Në Kuvendin e Republikës së Kosovës është mbajtur sot takimi për themelimin e Këshillit për Zhvillim të Qëndrueshëm, në të cilin të pranishëm ishin kryetarë të komisioneve parlamentare dhe deputetë, përfaqësues nga Kabineti i kryetarit, Sekretari i Kuvendit, udhëheqës të Agjencive Zhvillimore të Kombeve të Bashkuara në Kosove, përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit, Asociacioni i Komunave të Kosovës, Agjencia e Statistikave, si dhe përfaqësues të institucioneve të tjera vendore dhe ndërkombëtare.
Hapjen e takimit e bëri kryetarja e këtij këshilli, Besa Baftiu, njëkohësisht kryetare e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, e cila falënderoi të pranishmit për mbështetjen e tyre ndaj kësaj nisme. Kryetarja Baftiu tha se qëllimi kryesor i Këshillit është të bashkojë parlamentarët dhe përfaqësuesit e tjerë institucionalë, organizatat ndërkombëtare dhe institutet – organizatat e shoqërisë civile, për t’u koordinuar në një aksion të përbashkët për arritjen e 17 objektivave zhvillimore, të njohura si Objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm apo Agjenda 2030. Në vazhdim fjalim mbajti edhe Ulrika Richardson, koordinatore për Zhvillim e KB-ve dhe Përfaqësuese Rezidente e UNDP-së në Kosovë, e cila shprehu gatishmërinë për bashkëpunim rreth këtyre objektivave.