leoni

MINISTRI BYTYQI U TAKUA ME UDHËHEQËS TË UP-SË DHE PARLAMENTIT STUDENTOR

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, të mërkurën është takuar me rektorin e Universitetit të Prishtinës ”Hasan Prishtina”, Marjan Dema, kryesuesen e Këshillit Drejtues të UP-së, Ardiana Bunjaku dhe përfaqësues tjerë të KD-së dhe të Parlamentit Studentor të UP-së, të cilët i ka uruar për një fillim të mbarë e të suksesshëm të vitit të ri akademik 2018/19. “Uroj që këtë vit akademik, së bashku me profesorët dhe studentët të arrini sukses dhe rezultate të mira në punën tuaj, në përgatitjen e kuadrove të afta për tregun e punës dhe në punën tuaj hulumtuese shkencore”, tha ministri Bytyqi. Ministri theksoi se MAShT është e interesuar dhe e përkushtuar për rritje të vazhdueshme të cilësisë në këtë institucion, që Universitetit i Prishtinës të jetë shembulli i suksesit për të gjitha institucionet e arsimit të lartë në Kosovë. “Universiteti i Prishtinës padyshim është kupola e arsimit të lartë në Kosovë dhe të gjithë së bashku, në bashkërenditje me Këshillin Drejtues, Rektorin, Parlamentin Studentor, profesorët dhe studentët, mund dhe duhet ta bëjmë më të mirën e mundshme që ky institucion i dashur për të gjithë, vërtetë të shkëlqejë në çdo aspekt”, u shpreh ministri Bytyqi. Ministria e Arsimit, tha ministri Bytyqi, me politika adekuate mbështetë fuqishëm Universitetin e Prishtinës në rritën dhe zhvillimin e tij akademik, ndërsa jemi të gatshëm që kurdoherë që është nevoja të ofrojmë mbështetjen e duhur në zgjidhjen e problemeve eventuale që shfaqen, në funksion  të zhvillimit të UP-së, realizimin e agjendave dhe ngritjen e cilësisë, si synim i përbashkët i të gjithëve. Po ashtu, ministri Bytyqi iu ofroi mbështetje edhe përfaqësuesve të Parlamentit Studentor, të cilëve iu tha se MAShT do të mbështesë çdo kërkesë të tyre të arsyeshme, e cila është në funksion të ngritjes së cilësisë në arsim dhe në interes të studentëve.

Kontrolloni gjithashtu

Homazhe në nderim të heroit të kombit Salih Çekaj në Deçan dhe heroit Shefqet Mustafaj në Gllogjan

Kryetari i komunës së Deçanit, z. Bashkim Ramosaj përmes një postimi në facebook, ka njoftuar …