RKL: Bisedimet e mundshme Kosovë – Serbi do të jenë para së gjithash politike dhe aspak teknike
Turri që ka ndërmarrë EULEX-i kundër autoriteteve të Kosovës me prejardhje nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, bastisjet në MTPT kundër Fatmir Limajt, arrestimi i Sabit Gecit dhe arrestime të tjerra që pritet të bëhen gjatë ditëve në vijim, janë vënë, jo në funksion të “sundimit” të ligjit sikur gënjejnë paturpësisht zyrtarët e EULEX-it, por si një presion i hapur drejtuar popullatës shqiptare të Kosovës dhe institucioneve, me qëllim për të rifilluar bisedimet me Beogradin, për, sikur thuhet çështje teknike.
Për këtë qëllim një pjesë e diplomacisë evropiane është vënë në lëvizje, për të përfituar nga rasti dhe për ta devalvuar pavarësinë e Kosovës, e cila është bërë mollë sherri mes evropianëve pro serbë dhe pro shqiptarë.>>>
Është krejtësisht e kuptueshme se këto bisedime po bëhen me presion të fortë diplomatik dhe policor, jo për shkak të Kosovës apo përfitimeve që do të kishte Kosova nga bisedimet me Beogradin, por në radhë të parë për të ngopur sado pak oreksin hegjemonist të Serbisë ndaj Kosovës.
Jo rastësisht kohë më parë, njëri ndër kardinalët e Papës, njëfarë Gasper, deklaroi botërisht se Kosova është djep i pravosllavëve dhe se kurrë nuk do të pranohet pavarësia e saj nga Vatikani. Në këtë deklaratë politike dhe jo fetare të këtij kryepari të Vatikanit shprehet qëndrimi edhe i shumë qarqeve evropiane, të cilat kanë alergji ndaj politikës amerikane në Kosovë dhe përgjithësisht në Ballkan.
Në anën tjetër, Beogradi zyrtar për çdo ditë përsërit qëndrimin se kurrë nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës, por do të insistojë të hapen bisedime, dhe në zgjidhjen përfundimtare të statusit të Kosovës të mos ketë vetëm humbës dhe vetëm fitues, por të dyja palët të humbin nga diçka dhe të fitojnë nga diçka.
Qasja ndaj këtyre bisedimeve është e ndryshme.
Qarqet diplomatike të Evropës, si duket e kanë bindur Beogradin zyrtar që të mos e përmend statusin, sepse vetë rifillimi i bisedimeve e devalvon atë, por fillimisht të aranzhohen dhe të kryhen bisedimet, të cilat nga kreu politik i Kosovës do të trajtohen me eufemizëm si bisedime për çështje teknike. Dhe, këto çështje teknike kanë të bëjnë me 15 për qind të territorit të veriut të Kosovës, që kontrollohet nga Beogradi qysh prej qershorit të vitit 1999, kanë të bëjnë me procesin e decentralizimit sipas planit të Ahtisarit, ku komunat me shumicë serbe do të kenë lidhje vertikale dhe horizontale me Beogradin dhe asnjë lidhje me Kosovën, ( përveç se do ta gëlltisin një pjesë të buxhetit të saj), dhe do të trajtohen si enklava me të drejta të veçanta. As çështja e bisedimeve me Kishën Ortodokse Serbe nuk është çështje teknike, por është çështje politike dhe territoriale e vendit, meqë kishat e manastiret serbe po marrin një “miraz” që shtrihet në dhjetëra mijëra hektarë tokë të Kosovës.
Nëse ndokush mendon se bisedimet për këto çështje janë teknike dhe aspak politike, atëherë nocionet teknikë dhe politikë na i kanë mësuar keq profesorët tanë, ose politikanët tanë po i lakojnë sipas rregullave të reja të gramatikës së tyre politike, për t’ iu qitur hi syve, atyre që edhe ashtu janë syleshë dhe e hanë samunin për sapun.
“Ministri i Jashtëm i Italisë, Franco Frattini, la të kuptohet në Prishtinë se bisedimet mes të dyja palëve do të mund të fillojnë menjëherë pas takimit rajonal në Sarajevë, që pritet të zhvillohet në qershor, nën organizimin e BE-së. Ndërkohë, BBC-ja ka bërë të ditur se fushat kryesore të bisedimeve mes palëve do të jenë decentralizimi, trashëgimia kulturore dhe veriu i Kosovës, që të tria këto çështje të negociuara edhe gjatë bisedimeve të ndërmjetësuara nga ish-i dërguari i OKB-së, Marti Ahtisari”.
Kjo është e vërteta e thënë lakuriq, pa eufemizëm dhe pa ndërrim tezash. Do të bisedohet për çështje politike, sepse këto nuk janë dhe askund në botë nuk mund të trajtohen bisedime për çështje teknike me një shtet që ka diskriminuar, ka vrarë e ka gjakosur dhjetëra mijëra shqiptarë dhe që në mënyrë kategorike përjashton çdo mundësi për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe nuk pranon të kërkojë as edhe falje për krimet, gjenocidin dhe etnocidin gati njëshekullor.
Këto qarqe evropiane, të cilat kanë filluar ta aranzhojnë procesin e ri të bisedimeve, po bëjnë përpjekje që bisedimet të fillojnë para se GJND-ja të japë një vendim, sepse kur Gjykata të marrë një vendim në njërin drejtim ose në tjetrin, kjo do ta bëjë procesin më të vështirë dhe do të ashpërsojë qëndrimet e të dyja palëve. Tani për tani, nëse Gjykata e shtyn vendimin deri të paktën në nëntor të këtij viti, atëherë ka më shumë hapësirë për t’i filluar këto bisedime. Kjo varet se si do të shkojnë gjërat, por kur të shpallet vendimi, njëra apo tjetra palë mund të thotë se nuk kemi nevojë të bisedojmë sepse tani kemi vendimin. Duke e ditur se GJND-ja mund të shtyjë vendimin ose nuk është ende e gatshme që ta marrë atë, kjo është një mundësi e mirë për t’i ulur të dyja palët në një tavolinë”, i tha BBC-së profesori Gvosdev. Ai shtoi se BE-ja mund të ndihmojë që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje që Beogradi ta njohë Kosovën dhe që Kosova, si shtet, të njohë interesat serbe.
Ja cilat do të jenë bisedimet “teknike”, mes Prishtinës dhe Beogradit. Këtu nuk ka çka fshihet, sepse kallauzi duket sheshit.
E mira e së mirave do të ishte, që kreu politik i Kosovës të mos fillojë të bëjë pazare të tilla, të cilat mund ta destabilizojnë në tërësi gjendjen edhe ashtu mjaft të brishtë, jo vetëm në Kosovë, por përgjithësisht, në të gjitha trojet shqiptare në Ballkan.
Nëse kreu politik është i shantazhuar me gogolin e “korrupsionit” ose të “krimeve të luftës” nga EULEX-i, populli shqiptar i Kosovës rinia dhe inteligjencia jopolitike nuk janë të shantazhuar dhe nuk do të rrinë duarkryq.
Veteranët, invalidët e luftës së UÇK-së dhe qytetarët liridashës të Kosovës kanë përpara një detyrë shumë delikate në këto momente. Edhe pse të lënë në mëshirë të kohës dhe të keqtrajtuar mizorisht qe dhjetë vjet, ata do të reagojnë fuqishëm dhe, në mos më shumë, duhet që në çdo mënyrë të stopojnë zezonat që po i kurdisen Kosovës, në radhë të parë nga EULEX-i, por edhe nga një segment i politikës poltrone, që mjerisht kurrë dhe në asnjë periudhë kohore nuk i kanë munguar Kosovës. Kjo na përkujton fillimin e viteve 90, kur Serbia haptas po e shkatërronte autonominë, ndërsa politikanët e tipit të Rrahman Morinës e Sinan Hasanit deklaronin se Kosova nuk po humb asgjë, por vetëm po e pasuron autonominë e saj nën Republikën e Serbisë.
Rifillimi i bisedimeve të autoriteteve të Prishtinës me Beogradin, i jep grushtin vendimtar edhe kësaj pavarësie të cunguar dhe të zezuar, andaj duhet pasur shumë kujdes. Nuk duhet harruar për asnjë çast se është vetë politika antishqiptare e Beogradit, e cila ka insistuar dhe po insiston në rifillimin e bisedimeve dhe këtë me siguri se nuk po e bën për hir të shqiptarëve të Kosovës, as të kreut politik të saj.