqiptare, të cilat po brenda këtij administrimi kanë qenë hapësira kompakte etnike që i përkisnin Kombit Shqiptar. Po kështu, hapësirës administrative që krijoi qeverisja e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në tre vite të jetës së saj, e cila me mundësitë që pati mbrojti me armë kufijtë veriorë, lindorë e jugorë të hapësirës etnike. Në këtë situatë, koha na jep të drejtë të kërkojmë pa lëkundje ribashkimin e “Arnautistanit” të dikurshëm.


Leksioni i ministrit të jashtëm të Republikës së Turqisë në Sarajevë një muaj më parë, nuk është i rastësishëm dhe ai i kapërcen shumë dimensionet e një publikimi të tillë të vetquajtur “platformë”. Mesazhi politik mbi forcimin e kordonit Turqi – Selanik – Maqedoni – Shqipëri – Kosovë, ku nuk mbetet jashtë për shumë arësye edhe Kroacia, sot justifikojnë lindjen e nismës së Adriatikut për futjen e vendeve në NATO dhe në BE, por nuk japin garanci për “sahatin” me të cilën tentohet të matet zhvillimi ynë kombëtar, edhe pse do të dëshironim shumë që të ndodhte pikërisht kështu. Pavarësisht aspiratës shekullore dhe dëshirës drejt ribashkimit kombëtar, nuk do të ishte e drejtë që të shpërndahen rrugë imagjinare, që arrijnë të nxisin në mënyrë artificial dhe të quajnë të besueshme lindjen e iluzioneve, qofshin këto dhe tek individë të veçantë.


Në konceptin politiko historik dhe etnik të shqiptarëve, ne e kemi domosdoshmërisht të nevojëshme dominimin e mendimit të palëkundur se, ka vetëm një SHQIPËRI, e cila brenda saj duhet të përfshijë të gjitha trojet etnike si shtrat i jetesës dhe mbijetesës së Kombit Shqiptar. Emërtimet krahinore nuk na pengojnë aspak të shohim brenda realitetit dhe në të ardhmen tonë se, dëshira drejt ribashkimit është tjetër gjë, dëshira drejt integrimit është tjetër gjë dhe rrugët e mundësitë për realizimin e këtyre dy proceseve nuk janë e njëjta gjë. Brenda këtij realitetit, për disa individë që mund të tërhiqen nga interesa që i dinë vetëm ata, ndoshta është shumë e domosdoshme të tejkalohet e vërteta, ashtu siç ka edhe të tillë që bëjnë shumë për injorimin e të vërtetës, por problemi midis shqiptarëve nuk është ky, por në kushtet ku zhvillohet jetesa e shqiptarëve, përballë zhvillimeve të shpejta gjeopolitike rajonale, të gjejmë dhe të shpalosim të vërtetën me këmbë në tokë.


E vërteta shqiptare nuk lidhet me faktin e ripublikimit të akteve normative ndërkombëtare që kanë shkaktuar situatën e sotme coptuese brenda Kombit Shqiptar, e aq më keq, duke i konsideruar ato “artificiale”. Përsa ato funksionojnë edhe pas situatës luftarake të viteve 97-2001në hapësirën shqiptare, do të thotë se ato nuk mund të injorohen sepse kemi dëshirë ne shqiptarët. Sot ka vlera denoncimi i tyre në raport me të drejtën tonë në kontekstin e vendimarrjes ndërkombëtare. Edhe pse kjo nuk mjafton për kombin shqiptar, ai sot është një realitet i pranuar me ose pa vullnetin e shqiptarëve. T’i kujtosh sot politikës botërore dhe veçanërisht asaj evropiane, e cila i disponon të gjitha të firmosura origjinal me permanganate, nuk është gjithçka.


E vërteta lidhet me parashikimin që duhet bërë në thelbin e publikimeve të tilla drejt rrugëzgjidhjeve në realizimin e aspiratës shekullore. Kjo do të na interesonte të gjithëve dhe t’i vinim shpatullat e t’i përkushtonim gjithçka një program të tillë. E kundërta, sjell në vëmendje dilemën: Çfarë do të bëjnë shqiptarët në rastin e mosarritjes së këtyre afateve dhe të mosndryshimit të situatës me hartën qesharake të Ballkanit? Edhe për këtë pyetje duhet menduar dhe opinioni i shëndoshë shqiptar kërkon një përgjigje. Kujt i takon kjo përgjigje, institucioneve shqiptare apo autorit të “platformës”? Sigurisht këtij të fundit.


E vërteta nuk lidhet me dëshirën dhe afatet që kanë dëshirë shqiptarët për t’u zbatuar, duke i sjellë ato në vëmendjen e faktorit politik ndërkombëtar. Nëse shqiptarët sot, brenda apo jashtë institucioneve përfaqësuese në të gjithë hapësirën etnike e kanë këtë forcë imponuese dhe zbatuese, kjo do të ishte një mrekulli dhe shumë më e lëhtë përballë vështirësive që sjell në vëmendje kjo çështje. “Faza e tretë” e formimit të “Shqipërisë Natyrale”, mund të konsiderohet pamundësia më e madhe në zbatimin e kësaj “platforme”, pasi dimë që edhe vetë autori është kryetar i një partie, duke shtuar numrin e parcelizimit politik të shqiptarëve dhe të separatistëve politikë brenda tyre.


Problemi meriton të analizohet thellë me gjakftohtësi e në mënyrë shkencore, brenda një realiteti që vepron me format e tij specifike, se sa një kalim përciptazi i shpalosjes së dëshirës dhe aspiratës shekullore të Kombit Shqiptar edhe për Integrim edhe për Identitet dhe Ribashkim Kombëtar. Me këtë aspiratë nuk mund të luhet as në formën individuale, e ndonjëherë as në formën institucionale, sepse përgjegjësitë historike janë shumë të mëdha dhe të lidhura në një sistem të shumfaktorëshëm dhe shumdimnensional politik, i cili nuk ka arësye të anashkalohet, e aq më keq, të injorohet “artificialisht”.


Përballë këtij realiteti opinion shqiptar sjell në vëmendje zhvillimet në dy dekadat e fundit në hapësirën shqiptare, të cilat u kushtëzuan në finalen e tyre nga një lëvizje e armatosur e shqiptarëve nën Serbi dhe IRMJ, paralelisht me një veprimtari shumë e dendur diplomatike e politiko ushtarake, ku vendimarrja ishte në nivelin më të lartë ndërkombëtar. Kjo vendimarrje, si në situata të zhvilluara luftarake dhe në situata “mirëkuptimi” funksionon edhe sot. Ky është realiteti kokëfortë, i cili na mundon. Ajo nuk mund të mos respektohet brenda zhvillimeve ballkanike, ku Kombi Shqiptar ka vendin dhe rolin e tij të pamohueshëm. Në këtë rajon të mbarsur me kriza në heshtje dhe të hapura, nuk është e vështirë të konstatohen përplasja e interesave madhore të SHBA-ve, Bashkimit Evropian dhe Rusisë. Sa është e aftë t’i qëndrojë kjo “platformë” ” përballë këtyre politikave dhe sa ajo ndikon në përshpejtimin e proceseve sipas harkut kohor të “orës” që ka dëshirë autori i një platforme të tillë, në këtë çështje nuk merret asnjë shpjegim. Neologjizmat nuk duhet të na shërbejnë si luks për të shfaqur në opinion euridicionin tonë personal. Në rastin konkret, me shumë u jepet rëndësi termave të përdorura se sa zgjidhjeve optimal për çështjen shqiptare brenda një realiteti që vepron. Mund të hedhim terma të tilla, por e rëndësishme është se çfarë kupton opinion brenda tyre. Këto nuk vlejnë. Kapelja  “platformë” është bërë më e madhe se sa trupi. Përgjigjen çdo studjues që merret me analizën e situatës dhe zhvillimeve politike rajonale, është në gjendje ta gjejë brenda këtij konteksti.


Kam shumë për të trajtuar duke u referuar parathënies, faqeve 33, 34, 35, 42, 52, 54, 61, 66, etj. në një rast tjetër mund të jetë e nëvojëshme analiza shkakësore e problemit. Nuk ka “drejtësi të vonuar”, por është e vërteta ajo që vonon, por nuk harron. Në kontekstin e përgjithshëm të kësaj “pratforme” nuk sillet në vëmendjen e shqiptarëve Ribashkimi Kombëtar, por është vënë përballë një lloj integrimi pa formë, që nuk qartëson objektivat në çështjen kombëtare, duke mos respektuar analizën shkencore të faktorëve politikë, ekonomikë e social që veprojnë sot në Ballkan. Të dalësh hapur për të propoganduar Ribashkimin Kombëtar nuk është gabim, as padrejtësi, as injorim i situatave të tjera, as aventurizëm politik, por një e drejtë njerëzore, kundër padrejtësive historike. Sjellja në vëmendje e këtij procesi është një detyrë, gjetja e rrugëzgjidhjeve është një detyrim për këdo që merr përsipër përgjegjësi të tilla madhore.


Për këtë arsye, në këtë çështje madhore do të jetë e nevojëshme ndalesa për një problem që meriton vëmendjen e opinionit shqiptar dhe të institucioneve të tij përfaqësuese, pse jo dhe të atij ndërkombëtar. Analiza shkencore e faktorëve politikë të brendëshëm dhe ndërkombëtar që veprojnë në gjeopolitikën ballkanike, çon në përfundimin, se në këtë rajon ekziston çështja shqiptare e shtruar për zgjidhje, e cila sot është vënë përballë dy alternativave: proceseve të integrimit dhe të ribashkimit kombëtar. Një çështje thelbësore që meriton kritikën ndaj palëve mbështetëse, duke respektuar të drejtën e qëndrimit mbi këtë çështje. Integrimi dhe bashkimi Kombëtar. Vendosja e të dy alternativave përballë njëra – tjetrës dhe hapja e debatit mbi përparësitë e opsioneve me mbështetësit e tyre, është një qëndrim jo racional dhe i paarsyetuar logjikisht dhe shkencërisht, shpesh i qëllimshëm dhe armiqësor. Nuk është detyrim që në këtë trajtim të rreshtojmë një mori elementësh dezintegrues që veprojnë brenda procesit të integrimit, për shkak të veprimit të një dimensioni të shumfaktorëshëm të mbështetur mbi elementë historik, politik, ekonomik, social -psikologjik e religjiozë në Evropën e Bashkuar (veçanërisht në Ballkan), të cilat më vete dhe sëbashku, krijojnë sfondin e një debati të hapur, duke krijuar pështjellim në opinionin dhe qëndrimet e popujve dhe kombeve që jetojnë brenda rajonit të trazuar. Kjo çështje delikate meriton një trajtim më racional e të ekuilibruar, që do të çonte në zbutjen e klimës politike dhe të marrëdhënieve ndërshtetërore, duke vlerësuar veçanërisht përparësitë e opsioneve të shtruara për zgjidhje, mbështetur në të drejtën e kombeve për të ndërtuar dhe zhvilluar jetën e tyre.


Atëherë: Duhet pranuar analiza dhe parashtrimi i qëndrimeve, që proceset e integrimit të rajonit ballkanik dhe çështjet e ribashkimit kombëtar (veçanërisht për shqiptarët) nuk ka arësye të vendosen përballë njera – tjetrës, për të pranuar apo kundërshtuar cilindo opsion. Kjo mënyrë e shtrimit të problemit dhe debati mbi këtë çështje shpenzon kohën dhe energjitë në drejtimin e gabuar, duke nxitur debatin shterpë dhe fajësuar me detyrim këdo palë të pozicionuar sipas vlerësimit të tyre. Kjo është e gabuar. Proceset e integrimit dhe të ribashkimit kombëtar meritojnë të trajtohen si dy procese të ligjëshme, që secili ndjek rrugën e vet, drejt një realiteti të pranuar, pa u vënë në garë me njera – tjetrën dhe pa sulmuar thelbin dhe përmbajtjen e tyre. Secili prej këtyre proceseve ka në dispozicion hapësirën e vet, kohën e tij, forcat që i mbështesin ato dhe nuk mund t’u imponohet popujve dhe kombeve me zgjidhje nga lartë. Vlerësimi real i të dy proceseve do të lehtësonte maksimalisht realizimin e tyre dhe do t’i shërbente paqes dhe stabilitetit në rajon.


Nuk mund të mohoet e drejta e integrimit institucionalisht në Bashkimin Evropian e shteteve dhe popujve të Ballkanit, ashtu sikundër, nuk mund të injorohen kërkesat e kombit shqiptar dhe kombësive të tjera brenda shteteve ballkanike për bashkimin e tyre në një shtet të vetëm. Është konstatuar se kërkesa të tilla nuk janë vetëm të shqiptarëve, por dhe prej kombeve të tjera. Duke u ndalur në mjedisin shqiptar, për shumë arësye, çështjet e integrimit brenda popullsisë shqiptare, duke u trajtuar juridikisht sipas shteteve ku jetojnë mbetet problem delikat dhe i dikutueshëm, i cili nuk mund të funksionojë në kushte diskriminimi, pa normalizuar më parë demokratizimin e jetës politike e sociale të këtyre vendeve, veçanërisht të Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe në Greqi. Brenda rendit kushtetues të këtyre shteteve shqiptarët ndihen të diferencuar dhe në raporte diskriminimi me popullsitë e etnive të tjera.


Kjo është një arësye themelore, e cila përballë propogandës dhe masave juridike mbi çështjet e integrimit, ka nxitur në hapësirën shqiptare idenë e ribashkimit kombëtar në një shtet të vetëm. Nëse kjo nuk ndihet në qëndrimin dhe deklarimet e subjekteve politike shqiptare në shtetet respektive, kjo e drejtë nuk ka se si t’i mohoet kërkesave popullore dhe qëndrimeve intelektuale, të cilët i përmbahen këtij opsioni.


Paralelisht me kërkesat drejt integrimit evropian, objektivi themelor drejt ribashkimit kombëtar e ka të nevojëshme nxitjen dhe mbështetjen e shtetit në Republikën e Shqipërisë, në Republikën e Kosovës, të faktorit politik dhe patriotik shqiptar në hapësirat e tjera etnike dhe në Diasporë, drejt veprimtarisë aktive në rrugë të hapura e demokratike për realizimin e aspiratatës shekullore të kombit shqiptar. Ky opsion parashtron në këtë trase veprimi respektimin e të gjithë elementëve veprues politikë, patriotikë, organizativë e mediatik mbi të drejtën e propogandimit të hapur të nevojës së Ribashkimit Kombëtar në një shtet të vetëm me emrin Shqipëri. Askush nuk mund të mohojë të drejtën e institucioneve përfaqësuese shqiptare për ndërtimin e infrastrukturës ligjore me bazë patriotike, e cila do t’u nënshtrohet kërkesave në një niveli të lartë organizimi politik dhe patriotik, duke kërkuar në rrugë ligjore e demokratike reagimet kundër veprimtarive antishqiptare të nxitura nga qarqet ultranacionaliste në rajonin ballkanik e më gjerë.


Në qëndrimin e Republikës së Shqipërisë askush nuk mund të mohojë të drejtën e saj për të mbështetur faktorin patriotik, me synimin drejt qëndrimeve të unifikuara politike për mbrojtjen e interesave kombëtare të popullsisë shqiptare kudo që ajo jeton. Lidhja midis institucioneve qëndrore politike, shkencore e sociale të Republikës së Shqipërisë, Kosovës dhe institucioneve të tjera shqiptare kudo, është një e drejtë e ligjëshme kundër filozofisë së përçarjes, e cila ka funksionuar kohë pas kohe në dëm të shqiptarëve në rajon. Këtë aspekt delikat ta shpjegojmë në punime të tilla që synojnë karakterin kombëtar.


Mbi këto kërkesa, veçanërisht subjektet politike që mbështesin në programet e tyre çështjen kombëtare, organizimet patriotike, Akademinë e Shkencave, universitetet, shoqatat patriotike atdhetare, lëvizjet social – politike të shtresave të shoqërisë etj. në të gjithë hapësirën shqiptare, po shtrojnë si prioritet përgatitjen e kushteve demokratike për të ardhmen e popullsisë shqiptare që jeton në hapësirën e Sanxhakut, Kosovës Lindore, Malit të Zi, Çamërisë dhe të hapësirës shqiptare në shtetin e Maqedonisë. Sot kemi nevojë për hapin e parë: ribashkimin tonë shpirtëror, që më shumë se sa kjo “platformë”, sot po e realizojnë disa programe kulturore muzikore e arsimore në televizionet shqiptare të Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit.


Bazë për këto kërkesa bëhet arritja e kushteve të barabarta drejt integrimit të plotë të komunitetit shqiptar në jetën politike të shteteve ku jetojnë, duke përfituar të drejtat maksimale që u ofron legjislacioni vendas dhe standardet e sotme, kundër diskriminimit për ruajtjen e vlerave kombëtare. Hapi i dytë: Faktori shqiptar në këto shtete po synon të kthehet në partner të barabartë me kombet e tjerë, drejt realizimit të kërkesave të marrëveshjeve ekzistuese dhe korrigjimin e atyre që koha i ka çvlërësuar. Arritja e qëndrimeve të unifikuara sipas motos “një komb, një qëndrim”, do të arrijë të legjitimojë veprimtaritë me karakter kombëtar mbi bazën juridike të mbështetur në të drejtën ndërkombëtare. Legjimiteti i institucionalizimit patriotik dhe ligjor, nuk lejon hapësira për veprimtari çoroditëse (qofshin këto edhe prej partive politike më të mëdha) në shërbim të individëve dhe grupimeve të caktuara në dëm të çështjes kombëtare shqiptare. Kjo veprimtari mbarëkombëtare vlerësohet një mision fisnik, e cila ka nevojë për mbështetjen dhe pjesmarrjen e të gjithë pratriotëve dhe intelektualëve shqiptarë që gjenerojnë ide vepruese për çështjen kombëtare. Trajtimi i problemit në këtë mënyrë nuk ka lidhje aspak me orën e ndonjë “platforme”, por me vetëdijen kombëtare në veprim, duke e lënë atë në dorë të shqiptarëve pa nxitje të pamerituara.


Në jo pak raste në historinë tonë kombëtare jemi munduar të përsonalizojmë problematikën madhore, duke kërkuar prej individëve të veçantë që të mbeten në këtë histori, ndoshta në mënyrë të pamerituar. Duke tentuar personalizimin e çështjes, në fakt shkaktohet një dëm i madh, i cili pasojat i hedh në kurriz të kohës dhe energjive që duhet të shpenzojnë shqiptarët, nëpërmjet veprimtarive të personaliteteve patroitike e intelektuale, shoqatave, organizimeve mbarëkombëtare, institucioneve përfaqësuese kudo për të sotmen dhe për të ardhmen e Kombit Shqiptar. Kombit Shqiptar sot i duhet një Strategji Kombëtare (atribut i një bashkëpunimi ndërinstitucional politiko patriotik), në të cilën të jetë e përmbledhur platforma e mendimit mbi çështjet që shqetësojnë sot shqiptarët, pa i shkëputur ato nga realiteti ballkanik. Çdokush që merr përsipër përgjegjësi të tilla nuk do të jetë në gjendje që me një “platformë” të kapërcejë sot kushtetutat që veprojnë në Republikën e Shqipërisë, Kosovë, Serbi, Greqi, Maqedoni, Malin e Zi, ku jetojnë popullsi shqiptare në trojet e tyre etnike.


Ky është një moment që duhet vlerësuar në raport me të drejtën dhe qëndrimin që mban faktori politik ndërkombëtar ndaj këtij realiteti. Brenda faktorit shqiptar mungon vullneti i unifikimit të kërkesave bazë drejt ribashkimit Kombëtar dhe sigurisht, që kjo nuk është në dorën e tyre. Nëse një kërkesë e tillë është në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Bashkimi Kombëtar mohoet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe kjo nga politika shqiptare konsiderohet e pranuar. Ky çertifikim i papranueshëm për opinionin shqiptar, nxit konkretisht efektet e unifikimit dhe më tej, të veprimit. Sa është detyruese sot “platforma” për institucionet politike shqiptare? Përgjigjen e marrim me mendh të gjithë. Sot ndihet servilizmi politik shqiptar, përulja, mbyllja e gojës, përballë qëndrimit ndërkombëtar edhe kur bëhet fjalë për një çështje të drejtë, siç është Ribashkimi Kombëtar. Kundër kësaj fryme me efekte vrasëse po vjen në vëmendje kundërvënia e opinionit të shëndoshë shqiptar, i cili si çdo komb dhe popull ka të drejtë të propozojë, të kërkojë dhe të zgjedhë rrugën e tij. Ende nuk shihet që qeverisjet shqiptare dhe subjektet politike brenda rendeve kushtetuese ku jetojnë shqiptarët, të gjejnë kanalet e nevojëshme për të mbështetur këto veprimtari që lidhen me të ardhmen dhe perspektivën e shqiptarëve në Ballkan. Pse duhet të pretendojmë t’u diktojmë “platforma” atyre që ia kanë shkaktuar situatën Kombit Shqiptar dhe nuk duhet të shtrojmë opsionet për fenomenin separatist e servil që gjallon brenda faktorit politik shqiptar? Një opsion i tillë veprues u mungon “platformave” ” të tilla, të cilat shtojnë edhe një emërtim më shumë në radhën e gjatë të emërtimeve që i janë ngjitur në shpinë Shqipërisë sonë.


 


Realiteti historik nuk mund të përmbyset dhe në rastin më të këq, të deformohet. Në këtë “platformë” nuk konstatohet situata dhe gjendja e shqiptarëve në Malin e Zi. Në mikroanalizën politike që duhet të jetë në bazën e “platformave” të tilla, nuk mund të injorohet situata dhe gjendja e shqiptarëve në shtete fqinje dhe brenda tyre ku jeton populli ynë. Argumentet mbi situatën e rëndë të shkeljes dhe dhunimit të të drejtave të popullsisë shqiptare në këto shtete, duke mos plotësuar standardet e integrimit, shfaqja e deformuar e pushteteve politike në këto vende në raport me këto standarde, japin fyryrën e tyre të vëretë. Kjo analizë e munguar do të ishte një argument më shumë për kërkesa edhe më të mëdha. Kjo do të sillte në vëmendje gjendjen e Kombit Shqiptar dhe të marrëdhënieve që ka Tirana zyrtare me këto shtete. Nëse këtu kemi shumë për të thënë, atëherë si i kundërvihet kjo “platformë” politikbërjes shqiptare në rajon për të mbrotjur interesat kombëtare?


Duke mos shkuar më tej, është e detyrueshme në fushën studimore, që qoftë nga individë apo dhe institucione që marrin përsipër përgjegjësi të tilla, të pasqyrohet në mënyrë bindëse vullneti i mirë, në mënyrë që “platforma” për situatën në Republikën e Shqipërisë, Republikën e Kosovës, shqiptarët në Kosovën Lindore, në Malin e Zi, në Maqedoni dhe mbi çështjen e Çamërisë, të ndërtohet mbi realitete konkrete dhe posaçërisht nga institucionet e interesuara për çështjen kombëtare të shqiptarëve. Çdo zonë politike ku jetojnë shqiptarët ka një realitet specifik, i cili më parë e ka të nevojëshme të zgjidhë kontradiktat që gjallojnë brenda tyre. Shpallja e formave, rrugëve dhe mundësive mbi opsionet që kërkojnë shqiptarët në plotësimin e të drejtave të tyre, mbetet një atribut kolegjial tërësisht shqiptar, dhe kjo meriton të respektohet nga të gjitha institucionet shqiptare kudo që janë.


Duke e mbyllur këtë analizë dhe kritikë modeste, sot është e nevojëshme që ajo të funksionojë brenda mendimit shqiptar, kur është fjala për unifikimin e mendimit, qëndrimit dhe filozofisë vepruese drejt ribashkimit Kombëtar, kundër termave çoroditëse mbi “Shqipërinë e Madhe, të Vogël, Etnike, Londineze, Natyrale”etj, të cilat kanë çuar përherë drejt debateve shterpë, energjive të humbura dhe përfshirjen në lojën dinake të teorive ç’komnëtarizuese kundër shqiptarëve, të mbështetura në idetë bizantine të “megalidhesë” dhe “naçertanias”. Në hapësirën etnike historikisht dhe sot jeton një komb i lashtë, i cili quhet KOMBI SHQIPTAR, dhe nën një emër të quajtur, SHQIPËRI. Ta edukojmë vetemn tonë të flasim me një gjuhë të pastër shpjeguese, të mbështetur në konceptet bazë të Filosofisë së Ribashkimit Kombëtar.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …