RKL: EULEX-i ka kryer misionin për “sundimin e ligjit”, tash fillon arbitrimin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë

 


Misioni për të ashtuquajturin “sundim të ligjit”, EULEX, pretendon të përfshihet në bisedimet Prishtinë-Beograd, bisedime këto për të cilat, autoritetet e Prishtinës thonë se do të jenë bisedime teknike, ndërsa Beogradi zyrtar thotë se do të jenë bisedime për përmbylljen e konfliktit shekullor shqiptaro-serb, fillimisht si bisedime teknike, por më vonë edhe bisedime për statusin e veriut të Kosovës, që do të thotë bisedime  për devalvimin e pavarësisë së Kosovës. Njoftohet se vendimi për përfshirjen e EULEX-it në bisedime është marrë nga kabineti i komisares së lartë të Bashkimit Evropian, Ketrin  Eshton. Zëdhënësit e saj nuk kanë pranuar të japin sqarime rreth kësaj çështje dhe kanë thënë se për këtë duhet pyetur misionin, ndërsa zëdhënësi, Nikolas Hawton, ka nënvizuar se EULEX-i është mision i Bashkimit Evropian dhe se për çështjen e përfshirjes së tij në bisedime duhet pyetur në selinë e BE-së, në Bruksel.


Edhe pse tani për tani nuk është shumë e qartë se cila do të jetë pozita e EULEX-it në bisedimet e tilla, fillimin e të cilave e kërkon sa më parë BE-ja,  të sigurta janë  faktet se EULEX- ka qenë dhe po mbetet një mision në shërbim të politikës së Beogradit, qoftë me pretendimet për ta vënë në jetë planin prej 6 pikave të Ban Ki Munit mbi veriun e Kosovës, qoftë në bashkëpunimin e ngushtë me Serbinë, në  fushën e mbarëvajtjes së  protokolleve të nënshkruara qysh moti dhe pa lejen e Qeverisë së Kosovës, qoftë në hetimin dhe pretendimet  për inkriminim e eprorëve dhe ushtarëve të UÇK-së, duke i akuzuar për të  ashtuquajturat krime të luftës, akuza këto që bazohen  qind për qind në dosjet e  Ministrisë së Serbisë të kohës së Milosheviqit, qoftë me sulmet spektakulare edhe  banditeske kundër një segmenti të Qeverisë së  Kosovës, gjoja për afera korruptive, duke u mbështetur në të dhënat e disa medieve dhe të spiunëve   të të huajve nga radhët e OJQ-ve.


Zyrtarët e lartë të EULEX-it, nuk kanë shënuar asnjë rezultat në të ashtuquajturin sundim të ligjit, nuk e kanë shtrirë autoritetin në Veri të Kosovës, sepse kështu kërkon Beogradi, nuk kanë marrë nën mbrojtje kontrolli pikat kufitare të Kosovës me Serbinë, kanë ngritur akuza kundër disa  ministrave me prejardhje nga lufta e UÇK-së, pa fakte konkrete, por duke u bazuar në dosjet e ofruara  nga shkrimet e gazetarëve të “Koha Ditore” dhe nga disa OJQ gjithnjë besnike deri në neveritje ndaj të huajve si në  kohën e Milosheviqit  ashtu edhe tani nën “sundimin” e EULEX-it.


Veprimet e tilla të EULEX-it, i cili tashmë kanë irrituar edhe besnikët e vet në Kosovë, të cilët ka një vit që po presin të kapen “peshqit e mëdhenj”, ndërkohë që po arrestohen disa “peshq të vegjël”, gjithsesi se janë veprime arbitrare dhe nuk japin asnjë shembull konkret për sundimin e ligjit sipas normave demokratike, por janë të qarta përpjekjet për ta ruajtur status quonë dhe për t i dhënë sa më shumë kohë Serbisë, në planet e veta agresive kundër pavarësisë së Kosovës.


Paralajmërimi se shefi i EULEX-it, Ksavier dë Marnak,  më 22 dhe 23 nëntor do të qëndrojë në Beograd dhe do të takohet me udhëheqës të Qeverisë së Serbisë, lidhur me gjoja sundimin e ligjit në veri të Kosovës, është një lajm, që nuk do të duhej të anashkalohej pa debat dhe pa kundërshtim nga qarqet tona qeveritare, të cilët, tash për tash nuk e kanë hallin e Kosovës, as të bisedimeve me Beogradin, sepse  janë shumë të zënë në luftën mes tyre për të garuar dhe për të fituar zgjedhjet  parlamentare të 12 dhjetorit.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur rreth marrëdhënieve të tensionuara mes Vjosa Osmanit e Albin Kurtit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur lidhur me marrëdhëniet e  tensionuara mes presidentes …