Ëndërruesit e mbretërive në kohën e integrimeve evropiane: Ilir Meta e Ramush Haradinaj

Ëndërruesit e mbretërive në kohën e integrimeve evropiane: Ilir Meta e Ramush Haradinaj

Kryetari i Shqipërisë, Ilir Meta, dikur një komunist fanatik, sot kryetar i përzgjedhur nga Edi Rama dhe Partia Socialiste, na del zogist dhe monarkist, jo sepse ka përkujtuar  90-vjetorin e krijimit të Mbretërisë së Shqipërisë në krye me Mbretin Zog, por sepse për të qëndruar në pushtet, ai do ta nderonte çdo kënd, përveç Enver Hoxhës, regjimi i të cilit e nxori nga therët e drizat e Skraparit dhe nga origjina çoban në kohën e Zogut,  Enveri   e bëri njeri të arsimuar dhe besnik të partisë…

Kryetari aktual i Shqipërisë, Ilir Meta, ka votat  vetëm të pesë përqindëshit të shqiptarëve, por vazhdon ta mbajë postin, sipas pazareve që kishte arritur me kryeministrin, Edi Rama, të cilit sapo i mori postin, ia  ktheu shpinën, duke ia ndërsyer bashkëshorten, Kryemadhi dhe partinë e tij, e cila shalohet majtas e djathtas, gjithnjë sipas erës…

Që, Ilir Meta, ka sjelljet e mbretit të tij të preferuar kjo nuk ka pse diskutohet.

Floriri i tij i fituar me korrupsion, bracni e shantazhe kalon shumëfishin e arit, të cilin e kishte ngarkuar në arka dhe e kishte marrë me vete mbreti, Zog, në prill të vitit 1939, kur i rrëshqiti nën këmbë toka e pushtuar e Atdheut dhe kur në vend se të mbathte opingat për ta mbrojtur Shqipërinë sikur kishte premtuar, ai ngarkoi duqet me flori dhe në krye të shpurës mbretërore  iku me bisht nën shalë,  për në Greqi.

Për dallim nga Zogu, Ilir Meta pasurinë e ka siguruar paraprakisht në bankat e Greqisë, të Serbisë e gjithandej, Po ashtu atje i ka siguruar edhe pallatet e shtrenjta, sepse nuk i dihet kurrë, çka mund të sjellë e nesërmja, sepse “ky sheqet kismet, kur çobanin e pamë mbret” nuk vjen çdoherë kah dera. (A e mbani mend Ilir Meten duke u ograisur në sallën e Kuvendit, duke u rrahur me grushte, e duke sharë çobançe derisa e uzurpoi postin!).

Ja si arsyeton sot kryetari Meta,  mbretërinë e Ahmet Zogut:

“90-vjetori i krijimit të Mbretërisë Shqiptare, një moment për të vështruar me realizëm dhe objektivitet ngjarjet që sendërtuan shtetin modern shqiptar dhe institucionet e tij, për t’u fokusuar tek vlerat dhe kontributet më pozitive të çdo periudhe të shtetit tonë të cilat, veçanërisht sot, të kthehen në modele për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të rinjtë tanë.

Modeli i Mbretërisë për të cilin shkruan Meta, do ta ketë po atë të ardhme që pati mbretëria e Zogut, sepse njerëzve si Zogu e Meta mendjen ua errëson floriri dhe duke u bërë rob të floririt ata në fund harrojnë edhe vetën, po i lënë shije neveritëse historisë dhe brezave të vinë më pas.

Mirë Meta, tekefundit është një “mbret” i kuq me origjinë ideologjike socialiste komuniste, po kjo nuk i prish punë, sepse kodi moral nuk ekziston në mendjen as në fjalorin e tij, por çka deshi ky, Ramushi ynë, ta nderojë Mbretërinë shqiptare, me Ahmet Zogun, në 90-vjetorin e shpalljes së Mbretërisë?.

A e di Ramushi me Qeverinë e tij,  (më të madhe se Qeveria kineze), me 100 ministra  e zëvendës-ministra e me qindra këshilltarë e koordinatorë,  që marrin paga të majme  po nuk guxojnë ta këshillojnë, a di Ramush Haradinaj se Zogu Mbret ka vrarë lulen e kombit shqiptar, Hasan Prishtina, ka vrarë atdhetarin mendjendritur, Luigj Gurakuqi. Ka vrarë Elez Isufin, luftëtarin që mbushte malet me shapkat e Kralit, ndërsa me ndihmën e “vojnikëve” të Kralit,  xhandarëve serbë dhe disa bashibozukëve të Dukagjinit, pandurë e xhandarë të kralit,  ka vrarë, Bajram Currin, bardin e kombit.

A e di Ramush Haradinaj se Zogu kishte vrarë, atdhetarin revolucionar, Avni Rrustemi, vrasësin e kolaboracionistit me namin më të keq, Toptan Esad pashanë.

A e di Ramushi, që regjimi i Zogut, në Shqipëri për inat të Azem Galicës, (i cili ishte betuar ta likuidonte satrapin), e kishte lënë të vdiste urie Shote Galicën me plagët e gangrenizuara e të pashëruar ndër vite nga plumbat e Pashiqit.

A e di Rmaushi se edhe Ahmet Zogu, edhe pse mbret kur iu kishte rrezikuar prapanica  kishte ikur nga Atdheu, sikur kishin ikur  ata shqiptarë nga frika e shfarosjes, nga regjimi kriminal i Milosheviqit  në pranverë të vitit 1999 dhe  kishin marrë botën në sy për të shpëtuar jetën.  Ka harruar Ramushi se si është shprehur kundër tyre, por nuk harron ta përkujtojë me pietet sundimtarin me mizor që ka pasur ky komb në radhët e veta.

Lehtë e ka Ramushi ta shohë veten mbret dhe të nderojë Ahmet Zogun. Tekefundit ai e ka shpallur veten të djathtë dhe kjo sipas tij  e afron me Zogun e zogizmin,  i cili po kthehet me faqen e vetë më të errët, me shitjen e tokave për pazare politike.

Dhe, për ta parë vetëm mbret, thotë se në Dukagjin i ka pasur 60 mijë ushtarë, gjatë luftës së UÇK-së, por po ashtu krejt pa të keq pranon edhe faktin kur i ishin dezertuar të gjithë dhe vetë kishte mbetur me 50 ushtarë.

E di mjaft mirë Ramushi kur  kishte dezertuar, Tahir Zema, të cilit ai ia kishte lëshuar komandën, pa e ditur se kush ishte dhe cili ishte qëllimi i tij për pa përmbysur luftën e UÇK-së.

Tani në krye të një partie, po aq sa ajo tash përgjysmë e Ilir Metës, Ramush Haradinaj ka filluar ta ëndërrojë  mbretin, në mos më shumë, Mretin e Dukagjinit, sepse Kosova nuk ka pasur as do ta ketë një mret për të qenë, për të gjithë.  Kosova ka disa mbretër  të krahinave, nga ku kanë lindur,  të cilët ëndrrat e tyre për pasurim mbretëror, po i realizojnë mbi kurrizin tonë, mbi kurrizin e një populli të tërë, i cili me shekuj është ballafaquar dhe po ballafaqohet me skamjen e varfërinë.

Kosova, vendi më i varfër në Evropë, ka qeverinë më të pasur në Ballkan, një qeveri që duket mbretërore,  po ta krahasosh me jetën që bëjnë shqiptarët e varfër. Një ministër  i Ramush Haradinajt merr pagën mujore  sa merr për tri vjet një pensionist i pleqërisë ose sa merr për 15 muaj një veteran pensionist.  Paga në raport  1 me 30 dhe 1 me 15 tregon fytyrën e vërtetë të Qeverisë, tregon shpirtin plaçkitës, të qeveritarëve, të cilët përveç pagave marrin edhe shumë benificione të tjera e mbi të gjitha marrin përfitimet nga tenderët, nga burime të ndryshme, të cilat rrjedhin pa pushim nën hije e mjegull…

Janë mijëra parazitë që nuk dinë mirë ku e kanë vendin e punës, por marrin rrogë nga shteti. Por në anën tjetër të botës së varfërisë e të mjerimit, janë qindra mijëra që jetojnë me minimumin jetësor,  barazi me atë të varfanjakëve të shteteve afrikane.

Qytetarët e Kosovës me  shkallën e papunësisë mbi 35 për qind, mezi presin liberalizimin e vizave për t’u dredhur në rrugët e përroskat e Evropës, jo për t’ u bërë mbretër, por për t’ u gjendur disi, duke punuar punët që nuk i punojnë dot evropianët  dhe duke u integruar në trafiqet që i ka lindur, i ushqen dhe i fuzionin Evropa.

Ahmet Qeriqi

9. 10. 2018

 

 

 

                                                         Fan Noli: Kënga e Salep Sulltanit

 

                 Një mexhlis të math na çeli

                Pandeli Jano Vangjeli

                Me Sulltan-llokum na veli

                Si kofini pas të vjeli.

 

                

                Fyt’ i Floqit po pëllet

                Top’ i Krosit po kërcet:

                Ç’është ky sheqer-kësmet?

                Hallvaxhinë e pamë mbret!

 

                

                Dhe rakia vete-vjen

                Xhafer Ypi na mbërthen

                Dhe për lot na mallëngjen

                Rreth konopit me legjen.

                

 

                Koço Kotta, mjek hanxhari,

                Nis një valle palikari,

                Se me një ferman kusari

                Sadrazem u-bë firari.

                

 

                Dhe Feridi faqe ndron,

                Die shante, sot lëvdon

                Fryn bulçit’ e trumbeton,

                Që Katrani zbardhëllon.

                

                Dhe sarhosh Iljas Vrioni

                Dehet, siç e do zakoni,

                Bërtet: “Rroftë Napoloni!

                Kështu tha dhe Ksenofoni!”

                

 

                Se ç’ u-çporr xhumhurieti,

                Se ç’u-rahatos mileti,

                Se Sulltanin prap’ e gjeti,

                Se, që kur e humbi, s’fjeti!

                

 

                Ç’ka sepse i vjetri qe

                Madhështor sa një deve

                Dhe ky s’bën as për meze!

                Rroftë sa jep ylefe.

                

 

                Se ç’ na u-gëzua xhani,

                Se ç’na preu Ramazani,

                Se ç’ na piu Italjani,

                Rroftë pra Salep-Sulltani!

 

Vjenë, 15 Tetor, 1928.

 

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …