Më 28 qershor 2006, pata shkruar në gazetën VETËVENDOSJE! se KFOR-i ka rrezik ta njollosë imazhin e vet të dikurshëm si shpëtimtar, e të shndërrohet në legjion mercenarësh. Në shkrimin e atëhershëm, përkujtoja pos tjerash se KFOR-i kish shtënë me municion luftarak kundër demonstruesve të paarmatosur në mars 2004, gjë që përbën krim kundër njerëzimit. Krerët ushtarakë dhe përgjegjësit civilë të KFOR-it mund të paditen herëdokur për atë krim, meqë për to s’ka afat të preskribimit.
Atëbotë, shumëkush më pat kritikuar pse kisha guxuar ta kritikoja KFOR-in. Gjindja i shikonin ende ata si engjuj të larë në gloria, e ”shkarjet” e tyre i shpjegonin si anomali, si përjashtim prej rregullit. Rreth ”shkarjeve” të KFOR-it ishte ndërtuar ndalesa e dyfishtë e një tabuje moderne: ato s’bënte të përmenden, e as të përmendej që s’bënte të përmenden.
Shumë ujë ka vajtur nën ura qysh atëherë, e sot tabutë rreth KFOR-it kanë zënë të thyhen edhe në faqet e shtypit mesrrjedhës në Kosovë. Në një intervistë me 9 mars te gazeta Lajm, e kontrolluar prej klanit të ndërmarrësit/politikanit Bexhet Pacolli, gazetarja Sebahate Shala e kishte shtrydhur në mënyrë goxha jotipike gjen. Markus Bentler, kreun e radhës së KFOR-it, me pikënisje prej ndërhyrjes së radhës së KFOR-it në kompetencat e FSK-së. E gjen Bentler, i zënë pisk, kishte lëshuar një sërë fjalësh që të lënë pa mend.
Unë do t’i veçoj dy.
Pikë së pari, KFOR-i, gjithnjë sipas gjeneralit Bentler, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës; gjen. Bentler madje as i firmos si të arsyeshme ato pyetje që indikojnë ndofarë përgjegjësie të KFOR-it karshi qeverisë apo qytetarëve të këtij vendi.
E dyta, gjen. Bentler e pohon goja vetë se KFOR-i s’qenka më në gjendje ta zbatojë as rezolutën 1244 të KS të OKB-së: ndonëse SP i OKB-së i ka identifikuar qartë strukturat e paligjshme të Serbisë në Kosovë si thyerje të kësaj rezolute, gjen Bentler na e tfillon me nge se qysh e tek ai s’mund të ndërhyjë kundër tyre, shkaku i refuzimit nga ca vende anëtare të NATO-s.
Nuk e di për ty, por mua këto kumtesa më stepën.
Ja ku del kreu i KFOR-it, e pranon herifi botërisht që ai dhe misioni i tij, as na e njohin pavarësinë. As qenkan të zotët më për ta zbatuar detyrën e vjetër konform R1244.
Atëherë, pse na u dashka këtu KFOR-i?
Për të na i kullotur dhentë?!
Kur të ik stepja e parë, të kap një ndjenjë e frikshme pasigurie. Fakti që KFOR-i refuzon ta njohë pavarësimin tonë nga Serbia d.m.th. që (edhe) ky mision refuzon të na jep përgjegjësi neve, qytetarëve të këtij vendi. Ndërkohë, KFOR-i i flekson paprerë muskujt ushtarakë, nëpër spote e reklama në kohën më të mirë televizive: qytetarëve të Kosovës u paradohen qëllimshëm tanket, helikopterët, ushtarët e armatosur.
Mesazhi s’është i vështirë për t’u zbërthyer. Në instancë të fundit, KFOR-i porosit se ia ruan vetes të drejtën të kryejë këtu krime të reja si ai i marsit 2004. Krime që do të kryheshin kundër qytetarëve të këtushëm – kundër meje e teje – pa e çarë fare kokën për cikërrima si qeveria a institucionet vendore.
Në anën tjetër, ndërsa neve – mua e ty – na kërcënohet me mandat të shfrenuar të dhunës, KFOR-i rri si pulë e lagur para Serbisë. SP i OKB-së, Ban Ki-moon (i cili s’akuzohet dot si shqiptarofil) i ka identifikuar qartë strukturat e kundërligjshme të Serbisë në Kosovë si thyerje flagrante (!) të R1244. Zbatimin e të cilës, pra, sipas R1244-s, duhet ta mbrojë KFOR-i. Por gjen. Bentler thotë troç se KFOR-i nuk mund ta kryejë atë detyrë, shkaku i ndasive politike në NATO-s.
Në rastin më të mirë, kjo i bie që KFOR-i s’është në gjendje t’i mbështes zotimet e krerëve perëndimorë në mbrojtje të integritetit të Kosovës. E, në rastin më të keq, që edhe ato zotime janë bërë me gjysmë zemre.
Nëse kjo Kosovë, kështu si është, qenka ”rrëfimi i suksesit” i bashkësisë ndërkombëtare. Një shoqëri dystopike, ku qytetarët trajtohen ndryshe varësisht prej etnisë e/a fesë. Ku misionarë civilë ndërkombëtarë i persekutojnë vendorët që mendojnë ndryshe, e ata ushtarakë rrijnë duarkryq para ekstremistëve e kriminelëve.
Atëherë zotit amanet prej rrëfimeve të mossuksesit.
Sikur ky vend të kishte një qeveri normale, ajo, pas botimit të një interviste të këtillë, do të kërkonte urgjentisht – përmes kryetarit, kryeministrit, e ministrit të mbrojtjes – që KFOR-i konform R1244 t’i shpërbëjë strukturat e kundërligjshme të Serbisë në Kosovë; MPJ do t’i jepej detyrë zyrtare ta hartojë një dosje të bardhë për dështimin e KFOR-it në mbrojtje të R1244, që t’i bashkëngjitet raportit të radhës për Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Njëherit, një qeveri normale do të kërkonte hapje të negociatave vetjake me KFOR-in. Kontigjenti i huaj ushtarak këtu do riaranzhuar ashtu që t’i merr parasysh jo vetëm interesat legjitime të Brukselit, por edhe ato të Prishtinës. Nëse kjo s’arritet dot, atëherë KFOR-i do transformuar në një ”koalicion të të vullnetshmëve”, ngjashëm me atë në Irak. Me fjalë tjera, kush do të rrijë këtu në partneritet me ne, mirë se të rrijë. Tjerëve, ju faleminderit për ndihmën, udhë të mbarë, e mirupafshim sërish, kur të na njihni!
Një qeveri që nuk reagon ndaj publikimit Të një kërcënimi kaq serioz për vetë sigurinë e vendit, nuk është qeveri normale. Vendi që ajo quhet se e drejton, nuk është vend normal. Ai nuk është demokraci qytetare sovrane, por një terra nullum e populluar prej indigjenësh, ku misionarë të huaj mund të bëjnë shkarje e krime, pa ia patur frikën as turpin askujt.