Kulti i amalgamuar i individit në parti

 


LDK-ja e themeluar me rastin e fillimit të shpërbërjes së Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, njëzet bjet më parë, ka trashëguar shumëçka nga partia  mëmë dhe përveç trashëgimisë ajo ka pësuar edhe  katandisjen në të njëjtën mënyrë, meqë nuk thuhet rastësisht “bëm baba, të të ngjaj”. Lidhja komuniste e Jugosllavisë ishte krijuar dhe identifikohej  me kultin e Josip Broz Titos, i cili deri në vdekje qëndroi në krye të saj. Kah fundi i viteve të jetës së tij, ai, fizikisht  ishte vetëm një mumje e gjallë, ndërsa punët i kryenin ata që ishin afër tij, si ata që e donin pa rezervë dhe të tjerë që derdhnin lot krokodili, por ia punonin nën rrogoz.>>>


Me rastin e fillimit të shpërbërjes së partive moniste në vitet ‘90 të shekullit të kaluar, në Lindjen e kuqe socialiste kishte filluar të shembej kulti i individit. Pikërisht në kohën  e perëndimit të kulteve, në Kosovë kishte filluar ngritja e një kulti të ri, një lindje e vonuar kjo, e cila i ka kushtuar shumë Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Ngjashëm kishte ndodhur edhe me krijimin e Mbretërisë shqiptare në vitin 1928, në kohën kur tërë Evropa po lirohej nga monarkitë,  dhe ato po binin ditë për ditë si dardha të kalbura, Shqipëria po e  shpallte solemnisht mbretërinë, ashtu sikur kishte ironizuar asokohe, me të drejtë  shkrimtari i famshëm hungarez, Llajosh Zillahi në romanin e tij “Ararat”, ku kishte stigmatizuar mbretin “satrap” shqiptar me prejardhje nga  trashëgimia e lindjes, i cili ishte martuar me një hungareze me origjinë aristokrate, të rënë nga froni dhe të shpërdorur keq nga të afërmit.>>>


 


Ngjashëm kishte ndodhur edhe në Kosovë, nga forma, por jo nga brendia. Kryetari i parë i LDK-së dhe i vetmi deri në vdekjen e tij, Ibrahim Rugova, kishte lindur politikisht si “kofini pas të vjelave”, pikërisht në kohën e fillimit të një epoke të re, kur kulti i individit ishte shembur dhe pretendimet për të ndërtuar një kult tjetër, me një përmbajtje të re në kuadër të asaj, që  trajtohej si filozofi paqësore e LDK-së, u tregua një proces i jashtëkohshëm dhe i padobishëm. Për më tepër krijimi i këtij kulti ndikoi edhe në ngadalësimin e deri në një kohë  edhe në pengimin e proceseve të luftës aktive për çlirimin e vendit, ashtu sikur kishin bërë të gjithë popujt e Jugosllavisë, përveç, serbëve të cilët bënë përpjekje për ta ruajtur Jugosllavinë, duke e imagjinuar  si një Serbi të Madhe.


Homogjenizimi negativ i shqiptarëve rreth LDK-së, ndodhi edhe si pasojë e presionit sistematik të regjimit serb kundër shqiptarëve dhe përpjekjeve për çlirim e bashkim kombëtar.


Lidhja Komuniste e Jugosllavisë, kishte tubuar rreth vetes të gjitha shtresat shoqërore dhe i kishte homogjenizuar në drejtim të krijimit të një kombi unik, jugosllav, po kjo përpjekje nuk dha ndonjë rezultat, meqë Jugosllavia ishte krijuar në Versajë në vitin 1918, si rezultat i ndarjes  së re të botës, pas përfundimi të Luftërave  Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore. Jugosllavia që nga krijimi ishte bërë burg i popujve, që sundoheshin e shtypeshin nga nacionalizmi serb, i përkrahur fuqishëm nga Rusia dhe nga disa shtete të Evropës. 


Kosova në kundër të asaj Jugosllavie kishte një status të dyfishtë, e përfaqësuar në federatë jo si njësi autonome, në nivelin e republikave të tjera, por si autonomi në kuadër të Serbisë dhe si pjesë integrale e saj. Pikërisht kjo gjendje dualiste, e pa definuar, kishte  bërë që shumë shqiptarë të josheshin  në rrugë për barazinë e saj në kuadër të Federatës. Në vitin 1991, Ibrahim Rugova, në një intervistë për shtypin kroat shkruante: “E duam Jugosllavinë dhe jo Serbinë”, duke arsyetuar se shqiptarët, sipas tij  dëshironin ra ruanin Jugosllavinë si të tërë, por Kosova të trajtohej e barabartë. Përpjekjet për ta ruajtur Jugosllavinë në kohën kur ajo kishte filluar të shpërbëhej, ishin anakronike dhe  këto përpjekje dëmtuan konceptin e luftës së armatosur në Kosovë dhe në trevat e robëruar të Shqipërisë,  në kohën kur sllovenët, kroatët, boshnjakët kishin marrë armët dhe po luftonin për shkëputje nga Jugosllavia.


Pikërisht në këtë kohë, nostalgjikët e damkosur të jugosllavizmit  ishin homogjenizuar rreth  UJDI-it jugosllav, një organizatë pansllaviste e cila kishte për qëllim rikrijimin e një Jugosllavie “liberale”. Ky karrem u hodh edhe në Kosovë, përmes gazetarit të “Rilindjes”, Veton Surroi, i cili, kishte krijuar degën e UJD-it për Kosovë. Ai tubonte nënshkrime nga simpatizantët në tërë vendin, improvizonte homazhe, për sikur thuhej “varrimin e dhunës”, organizonte “protesta” me tingëllimin e lugëve nëpër pjata, me lëvizjen e çelësave, fikjen e dritave, dhe maskarallëqe të tjera të përçudnuara,  në kohën kur serbët tashmë kishin shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë, kishin abroguar autonominë dhe Beogradi zyrtar kishte filluar një fushatë të egër kundër shkollave shqipe dhe të gjitha institucioneve arsimore.


Krahas “aktiviteteve” pacifiste të Veton Surroit, politika e LDK-së, me Ibrahim Rugovën në krye bënë përpjekje për pacifikimin e tërë lëvizjes, duke dënuar çdo akt të kundërvënies  ndaj regjimit serb, duke bërë thirrje të hapur për durim, madje edhe duke i shpallur dorë të regjimit serb, luftëtarët e lirisë, të cilët po ndërmerrnin aksione të organizuara kundër policisë serbe dhe bashkëpunëtorëve të tyre.


Në këtë gjendje të amullisë, kuadrot e LDK-së kishin për detyrë partiake që ta propagandonin vijën politike të Ibrahim Rugovës si të vetmen, me premtime se ai mbante kontakte të rregullta  me kreun e Amerikës, nga ku edhe merrte instruksione, sesi duhej vepruar.


Kjo politikë hipokrite kishte dhënë rezultate, meqë pjesa dërrmuese e popullatës shqiptare ishte molepsur dhe ishte dërrmuar nga dhuna sistematike, që ishte ushtruar kundër tij nga regjimi jugosllav, sidomos pas protestave të vitit 1981, kur shqiptarët kërkonin liri dhe barazinë e Kosovës në federatën jugosllave.


Politika pacifiste e Ibrahim Rugovës kishte stagnuar proceset e lëvizjes çlirimtare. Madje disa nga partiakët e tij kishin bashkëpunuar edhe me regjimin serb, duke denoncuar përpjekjet e shqiptarëve për futjen e armëve në Kosovë dhe për fillimin e luftës së armatosur në kohën kur Serbia tashmë ishte në luftë me kroatët dhe boshnjakët. Pas rënies heroike të Legjendarit Adem Jashari dhe të jasharëve  të tjerë, me 5, 6 dhe 7 mars, të vitit 1998, në Prekaz dhe fillimit të luftës çlirimtare, në Drenicë dhe në shumë vende të Kosovës, UDB-ashi, Jusuf Buxhovi, më besniku i LDK-së i bënte thirrje Ibrahim Rugovës që ta pacifikonte mirë Drenicën dhe të mos lejonte të ndodhte qysh kishte ndodhur me Lëvizjen antijugosllave të Shaban Polluzhës.


LDK-ja “namin” e së cilës e rritën dhe e riparuan edhe disa ish të burgosur politikë dhe veprimtarë të lëvizjes aktive për çlirim e bashkim kombëtar, kishte arritur homogjenizimin ekstrem të një politike, e cila ishte bërë pengesa numër një e luftës së armatosur të shqiptarëve në Kosovë. Aq shumë ishte investuar në kultin e individit, sa turmat pa tru, kishin filluar të besonin se Ibrahim Rugova ishte një “profet”  apo një “hazreti” Ibrahim, edhe pse ai kërkonte dorë nga Papa dhe më vonë u kuptua se kishte qenë një laraman i konvertuar në aspektin fetar.


Me ndërtimin e kultit të individit ishte shkuar aq larg dhe ishte investuar aq shumë, sa edhe, kur në maj të vitit 1999, Ibrahim Rugova shkoi në Beograd, zhvilloi bisedime me kryekriminelin Milosheviq dhe kërkoi që NATO-ja të ndalonte bombardimet mbi Serbinë, shumë shqiptarë dhe politikanë pacifistë besuan se ai ishte marrë peng, meqë nuk kishte pasur kah t’ ia mbante. Mirëpo, pas luftës dhe fitores, së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përkrahjes së NATO-s nga ajri, kundër okupatorit serb, Ibrahim Rugova nuk u kujtua asnjëherë që t’ i drejtohej popullit dhe t’ i tregonte se kishte qenë peng i Milosheviqit dhe nuk kishte shkuar në Beograd me dëshirë, por kishte qenë i detyruar. Nuk ishte kujtuar t’ i kërkonte falje popullit, për buzëqeshjet dhe shtrëngimin e duarve me kryekriminelin serb, në kohën kur shqiptarët po kërcënoheshin me shfarosje kolektive nga regjimi kriminal i Serbisë.


 


LDK-ja ishte parti që identifikohej vetëm me një individ, me kultin e tij dhe çdo përpjekje për të menduar, apo për të vepruar ndryshe, ishte e kotë. Për shkak të dështimeve të shuma dhe konceptit politik të stagnuar, nga kreu i saj u larguan shumica dërrmuese, madje edhe shumë nga themeluesit e kësaj partie. Rugovën e kishin braktisur më besnikët, por ai po mbahej edhe falë përkrahjes që kishte nga Beogradi dhe nga disa qarqe të ndryshme në botë, të cilët nuk dëshironin shkëputjen e Kosovës nga Serbia.


Pas vdekje së Ibrahim Rugovës më 21 janar 2006, filloi katandisja e madhe e LDK-së, e cila nuk kishte më një kult tjetër të individit, për ta vënë në krye dhe përpjekja për ta trashëguar fronin bëri që kjo parti të ndahet, të përçahet dhe të vazhdojë edhe sot kësaj dite me përçarje e ndarje.


Kërkesës së rikthimit, të sikur thuhet  të LDK-së autentike, rugoviane, nga Bujar Bukoshi, Isa Mustafa, dhe Ukë Rugova, djali i Ibrahim Rugovës, i mungon esenca, i mungon kulti i një individi. Ky kult nuk krijohet brenda muajve as brenda viteve dhe nuk ka gjasa të krijohet më në LDK.  Isa Mustafa ka korrë fitore në Prishtinë, për shkak të kundër kandidatit të dobët dhe të panjohur  nga PDK-ja, të cilin nuk e ka njohur as mëhalla e tij politike. Isa Mustafa fitoi duke u paraqitur si viktimë e përbuzjeve që i bënte PDK-ja dhe jo si një individ me kredibilitet, sepse ishte kuadër i moçëm i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë dhe pobratim i shumë ish-zyrtarëve serbë.


Kultin e individit nuk mund ta trashëgojë as Ukë Rugova, ashtu sikur nuk arriti dot ta trashëgojë Leka I as ky Leka i vogël, II.


 


Kulti i individit është krijuar dhe  tashmë edhe po përforcohet  në PDK dhe në AAK. Nëse shqiptarët nuk mund të jetojnë pa kultin e individit, përpjekja  për rikthimin e kultit  të individit në LDK është e kotë, meqë ajo e ka përjetuar fazën më të lartë të afirmimit të kultit, nga ku nuk mund të ketë më ngritje, as ri  ngritje por vetëm rënie. Këtë proces tashmë po e shohim përditë.  Kulti i individit po krijohet me sukses në PDK. Pikërisht për këtë PDK-ja aktualisht është partia më homogjene dhe me gjasa për të qëndruar edhe një kohë në skenën politike të Kosovës, edhe me faktin se kreu i saj është i ri në moshë, në krahasim me liderët e tjerë, të cilët tashmë janë plakur e janë  rrudhur. Jo rastësisht, Hashim Thaçi, duke e njohur mirë dhe duke e kuptuar mentalitetin e turmave me trashëgimi të theksuar pacifiste,  gjithnjë flet në vetën e parë, dhe të gjitha të arriturat ia dedikon vetvetes. Nuk e keni dëgjuar kurrë Hashim Thaçin të thotë Qeveria e Kosovës, por vetëm Qeveria ime, Kosova, ime, populli im e formula të tilla, të cilat për nga forma janë tipike autokratike, por si duket kjo formë, që dikush mund ta quaj vetëm sipërfaqësore, gjithnjë e më tepër po i akordon edhe brendisë, sepse tekefundit kështu po e kërkon populli dhe kur e kërkon populli, ia jep edhe Zoti, thoshin dikur latinët.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …