RKL: Përse të gjithë, si në kor, kundër PDK-së?

 


Aktualisht, para fushata e shumicës dërrmuese të partive politike të Kosovës,  është unike në qëndrimin kundër PDK-së, së Hashim Thaçit dhe kundër ish Qeverisë së Kosovës. Mbi këtë platformë janë sajuar të gjitha sloganet që tashmë po afishohen dhe si duket, ky është segmenti kryesor ku pajtohen LDK-ja, AAK-ja, Vetëvendosja, LDD-ja, AKR-ja me satelitët e vetë, dhe “Fryma re” e cila në kohën e fundit ka paralajmëruar se nuk do të merret me “dështimet” e Qeverisë së Thaçit. Partitë politike serbe ende nuk kanë shpalosur slogane të tilla, meqë ata janë të hendikepuar nga shantazhi që po iu bën Beogradi zyrtar, për të mos marrë pjesë në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës. Nga qëndrimi armiqësor kundër PDK-së, deri tani është distancuar vetëm kryetari i PSD-së, Agim Çeku, i cili është treguar i hapur për koalicion edhe me PDK-në si me çdo parti tjetër politike të Kosovës.


Ky unifikim i qëndrimit pothuajse unik i partive politike, kundër PDK-së lë për të kuptuar se fushata në zgjedhjet e 12 Dhjetorit do të jetë agresive, ekscesive dhe do të manifestohet me një klimë shumë të keqe, ndoshta edhe me përleshje fizike  dhe  thellim të mëtejmë të  përçarjeve mbi baza partiake.


Po prezantojmë me këtë rast një shkresë dhe një padi publike të zyrtarit të lartë të Vetëvendosjes, Florin Krasniqi  kundër PDK-së dhe Hashim Thaçit:


Në deklaratën dërguar medieve nga Vetëvendosja është afishuar tekst i një deklarate dhe sikur thuhet i një padie publike, të nënshkruar nga zyrtari i lartë i kësaj partie, Florin Krasniqi ku thuhet: “Sapo e deponova padinë kundër kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçit, për komunikatën e lëshuar nga kjo parti më datën 5 nëntor të këtij viti, në të cilën shpifin rëndë kundër personit tim, familjes sime, të kaluarës dhe punës sime për vendin dhe përpjekjet tona popullore për çlirim. Për këto shpifje unë e mbajë përgjegjës Hashim Thaçin si kryetar i PDK-së nën siglën e së cilës janë kumtuar shpifjet. Jam i vetëdijshëm se Hashim Thaçi është mbi ligjin në Kosovë. E kaluara e afërt e gjyqësorit të Kosovës ka dëshmuar se ai nuk është i pavarur, dhe se i mungon mundësia që të merret me disa krerë institucional e politik të vendit. Është ndikimi i këtyre politik që po e shkatërron cilësinë e gjyqësorit duke ia pamundësuar atij pavarësinë dhe objektivitetin. Megjithatë kjo padi e deponuar është një rast që gjyqësori ta dëshmojë të kundërtën, se është i pavarur dhe se nuk e konsideron asnjë qytetar të Kosovës përmbi ligjin. Unë këtë aferë shpifjesh nga PDK-ja dhe Hashim Thaçi do t’ia lë pikërisht këtij gjyqësori që të merret me të, dhe do të vazhdoj me aktivitetin tim politik për të mirën e vendit, që është edhe arsyeja kryesore pse kam ardhur në Kosovë.


Nga përmbajtja e kësaj shkresurine  del se kemi të bëjmë me një varg shpifjesh politike, drejtuar kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili  akuzohet se qenka mbi ligjin, mbi gjyqësorin dhe nuk po mund të marrka qëndrim kundër disa krerëve institucionalë. Padia në këtë drejtim duket se është bërë për të mbuluar diçka tjetër, që kishte paralajmëruar ky pullazxhiu, shqiptaro-amerikan, i cili ka deklaruar publikisht se ka ardhur në Kosovë për të luftuar kundër, sikur i quan ai “bandave të Qeverisë së Hashim Thaçit, ashtu sikur paska luftuar kundër bandave të Milosheviqit”. Këto akuza, sipas mendjes së tij, fanatike dhe  të errësuar  nuk po paraqitkan lëndë për padi, sikur PDK-ja dhe Hashim Thaçi të mos kishin punë tjetër, pos të merreshin me padi dhe kundërpadi të personave të katapultuar në Kosovë, ku di nga cilat qarqe, por për qëllime që kuptohen fare lehtë.


Me të drejtë shtrohet pyetja, përse ndodh kështu?


Kësaj urrejtjeje krejtësisht të panatyrshme dhe shumë fanatike, në disa segmente  i ka kontribuar edhe vetë Thaçi me qëndrime shumë herë të pamatura dhe me disa veprime, po ashtu të rrezikshme për atë vetë dhe partinë e tij.


Tash për tash, AAK-ja dhe LDK-ja, krahu  i Isa Mustafës kanë bërë të ditur se kurrë nuk do të ndërtojnë koalicion me PDK-në. Një disponim i tillë shprehet edhe nga të gjitha partitë e tjera, përveç partive serbe, të cilat si duket kësaj radhe do të kenë më shumë ulëse në Kuvendin e Kosovës se sa dy tri parti politike apo koalicione shqiptare së bashku.


Fushata kundër PDK-së vazhdon në mënyrë sistematike nga një pjesë e shtypit të Prishtinës dhe nga shumica dërrmuese e liderëve të shumë partive, të cilët, nuk lënë gur pa rrokullisur me qëllim që ta degradojnë këtë parti, duke e stigmatizuar në mënyrë të çoroditur dhe armiqësore, me faktin se kanë frikë mos PDK-ja po i fiton edhe zgjedhjet e përgjithshme ,ashtu sikur i kishte fituar një vit më parë zgjedhjet lokale.


Këtë fushatë e ka nisur ditë më parë, Veton Surroi në një koment të tij, ku paragjykon një zhvillim të mirë të zgjedhjeve, nëse, sipas tij  kësaj radhe nuk do të vidheshin votat. Vetoni e di fare mirë se ORA-s së tij askush nuk ia vodhi madje as një votë, përndryshe ai do ta kishte alarmuar botën, po të kishte disponuar qoftë edhe një dëshmi të vetme në këtë drejtim.“Vjedhjen” e votave para disa vitesh e kanë aktualizuar për fushatë edhe disa liderë të tjerë partiakë, të cilët më parë nuk kishin bërë akuza të tilla, meqë kanë munguar faktet, ose ata nuk kanë dashur ta ngasin më tej këtë problem, të cilin tani e kanë aktualizuar.


Lidhur me sloganin për vjedhjen e votave nga PDK-ja, që po përkrahet nga të gjitha partitë, t’ i quajmë, të opozitës, duhet pasur parasysh edhe një fakt. Të gjithë ata që nuk janë të sigurt në fitore, ose që mund të zhgënjehen rëndë nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve, ‘vjedhjen e votave” do ta  përdorin si një fakt paralajmërues për humbjet eventuale.


 


Zhvillimet aktuale nëpër zyrat e partive politike japin për të kuptuar se fushata për zgjedhjet parlamentare të Kosovës, që pritet të mbahen më 12 dhjetor, do të jetë një fushatë e keqe, e rrezikshme dhe tejet destruktive. Natyrisht se kjo fushatë ka vetëm një qëllim, grabitjen e pushtetit me çdo kusht, jo për ta përparuar Kosovën, por për ta shfrytëzuar, për ta grabitur dhe për ta përdhunuar ashtu sikur kanë bërë shumica dërrmuese e politikanëve tanë, prej mbarimit të luftës e deri tani.


Kësaj fushate më së miri i përshtatet një stof i “Internacionales” ku thuhet:


Botën mizore ne do ta shkatërrojmë


Që nga themeli dhe paskëtaj


Për veten tonë do të ndërtojmë


Botën e re në vend të saj.


Pavarësisht se cila parti politike do të fitojë shumicën, se cili do të jetë koalicioni i ardhshëm qeveritar, qysh tani dihet se Kosova edhe më tej do të ngelet  me ardhmëri të rrethuar, me pjesën e veriut të ndarë, me rritje të papunësisë, me 20 deri në 30 mijë të papunë në vit, me korrupsion dhe abuzim të pushtetit dhe me shumë forma të tjera drastike të keqqeverisjes, me njohje tejet të ngadalta të pavarësisë nga vendet, që ende nuk na kanë njohur, me karremin e  joshjes për heqjen e  vizave  nga Bashkimi Evropian, me mohim e këtij procesi nga pesë vendet anëtare të BE-së, të cilat as e kanë njohur as e kanë ndërmend ta njohin Kosovën, qoftë edhe nëse e njeh vetë Serbia.


Shpëtimtari, që do nxjerrë Kosovën nga ky kaos, nuk po duket në horizont. Ai mungon, sepse mungon idealizmi kombëtar, mungon morali i vërtetë kombëtar për bashkim dhe unifikimi i qëndrimeve në këtë drejtim. Kjo mungesë sërish na kthen në pikën 0 dhe na bën të kuptojmë se jemi një komb, që kemi prirje të mbrapshta  për shkatërrim dhe mohim të krejt së kaluarës, nëse ajo bie ndesh me bindjet apo synimet tona.


Kjo gjendje e nderë dhe e pa perspektivë bën që shumica e qytetarëve të Kosovës të mos marrin pjesë as në këto  zgjedhje, në shenjë zhgënjimi dhe humbje të besimit te liderët, të cilët mendojnë se Kosovën e ka krijuar Zoti, vetëm që ata ta qeverisin dhe ta sundojnë sipas tekeve, apo bindjeve të tyre.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …