Frank Shkreli: Një mbështetje historike ndërkombëtare ndaj lirisë së fjalës

Frank Shkreli: Çka po ndodh me Valdanosin e Ulqinit

Gjiri i Valdanosit shtrihet në një largësi prej 4 miljesh nautike në veri-perëndim të qytetit të Ulqinit midis Mavrianit dhe Mendrës, në formë patkoi të ngushtë. Është me të vërtetë një bukuri e natyrës.  Ullishta e Ulqinit që gjendet në afërsi të Valdanosit,  thuhet se ka rreth 80.000 ullinjë duke e bërë këtë ullishte — pas asaj të Tivarit – të dytën në bregdetin e Adriatikut për nga numri i rrënjëve të ullirit. Sipas burimeve vendase, vjetërsia e disa prej ullinjëve në atë zonë duhet të jetë  mbi 800-vjetë, por disa prej tyre mund të jenë edhe më të vjetër, duke filluar nga periudha antike e shekullit të V para Krishtit.  Vaji i ullirit shumë i njohur i Ulqinit, me aromën karakteristike të tij, konsiderohej dikur si një mall me shumë vlerë, baraz me floririn dhe tregtohej me qendrat tregtare të botës së vjetër historike, si Trieste, Venediku, Roma dhe Kairo, por edhe me qytetet arbërore, si Shkodra, Shkupi, Prizreni e tjera.

Toponimia historike e tërësisë së emrave të Valdanosit tregon qartë se kjo zonë ka qenë gjithmonë e banuar nga shqiptarët dhe se shqiptarët kanë qenë dhe janë pronarë të parcelave të kësaj zone. Si shembuj të toponimisë, në shpatin e kodrës së Mendrës gjendet shpella — gryka shkëmbore e gërryer nga deti — e ashtuquajtur Mjekëra e Vezirit.   Para hyrjes në grykën e Valdanosit, rrezë kodrës gëlqerore të Mavrianit, valët e detit kanë hapur Shpellën e Ujkut, mbi të cilën ngritet Shkëmbi i Zanës, kurse buzë majës së gjirit janë dy burime: Kroi i pishave dhe Kroi i zanave. Në afërsi të drejtpërdrejtë të shpellës Mjekra e Vezirit, afër fanarit të Mendrës, është edhe Shpella e Pëllumbave. Midis Valdanosit dhe Gjirit të Ranës fshihet një varg gjirësh të vogla me plazhe ranore e lugje shkëmbore. Në veriperëndim të Valdanosit, në drejtim të Tivarit, shtrihen gjiret e Krythes, Ulqinit të Vjetër dhe Kruçit.  Por ekziston edhe interpretimi i linguistit vendas, Ruzhdi Ushakut, i cili ka thënë se Valdanosi është toponim nga fjalët shqipe vallja e nuses, duke theksuar që edhe në hartat më të vjetra, Valdanosi është shënuar si vale di nusi.  Ndërsa kur flasin për Valdanosin, ulqinakët këtë e bëjnë me dashuri të veçantë, sikur i drejtohen gruas më të bukur, “shtojzovalles” apo floçkës (sirenës), duke qenë të bindur se ky është gjiri i tyre, vendstrehimi i shtojzvalleve.

Sipas disa burimeve, shumë prej familjeve ulqinake kanë edhe dokumentacionin (ç’prej kohës së okupimit turk) për pronësinë e tyre të parcelave të ndryshme në Valdanos, derisa ato u shtetëzuan pa drejtësisht nga ish-regjimi komunist jugosllav për qëllime të veta.  Si rrjedhim, Jugosllavia komuniste përvehtësoi ilegalisht mallin e familjeve shqiptare në Valdanos duke e këthyer këtë perlë të Adriatikut në një pushimore ushtarake, por që ç’prej shembjes së ish-Jugosllavisë, pushimorja nuk ka funksionuar më si e tillë.

Kaq sa për një histori të shkurtër për Valdanosin, për të cilin shumë lexues mund të mos kenë dëgjuar kurrë. Ç’po ndodhë sot me Valdanosin dhe me tokat – gjithsejt 670.000m2, sipas disa burimeve — që dikurë ishin të shqiptarëve vendas të zonës së Ulqinit por që u janë marrë atyre ilegalisht, gjysëm shekullin e kaluar, nga regjimi komunist ish-jugosllav, për t’i këthyer ato në pushimore ushtarake?

 Ajo që po ndoshë sot në Valdanos, sipas disa burimeve në portalin Ulqinionline, “Ministria e Financave e Malit të Zi është duke shqyrtuar kërkesen e kompanisë “MN Invest” nga Nikshiqi e cila do që të shkëmbejë 670 000 m2 në Bogetiq të Nikshqit, me të njëjtën sipërfaqe në Valdanos të Ulqinit. Ministria e Financave, sipas gazetës malazeze Vijesti, për këtë shkëmbim toke i ka kërkuar gjoja mendimin Komunës së Ulqinit, por kjo duket si një kërkesë sa për sy e faqe, pasi Podgorica nuk është e detyruar ta marrë në shqyrtim mendimin ose qëndrimin e autoriteteve të Komunës së Ulqinit për të vendosur mbi shkëmbimin e pronave të shqiptarëve në Valdanos me tokat shkëmbore afër Nikshiqit, shkruan portali Ulqinionline.

 Siç mësohet nga informacionet e deri tanishme mbi këtë çështje, në Ulqin duket se ekziston një befasi dhe konfuzion i tërë në lidhje me vendimin që është marrë në Podgoricë, pa u këshilluar fare me autoritetet vendore të Komunës së Ulqinit, e me ish-pronarët e parcelave në Valdanos, jo se jo — tokën e të cilëve në Valdanos, shikoni foto më poshtë –zyrtarët malazezë duan ta shkëmbejnë me disa prona shkëmbore në Bogetiq të Nikshiqit. Siç duket askush nuk i ka pyetur familjet pronare ulqinake – mbi 204 prej tyre — sipas disa burimeve nëse duan që të shkëmbejnë parcelat e tyre në bregdetin ulqinak me toka shkëmbore afër Nikshiqit, pasi atje nuk besoj të ketë toka të tjera, veç shkëmbinjë.

                                          Gjiri i Valdanosit afër Ulqinit

Në një kumtesë për opinionin e gjërë – subjekti politik shqiptar në Ulqin, “FORCA” shprehë habinë e tij në lidhje me njoftimin nga Podgorica duke thënë se, “Tani është paraqitur një ndërmarrje “MN Invest” nga Nikshiqi, e cila per çudi të madhe dëshiron të merret me prodhimin e ullinjve në pronat tona, të marra nga shteti në mënyrë të padrejtë.  Jo zotërinj, nuk është e nevojshme që dikush nga Nikshiqi, apo nga cilido vend tjeter i botës të merret me kultivimin e ullinjëve në tokat tona. Ne, ullinjt i mbjellim dhe i kultivojmë vetë.”

Ndërkaq, duket se kjo çështje është subjekt i një séance të radhës gjyqësore malazeze, që do të mbahet në Podgoricë nga fundi i këtij muaji — mbi kërkesën e pronarëve legjitim që pronat në Valdanos t’u këthehen atyre, pronarëve lgjitim.  Përveç kësaj, disa burime bëjnë të ditur se kjo çështje, si rrjedhim i ankesave, do të shqyrtohet gjithashtu edhe nga institucione ndërkombëtare, të cilat pritet që të japin edhe ato gjykimin e tyre përfundimtar mbi këthimin e mallit dhe tokave në Valdanos, pronarëve legjitim të rrethit të Ulqinit.

Por, sipas një njoftimi, gjithashtu në portalin Ulqinionline, nga Lëvizja qytetare Ura e cila shprehet rreptësisht kundër shkëmbimit të tokës së Valdanosit, thuhet se çështja e pronave në Valdanos është një “çështje politike” dhe se pa vullnet politik, toka nuk do t’u kthëhet pronarëve të mëparshëm.” Lëvizja Ura fajëson Presidentin aktual të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq për mungesë të vullnetit politik për të zgjidhur këtë çështje dhe kërkon nga autoritetet vendore të Ulqinit që të “Kundërshtojnë fuqishëm këtë kërkesë (të Ministrisë Malalezeze të Financave), dhe në qoftë se duhet të diskutojmë dhe në Kuvendin komunal në mënyrë që të japim përgjigje të fortë dhe të qartë për këtë devastim, i cili nuk është aspak në interes të qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Ura.

Fatkeqësisht, për pronarët legjitim shqiptarë të tokave të tyre në Valdanos, siç duket si po shkojnë punët deri tani, megjithëse mund të ketë ende kohë, para se të jetë tepër vonë, që të mobilizohet faktori ndërkombëtarë, Tirana dhe Prishtina zyrtare, por mbi të gjitha, opinioni publik i banorëve të Ulqinit dhe sidomos i faktorit politik shqiptar në ato troje, për t’i dalë përpara këtij vendimi, mundësisht për të ndaluar këtë masakër shpronësimi ilegal të pronarëve shqiptarë.  Ky vendim nga ana e autoriteteve zyrtare të Podgoricës – nëqoftse ia dalin t’a çojnë në vend, pas apeleve gjyqësore kombëtare dhe ndërkombëtare — nuk është vetëm një vendim ekonomik, por është thjeshtë një ndërmarrje — e menduar mirë dhe gjatë — politike dhe uzurpuese e tokave shqiptare në atë ato troje — e menduar mirë dhe gjatë– me qëllim për të shtuar popullësinë sllave dhe për të pakësuar numrin e shqiptarëve në zonën e Ulqinit, duke shkaktuar, me një vendim të tillë shpronësimi ilegal, që shqiptarët të barktisin në një numër sa më madh tokat e tyre stërgjyshore.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …