Hydajet Hyseni: Në historinë tonë të re, 11 marsi 1981 dhe gjithë pranvera ‘81, shënojnë një kthesë të rëndësishme historike

 


( Fjala e Hydajet Hysenit e mbajtur më 11 mars në Teatrin Kombëtare  në shënim të 30-vjetorit të demonstratave të Marsit dhe Prillit të vitit 1981)


 


Më lejoni që duke Ju përshëndetur juve të gjithëve, në emër të SHBPK dhe KO  për shënimin e 30 vjetorit të  demonstratave  të vitit  1981, duke përshëndetur  pjesëtarët e familjeve të heronjve dhe  dëshmorëve të kombit, invalidët dhe veteranët e luftës; duke përshëndetur  përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës , me mbështetjen e së cilës organizohet kjo veprimtari; duke përshëndetur përfaqësuesit e institucioneve tjera  të Republikës së Kosovës si dhe përfaqësuesit e  segmenteve tona shoqërore, publike, kulturore e qytetare, të përshëndesim, kësaj radhe në mënyrë të veçantë , plejadën studentore të vitit 1981, plejadën nismëtare atdhetare  të lëvizjes që u pagëzua me të drejtë “Pranvera shqiptare 81”, plejadën e cila jo vetëm  luajti një rol të rëndësishëm  në fazat e deritashme çlirimtare dhe dha plejadën e parë të dëshmorëve të lirisë pas Luftës së Dytë Botërore, por vazhdon të jetë edhe sot faktor me përkushtim dhe me  ndikim të pamohueshëm edhe në përpjekjet aktuale  shtet-formuese, demokratizuese e integruese.


Në historinë tonë të re, 11 marsi 1981 dhe gjithë pranvera  81, shënojnë një kthesë të rëndësishme historike. Kjo kthesë  erdhi natyrshëm si vazhdimësi dhe rezultantë e përpjekjeve të deriatëhershme çlirimtare  e demokratike dhe bazë e fortë e gjakimeve  të mëpastajme, që kulmuan me epopenë e lavdishme dhe fitimtare të Ushtrisë sonë Çlirimtare dhe lirisë që gëzojmë sot.


Në përvojën tonë historia është shfaqur pikërisht ashtu siç e ka definuar  i urti, si një dramë e përjetshme të cilën e luajnë përherë aktorë të rinj.


Pa shkuar me larg. Fundi i viteve gjashtëdhjetë dhe fillimi i viteve shtatëdhjetë sollën një kthesë të rëndësishme dhe të shumëpritur. Rënia e Rankoviqit, amandamentet kushtetuese, Universiteti, Flamuri kombëtar…etj, përjetoheshin si fillim i lirisë e madje diku-diku, edhe si liria vetë. Nga goja e udhëheqjes së atëhershme politike bashkë me demagogjinë shitej me bollëk edhe eufori boshe…Madje edhe midis atdhetarëve të dëshmuar hasej ngazëllimi: “e fituam!” Të tjerët, zakonisht brezat rinorë që po gufonin mendonin ndryshe: -“Jo, është një ndryshim, një e arritur por nuk e kemi fituar ende, do kohë, punë e përpjekje të reja liria e vërtetë.”


Shovinizmi dhe shërbëtorë e tij nuk jepeshin lehte. Adem Demaçi me shokë, ata që i kishin shtruar e kishin luftuar për këto të drejta e liri, vazhdonin të vuanin burgun serbomadh…


Shpërtheu natyrshëm Nëntori pranveror i gjashtëdhjetetetës: Në rrugë e sheshe me demonstratë, por edhe nëpër auditorë, media e debate intelektuale e akademike, kërkohej Liri e Barazi. Barazia atëherë e kishte emrin Vetëvendosje, Republikë, Kushtetutë… Kërkesës për lirimin e atdhetarëve të burgosur iu dha përgjigjja me burgosje e dënime të reja..Edhe ndonjë ndryshim pozitiv, por edhe shumë premtime e demagogji. Doli edhe një farë propozimi për Republikë. Aty këtu edhe ndonjë porosi nga lart:” kërkoni Republikë! Priten ndryshime kushtetuese…” 


U desh të pritej tetë vjet deri sa u miratua Kushtetuta e Re RSFJ-së. Kosova lëvizi pak. Njëfarë  autonomie,  Kushtetutë… Të drejta të reja…. Por jo republikë, Jo barazi. Po, njëfarë elementi konstituiv i Federatës,por serish ne përbërje te Serbisë… Nga lartë tani vinin porosi: “mirë është. Harrojeni republikën. Harrojini të tjerat.. Është autonomia.  Është substanca. Janë kompetencat… Faktikisht jemi Republikë. Shpejt do të jemi edhe formalisht…Vetëm  ta kultivojmë  dhe forcojmë patriotizmin socialist jugosllav…”


Në një anë, sërish entuziazëm e eufori me demagogji e naivitet bashkë.. Në anën tjetër, sërish kryesisht midis të rinjve zhgënjim e zemërim i ri… Kurse Adem Demaçi me dhjetëra shokë ende pa u liruar mirë  burgoset e dënohet  përsëri pa asnjë fakt, në një nga proceset e shumta të kurdisura politike. Një oligarki politike e dehur nga postet, favoret e privilegjet. Një kastë politike, burokratike e pseudo intelektuale që po bëhej copë për pasuri e luks, në kohën kur kriza ngulfatëse ekonomike, politike e sociale mbi Kosovën dhe popullin e saj po rëndonte shumëfish. Varfëria shtohej. Pabarazia me te tjerët thellohej…


Ndërkaq,në qendrat strategjike serbomëdha, në faqet e të ashtuquajturit Libër i Kaltër, po përvijohej strategjia e zezë antishqiptare e rrëmbimit edhe të asaj gjysmë autonomie që i ishte njohur Kosovës. Në periudhën pos-titoiste që po pritej, zgjidhja gjysmake, as-as, nuk mund të mbahej. Kush nuk vete para, vete pas thotë, fjala. Derisa kreu politik i Kosovës  vazhdonte gjumin dimëror i dehur nga rakia e vetëkënaqësia, nga privilegjet, favoret, luksi e pasuria përrallore, sërish ishte rinia, ishte vegjëlia ajo që lëvizi dhe e lëvizi Kosovën. Lëvizja Çlirimtare e Kosovës, e cila edhe përkundër goditjeve të rënda e të njëpasnjëshme, edhe përkundër rënieve të njëpasnjëshme, po ringjallej dhe po gufonte sërish. Grupe e organizata të ndryshme, të organizuara, gjysmë të organizuara ose edhe spontane e të vetë organizuara, me emra të ndryshëm e me forma të ndryshme organizimi, por me synim kryesisht të njëjtë e të përafërt, po e ngrinin përsëri flamurin e luftës për liri e barazi. Shqipëria nuk përzihej ne punët e brendshme të të tjerëve, por bënte pune e saj… Mërgata shqiptare po çlirohej nga klubet jugosllave dhe po behej transimision i rëndësishëm  dhe shumedimensional  me boten perëndimore.


Dhe shpërtheu. Shpërtheu siç shpërthen pranvera.  Me lule të mbjella dhe me lule që mbijnë vete, gjithkund ku gjejnë pak kushte e hapësire. Kur  mbushet kupa edhe derdhet. Edhe përmbyset…Vrulloi në mars për të kulmuar në prill. Sërish Barazia e kishte emrin Republikë. Republikë ishin të tjerët përreth. Jo zgjidhja më e mirë e më e drejtë, por zgjidhje kompromis. Republikë e vetëvendosje pa ia lidhur duart së ardhmes. Dhe me mundësi për zgjidhje edhe më të avancuar. Motoja “jemi shqiptare nuk jemi jugosllave”,”Jemi shqiptare dhe asgjë tjetër!” paralajmëronte fundin e filozofisë dhe strategjisë së  patriotizmit jugosllav dhe ingjinjeringut pan(jugo)sllavist dhe strategjisë se krijimit të një identiteti të ri nacional këndej a andej kufirit shqiptaro-shqiptar. Sllogani “Vetëvendosje e Kushtetutë ja me hatër ja me luftë”, paralajmëronte edhe strategjinë e ardhshme, gjithnjë në frymën e porosisë së Sami Frashërit ta kërkojmë më të mirë por edhe pushkën ta kemi plotë. Sërish kërkesë për lirimin e të burgosurve të shumtë politike dhe sërish përgjigja me dhunë e represion, plumba, bomba gaz lotsjellës, tanke e autoblinda, burgosje, tortura shtazarake, dënime drakoniane. Sërish diferencimi, bojkotimi, lufta speciale… UDB-ja e Kumrovci në veprim. Një makineri e rëndë politike, represive e propagandistike. Shovinistë, spiun e skllevër të kënaqur bashkë. Një agresivitet i paparë kolaboracionist me egërsi të skajshme ndaj atdhetarëve e çlirimtarëve që e lë në hije edhe vetë Kuislingun, me synimin për të dëshmuar lojalitetin ndaj qendrës në Beograd, aty këtu edhe me iluzionin se në këtë mënyrë do të fitohej farë kapitali politik a farë kothereje mëshiruese për Kosovën e përdhunuar. Një harangë totale që vetëm popuj me shpirt të pamposhtur patriotik e liridashës dhe vetëm lëvizje të mirëfillta çlirimtare e demokratike mund ta përballonin.


 


Armatën e Nishit         O, djemtë e Kosovës


E kishit në shpinë        Nënat, qysh u qanë?


Përballë U.D.B-në       Kur u mori plumbi,


Në zëmër lirinë            Kush u ndodhej pranë?


 


Kështu shprehej, qysh atëherë, kënga polifonike poshtë në Toskëri.


 


Pranvera 81 i kushtoi shtrenjtë Kosovës dhe popullit të saj, por ajo, bashkë me “Solidarnostin” e Polonisë në fakt ishin dridhjet tektonike që paralajmëronin dhe fillonin procesin e ndryshimeve të thella në këtë pjesë të Evropës. Një lëvizje që lëvizi Kosovën, Një lëvizje që lëvizi proceset. Pranvera 81 jo vetëm që e afirmoi dhe e ndërkombëtarizoi çështjen e pazgjidhur të Kosovës, por edhe e shkundi ,e  pajtoi, e bashkoi , e përgatiti dhe e kaliti shpirtërisht dhe politikisht Kosovën për sfidat e ardhshme që po vinin. Pranvera 81 ishte vazhdimësi e përpjekjeve të mëparshme kombëtare e demokratike dhe njëkohësisht pararendëse e epopeve të ardhshme që kulmuan me Ushtrinë Çlirimtare dhe luftën e saj fitimtare që pos tjerash i siguroi Kosovës edhe mbështetjen e fuqishme të botës demokratike, liridashëse e paqedashëse dhe Aleancës Veri atlantike.


30 vjet më vonë ,fale sakrificave  dhe privacioneve të shumta e të dhembshme dhe falë mbështetjes së botës  liridashëse, paqedashëse  dhe demokraci-dashëse, Kosova dhe kauza e saj është  30 shkallë më lartë dhe po aq më afër  cakut të synuar… Ka tre përvjetorë me radhë që  Kosova i pret si  republikë, në pjesën e saj dërrmuese e lirë , e pavarur, sovrane ,në rrugë të  zgjerimit dhe kompletimit të njohjes ndërkombëtare, në rrugë të krijimit të parakushteve për një integrim edhe me te shpejtë  të Kosovës në familjen e evroatlantike. Aktualisht zgjidhja e ka emrin shtet i pavarur dhe sovran, si të tjerët përreth. Dhe sërish është zgjidhje kompromisi. Dihet cila do të ishte zgjidhja më e mirë për një popull të ndarë e të copëtuar pa asnjë të drejtë. Ka lëvizur përpara, por ja sa e si duhet edhe Shkupi, Tetova, Struga e Kërcova, ka lëvizur edhe çështja e shqiptareve në Mal të Zi, ka lëvizur diç, edhe çështja e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës por mbetet ende plagë e hapur që do shërim.  Gjithandej gjakim për liri e barazi .Gjakim për integrim ndërshqiptar dhe për integrim evroatlantikl. Në kontekstin e globalizimit dhe  proceseve integruese  në Evrope, barazia  mund të marrë edhe emra tjerë më globalë dhe më integrues. Si të tjerët përreth.  Arritjet janë të mëdha dhe janë evidente. Por të mëdha dhe evidente janë edhe problemet dhe sfidat.


 Dhe sërish në një anë dehja, eufori e vetëkënaqësi, përzier me prirjen e babëzitur për të zhvatur, grabitur e kollofitur ende në embrion shtetësinë e brishtë të Kosovës së re, në anën tjetër sërish zhgënjim, mllef e zemërim të njerëzve që kanë sakrifikuar e humbur shumë që kanë pritur shumë më shumë edhe për Kosovën dhe çështjen e saj por edhe për vetë dhe familjet e tyre. Parulla Kosova Republike tani tingëllon e vjetër  dhe e tejkaluar, por sloganet:” kushte për punëtorët!”,” kushte për studentet!”,” çmimeve stop!”,” Trepça është jona!”,” Kosova është jona!”, “Kosova kosovarëve!”  “Liri për Preshevën!”…” Jemi shqiptare dhe jo jugosllavë!”, “Jetën e japim , flamurin jo!…”,etj.,etj, tingëllojnë aktuale edhe sot, në Kosovën e pavarur…


Pranvera e vitit 81, ashtu si edhe epopetë çlirimtare para e pas saj kishin edhe një slogan: “Bashkim! Madje edhe kush s’bashkohet është tradhëtar” Sot si edhe 30 vjet me parë, Kosovës i duhet sërish mbi të gjitha e para së gjithash bashkimi shpirtëror e veprues i ideve, energjive dhe përpjekjeve, qofshin ato edhe të ndryshme, sa i përket artikulimit, rrugëve ose mjeteve të realizimit. Vetëm në këtë mënyrë mund të bëjmë që përvjetorët e ardhshëm të Pranverës ‘81 të mos na gjejnë më zgjidhje gjysmake, me zhgënjime politike e me cfilitje sociale, por të na vijnë gjithmonë pranverë me festë dhe të jenë gjithnjë  e me shume festë


Historia nuk u përsëritet vetëm atyre që  nxjerrin mësime nga ajo.


Rroftë pranvera shqiptare!


Ju faleminderit

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …