Ahmet Qeriqi: Komisioni i Pavarur i Medieve diskriminon mediet e caktuara, që emetojnë në gjuhën shqipe

 

Këshilli i Pavarur i Medieve nuk funksionon mbi parimet e njohura dhe të deklaruara lidhur me trajtimin e barabartë të medieve, sa i përket licencave dhe detyrave e obligimeve të ndërsjella në raport me transmetuesit në vend.


 


Në faqen e afishuar në internet, shkruan se Komisioni i Pavarur për Media është rregullator i pavarur për rregullimin e transmetimit në Kosovë. Qëllimi i një rregullatori për transmetim është të ndajë një burim të rrallë – brezin frekuencor – në mënyrë të drejtë dhe të hapur për t’iu shërbyer më së miri të gjithë njerëzve në Kosovë.  KPM-ja promovon standarde etike dhe teknike për mediat transmetuese në Kosovë. Zbaton një grup rregulloresh që i mban subjektet lokale transmetuese në nivel me standardet evropiane të profesionalizmit dhe paanësisë në mbulimin e lajmeve të tyre. Përmes administrimit të planit të tij frekuencor të transmetimit, KPM-ja gjithashtu përpiqet të jetë i paanshëm në konkurimin në mes të subjekteve transmetuese. Aktivitetet e KPM-së përfshijnë monitorimin e mbulimit e ngjarjeve aktuale të transmetuara, komentimet rreth legjislacionit që ka të bëj me media, vlerësimin e ankesave, dhe zbatimin e rregulloreve dhe kushteve të licencave të lëshuara nga KPM-ja.


 


Që KPM-ja nuk është rregullator i pavarur flet fakti se drejtuesit e këtij Komisioni janë krejtësisht të varur nga klanet e ndryshme të politikës, që kontrollojmë mediet në Kosovë dhe që përfitojnë të mira materiale prej tyre dhe prej burimeve të ndryshme të jashtëligjshme.


 


KPM-ja nuk merr parasysh kërkesat me shkrim të transmetuesve, nuk i shqyrton ato, ose i shqyrton në mënyrë selektive, pa e lajmëruar opinionin.


 


Shtatë kërkesat e tilla të deritanishme të Radios-Kosova e lirë, prej vitit 2003 e deri tani janë injoruar, ashtu sikur nuk janë marrë në shqyrtim as kërkesat e shumë transmetuesve të tjerë në vend.


Në rregulloren e KPM-së shkruan se “Përmes administrimit të planit të tij frekuencor të transmetimit, KPM-ja gjithashtu përpiqet të jetë i paanshëm në konkurrimin në mes të subjekteve transmetuese.” Kjo lë për të kuptuar se KPM-ja bën përpjekje të jetë e paanshme, por nuk e përjashton mundësinë se është e njëanshme, derisa deklaron se “promovon standarde etike dhe teknike për mediet transmetuese në Kosovë”.


 


Më tej në rregullore shkruan se KPM-ja bën vlerësimin e ankesave, ndërsa në rastin tonë, kurrë dhe asnjëherë nuk kemi marrë qoftë edhe një përgjigje me shkrim lidhur me ankimet, që i kemi shprehur publikisht.


 


KPM-ja u jep licenca individëve të caktuar nëpër komuna, pa shpallur paraprakisht konkurs.


 


Shumica dërrmuese e redaktorëve të RTK-së dhe të Radio-Kosovës, janë pronarë, legalë apo në hije, të disa radiove lokale në Kosovë.


 


KPM-ja ka caktuar një taksë  në shumë rreth 5.000 euro për licencë të transmetuesit lokalë, e cila është katërfish më e shtrenjtë sesa mesatarja e shumës së vendeve të Ballkanit.  Kjo shumë duhet të paguhet me kiste për 10 vjet, që është po ashtu një shkelje flagrante e të drejtave të transmetuesve, të cilët emetojnë në gjuhën shqipe.


 


KPM-ja nuk e shtrin “autoritetin” e vet në mediet që transmetojnë në gjuhën serbe dhe me sa kemi ne informacione, këto medie nuk paguajnë taksën e licencës, as e përfillin vendosjen e filtrit në transmetues. Me rastin e vendimit për vendosjen e filtrit, KPM-ja ka kërkuar nga të gjitha mediet, që të blejnë filtra te një inxhinier i RTK-së, të cilit i është dhënë mundësia të përfitojë mbi kurriz të transmetuesve, duke u shitur filtrat shumë më shtrenjtë se sa është çmimi i tyre real në treg.


 


KPM-ja nuk merr në konsiderim asnjë ankesë të transmetuesve lidhur me pengesat që shkaktohen nga transmetues të papërgjegjshëm, duke arsyetuar se Kosova është nën sistemin e frekuencave të Serbisë, meqë nuk disponon brezin e vet frekuencor.


 


Për këto dhe shumë shkelje të tjera të KPM-së, nuk jep përgjegjësi askush, edhe pse ky,  ta quajmë institucion, do të duhej t’ i jepte llogari Kuvendit të Kosovës, i cili edhe zgjedh kreun drejtues të KPM-së, mbase edhe e mban nën kontroll. Pikërisht për këtë shkak, mediet lokale e private elektronike të vendit tonë ballafaqohen me shumë vështirësi, gjoba, të cilat nuk mund të arsyetohen, dhe anime mbi baza të preferencave politike të pushtetarëve, kur bëhet fjalë për zgjerim të dëgjueshmërisë apo për ndarje të licencave, apo për mbulim financiar.


 


Kjo gjendje ka bërë që brezi me frekuenca të jetë kaotik dhe i lënë në mëshirë të transmetuesve, të cilët mbulojnë me dëgjueshmëri tërë vendin me nga katër pesë e më shumë frekuenca, sikur bëjnë radiot që transmetojnë në gjuhën serbe dhe që dëgjohen anë e kënd Kosovës, ashtu sikur edhe Radio-Kosova, Radio Blu Skaj, Radio Dukagjini, Radio-21 e të tjera.


 


Kjo anarki që mbretëron në KPM, është rezultat jo vetëm i keq administrimit  por edhe i ndikimit tejet të fuqishëm  të politikës, e cila tashmë i kontrollon shumicën e medieve elektronike, që mbulojnë me dëgjueshmëri territorin e Kosovës, duke postuar në krye të KPM-së ish zyrtarë të kohës, së ish-regjimeve, ish partiakë besnikë të ish dhe tani pushteteve, të cilët kanë kryer dhe kryejnë me devotshmëri e përkushtim detyrat, që u cakton patroni, pushteti, që po bën përpjekje ta ngufasë fjalën e lirë duke trumbetuar në të njëjtën kohë lirinë e medieve dhe demokratizimin e shoqërisë, në kohën kur shkeljet e kësaj fjale janë tejet evidente.


 


Si mund të ketë medium të lirë dhe të pavarur publik në një vend ku Kuvendi merr përsipër trajtimin financiar të RTK-së, me të gjitha filialet e saj, jo vetëm në Prishtinë?


 


Shembulli më eklatant i kësaj shkeljeje ka qenë dhe është injorimi që i është bërë dhe i bëhet Radios-Kosova e lirë, nga KPM-ja, vetëm për shkak se kjo Radio asnjëherë dhe në asnjë rrethanë nuk iu ka nënshtruar diktatit, as ka hequr dorë nga koncepti kombëtar, nga e drejta e ligjshme dhe e patjetërsueshme për bashkimin e kombit dhe demokratizimin e vërtetë të rajonit mbi principe të barazisë së plotë të të gjitha kombeve, sipas së drejtës për vetëvendosje.


Me gjithë pengesat, injorimet, anashkalimin total të ndihmës në të gjitha segmentet nga KPM-ja dhe organizatat ndërkombëtare që kanë derdhur miliona euro për ngritjen e medieve, kjo Radio, është e pranishme nën-qiellin e Kosovës qysh prej 4 janarit të vitit 1999 dhe shpresojmë se do të jetë përgjithmonë, edhe pse me dëgjueshmëri tejet të kufizuar.


Tekefundit të drejtën për të qenë e lirë, në kuptimin e fjalës dhe për të mos iu nënshtruar asnjë censure partiake, klanore apo pushtetare  kjo Radio e ka fituar me gjakun e derdhur të dëshmorëve dhe ky gjak nuk bëhet dot ujë.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur rreth marrëdhënieve të tensionuara mes Vjosa Osmanit e Albin Kurtit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur lidhur me marrëdhëniet e  tensionuara mes presidentes …