Historia është raporti i përhershëm midis së sotmes dhe të kaluarës sonë. Ne kërkojmë tek e kaluara, shpjegimin e problemeve që kemi, kërkojmë ndërgjegjen e asaj që jemi sot”, thotë profesori i Universitetit “Sapienza” të Romës, Pietro Scoppola. Ky raport do të duhej të përfillej në radhë të parë për hir të së vërtetës, e cila do të duhej të vlente për të gjithë popujt njësoj. Por mjerisht, sa herë është shkelur e drejta e popujve, janë shkelur edhe parimet universale të të drejtave njerëzore, meqë forca nuk pyet as Zotin, edhe pse Zoti nuk e do forcën, thotë një proverb i vjetër. Kështu ndodhi edhe gjatë këtyre ditëve të nxehta të verës, kur zyrtarët turq të Ministrisë së Arsimit në bisedime me zyrtarët e Ministrisë së Arsimit të Kosovës, propozuan një rishikim të disa temave rreth disa teksteve të Historisë së Popullit Shqiptar, lidhur me trajtimin e kapitujve të historisë të kohës së sundimit të Perandorisë Osmane në Kosovë dhe përgjithësisht në trojet ende të ndara e të copëtuara të Shqipërisë.>>>
Historia e marrëdhënieve turke-shqiptare është tejet komplekse dhe përfshin një gamë të tërë të këtyre marrëdhënieve në kohë dhe hapësirë, përfshin më shumë se 500 vjet bashkë-ekzistencë të pabarabartë historike të këtyre dy popujve, që derdhën aq shumë gjak të njëri tjetrit, por edhe që i dhanë shumë njeri tjetrit.
Perandoria Osmane ishte në mesin e perandorive më të mëdha të botës dhe në kohën e sundimit të kësaj perandorie kanë ndodhur edhe tragjedi të shumta njerëzore, janë robëruar popuj, janë gjymtuar njerëz, janë vrarë e shfarosur kundërshtarët, ashtu sikur ka ndodhur edhe në kohën e pushtimeve të Perandorisë Romake, të Perandorisë Bizantine, të Mbretërisë së Nemanjidëve, etj.
Shqiptarët kanë pasur fatkeqësinë historike për shkak se gjeografikisht territori i tyre ka qenë arenë e ndeshjeve të perandorive të Lindjes dhe Perëndimit, ka qenë territori ku është ndarë në dysh krishterimi lindor dhe perëndimor, ku ndër shekuj është zhvilluar lufta e Kryqit kundër Hënës. Në këtë udhëkryq historik shqiptarët kanë qenë, e mjerisht edhe kanë mbetur të rrezikuar, të keqtrajtuar, të ndarë në gjashtë shtete të Ballkanit dhe gjithnjë në shënjestër të fuqive, që kanë vendosur dhe vendosin për fatin e popujve të vegjël. Evropa përgjithësisht na konsideron si lindorë dhe mbeturina të aziatizmit, ndërsa Azia na konsideron si evropianë melezë dhe laramanë fetarë. Nga do ta marrësh, shqiptarët kanë qenë dhe po mbesin mes dy borërave, mes kullës dhe çekanit. Ky realitet historik ka bërë që shqiptarët nuk kanë pasur mundësi të krijimit të shtetit të tyre unik kombëtar dhe as kanë mundur të faktorizohen sikur popujt fqinjë, gjithnjë grabitqarë të tokave shqiptare.
Për fatin tonë tragjik, të gjithë sunduesit, të gjitha perandoritë që ngulen flamujt në trojet tona kanë qenë pushtues dhe të tillë janë trajtuar e do të trajtohen përgjithmonë, derisa të ketë identitet shqiptar, derisa të ketë sedër e krenari kombëtare, ashtu sikur kanë të gjitha kombet e popujt e qytetëruar të botës. Në këtë drejtim, ne nuk kërkojmë as më shumë dhe as më pak, por kërkojmë reciprocitet, tolerancë, barazi e mbi të gjitha kërkojmë një shtet unik shqiptar, ashtu sikur i kanë shtetet e tyre unike serbët, bullgarët, grekët, kroatët e të tjerë, të cilët numerikisht janë të përafërt me ne, por territorialisht ekzistojnë dallime tejet të mëdha, meqë shtatë milionë shqiptarë në Ballkan jetojnë në një sipërfaqe të rrudhur tokësore në 4.3000 km. katrorë, ndërsa serbët, bullgarët e grekët shtrihen në sipërfaqe deri edhe dy e tri herë më të mëdha.
Historia e marrëdhënieve turke-shqiptare është një kapitull i rëndësishëm i së kaluarës së këtyre dy popujve
Historia e marrëdhënieve turke shqiptare është një kapitull i rëndësishëm i këtyre dy popujve. 500 vjet bashkëjetesë të pabarabartë, me hir apo pa hir, kanë bërë që shqiptarët dhe turqit të kenë qenë miq dhe armiq në të njëjtën kohë. Shqiptarët edhe pse pranuan islamin nuk u turqizuan, ashtu sikur turqit edhe pse pranuan islamin, në periudhën më të hershme të përhapjes, nuk u arabizuan.
Duke qenë se shqiptarët në shumicë pranuan islamin, Turqia i trajtonte si qytetarë të barabartë të Perandorisë, duke iu besuar edhe postet më të larta në hierarkinë ushtarake, fetare e politike. Në të njëjtën kohë, kur një shumicë dërrmuese shqiptare ishte bërë pjesë e synimeve pushtuese të Perandorisë, pjesa tjetër luftonte për më shumë autonomi, për vetëqeverim e më në fund edhe për shkëputje.
Shqiptarët i kanë dhënë Perandorisë rreth 30 serasqerë, vezirë dhe komandantë në nivelit më lartë ushtarak, në anën tjetër nuk kanë qenë pak ata vezirë e komandantë e guvernatorë që i “tradhtuan” interesat e Perandorisë për interesa të trojeve arbërore, si Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Halil Patrona, Ali Pashë Tepelena, Mustafë Pashë Bushati, Avdyl Frashëri, Imer Prizreni, Ismail Qemali e shumë të tjerë.
Kjo ta quajmë bashkëjetesë e detyruar shqiptare-turke gjatë tërë sundimit 500 vjeçar të Perandorisë Osmane, ka pasur specifikat e veçanta historike, të cilat mendoj se nuk janë gjurmuar sa duhet dhe si duhet. Andaj edhe është tepër e vështirë, që fati historik i këtyre dy popujve të trajtohet një dimensionalisht ashtu sikur trajtohet armiqësia shekullore serbe-shqiptare, apo shqiptare-greke.
Pikërisht sepse është shumë e koklavitur e kaluara turke shqiptare, lindin edhe probleme të caktuara, të cilat për mendimin tim nuk i përkasin armiqësisë shekullore mes këtyre dy popujve, por metodologjisë së këndvështrimit të asaj “armiqësie”, e cila tashmë ka nxjerrë kokën jashtë, me faktin se zyrtarët turq konsiderojnë se diçka nga e historia e shkruar shqiptare u dashka të rishqyrtohet, apo edhe të retushohet. Dhe, nuk është kjo kërkesa e parë që kanë bërë zyrtarët turq. Kërkesa të tilla ata i kanë bërë më herët edhe Shqipërisë.
Realisht, mendoj se në tekstet, të themi zyrtare, të Historisë së Popullit Shqiptar, qëndrimi ndaj pushtuesve është qëndrim shkencor, objektiv, ashtu sikur edhe në historitë e popujve të tjerë, që kanë jetuar nën Perandorinë Osmane. Një qëndrim i tillë shkencor është i njëjtë me qëndrimin karshi pushtimeve romake në trojet e Ilirisë, pushtimeve të Bizantit dhe pushtimeve sllave gjatë mesjetës. Në këtë segment nuk ka as çka të ndërrohet as të ndryshohet.
Në folklorin shqiptar ka elemente të urrejtjes kundër turqve por edhe pushtuesve të tjerë
Nëse bëhet për folklorin shqiptar, për këngë të trimërisë apo këngë historike, romane, vepra e komente autoriale, atëherë vërehen edhe interpretime të njëanshme, madje hasim edhe në ndonjë etiketim si “qentë turq”, qentë serbë, masakruesit turq, serbë, grekë, që nuk besoj se heqin peshë, as që duhet të trajtohen zyrtarisht.
Në një tekst të një kënge të trimërisë thuhet:
Turkoshak hej kopilhane
Hajde t dalim n Fushë t Mejdanit,
E të shkelim kambë për kambe
Ta provojsh zogun e shqiptarit…
Kënga e Mrikës dhe e Gjinit
Nuk jam kurva e Anadollit
Mem shnderua qenat e Stambollit…
Ka shembuj të shumtë ku çaushët etiketohen me emra pezhorativë dhe me urrejtje për shkak se besnikëria e tyre uloke ndaj pushtuesit dëmtonte interesin e përgjithshëm ë kombit.
Bejta Syla qen qafiri
Bani gost e çoj na thirri,
Myzhde Pashë u zu Halili…
Shembuj të tillë stigmatizues, përçmues e urrejtës ndaj pushtimit turk e serb ka me shumicë, por kjo nuk mund të ndreqet, as mund të përmirësohet. Kjo thjesht i përket së kaluarës. Edhe në filmin “Skënderbeu” ka shprehje pezhorative kundër turqve, të cilat tekefundit i referohen kohës së armiqësisë. Të tilla shprehje, madje edhe më cinike hasen kudo ndër popujt e Ballkanit dhe marrja me shembuj të tillë është thjesht anakronike, e pakuptimtë dhe krejt e paarsyeshme.
Roli dhe kontributi i Turqisë së sotme për shqiptarët
Pavarësisht nga e kaluara tejet e përgjakshme shqiptare-turke, Turqia e sotme, Turqia moderne e ndërtuar qysh prej kohës së Kemal Ataturkut, nuk ka trashëguar, as trashëgon aspiratat e kohës së Sulltanatit. Qëndrimi aktual i politikës dhe diplomacisë turke është mjaft i moderuar dhe është shumë i rëndësishëm për shqiptarët në përgjithësi kur marrim parasysh rolin e sotëm që ka Turqia në Azi,
në Evropë, por edhe në botë. Është “non sens” të mendohet se Qeveria turke kërkon retushimin e historisë së kombit shqiptar, është krejtësisht e pa arsyeshme, që për hir të politikave aktuale të sakrifikohet e kaluara, është krejtësisht e papranueshme, që për hir
të politikave të ditës, të rishkruhet historia kombëtare e një populli edhe ashtu të ndarë padrejtësisht edhe me fajin e Perandorisë Otomane, e cila bënte tregti me tokat shqiptare, e cila e “lëshonte Ulqinin, sepse kishte ‘muhasere” Stambollin”. Këtë nuk e kërkon Turqia dhe këtë nuk e pranon populli shqiptar, pavarësisht se politika në Tiranë, Prishtinë dhe në Shkup mund të luhatet duke peshuar me diplomaci humbjen dhe dobinë, pavarësisht se ne kemi shumë politikanë poltronë dhe plastofilë.
Populli turk i ka ende shumë borxh popullit tonë dhe këtë e dinë mjaft mirë intelektualët turq, po ashtu edhe politikanët aktualë.
Ishin shqiptarët ata që pranuan islamin dhe që asnjëherë nuk e identifikuan me Turqinë, edhe pse islami u pranua në kohën e sundimit turk, por pas çlirimit nga Turqia shqiptarët nuk u kthyen në fenë e vjetër, ashtu sikur bënë një pjesë e madhe e serbëve, hungarezëve, rumunëve, grekëve, moldavëve e të tjerë. Për më tepër, regjimet e popujve të përmendur shkatërruan në tërësi kulturën materiale osmane. Dihet fakti se Serbia ka shkatërruar dhe ka asgjësuar më shumë se 3500 objekte të kulturës materiale islame dhe turke. Po kështu veproi edhe Greqia, Hungaria, etj.
Luftën për çlirim nga Perandoria turke e nisi dhe e përfundoi elita intelektuale dhe ushtarake shqiptare e besimit islam, duke ftuar në këtë luftë edhe vëllezërit shqiptarë të krishterë, të cilët edhe pse të shantazhuar nga kreu i fesë së krishterë, për të mos ndihmuar shqiptarët myslimanë, ata, iu bashkuan luftës për çlirim, duke respektuar në maksimum tolerancën fetare dhe duke ruajtur në radhë të parë kombin, gjuhën, traditën, historinë, shkrimin e përbashkët dhe të gjitha elementet, që e përbëjnë një popull dhe një komb.
Turqia është një shtet i fortë dhe një aleat shumë besnik i Amerikës. Ky shtet ruan një balancë të fortë mes Lindjen dhe Perëndimit, në planin gjeostrategjik, ushtarak dhe politik. Turqia ka përkrahur dhe është ndër shtetet e para që e ka pranuar pavarësinë e Kosovës dhe ka ndihmuar në ngritjen e saj ekonomike. Turqia aktualisht është në forcë e stabilitetit dhe e paqes, dhe kjo nuk guxon të komprometohet me kërkesa, të cilat janë nxitur nga fushata të ndryshme të klaneve të papërgjegjshme dhe të pseudo-intelektualëve gjysmakë, në mesin e shqipfolësve, të cilët të verbuar nga urrejtja kundër ideologjisë komuniste, ( dikur ishin komunistë dhe agjentë të shërbimeve serbe e ruse) pretendojnë të shkatërrojnë krejt të kaluarën shqiptare, duke e etiketuar si marksiste-leniniste.
Nëse dikush në Turqi mendon se duhet kërkuar llogari, e cila në ndonjë segment lidhet me të kaluarën, atëherë mund t’i adresohen ushtrisë dhe komandove greke për ta ndaluar këngën e tyre “patriotike” ku thuhet se “do të bëjmë opinga dhe rripa me lëkura të turqve dhe të shqiptarëve, duhet të kërkojë llogari nga serbët, bullgarët, grekët, hungarezët për prishjen e mijëra objekteve fetare.
Turqia duhet ta trajtojë drejtë dhe njerëzisht çështjen e popullit kurd. Duhet të pranojë botërisht gjenocidin e ushtruar kundër armenëve dhe disa popujve të tjerë. Turqia aktualisht i ka aleatë shqiptarët, por duhet të sillet me përgjegjësi, tolerancë, reciprocitet, barazi e drejtësi, pikërisht sipas asaj fjalës së urtë shqiptare, miku mik, por secili zot në vend të vet.