Mr. Sheremet Krasniqi: Rusia edhe në të kaluarën mbushte kishat serbe me armë

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për lejimin e importit të produkteve të dedikuara për kishën ortodokse, duke zbatuar kështu njërën pikë të marrëveshjes së arritur në mes të Qeverisë së Kosovës dhe KFOR-it , më duket se është një vendim i ngutshëm dhe jo i peshuar mirë.  Këtë e them duke u nisur nga fakti se kisha ortodokse serbe gjatë historisë qindravjeçare përherë ka qenë një ogur i zi për shqiptarët. Po t’iu referohemi dokumenteve arkivore, do të shohim se Serbia i ka përdorur përherë kishat ortodokse për të futur përçarje në mesin e popullatës shqiptare dhe asaj serbe. Nga këto dokumente mësojmë se Rusia, nëpërmjet konsullit të vet Shçerbin, kishte mbushur fshehtas me armë kishat serbe në Kosovë, për të përgatitur kështu terrenin që kur të largohej Turqia nga Kosova, serbët e këtushëm të ishin të armatosur për t’iu kundërvënë shqiptarëve dhe për t’i nënshtruar ata. Këto armë ua kishte zbuluar disa herë Isa Boletini dhe ato i kishte përdorur për kryengritësit shqiptarë. >>>


 


Më 1902, Isai u dha ultimatum serbëve të Kosovës që t’i dorëzonin armët që i merrnin nga Rusia. Këtij ultimatumi iu përgjigjën gati shumica e serbëve, duke dorëzuar vetëm brenda një jave 1200 pushkë me gjithë fishekë. Madje, sipas kujtimeve të Nuhi Rexhepit (pjesëmarrës i Betejës së Kaçanikut më 1910 dhe i plagosur në këtë betejë), Isa Boletini i kishte mbledhur priftërinjtë serbë në Mitrovicë dhe iu ishte kërcënuar atyre me pushkatim, nëse zbulonte edhe një herë armë në kisha të tyre. Në një emision të TV Beogradit kushtuar 85-vjetorit të vrasjes së konsullit rus Shçerbin në Mitrovicë nga luftëtarët e Isa Boletinit, një prift serb deklaronte: “ Isa Boletini dhe krerët e tjerë shqiptarë nuk kanë blerë armë në Serbi, por ato na i zbulonin dhe luftonin me armët tona, që i kishim fshehur nëpër kisha”.


Rusia  ia kishte ngulur qëmoti dhëmbin kësaj pjese të Ballkanit. Përveç konsullit Shçerbin , ajo dërgonte në Kosovë edhe misionarë të tjerë. Në një telegram të konsullit austriak Zambaur-Mitrovicë, që ia dërgonte Ministrisë së Punëve të Jashtme –Vjenë, thuhet: “ Udhëtimi që ka kryer z. Dobrovolski në Janjevë, nën maskën e shitjeve të biletave, ka pasur për qëllim që të mbledhë informata mbi minierat e Janjevës e të Novobërdës, të cilat, sipas gojëdhënave, përmbajnë ar “.


Një ngjarje tjetër me rëndësi do të ndodhte në këtë vit ( më 1902) në vilajetin e Kosovës.


Rusia, së bashku me Serbinë, kishin kërkuar nga Porta zbatimin e reformave dhe çarmatosjen e shqiptarëve. Për këtë qëllim ato kishin vendosur të hapnin konsullatën ruse në Mitrovicë, që të ushtronte njëfarë ndikimi në këto vise. Konsulli rus, Shçerbin, duhej të mbërrinte më 10 shtator 1902 në Mitrovicë. Me të mësuar këtë lajm, Isa Boletini i organizoi shqiptarët dhe nuk lejoi vendosjen e tij në këtë qytet. Konsulli rus i kishte premtuar 3.000 lira vetëm që të hiqte dorë prej këtij qëllimi, por Isai nuk i pranoi të hollat”  .


Rusia, duke parë rezistencën e vendosur të shqiptarëve, bëri presion të madh mbi Portën që ta largonte ajo Isa Boletinin që andej. Porta e Lartë dërgoi në Kosovë Shemsi Pashën, i cili kishte për detyrë ta zinte Isa Boletinin me të mirë ose me të keq dhe ta dërgonte në Stamboll. Isai kundërshtoi një kohë, por më në fund qe i detyruar të shkonte në Stamboll , ku u mbajt deri në vitin 1908. Pyetjes së Sulltanit se përse nuk pajtohej me hapjen e konsullatës ruse në Mitrovicë, Isai i ishte përgjigjur: “ Kjo asht punë thjesht politike. Shqiptarët nuk mundën me u pajtue që në zemër të atdheut të tyne, ku nuk ka asnjë rus, me e durue votrën e sllavizmit” .


Këtë artikull e shkrova për t’ua përkujtuar të gjithë atyre, që merren me çështjen e veriut të Mitrovicës, se problemi i kësaj pjese të truallit arbëror nuk ka lindur sot, ai daton para një shekulli dhe për të s’ka qenë e interesuar vetëm Serbia, por edhe Rusia e  të tjerë.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …