Ahmet Qeriqi: Kur horrat e horrave, nacionalizmin shqiptar e quajnë strehë për horrat

 


Disa t’i quajmë “intelektualë” shqiptarë, intelektualë që pretendojnë të jenë super të moderuar, janë vënë në siklet të madh nga nacionalizmi shqiptar, i cili sipas tyre vazhdon të mbetet nacionalizëm primitiv, madje edhe “strehë ku u  fshehkan horrat”. Nuk është për t’ u habitur kur horri, quan horr kundërshtarin, apo edhe armikun, por kur këta shqipfolës super të moderuar, atakojnë nacionalizmin shqiptar, këtë e bëjnë, në mos për t’ iu servilizuar sa më shumë  të huajve,  nga të cilët vjelin përfitime, e bëjnë edhe nga bindja se të jesh i moderuar dhe përkrahës i teorisë së multietnicitetit, do të thotë të jesh i pastër, pa paragjykime kombëtare, apo morale, të jesh  një internacionalit i rinovuar.


 Muaj më parë, Fatos Lubonja ishte sikletosur jashtëzakonisht shumë përse  arsimtarët shqiptarë nuk lejojnë, që nëpër shkolla të mësohet teksti i historisë i një viçi zviceran, i quajtur Oliver Shmidt, i cili na mëson se Skënderbeu paska qenka sllav dhe tregtar kuajsh.  Madje, ky Luboja duke u thirrur në vëllamin e tij ideologjik, Ardian Klosi  na zbulon se në këtë fushatë kundër Shmidit,  paska marrë pjesë edhe vetë  bija e Klosit, (!) në klasën e dhjetë, e cila paska marrë guxim nacionalist dhe  i paska thënë babait se “ti dhe ai gjermani jeni dy njerëzit më të urryer”.  Konstatimi i kësaj vajze, me kulturë shqiptare,  që e ka marrë në shkollën kombëtare shqipe, dhe jo nga babai, ka bërë që Lubonja të shkul edhe leshtë e pas kresë, duke akuzuar nacionalizmin shqiptar si të keqen më të madhe të Shqipërisë, e cila pale edhe dashka të shkojë në Evropë, duke lënë të kuptohet se  nacionalizmi i  vërtetë dhe i arsyeshëm qenka ai i Milosheviqit, Mlladiqit, Napoleon Zervës, vendet e të cilëve, qysh moti paskan vajtur në Evropë.


Fatos Lubonja, në fund të shkrimit të tij të zi thotë: “Ja, ky është problemi, prandaj ajo thënia e mençur “nacionalizmi është streha e fundit e horrave”, është e para gjë që duhet t’u mësojmë fëmijëve tanë, nëse do të duam të ndërtojmë një Shqipëri ndryshe nga kjo që kanë ndërtuar nacional- komunistët deri më sot”. (“www.panorama.com”.)


Duke kopjuar fyerjen dhe marrëzitë antishqiptare të Lubojës, një Bardh Frangu, këndej diku nga Ferizaj, ithtar i kësaj shkollës anti-nacionaliste, jo vetëm  pretendon ta “përforcojë” tezën e Lubonjës por shkon edhe më tutje duke pohuar se, (sipas tij) , “nuk kontestohet fakti se patriotizmi në përgjithësi është një lloj strehë e horrave, por që nuk jetohet pa të.


Shkas  për reagimin e tij “intelektual” paska qenë  një vlerësim publik i Degës së LDK-së në Ferizaj, ku ndër faktorët e humbjes së kandidatëve të kësaj partie, në zgjedhjet e fundit nacionale, përmendet edhe mungesa e patriotizmit lokal…


Duke “identifikuar” shembuj të tjerë, Frangu konstaton se fal patriotizmit lokal, PDK-ja gëzon mbështetje në lokalitetet që përfshinë regjioni i Drenicës. AAK-ja gëzon mbështetje në regjionin e Dukagjinit, ndërsa LDK-ja në atë të Llapit. Në politikë patriotizmi lokal na paraqitet në trajtë bastionesh të partive, ku ndikimi i patriotëve lokal është shumë i madh. Secila parti ka bastionet e veta nëpër lokalitetet e caktuara…


(Gazeta Ekspress, Bardh Frangu më 26 mars 2011 në ora 13:04)


 


 


Ky pretendent, i cili ka marrë mundin  për ta çuar më tej, ta quajmë “teorinë” e Lubos, flet për militantët e partive politike dhe i ngatërron ata me nacionalizmin  shqiptar, por nuk arrin të sjellë shembuj konkretë. Këtij i pengon fakti pse Drenica voton Thaçin dhe harron se partia e Thaçit ka fituar edhe në Ferizaj, madje edhe në Gjilan dhe në shumë qytetet e lokalitete të Kosovës.   Dhe ky lloj militantizmi partiak për të qenka një çerdhe e horrave, një nacionalizëm lokal. (!)


Që autori i këtij shkrimi nuk e kupton përmbajtjen e nacionalizmit kjo edhe mund t’ i falet, sepse ai veten e mban për “super të moderuar”, por të deklarosh se patriotizmi në përgjithësi është një lloj strehe e horrave, kjo është një fyerje e ndragur dhe e pistë, antikombëtare, pse jo edhe antinjerëzore.


 


 


Nuk është e detyrueshme ta duash  dhe ta respektosh kombin tënd, por është e patolerueshme t’i quash horra patriotët, vetëm sepse qenkan nacionalistë. Nuk e di si duket patrioti që nuk është nacionalist. Këtë nuk na e ka thënë ky Frangu, i cili flet dhe shkruan shqip, por patriotizmi sipas tij qenka një strehë për horrat. Ky, ka harruar se ai që ngrihet kundër interesave të kombit të vet, kudo në botën e qytetëruar, kudo në mesin e kombeve, qysh nga e kaluara e largët e deri sot,  është quajtur dhe quhet bastard, horr, pis, shpirtshitur, tradhtar, farë e keqe, gjak i përzier, qen, qelbësirë, Judë Iskariot e çka jo.


 


 


Natyrisht se të botosh shkrime të tilla, sot,  kur po atakohen vlerat e luftës së UÇK-së, vlerat kombëtare, që janë ruajtur me gjakun e derdhur rrëke të shqiptarëve për liri, kur po bëhen përpjekje për ta rikthyer Kosovën nën një segment të sovranitetit të Serbisë, kur forcat antishqiptare po veprojnë pa ndalur në drejtim të degradimit edhe të pavarësisë së Kosovës, ta atakosh sot,  nacionalizmin shqiptar, dhe UÇK-në, duke u mbështetur në shpifjet raciste të Dik Martit,  kjo do të thotë të jesh horr dhe i biri i horrave. Horrllëqet e tilla gjithmonë janë prezantuar dhe janë  shpeshtuar nëpër situata krize, sikur është kjo që e kemi përpara. Karvani i bërjes së Shqipërisë unike,  megjithatë po ecën përpara, ngadalë por sigurt,  ndërsa lakejtë e qentë do të lehin, sepse atë punë bëjnë…

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur rreth marrëdhënieve të tensionuara mes Vjosa Osmanit e Albin Kurtit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur lidhur me marrëdhëniet e  tensionuara mes presidentes …