Demir Reshiti: Moment historik për integrimin ndërshqiptar

 


“Shqipëria u ngjall nga idealistët, u ruajt nga rastet, u vra nga politikanët” (Faik Konica)


 


Sot kur forca e së drejtës ka marrë përparësi mbi të drejtën e forcës, është momenti historik që shqiptarët të kërkojnë dhe realizojnë të drejtat e tyre kombëtare. Ne shqiptarët, duhet të respektojmë vlerat dhe qëllimet tona madhore, siç është problemi i madh i bashkimit të të gjithë shqiptarëve në një Shqipëri Natyrale. Një Shqipëri e bashkuar në një njësi territoriale, në një shtet të vetëm, është e drejta e vetme dhe e padiskutueshme. Me shqiptarët e bashkuar, shteti shqiptar do të jetë dyfish më i pasur, dyfish më i ditur, dyfish më kulturor, dyfish më energjik. Kështu edhe Ballkani do të jetë i stabilizuar një herë e mirë.


Ka plot mjete dhe instrumente juridiko-diplomatike, që përcaktojnë të drejtën e kombeve për vetëvendosje, siç janë Karta e Kombeve të Bashkuara e vitit 1945, Rezoluta 1514 e Asamblesë së Përgjithshme të OKB e vitit 1960, Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike e vitit 1966, Rezoluta e OKB-së nr. 2625 e vitit 1970, e njohur si Deklarata e Marrëdhënieve Miqësore, Akti final i Helsinkit i vitit 1975, karta e Parisit e vitit 1990, etj. Në shumicën e këtyre dokumenteve theksohet dhe përcaktohet qartë e drejta e vetëvendosjes së kombeve, por edhe njohja e ndryshimit të kufijve. Po kështu edhe Karta e Parisit për një Evropë të Re e vitit 1990, përcakton dhe madje e avancon edhe më tej këtë të drejtë të popujve.


 


MST/ Roli i elitës


 


Edhe pse disa ambasadorë e copëtuan Shqipërinë në Londër në fillimin e shekullit, elita shqiptare nuk e përfilli këtë ndarje, por vazhdoi logjikën e bashkimit. Hasan Prishtina u bë kryeministër më shumë se dhjetë vjet pas këtij copëtimi. Bajram Curri qe anëtar i qeverisë së Nolit. Po sot? As që mund të mendohet nga një pjesë e politikës tonë.


Dikush thotë, se nuk janë pjekur kushtet e ndërkombëtarëve. Së pari nuk e kuptoj cilët janë kushtet e tyre! Ç’lidhje kanë ato me ne, me problemet e zhvillimet tona të brendshme? Jam i bindur se kushtet e tyre nuk përmbushen asnjëherë. Ata nuk do të jenë asnjëherë dhe në asnjë rrethanë në favorin tonë. Historia shqiptare ka dëshmuar qartë qëllimet e synimet e tyre.


Ne mbështetemi në energjitë tona, por edhe në dokumentet e sotme ndërkombëtare, se jemi pjesë e kësaj Evrope. Gjermania nuk qe radikale kur kërkoi dhe e bëri bashkimin e vet. As ne nuk jemi kurrë të tillë, pse kërkojmë bashkimin e trojeve tona.


Mbetet respektimi i mendimit tonë kombëtar, respektimi i elitës shqiptare. Mbetet ndërtimi i platformës tonë nga akademikët. Por edhe kërkohet respekt e ndërgjegje patriotike nga të gjithë shqiptarët kudo që janë.


Akademik Rexhep Qosja bashkimin kombëtar e sheh si synim historik të popullit shqiptar. “…Bashkimi kombëtar-bashkimi i trojeve, në të cilat shqiptarët janë popullatë e vetme shumicë në shtetin amë me Shqipërinë shtetërore, duhet të jetë synimi historik i popullit të ndarë shqiptar”, thekson akademik Qosja. Ndërkaq, Faik Konica, si mendje brilante që ishte, pat thënë dikur “Shqipëria u ngjall nga idealistët, u ruajt nga rastet, u vra nga politikanët”. Nëse është vërtetë kështu siç thotë ai, idealistët shqiptarë, në të ardhmen nuk duhet ta lejojnë vrasjen e Shqipërisë nga politikanët.


 


MST/ Platforma e Shqipërisë Natyrale


 


Kur jemi te ndërtimi i Platformës kombëtare, duhet theksuar se për fat të keq dy Akademitë tona, e Tiranës dhe e Prishtinës, pothuajse nuk e kanë bërë asnjë përçapje në këtë drejtim. Megjithatë, studiues, historianë e analistë të shquar të kombit nuk kanë ndenjur duarkryq. Njëri nga ta që do ta veçoja në këtë shkrim, është profesori dhe analisti i mirënjohur Koço Danaj, i cili këto ditë e ka botuar librin Platforma e Shqipërisë Natyrale. Thelbi i kësaj Platforme, të botuar në pesë gjuhë (shqip, anglisht, serbisht, greqisht dhe maqedonisht), është domosdoshmëria e bashkimit të shqiptarëve në një shtet të vetëm, jo vetëm si një e drejtë fundamentale e tyre, por edhe si rruga e vetme e stabilitetit dhe progresit rajonal.


Koço Danaj në Platformën e Shqipërisë Natyrale, thekson se formimi i Shqipërisë Natyrale duhet të kalojë nëpër shtatë faza:


Faza e parë – Heqja e kontrolleve kufitare Shqipëri-Kosovë dhe heqja e taksave dhe doganave midis Shqipërisë dhe Kosovës…


Faza e dytë – Fillimi i procedurave për krijimin e sistemit unik arsimor midis Shqipërisë dhe Kosovës sipas parimit: Një komb- Një gjuhë – Një Abetare.


Faza e tretë – Krijimi i forumit partiak mbarshqiptarë me miratimin e partive kryesore shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Luginë e Preshevës, Ulqin dhe shqiptarëve të Çamërisë.


Faza e katërt – Nisma nga presidenca e Republikës së Shqipërisë e procedurave të bashkimit, bazuar në Kushtetutën e Shqipërisë.


Faza e pestë – Krijimi i konfederatës Shqipëri-Kosovë dhe e drejta e referendumit. (Në këtë fazë sipas Danajt duhet të zhvillohet edhe kërkesa për federalizimin e Maqedonisë si dhe krijimi i zonës së lirë në Luginën e Preshevës).


Faza e gjashtë – zgjidhja e çështjes së shqiptarëve të krahinës së Çamërisë e cila fillimisht duhet të shpallet si Zonë e lirë midis Shqipërisë dhe Greqisë…, dhe,


Faza e shtatë – Bashkimi në një shtet të vetëm të Shqipërisë Natyrale.


 


MST/ Unioni Shqipëri-Kosovë, fazë kalimtare drejt krijimit të Shqipërisë Natyrale


 


Disa nga këto faza tashmë janë në rrugë të mbarë të realizimit. Unë do të ndalem në fazën e pestë-Krijimi i konfederatës (Unionit) Shqipëri-Kosovë dhe e drejta e referendumit, e cila për mendimin tim është faza vendimtare drejt krijimit të Shqipërisë Natyrale.


Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK), në fund të vitit 2002, pati dalë me propozimin për krijimin e Unionit Shqipëri-Kosovë. Kjo ide e bashkimit kombëtar, ringjallur nga idealistët e Lëvizjes Popullore të Kosovës, përmes një amendamenti për Unionin Shqipëri-Kosovë, që u propozohet dy parlamenteve shqiptare, ishte jo vetëm në kohë, por shumë e rëndësishme sepse qe propozuar në një kohë kur qenë krijuar një sërë premisash.


Kryesia e LPK-së me anë të këtij propozimi ka kërkuar nga kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë përgatitjen dhe aprovimin e një Amendamenti kushtetues për krijimin e Unionit Shqipëri-Kosovë. Për ta arsyetuar këtë propozim, krerët e LPK-së kanë paraqitur një varg argumentesh dhe kanë organizuar aksionin për nënshkrimin e peticionit nga ana e qytetarëve, me kërkesë drejtuar Kuvendit të Kosovës për krijimin e Unionit Shqipëri-Kosovë. Ftesës për të nënshkruar këtë peticion, i janë përgjigjur mbi 50 mijë qytetarë të Kosovës në mesin e të cilëve edhe pjesëtarë të minoriteteve. Peticioni me mbi 46 mijë nënshkrime valide, i është dorëzuar Kuvendit të Kosovës. Ky i fundit, ndonëse ka proceduar me këtë peticion, kurrë nuk e ka parë të udhës që ta parashtrojë për diskutim në Kuvend.


Në arsyetimin e propozimit për krijimin e Unionit Shqipëri – Kosovë, theksohet se populli i Kosovës dhe i Shqipërisë kanë luftuar ndër shekuj për liri, integritet dhe sovranitet. Në këtë rast përmenden përpjekjet e bëra që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878) e deri në luftërat e zhvilluara në fund të shekullit njëzetë dhe fillim të shekullit njëzetenjë në Kosovë, Maqedoni e Luginë të Preshevës.


Bashkëpunimi i Shqipërisë dhe Kosovës gjithnjë ka qenë i natyrshëm dhe konstruktiv dhe u ka sjellë vetëm dobi qytetarëve pa dallim por edhe paqes në rajon. Shqipëria i është gjendur Kosovës në kohët më të vështira. Popullata e Kosovës në Shqipëri e kanë ndier veten më mirë se gjithkund në vendet përreth në kohën e eksodit biblik nga terrori i ushtrisë dhe policisë serbe. Kosova dhe Shqipëria në rrugë demokratike kanë të drejtë të integrohen. Në rrethanat e tashme forma më e mirë është krijimi i Unionit Shqipëri-Kosovë si një fazë kalimtare drejt krijimit të Shqipërisë Natyrale. Ky Union apo Konfederatë nuk u sjell dëm por vetëm dobi popujve dhe vendeve fqinje. Unioni Shqipëri – Kosovë do të ndikojë në vendosjen e rendit e qetësisë së përhershme dhe demokracisë në Evropën Juglindore. Unioni Shqipëri-Kosovë është i frymëzuar nga nismat e Bashkimit Evropian në Evropën Juglindore dhe është në pajtim me integrimin e përgjithshëm në kontinent.


 


(Autori është publicist dhe sekretar për marrëdhënie me publikun i LPK-së)

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …