(Një përmbledhje telegrafike e ngjarjeve dhe e akteve juridike me fuqi ndërkombëtare që e bëjnë me fuqi të plotë pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës)
Hyrje
(Pa hyrë në aktet juridike të para luftës çlirimtare)
Pas Luftës Çlirimtare rruga juridike (ligjore) e Kosovës është nisur me Rezolutën 12 44 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e 10 qershor 1999, nga e cila më vonë ka derivuar Korniza Kushtetuese për ndërtimin e Institucioneve të Vetëqeverisjes së Kosovës me Administrimin Ndërkombëtar në Kosovë, të quajtur UNMIK, e cila ka hyrë në fuqi më 15 maj 2001. Korniza Kushtetuese që nënshkruar nga Kryeadministratori i UNMIK-ut në Kosovë, Hans Haekerupp.
Shtatë vite pas çlirimit të Kosovës me ndërmjetësimin e Emisarit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Marti Ahtisarit janë zhvilluar në Vjenë (2006-2007) bisedimet në mes Kosovës e Serbisë. Bisedimeve i kanë paraprirë Raporti i Kai Aides e më pas Deklarata e Grupit të Kontaktit mbi parimet e se cilës janë zhvilluar bisedimet dhe në fund ka rezultuar Dokumenti Gjithëpërfshirës për Zgjedhjen e Statusit Përfundimtar të Kosovës, ndryshe i njohur edhe si Dokumenti i Presidentit Ahtisari ose Pakoja e Ahtisarit.
Në fillim ishte planifikuar që mbi bazën e Dokumentit Gjithëpërfshirës për Zgjedhjen e Statusit Përfundimtar të Kosovës, Këshilli i Sigurimit do ta shfuqizonte Rezolutën 12 44 dhe me një Rezolutë të re, do ta njihte Pavarësinë e Kosovës. Ky ndryshim u pengua nga vetoja Ruse në KS.
Pastaj Kosova në koordinim me faktorin ndërkombëtar zgjodhën rrugën e shpalljes se Pavarësisë nga përfaqësuesit e zgjedhur të popullit të Kosovës. Më 17 shkurt 2008, në Kuvendin e Kosovës u votua Deklarata e Pavarësisë. Deklarata e Pavarësisë e shpallur në Kuvend, e shpalli Kosovën Shtet të Pavarur Sovran dhe Demokratik. Pas këtij akti të lartë juridik kanë filluar njohjet ndërkombëtare dhe deri tani Kosovën e kanë njohur 116 shtete, anëtare të OKB-së.
Një akt tjetër i rëndësishëm ndërkombëtar ka qenë edhe Vendimi i GJND i publikuar më 22 korrik 2010 lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
Mbi bazën e të gjitha akteve juridike veç të fundit, më 15 prill 2008 është miratuar Kushtetuta e Kosovës e cila ka hyrë në fuqi më 15 qershor të atij viti.
STRATEGJIA E KOSOVËS PËR DIALOG ME SERBINË SIPAS KUSHTETUTËS SE KOSOVËS
Kushtetuta e Kosovës, akti më i lartë i shtetit askujt nuk ia jep të drejtën ta ndryshoj apo tjetërsoj tërësinë territoriale të Kosovës. Kushtetuta e Kosovës në nenin e saj të parë saktëson se:
“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pavarur”.
Ndërsa në paragrafin e dytë të nenit dy, saktëson: “Sovraniteti dhe integriteti i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me ketë Kushtetutë dhe me ligj”.
Ndërsa në nenin 18 të Kushtetutës shkruan: “Kuvendi i Republikës së Kosovës me votat e dy të tretave(2/3) e të gjithë deputetëve ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare për këto çështje:
(1) territorin, paqen, aleancat, çështjet politike dhe ushtarake;
(2) të drejtat dhe liritë themelore;
(3) anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare;
(4) marrjen përsipër të detyrimeve financiare nga ana e Republikës së Kosovës”.
Këto nene të Kushtetutës, në mënyrë më të saktë të mundshme mbrojnë tërësinë territoriale, sovranitetin e shtetit dhe mbrojnë ketë më të gjitha mjetet Kushtetuese që i ka Republika e Kosovës. Në të njëjtën kohë, Kushtetuta e jonë përcakton qartas detyrat e përgjegjësit e institucionit më të lartë të shtetit, Kuvendit të Republikës së Kosovës. Kuvendi i Kosovës është i vetmi institucion kushtetues që e ka të drejtën për miratimin e Kushtetutës dhe ndryshimin e saj me dy të tretat e gjithë deputetëve të Kuvendit dhe miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, gjithashtu me 2/3 e deputeteve të Kuvendit.
Mbi bazën e gjithë dokumenteve juridike (ligjore),vendore e ndërkombëtare, të nxjerra mbi bazën dhe në mbrojtjen e kufijve ekzistues të Kosovës dhe të qartësuara e të sanksionuara në aktin më të lartë të shtetit, në Kushtetutën e Kosovës. Më 7 shtator 2012, Kuvendi i Kosovës e ka hequr pavarësinë e mbikëqyrur, me aktin e fundit është përmbyllur pavarësia dhe sovraniteti i institucioneve të Republikës së Kosovës. Edhe akti i fundit është bere në bashkëpunim të plot me komunitetin ndërkombëtar, e veçmas më BE-në e SHBA-të. Natyrisht, për të gjitha këto çështje në Kosovë kishte edhe konsensus të gjerë nacional.
Duhet ta themi se pa Lëvizjen Kombëtare për Çlirim dhe veprën kulmore të saj, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe pa flijimin biblik të shqiptarëve në krye me Adem Jasharin, nuk do të kishim çlirimin e Kosovës. Nuk do të kishim as një akt juridik ndërkombëtar të përmendur, pra as Pavarësinë e sovranitetin dhe Kushtetutën si akt bazik të shtetit. Gjithashtu duhet të themi se pa mbështetjen e fuqishme të SHBA dhe BE-së, nuk do t’i kishim as 116 njohjet e shteteve anëtare të OKB-së.
Të përfundojmë. Dialog me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy vendeve tona Po, por jo pa konsensus nacional dhe pa asnjë kompromis tjetër veç atij që pala e Kosovës e ka bërë në Bisedimet e Vjenës. Ato bisedime patën përfunduar me Pakon e Ahtisarit mbi bazën e të cilit dokument është shpallur pavarësia e Kosovës. Kompromiset e palës shqiptare të përfshira në atë dokument i janë të njohur Komunitetit Ndërkombëtar.
Çdo kompromis tjetër, i cilitdo nivel qoftë do të jetë komprometim, komprometim i cili shtetin e Kosovës e bënë jo funksional!