Një delegacion i Kuvendit të Kosovës, në përbërje të Zenun Pajaziti, anëtar i Komisionit për Integrime Evropiane, Time Kadriaj zëvendëskryetare e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Glauk Konjufca anëtar i këtij komisioni, po marrin pjesë në Konferencën Ndërparlamentare, me temën “Transformimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor – Një perspektivë parlamentare mbi rolin dhe të ardhmen e procesit të pranimit në BE” e cila po mbahet në Sofje të Bullgarisë. Kjo konferencë ndërparlamentare është organizuar nga Parlamenti Evropian dhe Kuvendi Kombëtar i Republikës së Bullgarisë. Në konferencë është diskutuar rreth Samitit BE – Ballkani Perëndimor, prioritetet e agjendës së Sofjes, procesit të Samitit të Berlinit dhe mbështetjes së vazhdueshme të vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e anëtarësimit në BE, pastaj rolit të parlamentit kombëtar dhe Parlamentit Evropian në forcimin e perspektivës evropiane të këtyre vendeve, rëndësisë së bashkëpunimit ndërparlamentar dhe rajonal, përshpejtimit të reformave etj. Anëtari i Komisionit për Integrime Evropiane, deputeti Zenun Pajaziti, duke folur në emër të delegacionit të Kosovës, bëri një përshkrim të gjendjes në Republikën e Kosovës lidhur me procesin e integrimit evropian, procesin e liberalizimit të vizave dhe rolin e Kuvendit në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. Gjithashtu ai ka thënë se në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kjo e fundit nuk është duke zbatuar marrëveshjet e arritura, si dhe kritikoi deklaratat e presidentit serb me rastin e vizitës në veriun e Kosovës. Në këtë konferencë morën pjesë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, disa deputetë të Parlamentit Evropian, disa deputetë të parlamenteve kombëtare të shteteve anëtare dhe Kuvendit Kombëtar të Bullgarisë.
Kontrolloni gjithashtu
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …