RKL: Agresiviteti, premtimet boshe, prepotenca dhe arroganca gjatë fushatës zgjedhore

 


Fushata e partive politike për zgjedhjet e përgjithshme të 12 dhjetorit, tashmë ka hyrë në fazën finale. Partitë politike, të gjitha pa dallim po bëjnë përpjekje ta bindin elektoratin për të marrë votat e tyre,  duke dhënë premtime, herë-herë qesharake dhe naive, premtime boshe, të cilat jemi mësuar t’ i dëgjojmë  tash e dhjetë vjet.  Kjo fushatë, për dallim nga të gjitha fushatat paraprake, karakterizohet me një gjuhë të ashpër dhe shumë agresive, me mungesë të shprehur të kulturës komunikuese, me shembuj të shumtë të arrogancës, sjelljeve shpeshherë primitive dhe me një prepotencë  të theksuar  uloke e bajraktare.


Agresiviteti, premtimet boshe, prepotenca  dhe arroganca  janë karakteristikat kryesore të kësaj fushate, e cila po zhvillohet me një frymë tejet të theksuar të intolerancës, duke nxjerrë në shesh tërë arsenalin e retorikës të pa konsumuar  kundër njëri tjetrit.>>>


Kjo frymë  e keqe e sjelljeve së liderëve politikë gjatë kësaj fushate,  po shprehet në ndarje e përçarje edhe më të thellë  të njerëzve tanë   mbi baza partiake, përçarje kjo e cila shpeshherë po kalon edhe në kacafytje e përplasje.


Deklarimi publik  se nuk do të bëhet  aleancë me këtë apo atë parti, bëhet për ta konsoliduar mentalitetin militant, me qëllim për të fituar sa më shumë vota dhe me qëllim për të nxitur edhe përplasje, jo vetëm verbale, sikur ndodhi ditë më parë në “Kodrën e Trimave”. Këto deklarata do të zbehen, sapo të publikohet rezultati i zgjedhjeve, sikur ka ndodhur edhe më parë, ashtu sikur ndodhi edhe në Shqipëri, në koalicionin e panatyrshëm të të majtëve të Ilir Metës me të djathtët e Sali Berishës.


Klima e përgjithshme zgjedhore nuk shpreh as minimumin e kulturës së tolerancës për mendimin dhe ofertën ndryshe, ashtu sikur ndodh në shtetet me një përvojë dhe traditë  demokratike.


Për dallim nga zgjedhjet e para, që janë organizuar  pas luftës në Kosovë, ku kishte një frymë deri diku tolerante, fushata aktuale që po mbretëron në procesin e tashëm zgjedhor tregon një uri të skajshme, të garuesve të shumtë  për të marrë qoftë edhe një copë pushtet, për qëllime që kuptohen, dhe kurrsesi jo me qëllim  për të fituar Kosova dhe për t’ u avancuar pozita e saj ekonomike e sociale, por vetëm  për të realizuar qëllimet e pasurimit dhe për të shfaqur instinktet e ulëta të sundimit mbi njëri tjetrin.


Natyrisht se në mesin e  atyre, që konkurrojnë për postin e deputetit ka edhe intelektualë të mirëfilltë, me një bagazh tejet të pasur kombëtar e politik, të cilët tërë jetën ia kanë kushtuar çështjes kombëtare. Të tillët, për veç në raste të veçanta, nuk i shohim askund në listat me prioritet, por diku kah fundi, vetëm sa për ta  përmirësuar imazhin patriotik të partive.


Mirëpo  në mesin e tyre që kanë marrë guxim ta kërkojnë votën e popullit ka edhe nga mesi i fundërrinave të historisë sonë më të te, në mesin e tyre ka edhe bashkëpunëtorë dhe bij bashkëpunëtorësh  të djeshëm e pse jo edhe të sotëm të regjimeve antishqiptare. Ka të tillë që nuk gëzojnë kurrfarë kredibiliteti njerëzor se lërë më kredibilitet kombëtar. Ata, i gjen kudo në radhët e para të listave zgjedhore, sepse janë servilë tipikë, që vazhdimisht janë shtyrë dhe shtyhen me bërryla. Ata  kanë paguar dhe paguajnë para  të majme për të fituar një vend në Kuvendin e Kosovës, ku edhe 11 vjet pas luftës  ende nuk janë ulur më meritorët e kombit, ata që kanë bagazhin më të pasur kombëtar dhe politik në shërbim të kombit e atdheut.


Fushata për zgjedhjet e përgjithshme të 12 dhjetorit po zhvillohet me pompozitet të paparë dhe me një frymë mjaft agresive. Rreziku, që ditën e votimit të ketë përplasje fizike, ndërhyrje kundër njëri tjetrit, se do të ketë përpjekje për ta dhunuar votën, është evident, meqë lufta e paskrupull e disa kandidatëve dhe krerëve  të disa partive politike  për të fituar me çdo kusht, bën që ata të provojnë jo vetëm format legale të veprimit, por edhe forma të tjera, sado të pista qofshin ato, qoftë duke blerë votat, qoftë duke i vjedhë ato, qoftë duke zhantazhuar në mënyra ndër më të ligat.


Ndodh që një kandidat për deputet,  i cili nuk të ka parë as të ka vizituar asnjëherë  për 11 vjet pas luftës, madje nuk të ka vizituar, as për raste vdekjeje, të dërgon një SMS, sa për të  përkujtuar se i duhet ndihma, se po të fitojë ai,  po fituaka tërë Kosova. Ka në këtë mes edhe meskinë, servilë e faqenxirë që kanë ndërruar partitë  dhe janë bashkuar me ata, që i  kanë sharë me vjet të tëra. Të tillë me siguri se nuk i bën bashkë fati, ardhmëria e begatia e  Kosovës, por preja, kulaçi i gatuar me pushtet, që do të ndahet pas zgjedhjeve.


Ka edhe zyrtarë të partive që konsiderojnë se po fituan prapë PDK-ja dhe LDK-ja, duhet fajësuar popullin, i cili, sipas  mendësisë së tyre të cekët e uloke, qenka në një krizë të thellë morale. Ka të tillë që reklamojnë frymë të re me mentalitet të kohës së kaluar, të cilët, me parakalime nëpër rrugë dhe në biseda rasti me kalimtarë përpiqen t ia kthejnë “dinjitetin” Kosovës.


Ka partiakë nostalgjikë të komunizmit jugosllavë që kërkojnë votat për të na kthyer në parajsën  e dikurshme, të cilës i kanë shërbyer me besnikëri.


Ka të tillë, që dikur janë rreshtuar dhe janë identifikuar me gjysmën e popullit, që nuk ka marrë pjesë në zgjedhje, duke konsideruar se ajo është pjesa më e ndërgjegjësuar, e cila nuk pranon të mashtrohet. Sot, të tillët kërkojnë votat  nga po ajo gjysmë, e cila besojmë se edhe kësaj radhe do të jetë po ashtu indiferente, meqë po bindet edhe njëherë se vota është manipuluar dhe po vazhdon të manipulohet, jo sepse jemi të këqij e të pavlerë,  por sepse sistemi ekzistues, sistemi  aktual politik e juridik që po lëshon rrënjë në Kosovë, nuk është sistem që i shërben popullit, por  është sistem dhe rend shoqëror  që i shërben kapitalit, shtresë së kamur dhe atyre, që ëndërrojnë të bëhen të pasur duke shkelur e duke shfrytëzuar tjetrin, fukaranë, atë që kurrë nuk ka parë dhe nuk do të shohë ditë të bardhë . Në instalimin dhe jetësimin e një pushteti të tillë, populli është ai që paguan tagrin, zararin, humbjen, pasojat madje edhe pjesa  e popullit që nuk merr pjesë në zgjedhje, sepse kështu ka qenë dhe kështu do të jetë përgjithmonë. Me rëndësi është që këtij populli halleshumë të mos i hapin plagë, apo të mos ia lëndojnë plagët ende të pashëruara, duke u thirrur në emër të tij.


Kosovës nuk mund t i kthejnë dinjitetin dhe mirëqenien bashkëpunëtorët e Serbisë, sikur po premtojnë disa syresh, duke lënë të nënkuptohet se ata angazhohen për ta kthyer kohën, kur ky popull i paska pasur të gjitha, duke aluduar në kohën e pushtimit jugosllav, në kohën e regjimit antishqiptar të  xhelatit, Josip Broz Tito. Ata që besojnë se shqiptarët kanë pasur ndonjëherë mirëqenie më shumë sesa kanë aktualisht, vetëm sepse atëbotë kanë qenë kryetarë komunash apo sekretarë komitetesh, apo shërbëtorë të neveritshëm të pushtetit okupator serb,  ata që mendojnë se në të kaluarën e para luftës në Kosovë  ka pasur më shumë liri dhe të drejta kombëtare e njerëzore, madje më shumë sesa ka aktualisht, nuk janë veçse kodoshë dhe matrapazë,  që nuk lënë gurë pa lëvizur vetëm për të fituar qoftë edhe një votë më shumë.  Mjerisht, me të tillë është e mbushur lista prej më shumë se 1200 kandidatëve për deputetë. Me të tillët, nga cilado parti politike qofshin, ardhmëria e Kosovës vazhdon të mbetet edhe më tej e rrethuar dhe e paparashikuar.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur rreth marrëdhënieve të tensionuara mes Vjosa Osmanit e Albin Kurtit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur lidhur me marrëdhëniet e  tensionuara mes presidentes …