Përvjetori i parë i referendumit të shumë-kontestuar mbi shkëputjen e Katalunjës nga Spanja u shënjua nga përplasje të dhunshme me policinë. Vetëm në Barcelonë, dolën në marshime mbi 180.000 vetë; protesta pati edhe në qytete të tjera të rajonit. Duke vërvitur shkopinjtë e gomës, policët u lëshuan mbi turmën e njerëzve të mbledhur përpara parlamentit rajonal katalanas. Qindra aktivistë pushtuan për disa orë binarët e trenave të shpejtësisë së lartë; disa rrugë dhe një autostradë u bllokuan gjithashtu. Votimin që trazoi Spanjën e përtej saj, Katalunja e mbajti 1 tetorin e vitit 2017; Pavarësinë, qeveria e saj separatist e shpalli në 27 tetor. Por Gjykata Kushtetuese spanjolle doli me vendimin se referendumi ishte i paligjshëm çka i lejoi Madridit të vendoste sundimin e tij të drejtpërdrejtë.
Skena të shëmtuara pati asokohe nëpër rrugë kur policia spanjolle u përpoq t’i ndalonte njerëzit të dilnin në votime, e ku nuk munguan episode e dhunës. Një sondazh opinion i realizuar në korrik, tregoi se 46.7% e katalanasve ishin në favor të Pavarësisë ndërsa 44.9% qenë kundër. Gjykata e Lartë e Spanjës ka tërhequr urdhër-arrestet e saj kundër ish-presidentit Carles Puigdemontit dhe pesë ndihmësve të tij që vazhdojnë të mbeten jashtë vendit, por akuzat kundër tyre janë akoma në fuqi, duke nënkuptuar se përballen me rrezikun e prangosjes nëse kthehen në Spanjë.