Studiuesi, juristi e veprimtari i mirënjohur, Adil Fetahu ka nxjerrë në dritë librin më të ri publicistik, “Lexoj dhe reagoj” ku ka përmbledhur më shumë se 100 vështrime, komente, reagime, recensione e publikime temash e përmbajtjesh të ndryshme. Adil Fetahu është në mesin e analistëve e studiuesve më të shquar të vendit, i cili trajton me realizëm e korrektësi prej shkencëtari tema të veçanta, të lëmenjve të ndryshëm. Si rezultat i hulumtimeve interdisiplinare ai sjellë tema të panjohura por që kanë të bëjnë me vendin dhe kombin në përgjithësi. Me një diskurs të pasur dhe të kuptueshëm, me realizëm e objektivitet, me pasqyrim të gjithanshëm të temës që trajton, Adil Fetahu po lë gjurmë të veçanta në publicistikën tonë, të cilën e ka begatuar me sa e sa vepra të botuara, por edhe në dorëshkrim.
E veçanta e këtyre shkrimeve studimore është se autori, e njeh thellë materien të cilën e shqyrton, e njeh metodologjinë e punës shkencore dhe i qaset problemeve me profesionalizëm të faktuar e të dokumentuar, duke paraqitur të dhëna relevante, të cilat na japin një pasqyrë të plotë, lidhur me qëndrimet konstante antishqiptare të Serbisë zyrtare, Serbisë “akademike”, Serbisë kriminale, e orientuar thellësisht kundër të gjithë fqinjëve, posaçërisht kundër shqiptarëve.
Në trajtimin e kësaj problematike, për mendimin dhe vlerësimin tim, Adil Fetahu është njohësi ndër më të thellët dhe më i ploti në mesin e atyre, që janë marrë dhe merren me këtë problematikë. Është fatkeqësi e madhe për institucionet tona, veçmas për zyrtarët tanë të lartë, që nuk këshillohen me këtë studiues të zellshëm, lidhur me raportet e Kosovës dhe të shqiptarëve përgjithësisht me fqinjët, veçmas me Serbinë. Është fatkeqësi e llojit të vet nëse ata të paktën nuk i lexojnë këto studime, të cilat botohen në disa portale, por anashkalohen dhe nuk iu bëhet vend në mediet e portalet që kanë më shumë shfletues, ose botohen thjesht si opinione, pa e kuptuar rëndësinë, thellësinë, qasjen dhe problemet shoqërore, historike, shkencore që i trajton ky studiues dhe intelektual i njohur…
Libri, të cilin e ka botuar me shpenzimet e veta ka 378 faqe, shtypi Lena, Prishtinë, 2018