Ahmet Qeriqi: Jo, agresivitetit e dhunës së grupeve, në emër të fesë islame!

 


Islami në Kosovë është fe e shumicës dërrmuese të besimtarëve. Kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, imamët e njohur, hoxhallarët dhe autoritetet islame në vend kanë detyra dhe obligime, jo vetëm fetare por edhe shoqërore, e disa prej tyre edhe politike e diplomatike, të cilat marrë në tërësi i shërbejnë fesë, por edhe Kosovës dhe institucioneve të saj. Në këtë drejtim duhet pasur shumë kujdes, meqë të gjithë ata, që nuk ia duan të mirën Kosovës dhe që mjerisht nuk janë ndonjë pakicë e papërfillshme, vazhdimisht kanë bërë dhe po bëjnë përpjekje që ta shfrytëzojnë përkatësinë islame të shqiptarëve, për qëllime destruktive, me qëllim për të na paraqitur para botës si elementë turbullues, si ekstremistë e terroristë. Si në të kaluarën ashtu edhe tani forcat e tilla antishqiptare dhe antiislame kanë arritur që ta mjegullojnë realitetin dhe të krijojnë një gjendje të tensionuar, e cila në raste të caktuara ka shkaktuar edhe  pasoja.>>>


 


Duke qenë se bota islame në një segment të saj është e atakuar nga bota e krishterë dhe duke qenë se shoqëria perëndimore kapitaliste ka një koncept krejtësisht tjetër fare  të zhvillimit dhe kontrollit të fuqishëm, imponues, në të gjitha vendet e botës, kjo bën që këto dy botë të përshkohen nga antagonizma të shprehura, të cilat edhe aktualisht dominojnë në marrëdhëniet ndërkombëtare mes popujve.


 


Ndeshja e këtyre dy qytetërimeve bën që shqiptarët e Kosovës të ngelin në udhëkryq, meqë përcaktimi ynë për botën perëndimore dhe kulturën evropiane, në shumë segmente bie ndesh me kulturën e lindjes dhe të fesë islame. Këtu qëndron esenca e problemeve të shumta dhe të rrezikshme, që nuk janë të lehta për t’ i zgjidhur, as për t’ i përballuar. Fakti, se jo vetëm shqiptarët e Kosovës, por shumica shqiptare në Ballkan ka pasur dhe ka aspirata për kulturën evropiane, bën që kultura e lindjes dhe feja islame të ngelin në pozitë inferioriteti, edhe pse shqiptarët në shumicë i përkasin besimit islam.


 


Kjo ndeshje e këtyre dy kulturave brenda botës shqiptare deri tani nuk ka shënuar ndonjë tronditje me përmasa kombëtare, edhe pse është manifestuar me pakënaqësi dhe me shkelje të lehtë e shpeshherë edhe të fortë të fesë islame dhe të kulturës së lindjes. Kjo ka bërë që shqiptarët islamë,  me apo pa dashje kanë lëshuar pe, edhe atëherë kur mbi kurrizin e tyre është derdhur si rrebesh dhuna e fatkeqësia. Të përkujtojmë me këtë rast, Luftërat Ballkanike, prej viti 1912 e në vazhdim kur barbaria e popujve sllavë, të përkrahur nga të krishterët e Evropës, u derdh mbi kurrizin e shqiptarëve, vetëm për faktin se ata ishin myslimanë. Nuk duhet harruar se qysh nga ajo kohë u perfeksionua  metoda e “tokës së djegur” dhe të “spastrimit etnik”, e cila ka shkaktuar kobe dhe fatkeqësi për më shumë se 1 milion shqiptarë, turq, e hebrenj, të cilët u vranë, u masakruan dhe një pjesë prej të cilëve, me qëllim për të gjetur shpëtim u dynd në Turqi dhe në shtetet e tjera të lindjes.


Pavarësisht nga kjo murtajë e zezë e së kaluarës, e cila ka zgjatur deri në qershor të vitit 1999 me pasoja tejet të rënda, shqiptarët islamë as hoqën dorë nga feja, as nga përcaktimi për kulturën dhe qytetërimin evropian. Nuk është radha këtu për ta shpjeguar këtë fenomen, me që cilin po përballemi, për vetë faktin se jemi shortuar në Lindje dhe në Perëndim. Kjo simbiozë, natyrisht se vazhdon të sjellë pengesa, vështirësi e konfrontime, të cilat na sfidojnë për çdo ditë, muaj e vit. Dhe pikërisht sepse ndodhemi në një situatë të tillë, ku as mund të heqim dorë nga islami për hir të Evropës, as mund të pranohemi si të barabartë në Evropë si të tillë, ne kemi mbetur në një pozitë të rëndë dhe të palakmueshme. Pikërisht për këtë duhet vepruar me shumë maturi, me qëllim për të ruajtur unitetin kombëtar, unitet të cilin e kemi ndërtuar gjatë shekujve me mund, vështirësi e gjak të derdhur.


Kundërshtitë dhe mospajtimet e këtyre dy botëve kanë derdhur  mbi kurrizin tonë rrebeshe, që ka lënë dhe po lënë pasoja. (Po në pozitë të tillë dhe për të njëjtat shkaqe kanë vuajtur dhe po vuajnë edhe myslimanët e Bosnjës).


 


Islami në Kosovë ka historikun e vet, që fillon qysh nga invadimi i Perandorisë Osmane në këto troje


 


Mënyra si u pranua islami nga shqiptarët gjatë kohës së Perandorisë Osmane nuk është temë e këtij vështrimi. Edhe 100 vjet pas largimit apo dëbimit të kësaj Perandorie, shqiptarët mbeten me shumicë islamë, por me aspirata të integrimit në kulturën evropiane. Me largimin e Perandorisë, shqiptarët nuk u kthyen në fenë e të parëve, ashtu sikur kishin bërë shumë serbë, grekë, bullgarë e hungarezë. Ky fakt bëri që shqiptarët nga kreu i krishterë i Evropës të konsiderohen si mish i huaj në trupin e Evropës. Mjerisht, të tillë konsiderohen edhe sot dhe pikërisht për këtë, myslimanët e Ballkanit mbahen të getoizuar dhe nuk lejohen të ecin lirshëm dhe pa viza nëpër shtetet e Evropës. Këtë fakt real, e kanë pranuar edhe autoritetet e larta të Këshillit të Evropës, të BE-së dhe instancave të tjera evropiane.


 


Qëndrimi përbuzës për pjesëtarët e besimit islam nga bota perëndimore ka nxitur një formë jo vetëm rezistuese, por edhe ballafaquese të sekteve të ndryshme islame kudo në botë. Një formë e kësaj rezistence po vërehet kohëve të fundit edhe në Kosovë, duke marrë shkas nga moslejimi i mbulesës me shami, nga Ministria e Arsimit, për nxënëset shqiptare, të cilat e praktikojnë islamin. Ndalesa e përdorimit të shamisë në shkolla, po konsiderohet, me të drejtë si shkelje e të drejtave dhe lirive fetare e njerëzore. Kundër kësaj ndalese ka reaguar edhe kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, si dhe forume e shoqata islame në vend.


Protesta e të rinjve islamë në Prishtinë dhe paralajmërimi për protesta të reja kundër moslejimit të mbulesës me shami për nxënëset shqiptare, nëpër shkollat e vendit tonë, bën të kuptojmë se çështja e shamisë dhe përdorimit të saj të lirë, duhet të merret në konsideratë, meqë shkollat e Kosovës  nuk praktikojnë uniforma shkollore, të obligueshme për nxënësit dhe nxënëset e vendit. Shamia, përveç se është kusht i besimit islam për femra, në Kosovë po trajtohet edhe si protestë kundër lakuriqësisë dhe veshjeve ekstravagante të nxënësve nëpër shkolla. Ndalimi i shamisë dhe lejimi i veshjeve kërthizëjashtë vetvetiu provokon ndërgjegjen e njerëzve të moralshëm, qofshin ata edhe jo myslimanë. Është tejet skandaloze të mos e pranosh një vajzë me shami, në shkollë, dhe të lejosh vajzat e tjera me veshje gati lakuriqe!


 


Injorimi i kësaj kërkese, nga Ministria e Arsimit  me siguri se do të rrisë numrin e protestuesve dhe ata nuk do të ndalen vetëm në një kërkesë të tillë, por do ta zgjerojnë aktivitetin në përpjekje për të realizuar edhe shumë të drejta të tjera, për të cilat konsiderojnë se po shkelen. Në mesin e protestuesve paqësorë do të inkuadrohen edhe elementë radikalë, të cilët do të përpiqen të përfitojnë nga rasti, për të demonstruar bindjet dhe aspiratat e tyre, të cilat aktualisht i sjellin dëm vendit, sidomos tani kur pritet vendimi i GJND-së lidhur me legjitimitetin e Pavarësisë së Kosovës.


 


Brohoritjet e emrit të All-llahut në protestë, i japin tjetër ngjyrë kërkesave të drejta për shami, sepse liritë fetare janë garantuar me kushtetutën e vendit dhe askush nuk mund t’ i ndalojë ato. Askush, askujt në Kosovë nuk ia ka ndaluar besimin, as predikimin, as praktikimin e kësaj feje. Andaj brohoritja e emrit të All-llahut nëpër protesta, edhe pse në esencë nuk ka asgjë të keqe, jep mjaft material  për kundërshtarët, të cilët këto brohoritje i trajtojnë si ekstremiste, fundamentaliste, xhihadiste, etj. Filmimi i protestave të tilla transmetohet nëpër shumë mediume të botës dhe komentohet jo si kërkesë për mbulim fetar të femrave, praktikë e islamit kudo në botë. por si kërkesë për “Xhihad islamik”. Nga skena të tilla, të pazakonshme deri tani në Kosovë, dikush do të përfitojë për qëllime të tjera dhe jo për qëllime të fesë.


Krijimi i bindjes se Kosova po rrëshqet drejt radikalizmit islamik është i pranishëm edhe në disa qarqe shqiptare në vend. Krijimi i kësaj bindjeje, pavarësisht realitetit faktik, ka të bëjë me mënyrën e sjelljes së disa të rinjve por edhe disa imamëve, të cilët predikojnë doktrinën e vërtetë islame, në një vend ku ajo doktrinë me kohë ka pësuar modifikime, në kushte dhe rrethana të caktuara historike dhe shoqërore. Islami në Kosovë ka ngjyrën e vet tradicionale, që është zhvilluar në rrethana të caktuara, kurdoherë si fe e mëshirës, paqes dhe tolerancës, sidomos tolerancës brenda kombit, me faktin se në mesin e shqiptarëve ka edhe besimtarë të krishterë, katolikë dhe ortodoksë. Fakti se shumica e shqiptarëve i përkasin fesë islame, nuk i jep askujt të drejtë të përçmojë e të përbuzë shqiptarët e fesë së krishterë, as pjesëtarët e kombeve të tjera të kësaj e feve të tjera.


 


Agresiviteti e dhuna e disa qarqeve apo grupeve që thirren në islam, jo vetëm që dëmton imazhin paqësor fetar të shqiptarëve islamë, por i dëmton edhe vetë ata, sepse dhunën, imponimin, shkatërrimin, sulmin mbi njeriun për shkak të bindjeve fetare e dënon edhe Kur’ani. Dhe ata e dinë fare mirë këtë.


Por janë të pranishme edhe fushatat e disa medieve kundër imamëve të caktuar, apo kundër individëve me mjekra dhe me veshje tradicionale, që nxisin dhe e ushqejnë  këtë ekstrem. Mjafton mjekra dhe flokët e gjata në kokën e  një shqiptari mysliman për ta paraqitur atë si një Ebu Khatab të Kosovës dhe në fund doli se ai ishte vetëm një mysliman skamnor, nga Mitrovica, që punonte me shat e lopatë për ta mbajtur me bukë familjen, por që Serbia e kishte dënuar në mungesë, sepse ai i kishte  ofruar ndihmë një myslimani nga Sanxhaku.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur rreth marrëdhënieve të tensionuara mes Vjosa Osmanit e Albin Kurtit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur lidhur me marrëdhëniet e  tensionuara mes presidentes …