A. Q. Brengat e veteranit të arsimit, të burgosuri politik dhe veteranit të luftës së UÇK-së, Sheqir Zeneli

Disa muaj më parë, Sheqir Zeneli, i lindur në vitin 1946, në fshatin Prapashticë, me vendbanim në Prishtinë, në moshën e paraparë me ligj, u nxor në pension. Nga rroga e rritur për arsimtarë, ai nuk mori asnjë euro, ndërsa tani e tutje gëzon të drejtën për të marrë vetëm pensionin e pleqërisë, 40 euro në muaj. Sipas ligjit i takojnë edhe pesë rroga, “shpërblim” për pension por ato nuk i merr dot pa kaluar në procedurën e gjatë dhe të mundimshme gjyqësore.  Dhe, nuk është ky rasti i vetëm, i tillë, por megjithatë është rast tejet i veçantë, me faktin se Sheqir Zeneli nuk është thjesht, vetëm  një arsimtar i nderuar, që profesionin e tij të mësuesit, e më pas të profesorit,  e ka filluar dhe e ka mbaruar me ditar në dorë.  Personazhi i këtij rrëfimi, në vitin 1981 ka qenë i arrestuar e më vonë i  dënuar  katër  vjet burg për veprimtari anti-jugosllave, me grupin Marksist Leninist të Kosovës, së bashku me Jakup Krasniqin, Mehmet Hajrizin, Hydajet Hysenin e shumë të tjerë. Pas daljes nga burgu e kishte të ndaluar të punonte në arsim, me vendim të Gjykatës  së Qarkut të Prishtinës, e cila e kishte shpallur fajtor dhe e kishte dënuar me mos ushtrim të profesionit të arsimtarit, pas kryerjes së dënimit.


 


 


Me qëllim për ta siguruar familjen, në vitet 90, Sheqiri ushtroi zejen e fotografit, në Shtime, ku kishte hapur një lokal dhe ku detyrimisht paguante tatimin dhe kontributet, që i inkasonte dhunshëm regjimi serb. Duke qenë se në Shtime nuk kishte punë sa duhet, ai me ndihmën e miqve dhe të afërmve, blen një lokal para Stacionit të Trenit, në Lypjan, të cilin më vonë ia konfiskon regjimi serb.


Krahas kësaj pune, në vitet 90, kur regjimi kriminal serb dëboi nxënësit dhe  mbylli shkollat e fakultetet, Sheqir Zeneli kthehet  pas 10 vitesh, sërish për të dhënë mësim në Shkollën Teknike, tashmë në shtëpi-shkollë. Për punën e tij, ashtu si të gjithë arsimtarët e tjerë merrte  30-40 DM nga Fondi i 3-përqindëshit dhe natyrisht se nuk paguante asnjë kontribut, sepse askush nuk i paguante kontribute një shteti, i cili i kishte përzënë shqiptarët nga institucionet, për shkak se nuk e pranonin si legjitim regjimin kriminal të Milosheviqit.


Në vitin 1989, me rastin e abrogimit të autonomisë së Kosovës, Sheqir Zeneli arrestohet, ndëshkohet dhe maltretohet,  ndërkohë që mbahet në izolim për disa muaj.


Prej lirimit nga burgu e deri në fillimin e luftës së UÇK-së ka vepruar ilegalisht dhe ka mbajtur lidhje me disa nga drejtuesit më të njohur të luftës, me të cilët kishte qenë edhe në burg. Falë kujdesit, konspiracionit të thellë veprimtaria e tij nuk zbulohet.


Me fillimin e luftës, qysh në pranverë të vitit 1998, paraqitet në Shtabin Lokal të Krojmirit dhe vë kontakte me disa nga veprimtarët e kësaj ane dhe me autorin e këtij shkrimi. Në verë të atij viti, së bashku me shokun e tij të burgut e të punës, profesorin,  Nezir Myrtaj kërkon të angazhohet në UÇK, por meqë ende nuk ishin bërë përgatitjet për hapjen e Radios, apo të një gazete të luftës, ai kthehet në Prishtinë, për të mos i ndalur asnjëherë kontaktet me Zonën e Drenicës dhe të Llapit. Në dhjetor të vitit 1998, Sheqir Zeneli dhe Nezir Myrtaj i bashkohen stafit të Radios-Kosova e Lirë dhe të Agjencisë Kosovapress.


Prej 4 janarit e deri në fund të marsit të vitit 1999, Sheqir Zeneli ishte anëtar i stafit të Radios dhe  i Agjencisë. Në rrethana tejet të rrezikshme, gjatë kësaj periudhe kohore disa herë ka vizituar familjen në Prishtinë, me qëllim për të hulumtuar ndonjë bastisje apo sulm të mundshëm dhe të pritshëm nga forcat serbe, meqë si i burgosur politik  vazhdimisht kishte qenë në shënjestër të regjimit kriminal serb.


Me rastin e fillimit të bombardimeve të NATO-s, Sheqir Zeneli ndodhet në Prishtinë, pranë familjes. Asokohe i bëhet i pamundur depërtimi në zonat e luftës. Nga përgjegjësi i Radios-Kosova e Lirë, kishte një sugjerim që të mos rrezikonte e ta linte familjen me fëmijë të mitur, në mëshirë të kohës. Në prill të vitit 1999, Sheqir Zeneli, me familjen dhe mijëra prishtinas dëbohet në Maqedoni, ku edhe qëndron në kampet e refugjatëve  deri në përfundim të luftës.


Pasi kthehet në Kosovë, në korrik të vitit 1999 i bashkohet stafit të Radios-Kosova e lirë ku punon disa muaj. Ndërkohë i kthehet  sërish detyrës së profesorit në Shkollën e Mesme Teknike, në Prishtinë, ku punoi deri në daljen në pension, disa muaj më parë.


Edhe pse Sheqir Zeneli ka 40 vjet stazh real të punës së tij, në arsim, me ditar në dorë, ai nuk e gëzon pensionin për veprimtarinë private të ushtruar në të kaluarën, sepse i mungojnë dokumentet e nevojshme lidhur me pagesën e kontributeve, për dy vite e gjysmë.


Organet kompetente në Shtime, nuk i japin kurrfarë vendimi, ku do të konfirmohej  se ai prej vitit 1990 e deri në vitin 1995 ka punuar në një lokal të fotografive, për çka ka dëshmitarë shumë banorë të Shtimes, por  sipas shpjegimeve, që i kanë dhënë zyrtarët e Komunës, regjimi serb  thuhet se paska marrë me vete, apo i paska asgjësuar të dhënat lidhur me kontributet, që ai ka dhënë për ushtrimin e veprimtarisë së tij. Edhe pse komunarët e dinë se ai ka punuar dhe i ka paguar kontributet, i thonë se nuk mund  të bëjnë asgjë, as për të, as për shumë të tjerë si ai, sepse me këtë problem tejet të rëndësishëm nuk është marrë asnjëherë Qeveria e Kosovës, as komunat, edhe pse ky problem i pazgjidhur për shkak të neglizhencës së shoqërisë i prek mijëra arsimtarë e zejtarë, anë e mbanë Kosovës.


 


Sheqir Zeneli ka edhe një brengë tjetër. Komuna e Lypjanit i ka rrënuar lokalin, që e kishte blerë dhe e kishte pronë të vetën, në afërsi të Stacionit të Trenit, në Lypjan dhe deri tani nuk i ka bërë as njëlloj kompensimi. Kryetari i komunës, Shukri Buja, i ka premtuar se në akord me ligjin, ai një ditë do të shpërblehet,  në një mënyrë, por për veç premtimeve dhe fjalëve të mira, diçka konkrete ende nuk është ndërmarrë.


 


Në mungesë të përkujdesjes së shoqërisë, qindra e ndoshta mijëra arsimtarë, punëtorë e zejtarë të Kosovës nuk arrijnë të marrin pensionet e merituara, vetëm sepse Serbia i paska marrë, apo i paska asgjësuar dokumentet, duke harruar se Serbia ka vrarë, ka masakruar shqiptarë liridashës dhe ka djegur tërë Kosovën, e jo vetëm dokumentet.


Po, tekefundit përse qenkan të vlefshme dokumentet e një shteti okupator, i cili është përzënë, është dëbuar nga Kosova me forcën e armëve të UÇK-së dhe të NATO-s?


 A thua dikush mendon se lufta kundër Serbisë paska qenë e  kundërligjshme dhe u dashka të presim derisa “të kthehet” në Kosovë administrata serbe për të vërtetuar  se kush dhe ku ka punuar, apo derisa të kthehen dokumentet, qofshin ato edhe kopje e jo origjinal?


Duket se kjo çështje po zvarritet edhe për qëllime përfitimi. Me veprime të tilla të papërgjegjshme, mbi kurrizin e kësaj kategorie të pensionistëve  përfiton edhe arka e shtetit me arsyetim se fajtore qenka Serbia, që i paska humbur dokumentet.


A nuk është kjo një papërgjegjësi e llojit të vet  që rëndon mbi të gjithë zyrtarët kompetentë të administratës së Kosovës, të cilët madje as marrin mundin për të folur lidhur me këtë problematikë sociale.


 


Sheqir Zeneli, për kontributin e tij, që gjatë tërë jetës së deritashme i ka dhënë kombit, arsimit, luftës, shpërblehet me dyzet Euro në muaj, tani në moshën 65-vjeçare, ndërkohë  që ka edhe probleme me shëndetin dhe duhet t i shtrohet një operacioni të kushtueshëm. Një shok i tij i burgut dhe i luftës,  në Kuvendin e Kosovës, me më pak merita, merr 100-fishin e pensionit së tij!.


Kjo është e vërteta lakuriq, na pëlqeu apo jo, na fyen, apo jo, na rëndon në ndërgjegje, apo jo!


Dhe, po të ishte ky një rast i vetëm, edhe mund të thuhet se ja qenka harruar, “e paska harruar Zoti dhe robi”, por në Kosovë, kemi mijëra raste të tilla. Kjo është merita që merr për përkushtimin dhe idealizmin e tij jetësor, veterani i arsimit, i burgosuri politik dhe veterani i UÇK-së, të cilit ende nuk i “ka dalë” as kartela e veteranit, edhe pse kartelat i kanë marrë mijëra “veteranë”, që jo vetëm nuk kanë marrë pjesë në luftë, por ka edhe të tillë  që e kanë sharë dhe e kanë përbuzur luftën. Ka mjaftuar që ata të kenë pasur një komandant, madje edhe fare të panjohur dhe të kenë përfituar, madje edhe pensione invadiliteti pa qenë të plagosur fare, apo duke  qenë të vetë-plagosur,  nga mosdija e përdorimit të armëve, apo të shpuar nga ndonjë cifël granate, duke ikur nga Kosova, në kohën e luftës.


Rasti i profesorit të gjuhës shqipe, Sheqir Zeneli dhe i shumë të tillëve si ai, flet shumë për ata që e ndiejnë peshën e përgjegjësisë dhe ata që kanë marrë përsipër përgjegjësinë lidhur me përkujdesjen që kanë ndaj qytetarëve, jo vetëm në kohën e fushatave elektorale.


Shoqëria, që nëpërkëmbë dhe neglizhon veprimtarë të tillë, të cilët tërë jetën ia kushtuan çlirimit të Kosovës dhe arsimimit të brezave liridashës,  nuk i  ka shpëtuar as i shpëton  zemërimit dhe mallkimit të popullit.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur rreth marrëdhënieve të tensionuara mes Vjosa Osmanit e Albin Kurtit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur lidhur me marrëdhëniet e  tensionuara mes presidentes …