RKL: Fushata për njollosjen dhe përndjekjen e ish-pjesëtarëve të SHIK-ut, në Kosovë, ka për qëllim jo vetëm njollosjen e UÇK-së…

 


Fushata për njollosjen dhe përndjekjen e ish-pjesëtarëve të SHIK-ut, në Kosovë,  ka për qëllim jo vetëm njollosjen e UÇK-së, por edhe institucionet e  vendit. Kjo fushatë  po merr hov  në kohën kur në mënyrë konstante  po përparon  fushata e egër e Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës, në kohën kur EULEX-i po arreston dhe po dënon vetëm ish pjesëtarë të UÇK-së, në kohën kur raportuesi i Këshillit të Evropës, Dik Marti dhe ish kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës Carla del Ponte po angazhohen maksimalisht për ta diskredituar luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e barazuar  atë me luftën kriminale të Milosheviqit.


 


Të gjitha fushatat e deritanishme kundër UÇK-së, që na qershori i vitit 1999 kanë qenë të akorduara nga segmente të ish pushtetarëve shqipfolës, titistë e rankoviqistë  të UDB-së dhe MUP-it serb,  pastaj të një segmenti anti UÇK, nga radhët e  LDK-së, shërbimeve sekrete serbe në Kosovë dhe një pjese të shtypit, që ka shërbyer dhe po iu shërben me besnikëri qarqeve antishqiptare, duke vjelë përfitime të majme përmes përhapjes së  shpifjeve, paragjykimeve, sensacioneve  dhe trillimeve.


Vetëm kur Policia e Kosovës filloi hetimet për korrupsion në komunën e Prishtinës, kryetari i kësaj komune dhe kryetar aktual i LDK-së,  Isa Mustafa në fjalorin e tij diskreditues  mori në shënjestër SHIK-un, duke e përdorur si gogol virtual, meqë  sipas tij “strukturat e SHIK-ut”  qenkan infiltruar në Policinë multietnike të Kosovës, e cila edhe pse me rastin e demilitarizimit të UÇK-së ishte paralajmëruar se do ta kishte shumicën e pjesëtarëve, aktualisht në radhët e kësaj policie nuk janë të zënë me punë  as 10 për qind e policëve, që kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së.


 


I sëkëlldisur tejmase për shkak të arrestimit të zyrtarëve të tij të korruptuar, kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa nuk pushon sulmet dhe etiketimet kundër Policisë së Kosovës, që sipas tij përbëhet nga njerëz të SHIK-ut. Ai thotë se Shteti i Kosovës, më shumë përngjan me një shtet policor, sesa me një shtet normal demokratik. Vërejtjet kryesore të Mustafës janë orientuar kundër pranisë, sikur konstaton ai,  jonormale të Policisë së Kosovës,  që ka të bëjë me krimet ekonomike. Mustafa do të dëshironte që nga Policia e Kosovës të largohen të gjithë ata që kanë punuar në SHIK, edhe pse dihet mirëfilli se në  Policinë e Kosovës nuk mund të jenë as 001 për qind e policëve që kanë punuar ndonjëherë në SHIK-un famoz. Kryetarin e Prishtinës   nuk e  pengojnë fare policët e Kosovës,    dikur kanë punuar në UDB apo edhe në MUP-in e Milosheviqit, sepse ata janë ekspertë për fshehjen e abuzimeve dhe keqpërdorimeve.


 


Çuditërisht, fushatën kundër SHIK-ut nuk e konsiderojnë të rrezikshme as disa nga krerët dhe pjesëtarët e kësaj ish-organizate, tashmë të  shpërbërë, e cila asnjëherë nuk ka qenë e konsoliduar dhe as monolite, e aq më pak që mund të ketë pasur ndonjë ndikim  të fuqishëm,  për shkak se në këtë organizatë  kanë qenë të infiltruar segmente të UDB-së,  si gjatë  ashtu dhe pas luftës. Sa ka qenë vigjilent kreu i SHIK-ut  tregon më së miri afera “Bllaca” dhe afera të tjera që veprojnë nën hije, dhe që kanë vetëm një qëllim final, diskreditimin e luftës së UÇK-së dhe barazimin e saj me regjimet e kaluara kriminale.  Edhe gjatë luftës, persona me të kaluar të dyshimtë, të cilët janë paraqitur se pjesëtarë të SHIK-ut, kanë ndërmarrë veprime të pamatura kundër disa  kundrove të njohura të luftës, por krejt kjo është tejkaluar në heshtje, meqë prioritet  gjatë kohës së luftës ka qenë lufta në front, kundër forcave kriminale serbe dhe nuk është lejuar përçarje përbrenda UÇK-së. Ata, që nuk kanë luftuar me qëllim që pjesëmarrjen në luftë ta kthejnë në kapital pas mbarimit të saj,  por kanë luftuar me qëllim që të çlirohet Kosova nga vargonjtë e robërisë, pas luftës, ata,  nuk kanë bërë përpjekje  për ta ndrequr të kaluarën, as për të kërkuar ndonjë shpërblim për heshtjen dhe padrejtësitë që janë ushtruar kundër tyre.


 


Sot kur po vazhdon fushata e njollosjes së UÇK-së, kur ish-kreu i luftës, që ka zënë pozita të larta në institucione nuk merakoset fare  për këtë fushatë dhe me gjakftohtësi i  përmbahet  maksimës reaksionare … “gjarpri që nuk më helmon mua rroftë një qind vjet”, sot kur pjesa dërrmuese e veteranëve të luftës dhe të burgosurve politikë është lënë në mëshirë të kohës, kur krerët e shoqatave akordojnë veprimet me kreun politik dhe nuk janë në gjendje të ruajnë integritetin e bashkëluftëtarëve të tyre, gjendja e përgjithshme po shkon drejt kaosit dhe drejt mundësisë së një shpërthimi momental të pakënaqësisë, që nuk do të mund të kontrollohet.


Këtë gjendje po e  bën edhe më të padurueshme dialogu i autoriteteve të Kosovës me Serbinë, kur po kuptohet fare mirë  se ky dialog po zhvillohet për fitoren strategjike të Serbisë, duke dëmtuar në radhë të parë statusin e Kosovës. Prej Kohës kur ka filluar ky dialog i dhunshëm ndaj palës shqiptare kemi stagnim të plotë të njohjeve të pavarësisë nga vendet e botës, sepse është krijuar bindja se duhet pritur mbarimin e dialogut, ndërkohë që Serbia ka paralajmëruar bisedime të pakufizuara në kohë.


 


Fushata e akorduar kundër UÇK-së dhe kundër vlerave të luftës sonë fitimtare ka për qëllim të krijojë një hendek të thellë ndarës mes  shqiptarëve të Kosovës, me qëllim të  krijimit të një klime mirëbesimi mes shqiptarëve dhe serbëve, në mënyrë që të fillojë pajtimi mes popujve dhe kthimi në epokën e “artë të bashkim vëllazërimit”. Kjo është politika e vetme e moderuar  që ua ofron për  çdo ditë BE-ja autoriteteve të Kosovës. Dhe, kur ndonjëri syresh nuk e pranon këtë ofertë që parasheh  pajtimin  mes viktimës dhe xhelatit, atëherë fillon shantazhi dhe akuzat e ndryshme.


Dhe jo vetëm kaq.


Duke diskredituar luftën e UÇK-së,  në të gjitha segmentet ku ishte shtrirë ajo, duke anashkaluar këtë luftë madje edhe nga tekstet e historisë, duke  bërë përpjekje të pareshtura për ta  deformuar aspiratën e bashkimit të kombit,  shumë nga kreatorët e politikave aktuale janë bërë pjesë e fushatës për fundosjen e dinjitetit kombëtar, meqë realisht këtë e kërkon edhe Plani i zi i Ahtisarit, të cilin e kanë pranuar shumica dërrmuese e politikanëve të Kosovës.


Por, a do të lejojmë që kjo zezonë të kalojë mbi kokat tona?

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur rreth marrëdhënieve të tensionuara mes Vjosa Osmanit e Albin Kurtit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur lidhur me marrëdhëniet e  tensionuara mes presidentes …