Ahmet Qeriqi: KODE SHQIPTARE I

 III   Ditët e Ja(h)vës


 


Shtatë ditët e javës të gjuhës shqipe paraqesin një fushë jo sa duhet të gjurmuar nga aspekti gjuhësor  por edhe fetar, historik e dokesor.


Ditët e Javës, lidhen ne gjenezën dhe krijimin e tokës e të gjithësisë nga Hyji, “Allahu”, “JAHVE”.


Gjashtë ditët, duke filluar nga dita e diel, janë ditët  e krijimit, ndërsa dita e shtatë është dita e pushimit, dita kur HYJI kishte krijuar tokën, yjtë, gjithësinë përgjithësisht, ndërsa ditën e shtatë, kishte pushuar. Dita e shtatë te hebrenjtë është ditë e pushimit rigoroz. Dita e diel, u bë ditë pushimi nga krishterimi, duke i ikur me qëllim ditës së pushimit të traditës hebraike.


Gjuha shqipe ka ruajtur emërtimin më autentik të mundshëm për ditët e Javës. Në shumë gjuhë të botës, kuptimi i ditëve të javës është reduktuar në kuptimin matematikor, numëror si” “shtatëshi” apo “shtatëshja” madje edhe në hebraishten, e cila identifikohet me “besëlidhjen e Vjetër”.


Hebraisht, Java, quhet  Sheva, në kuptimin shtatëshi.


Italisht, “Settimana”, frëngjisht “Semaine”, sllavisht “Sedmica”, të gjitha këto në kuptimin, shtatë ditë, shtata  apo shtatëshja.


Vetëm gjuha shqipe, me sa dimë ne, ka ruajtur kodin e vjetër të kalendarit javor në trajtën krejtësisht autentike si “Ditët e Ja(h)vës” apo shkurtimisht “Java”.


Ky kod nuk mund të lidhet vetëm me “Dies jovis” të latinishtes, meqë emri Jov, më  vonë Jovan, emër i gjinisë mashkullore, sipas fonetikës së gjuhës shqipe nuk mund të shqiptohet Java, që është emër i gjinisë femërore, ndërsa të gjitha ditët e javës në gjuhën shqipe i përkasin gjinisë femërore. JAVA, është shkurtesa e koduar për mëvetësinë absolute të krijuesit.  


 


Tetragrami hebraisht   JHVH, sipas mendimit tim mund të zbërthehet vetëm me gjuhën shqipe dhe me asnjë gjuhë tjetër të botës. Sepse kodi përmban esencën e besimit në një hyj, në kuptimin: Je Hy i Vetmi Hy.


Formula e besimit hebraik përmblidhet në këto fjalë:


Ishmea Jishrail adonaj (JHVH) ellohenu adonaj (JHVH) ehod.


Në kuptimin shqip do të thotë:


“Dëgjo (popull) i Izraelit, Zotynë ( JHVH) është Një”. (Enciklopedia e religjioneve të gjalla”, Beograd, 1992, f. 705.).


Edhe në gjuhën arabe, formula e besimit islam përmblidhet me fjalinë e ngjashme për nga kuptimi, “Esh-shhedu en la ilahe il-lallah, Muhamedun resulu-llah” që do të thotë, “Dëshmoj  se nuk ka tjetër (hy) veç Allahut… dhe Muhamedi është i dërguari i tij”.


Kodi JHVH nuk mund të jetë i rastësishëm, sepse përmban në vetvete formulën e besimit monoteist, krejtësisht identike si në besimin hebre ashtu edhe në atë islam. Tetragrami (JHVH) lidhet pikërisht me ditët e krijimit, sipas “gjenezës”. Ditët e Javës, janë ditët e Hyjit, JHVH, i shqiptuar  hebraisht si Jehova, meqë në gjuhë hebraike dhe në atë arabe, zakonisht nuk shkruhen tri zanoret: a,i,u.


Kodi i zbërthyer në shqip:


J – Je


H- Hy


V- Vetmi


H- Hy.


Në cilën gjuhë të botës do të gjendet një shpjegim i tillë fenomenal   gjuhësor, përderisa  një shpjegim i tillë i përkryer  nuk gjendet në vetë gjuhën hebraike? Rastësinë me këtë rast e përjashton vetë fenomeni i Ditëve të Javës, gjashtë ditëve të krijimit të botës sipas Biblës dhe Kur’anit.


Në traditën e hershme hebraike ka qenë e ndaluar të përmendet emri i plotë i Krijuesit. Katër shkronjat e koduara hebraike: Jod-Hi-Vav-Het, kanë qenë dhe kanë mbetur një kod specifik i besimin në një Krijues, në një Hy të Vetmin Hy,  si krijues i përgjithshëm dhe i vetëm, i tokës i gjallesave  dhe i  gjithësisë.


Studiuesi i religjioneve, Mexhid Yvjesi  në një shkrim të tij në formë reagimi  rreth studimit “Ditët e javës në gjuhën shqipe”, shkruar nga akademik Besim Bokshi, shkruan se Ditët e javës, së pari u përvetësua në Romë në shekullin e katërt, prej nga më vonë u përhapën  në Evropë.
Me urdhër të perandorit romak, Konstantini i Madh, në vitin 321, u vendos që dita e parë e javës të caktohet dita e diel.
Dita e diel u caktua si ditë e parë e javës për nder të Diellit, sepse prej kohësh, prej romakëve paganë, adhurohej kulti i Diellit, me emrin: Sol Invictus (Dielli i pathyeshëm, i pamposhtur).
Por, nuk duhet harruar se ditët e javës qenë përvetësuar nga romakët prej egjiptianëve. Prej tyre i përvetësuan popujt tjerë për rreth Detit Mesdhe.
Egjiptasit i kanë përvetësuar ditët e javës prej persianëve, të cilët i kanë përvetësuar prej babilonasëve, të cilët i përvetësuan prej sumerëve.
Java prej shtatë ditësh është përcaktuar sipas katër fazave të Hënës, që e plotësojnë muajin. Hëna e Re është faza e parë, gjysma e parë është faza e dytë, Hëna e Plotë dhe gjysma e fundit.
Ditët e javës janë emërtuar sipas emrave të trupave qiellorë ose planetëve. Të gjitha këto emërtime janë me prejardhje nga gjuha latine. Dita e parë, e Diel, është emërtuar për nder të Diellit, i cili adhurohej nga romakët paganë si hyu i pamposhtur. Dielli, gjithashtu, adhurohej edhe prej grekëve, egjiptasve persianëve, sumerëve paganë, me emrat: Helios, Ra, Apollo, Ogmios, Mithra. Dita e dytë, e Hënë, emërtohet sipas Hënës, hyjneshë e adhuruar edhe me emrat: Selene, Luna, Mani.
Dita e tretë, e Martë, sipas Marsit, i cili te romakët paganë adhurohej si hyjni i luftës me emrin Martius.
Dita e katërt, e Mërkurë, sipas Merkurit, i cili ishte hy pagan te romakët, kurse te grekët adhurohej me emrin Hermes.
Dita e pestë, e Enjte, adhurohej si hyjneshë e fuqisë.
Dita e gjashtë, e Premte, sipas Afërditës (Venerës,) dita kushtuar Venerës, hyjneshë e dashurisë. Të gjitha planetët rrotullohen rreth Diellit në drejtim të kundërt me akrepat e orës, përveç Venerës, hyjnesha e dashurisë, që sillet në drejtim të akrepave të orës.
Dita e shtatë, e Shtunë, sipas Saturnit, i cili adhurohej prej romakëve paganë si hyu i bujqësisë.

Prej shtatë ditëve të javës, në gjuhën shqipe pesë ditë janë përkthime nga latinishtja, e cila i ka përvetësuar nga greqishtja, kurse vetëm dy emërtime, e enjte dhe e premte, janë në gjuhën shqipe.” ( Mexhid Yvjesi: Ditët e Javës në gjuhën shqipe.)


Një mendim të tillë për ditët e Javës ka shprehur edhe albanologu më i njohur shqiptar, Eqrem Çabej.


Me këtë rast do të bëjmë përpjekje për të zbërthyer kuptimin primat të këtyre ditëve, duke u mbështetur në përmbajtjet, të cilat na ofron në formë shpjegimesh “Besëlidhja e Vjetër- Libri i Gjenezës.


 


Dita e diel, ose dita e Diellit, dita e parë e krijimit


 


Sipas librit të “Gjenezës” Hyji tha: “Le të bëhet  dritë dhe u bë dritë”. Dhe Perëndia ditën filloi ta quante ditë, ndërsa errësirën e quajti natë.” ( Jeta, si erdhi ajo këtu, botimi shqip i vitit  1995, f. 27.) interpretuar nga “Besëlidhja e Vjetër, Zanafilla.).


Në shumë gjuhë të botës, dita e diel, quhet dita e parë.


Arab. “javmul ehad”, dita e parë,


Hebraisht, “jom ehod”, dita e parë,


Sllavisht, “nedelja”, vjen nga  “njet delat”, ( jo punë) dita e pushimit, është ngatërruar me kalendarin e krishterë. Në gjuhët sllave Ditët e Jahvës kanë kuptim pagan, tokësor.


Nedela, dita e papunë,


Po-nedelnik, pas ditës së papunë,


Utorak ose vtornik, e dyta ditë pasuese,


Sreda, dita e mesme,


Cetvertak, dita e katërt,


Petak, dita e pestë,


subota, dita e gjashtë. Emrat e ditëve të javës  në gjuhës sllave nuk kanë kuptim të mirëfilltët përveç një ngjashmërie mbase edhe të rastit me fjalën hebraike Shabat- subota. Në radhitjen e ditëve,  në gjuhët sllave, vërehen gabimet e interpretimit të ditëve. Dita e parë është dita e hënë, ditë kjo, e cila vjen pas ditës së pushimit, ndërsa sipas kësaj radhitjeje, dita e mesme është Sreda, në kuptimin mesi. Por dita vijuese e pesta me radhë sipas kodit biblik është e katërta, cetvertak, pastaj petak, e pesta. Emërtimet e ditëve të javës në gjuhët sllave janë emërtime popullore, pagane dhe nuk kanë të bëjnë fare me besimin monoteist apo me krishterim, sepse sllavët ishin të fundit në Evropë dhe Azi që e pranuan këtë fe. Disa fise sllave në Sibir, deri në ditët tona kanë mbetur paganë.


 


Në gjuhën angleze, ditës së diel i thuhet “Sunday”, në kuptimin “Dita e Diellit”, po ashtu sikur në gjuhën shqipe.


Në gjuhën italiane, “domenica”, po kështu ditë pushimi.


Në gjuhën frënge, “dimanche”.


Në gjuhën magjare, vasarnap, dita e tregut, që lidhet po kështu me ditën e pushimit etj.


Në gjuhën turke, dita e diel shënohet “Pazar” ditë e tregut.


Kuptimi autentik sipas kuptimit të Biblës mendojmë se është restauruar  në gjuhën shqipe në gjuhën angleze dhe në disa gjuhë indo-evropiane.


Në gjuhën shqipe fjala Diell nënkupton ditën dhe dritën.


 


Dita e hënë ( Dita e dytë e vazhdimit të krijimit të botës dhe gjithësisë)


 


Dita e hënë, është dita e dytë e Javës, sipas kalendarit të vjetër. Në librin e Gjenezës shkruan tekstualisht: “ Le të bëhet një shtrirje midis ujërave e le të ndodh një ndarje midis ujërave. Pastaj hyji vazhdoi një ndarje midis ujërave, poshtë dhe lartë. Këtë ndarje Hyji e quajti “Qiell”.  Edhe  kuptimi i krijimit të botës dhe gjithësisë  mbase lidhet deri diku me satelitin e tokës, të quajtur, Hënë. Hëna, është një satelit që sillet rreth tokës dhe që ka shumë ndikim ekuilibrues në planetin tonë.


Dita e dytë në gjuhën angleze quhet Munday, po kështu në kuptimin dita e hënës, apo dita e hënë.


Në gjuhën italiane Lunedi, që do të thotë, Hëna, po kështu edhe në gjuhët romane. Në shumë gjuhë të tjera, e hëna quhet: dita e dytë. Në gjuhët sllave, “po nedelnik” që tekstualisht do të thotë, dita pas ditës së pushimit.


 


Dita e martë  ( Dita e tretë e krijimit…) 


 


Në vazhdim të punës së Krijuesit për të përmbaruar gjithësinë, Ai në ditën e tretë urdhëroi: “ Le të mblidhen së bashku me një vend ujërat, që janë nën qiejt dhe le të shfaqet dheu i thatë!” Dhe, ashtu u bë! Hyji filloi ta quante dheun e thatë tokë, ndërsa ujërat e bashkuar i quajti Det. Po në këtë ditë Hyji urdhëroi krijimin e të gjitha bimëve, farërave dhe pemëve frutore. ( Po aty… Zanafilla). Kemi prirje  të besojmë se kjo është dita e mbarë, dita kur Hyji kishte krijuar parakushtet e ushqimit të qenieve të gjalla, të cilat do t’ i krijonte ndërkohë. Në gjuhën shqipe ekziston edhe emri popullor i gjinisë femërore, Martë-a.  


Ka gjasa që kjo ditë të lidhet edhe me emrin e planetit mars apo mund të lidhet  me perëndinë pagane, të quajtur  Mars. Mirëpo shqipja i njeh të dyja trajtat, si Martë-a, po ashtu  edhe Mars, muaji i tretë i vitit, sipas kalendarit. Fare lehtë akordon edhe krijimi i këtij planeti në ditën e tretë, duke filluar nga Dielli hëna, marsi.


 


Dita e mërkurë (Dita e katërt e krijimit…)


 


Gjithnjë duke urdhëruar zhvillimin dhe rregullimin e tokës dhe të gjithësisë, Hyji tha: Le të bëhen trupa ndriçues në shtrirjen e qiejve, që të bëjnë një ndarje midis ditës dhe natës, dhe ata duhet të shërbejnë si shenja edhe për stinët, edhe për ditët edhe për vitet. Dhe ata duhet të shërbejnë si trupa ndriçues në shtrirjen e qiejve, për të shkëlqyer mbi tokë. Dhe ashtu u bë… Dhe Hyji vazhdoi të bënte dy trupat e mëdhenj ndriçues, trupin më të madh ndriçues për ta sunduar ditën( diellin)  dhe trupin më të vogël ndriçues, për ta sunduar natën,(hënën) gjithashtu edhe yjet. (Zanafilla, 1: 14 – 16. Psalmi 133: 7-9.).


Në ditën e katërt të krijimit të tokës dhe gjithësisë janë dalluar” Dielli, Hëna dhe yjet…(Po aty…). Dita e katërt fare lehtë mund të lidhet edhe me krijimin e planetit ndriçues, të quajtur Merkur, ose Dita e Merkurit, dita kur u rregulluan yjet ndriçues. Në gjuhën italiane, ditës së mërkurë i thuhet “mercoledi”, në gjuhën hungareze Szerda, (mbase nga sllavishtja, në gjuhën turke “Çarshamba”, në gjuhën frënge, “mercredi”, në gjuhën angleze, Wendesday, e kështu me radhë.


 


Dita e enjte (Dita e pestë e krijimit)


 


Dhe Hyji tha: “Le të gëlojnë ujërat nga një gëlim me shpirtra të gjallë dhe përmbi tokë të fluturojnë krijesa fluturuese, në faqen e shtrirjes së qiejve. Dhe Hyji vazhdoi të krijonte përbindëshat e mëdhenj të detit dhe çdo shpirt të gjallë që lëviz përreth.( Zanafilla, 1:20, 21). Dita e enjte në gjuhën shqipe nënkupton ditën e “ënjtur”, ditën e mbarsur. Është kjo dita e krijimit të gjithë qenieve të gjalla, përveç njeriut. Në kohët e moçme “dita e enjte” ishte dita më e preferuar për lidhjet martesore. Në traditën popullore shqiptare ditën e enjte, gatuheshin “të trejtet”, ushqime speciale, si flija apo pite të ndryshme me barëra të veçanta. Po kështu, në folklorin shqiptar është e njohur edhe frazeologjia e një kënge humoristike popullore të dasmave, “e hane e marte, e lumja moj e enjte” – (o po ket’ t’ merkurën, nanë e kam harrue…”) Kuptimi i kësaj dite lidhet në mënyrë  të mirëfilltë me kuptimin biblik të gëlimit, apo shumëzimit enorm të qenieve të gjalla. Në një vështrim përmbledhës të emrave të Ditëve të Javës në gjuhën shqipe, Thumbi, (Indogerm, Anzeiger 13, 119), emrat e së enjtes, të premtes dhe të shtunës i quan emra enigmatikë, shpjegon Çabej në (“Studime gjuhësore, vepra I, Prishtinë 1976, f. 162.) Gjuhëtari Treimeri  mendonte se  emri i kësaj dite të javës lidhet me zotin e zjarrit tek ilirët, duke e afruar me fjalën “Agnih” te indasit e vjetër. Emri Agni del mjaft i përhapur ndër shqiptarë. Dijetarët kanë bërë përpjekje që këtë fjalë ta lidhin edhe me fjalën analoge etruske, “Visar”, që do të thotë, Zot, Perëndi etj.  ( Po aty…)


Te Pjetër Budi  e hasim në kuptimin e “Enjte e Madhe”. ( Po aty…)


Studiuesit e ditëve të javës në gjuhën shqipe  nuk e kanë vërejtur ose e kanë flakur si të padobishme përmbajtjen dhe ngjashmërinë  kuptimore  që kanë këto ditë me ditët e krijimit sipas “Zanafillës”. Mendoj se asnjëra nga ditët e javës, nuk mund të shkëputet nga Zanafilla, sado që shumëkujt i duket i kotë besimi se Hyji ka krijuar botën dhe gjithësinë për gjashtë ditë, ndërsa ditën e shtatë ka pushuar. Me këtë rast ne nuk po merremi me besimin, por me qasjen autentike shqiptare rreth krijimit sipas besimit monoteist. Tradita moniste fetare shqiptare ka qenë e determinuar nga ky besim dhe doemos se e ka përfillur përmbajtjen e ditëve të krijimit. Jo rastësisht, Java ka shtatë ditë dhe krejt kjo qoftë sipas kalendarit të traditës së hershme fetare, qoftë sipas Biblës lidhet me “librin e Zanafillës” dhe kurrsesi me festat apo perënditë pagane.


Ditës së enjte në gjuhën angleze i thuhet Thursday, italisht: Giovedi, frëngjisht: Juedi, sllavisht Cervertak, që do të thotë dita e katërt, nga çetiri, katër, hungarisht po ashtu ngjashëm me sllavishtën “Csutortek”, turqisht Pershembe, etj


 


Dita e premte  ( Dita e gjashtë e krijimit…)


 


Dhe Hyji tha: “Le të nxjerrë toka shpirtra të gjallë sipas llojeve të tyre, kafshë shtëpiake dhe kafshë të egra, sipas llojit të tyre dhe ashtu u bë… Dhe Hyji vazhdoi të thoshte “Le ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë, sipas ngjashmërisë sonë dhe ata le t’ i kenë në nënshtrim peshqit e detit dhe krijesat fluturuese, kafshët shtëpiake  dhe gjithë tokën dhe çdo kafshë që lëviz dhe bredh mbi tokë. Perëndia vazhdoi ta krijonte njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, mashkull e femër i krijoi… (Zanafilla, 1;26, 27.).


Çabej, në studimet e tij etimologjike të fjalëve të gjuhës shqipe, nuk e ka trajtuar ditën e premte, por ka  mbështetur mendimin e albanistëve, të cilët nuk kishin dhënë shpjegime lidhur me ditët: e enjte, e premte dhe e shtune, të tria këto, të margjinalizuara si ditë me etimologji të errët (!).


Emri i kësaj dite, emri më i rëndësishëm i krejt ditëve të javës lidhet pikërisht me këtë ditë, sepse në këtë ditë Hyji e krijoi njeriun sipas “shëmbëllesës” së vet.


Në fjalorin e gjuhës shqipe kjo ditë është shpjeguar si  dita e pestë e javës, që realisht është dita e gjashtë e krijimit, dita e “premtimit” dhe jo dita e pestë. Në asnjërën nga gjuhët indo-evropiane, as në gjuhët Hamito-semite nuk kemi shpjegim më domethënës dhe me përmbajte më fetare sesa me rastin e emërtimit të ditës së gjashtë të Krijimit. Hyji gjithçka kishte krijuar kishte krijuar për njeriun. Ai e kishte mbajtur premtimin. Meqë njeriun e kishte krijuar sipas shëmbëllesës së vet. Kjo fjalë e gjuhës shqipe lidhet me mbajtjen e premtimit, mbajtjen e besës, që në traditën shqiptare është një kult i shenjtë. Kjo ditë, në traditën e lashtë të krishterë, por edhe te shqiptarët shënonte edhe ditën kur ishte varrosur Krishti. Ajo ditë është quajtur edhe E premtja e Zezë apo e Premtja e madhe. Në fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, fjala premtim  shpjegohet si fjalë që jep dikush, ose zotimi që merr për të bërë diçka.


( FGJSH, Prishtinë 1981, f. 1539 .).


Në gjuhën arabe kjo ditë quhet “Javmul xhum-ati”. Është dita më e dalluar e javës, kur myslimanët e tërë botës falin namazin e kësaj dite, të bashkuar nëpër xhami. Është i vetmi namaz që nuk mund të falet individualisht, por vetëm me “xhematë”, me besimtarë dhe në mënyrë kolektive.


Në shumicën e gjuhëve indoevropiane dhe ugro-fine e të tjera kjo është dita në kuptimin e numrit pesë, duke filluar nga dita e hënë, sipas kalendarit të ri i formuluar nga Konstantini i Madh, në vitin 321 pas Krishtit.


.


Sllavisht “petak”, hung, pentek, turq. Cuma nga arabishtja, xhum’atun, ang. Friday, frëngjisht, Vendredi, italisht Venerdi, ndërsa greqisht “parasqevi”.


 


Dita e shtunë ( Dita e shtatë, dita e pushimit)


 


Përderisa  në gjashtë ditët e para, Hyji JAHV krijoi tokën dhe gjithësinë, ditën e shtunë,  e shpalli ditë të pushimit. Kjo ditë, në traditën hebraike konsiderohet si ditë e shenjtë, dita e pushimit të mirëfilltë dhe të domosdoshëm.


 “Të shtatën ditë hyji e kreu punën e vet që kishte bërë. Të shtatën ditë pushoi nga çdo punë që kishte bërë. Hyji e bekoi të shtatën ditë dhe e shenjtëroi, sepse atë ditë kishte pushuar prej çdo pune, që Hyji kishte bërë duke krijuar… (Don Simon Filipaj, Bibla, Shkrimi Shenjt, Ferizaj 1994, f. 20 ). “Zoti e bekoi ditën e shtatë. Që atëherë, Ai vendosi që të gjithë njerëzit duhet të pushojnë në “shabat”, të shtunën. Kjo ditë duhej të ishte dita e Perëndisë”. ( Anne de Vries, Libër i Madh me tregime për Historinë e Biblës, Stichting Antwoord, 1992. f. 3.).


Tradita krishtere, madje edhe vetë Jezusi kishte thyer shenjtërinë e kësaj dite. Për këtë ai kishte acaruar edhe më tej moskuptimet me interpretuesit e Besëlidhjes së Vjetër. Dhe pikërisht për këtë kalendari i krishterë ndërroi edhe radhën e këtyre ditëve, duke marrë pikënisje ditën e hënë si ditë të parë të krijimit, ndërsa si ditë pushimi, ditën e diel.  


Besimi hebraik, domosdoshmërinë e shenjtërimit të kësaj dite e ka kthyer në kult. Fjala “e shtunë” në gjuhën shqipe  është cilësuar me etimologji të errët nga Eqrem Çabej. Në fjalorin e gjuhës shqipe, faqe 1943, thuhet e shtuna është dita e gjashtë e javës. Nuk është bërë asnjë përpjekje për ta zbërthyer etimologjinë e kësaj fjale, madje nuk janë shpjeguar as derivatet e saj, si shtunak, shtunor, etj.


Në traditën popullore shqiptare ekziston shprehja frazeologjike përbetuese: “Për të shtunë e shtatëqind vjet”. Është një betim i llojit të veçantë, i cili flet për një traditë të moçme të shenjtërisë së kësaj dite, të cilën tashmë nuk e njohim. Krishterimi dhe Islami nuk e kanë përfillur shenjtërinë  e kësaj dite, të cilën tradita hebraike e  ka emëruar si “Shabat”. Nuk jemi në gjendje të shpjegojmë ndonjë analogji tjetër, por mjafton edhe fakti deri diku i përngjasimit gjuhësor në gjuhën shqipe  “e shtuna”, ndërsa në gjuhën hebraike“shabat”.


Shtunak, i thuhet personit i cili kthehej vonë nga dita e tregut. Nga ky fakt mund të përfundojmë se dikur moti tregu është bërë vetëm ditën e shtunë, ditën e pushimit, dita e shtatë të javës, sipas kalendarit të moçëm dhe jo në ditën e diel. Përbetimi shqiptar për këtë ditë, doemos se kishte kuptimin e ditës së veçantë, meqë është e vetmja ditë në të cilën ata betoheshin.  Të gjitha këto fakte e argumente lidhur me ditët e javës në gjuhën shqipe, zbërthehen përmes  shpjegimit biblik të zanafillës së botës dhe të gjithësisë. Kuptimi dhe përmbajtja është shumë më të thellë se në vetë gjuhët e “Shkrimit Shenjt”. Gjuha shqipe, edhe pse e shkruar vonë, shpjegon disa fenomene fetare dokesore e shoqërore më mirë se asnjë gjuhë tjetër në botë. Shembulli më tipik i këtij shpjegimi lidhet me autenticitetin e Ditëve të Javës.


“Shabat i thuhet ditës së fundit të javës te hebrenjtë, e identifikuar si dita e shtatë e javës” (Enciklopedija zivih religija, Nolit, Beograd, 1992, faqe 694).


 Dita e shtunë, si duket është dita  më e ngjashme për nga shqiptimi dhe përmbajtja në të gjitha gjuhet ku ka dominuar feja monoteiste, sipas kuptimit të kjo fjalë ka në gjuhën hebraike. Mund të konstatohet  se emërtimi i kësaj dite është zgjeruar nga monoteizmi i vjetër hebre dhe është ngulitur madje edhe në gjuhës sllave dhe në shumë gjuhë të tjera të botës.


Heb. Shabat,


Shqip E shtune,


Slavisht, Subota,


Italisht, sabato,


Frengj. Samedi,


Hungarisht Szombat,


Greqisht, Savato, etj.


 


 


Ditët e javës në disa gjuhë indoevropiane, hamito semite dhe ugro-fine


 


Latinisht               Anglisht        Shqip         Greqisht        Italisht


Dies solis,              Sunday,         E diel           Qiriaki,           Lunedi,


Dies Lunae,           Monday,        E hënë,         Enea             Martedi,


Dies martis,           Tuesday         E martë,       Dies,             Mercoledi,


Dies mercuris,       Wendesday,  E mërkurë,    Tres,              Giovedi,


Dies lovis,             Thursday,       E enjte,         Tetares          Venerdi,


Dies veneris dhe    Friday            E premte,      Parasqevi,     Sabato,


Dies saturni           Saturday        E shtunë,       Savvato         Domenica


 


 


Frengjisht          Sllavisht        Hungarisht    Turqisht           Hebraisht


Lundi,                   Ponedelnik     Hetfo,             Pazar,                Jom ehod


Mardi,                   Ftornik,           Kedd,             Pazartesi,          Jom shani


Mercredi,              Sreda,            Szerda,          Sali                    Jom shelesh


Jeudi,                    Çetvertak,      Csutortek,      Qarshamba,      Jom arbaa


Vendredi,              Petak,            Pentek,           Pershembe,      Jom hamesh


Samedi,                 Subota,          Szombot,       Cuma,               Jom shev


Dimanche             Nedelja          Vasarnap        Cumartesi         Shabat

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …