Shpeshherë del në sipërfaqe ajo thënia e njohur latine: Bellum omnium contra omnes, (Lufta e të gjithëve kundër të gjithëve) e cila aktualisht e karakterizon mjaft mirë gjendjen mbizotëruese ndër shqiptarë, veçmas në Kosovë. Zhvillimet e fundit politike, por edhe ato strategjike të fuqive të mëdha në Kosovë e më gjerë, po manifestohen me pozicione të reja, me oferta e presione të reja të mujsharëve të botës kundër popujve të vegjël, të cilët kanë qenë e po mbesin monedhë për kusur mes të fortëve, si moti ashtu edhe tani.
Përkrahja e drejtpërdrejtë, (aspak e tërthortë, sikur po prezantohet në disa qarqe e medie) që po i bëjnë zyrtarët e lartë të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian idesë për shkëmbimin apo korrigjimin e kufijve mes Kosovës e Serbisë, ka përshkallëzuar edhe më tej situatën politike, por edhe atë të sigurisë në vend.
Opozita dhe kundërshtarët politikë të kryetarit, Hashim Thaçi, po e akuzojnë atë madje edhe si nismëtar për ndryshimin e kufijve, edhe pse të gjithë e dinë se Thaçi nuk do të guxonte ta bluante as në kohë një ide të tillë, po të mos e kishte pasur paraprakisht përkrahjen e Amerikës dhe BE-së.
Është po ashtu vështirë të besohet se kjo ide ishte e Vuçiqit dhe ai ia imponoi Thaçit.
E vërteta e hidhur, të cilën duhet ta pranojmë dashur pa dashur është se veriu i Kosovës ishte ndarë nga tërësia e vendit tonë, qysh më 14 qershor të vitit 1999, kur mbi Lumin Ibër, në qytetin e Mitrovicës, kishin zbarkuar trupat paqeruajtëse të KFOR-it francez dhe në atë kohë nuk ka pasur as edhe një nismë nga ana e UÇK-së për t’ i përzënë forcat e KFOR-it, sepse një sulm i tillë do të kishte qenë fatal për kohën dhe rrethanat. Jo vetëm njëherë kundërshtarët e luftës për ndarje të veriut e kanë akuzuar, veçmas Zonën e Drenicës e të Shalës, të cilat kishin operuar në zona të caktuara të asaj pjese gjatë kohës së luftës, por jo edhe në tri qytetet serbe të veriut të Kosovës.
Po kështu, të gjithë e dimë mjaft mirë se rezoluta 1244 e KS të OKB-së, në të cilën ende thirren shumë shtete, veçmas Rusia e Serbia, pranon sovranitetin e Serbisë mbi vendin tonë, po ashtu njeh edhe kufijtë e Krahinës Socialiste të Kosovës, të vitit 1974.
Në kushte dhe rrethana të tilla, pavarësisht se Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008 dhe këtë pavarësi e kanë njohur rreth 110 vende të botës, madje e ka pranuar edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, Veriu i Kosovës as është qeverisur as qeveriset nga Prishtinë zyrtare.
Çështja e veriut të Kosovës doemos se do të zgjidhet me “arbitrim” ndërkombëtar, ashtu sikur është zgjidhur çështja e Plavës e Gucisë dhe e të gjitha territoreve shqiptare të cunguara nga fqinjët: serbë, grekë, malazez e bullgarë. Nuk ka asnjë bazë logjike dhe asnjë dëshmi relevante që na bën të besojmë se Kosova do ta kthejë sundimin në veri, kur nuk e ka pasur kurrë sundim apo qeverisje në veri prej vitit 1912, por as pas viteve 1999 e 2008.
Ekzibicionet dhe ekskursionet e kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi në Veri, janë më tepër të natyrës individuale dhe luftës politike, sesa lënë për të kuptuar se vajtja e tij, në rrethana gati ilegale, do të thotë se veriu po e njeh qeverisjen e Prishtinës zyrtare.
Këtë më mirë se kushdo e di vetë kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, por propaganda e tij është kundërpërgjigje një propagande tjetër kundër tij, nga opozita dhe nga të gjithë ata që e konsiderojnë fajtorin kryesor për të gjitha pësimet e vendit pas kohës së luftës.
Vizita në Liqenin e Ujmanit ka qenë në natyrën e lojës tinëzare të Thaçit, por duhet pranuar edhe faktin se me këtë veprim ai zbehu skajshëm protestën e 29 shtatorit 2018 të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila fatkeqësisht krejt orientimin dhe angazhim dhe krejt potencialin protestues, po e shpenzon vetëm duke luftuar Thaçin. Është ky një fiksion që sa po vjen e po bëhet qëllim për vetvete, madje qëllim nga i cili nuk fitohet asgjë, sepse pas Thaçit po qëndron Amerika dhe BE-ja, madje krejt hapur. Është po kështu shumë vështirë të besohet se Albin Kurti nuk i kupton këto rrjedha të politikës ndërkombëtare. Ai e di fare mirë se asnjë qendër e vendosjes ndërkombëtare nuk do ta pranonte programin politik e kombëtar të Albin Kurtit, natyrisht se kjo nuk do të thotë se ai duhet të heq dorë nga rruga e tij, por në raste të tilla, kur është në pyetje fati i vendit, armiqësitë politike do të duhej të suspendoheshin, për një afat të caktuar.
Lufta e opozitës vetëm kundër kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe lufta e tij e paskrupull kundër të gjithëve, që nuk mendojnë si ai, e ka sjellë Kosovën në një pozicion stagnimi, në një situatë pa rrugëdalje, sepse opozita nuk është e aftë ta rrëzojë Thaçin dhe t’ia marrë pushtetin, as Thaçi e ka ndërmend t’ia dorëzojë postin opozitës, sepse një veprim të tillë nuk e ka bërë as do ta bënte asnjë politikan i Kosovës. Po kështu, kryeministri Haradinaj ndodhet në pozitë dualiste, me qëllim për të mos e rrezikuar pushtetin dhe nuk është në gjendje të marrë një qëndrim të prerë.
Mjerisht, si kurdoherë në momente vendimtare, ne vazhdojmë që të keqën ta kërkojmë brenda njëri tjetrit, meqë nuk kemi pasur as kemi guxim ta adresojmë atje ku e ka vendin.
Politikanët tanë kanë treguar me vepër se më lehtë e kanë kur i vërsulen dhe i kreshpërohen njëri tjetrit, sesa të tregohen trima atje ku përballë tyre u rri armiku shekullor, i cili e thotë me gojën hapur se kurrë nuk do ta pranojnë pavarësinë e vendit tonë dhe shprehet hapur se një ditë do ta pushtojë jo vetëm Kosovën, por edhe veriun e Shqipërisë, deri në det.
Lufta e të gjithëve kundër të gjithëve, edhe pse në rastin konkret kemi të bëjmë me luftë politike, brendapërbrenda nesh, nuk do të sjellë fitore për Kosovën, kombin, atdheun, por do ta vazhdojë agoninë, do t’ i thellojë përçarjet, do ta helmojë edhe më tej urrejtjen dhe askush nuk do të përfitojë nga këto përplasje, qofshin edhe verbale.
Reagimi i palës serbe lidhur me vizitën e pa paralajmëruar të Thaçit në Veri të vendit ishte unik, sepse atje tashmë është krijuar bindja se veriu i vendit tonë është Serbi, dhe çdo kush që shkon atje duhet të marrë leje nga autoritet e Beogradit.
Vajtja tinëzare e kryetarit të Kosovës në veriun e vendit, me përcjellje policore, natyrisht se nuk ishte mirëpritur nga Brukseli as nga miqtë e partnerët, që na “duan” aq shumë, por asnjëri nuk kishte deklaruar se kryetari i Kosovës nuk ka të drejtë të vizitojë apo të qëndrojnë në veriun e vendit.
Veprimet e tilla të Thaçit si intervenimi me njësitet e njësive speciale, ROSU, në korrik të vitit 2011 në pikat kufitare të Kosovës me Serbinë, zmbrapsja e trenit nacionalist, disa vjet më parë dhe tani vizita e papritur në Ujman, kanë qenë dhe janë veprime taktizuese, por nuk kanë të bëjnë vetëm me egon e tij. Vetëm në këto tri raste, Kosova i ka treguar konkretisht Serbisë se pretendon veriun, por nuk e ka bindur askënd se ajo ka shtrirë apo shtrin autoritetin qeverisës, shtetëror mbi atë trevë.
“Janë tri përpjekje të mëdha përmbi vdekje”, do të thoshte po të ishte gjallë Migjeni i madh, dhe mjerisht nga këto përpjekje ka lindur vetëm një armiqësi më shumë e të gjithëve kundër të gjithëve… Po nuk duhet harruar edhe faktin se këto tri veprime të ish kryeministrit dhe tani kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi, kurrë nuk i ka përshëndetur as i ka pranuar Serbia. Asnjëri prej veprimeve të tij nuk është mirëpritur nga Vetëvendosja, apo nga opozita në vendin tonë. Po ashtu është edhe më për keqardhje se të gjitha këto veprime Thaçi ia atribuon vetvetes dhe askujt tjetër…