RKL: Dështimi i raportit të Dik Martit do të arsyetohet me rrezikimin e dëshmitarëve

 


Në sesionin dimëror të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës pritet të paraqitet edhe një Raport tjetër, i cili do të jetë në mbështetje të raportit shpifës, të Dik Martit. Njoftohet se Zhan Sharl Gardeto, nga Monako ka përgatitur një Raport, i cili  ka të bëjë me mbrojtjen personave që ofrojnë dëshmi për krimet e luftës në Ballkan. Në pjesën e këtij Raporti, ku flitet për vendin tonë,  thuhet se në Kosovë vriten dëshmitarët, që guxojnë të japin dëshmitë e tyre për rastet e krimeve të luftës, dhe për këtë arsye ata duhet urgjentisht të strehohen jashtë Kosovës. Dëshmitarët trajtohen si tradhtarë nga popullata,  ku ata japin dëshmitë. Madje shumë njerëz nuk besojnë se kanë obligim moral dhe legal për të dëshmuar lidhur me  krimet, ndërsa kur një dëshmitar vendosë të flasë, ka gjasa reale për hakmarrje. Ata mund të humbasin vendin e tyre të punës, ose në rastin më të keq, edhe  mund të vriten, thuhet në mes tjerash në Raportin hipotetik dhe aspak të argumentuar të  anëtarit nga Monako.


Raportuesi, Zhan Sharl Gardeto nuk ka bërë të ditur faktin se hetuesit e huaj të  krimeve, nga Tribunali i Hagës, nga policia e UNMIK-ut dhe ajo e  EULEX-it   i korruptojnë dëshmitarët  dhe i joshin me para të majme, vetëm për të dëshmuar kundër luftës së UÇK-së, ndërsa shumicës së tyre u premtojnë ndërrimin e identitetit dhe largimin nga Kosova, sipas peshës së dëshmisë. Për shumë raste të tilla është i njoftuar opinioni në Kosovë, por politika jonë e ngathët dhe  një segment servil brenda kësaj politike, në heshtje pranon këto paragjykime raciste të eurodeputetëve të majtë, të cilët  edhe gjatë luftës në Kosovë kanë mbështetur krimet e Milosheviqit kundër shqiptarëve dhe kanë dënuar intervenimin e NATO-s kundër regjimit fashist të Beogradit.


Ndihma që do t’i ofrojë  Dik Martit, z. Gardeto, me raportin e tij është një përpjekje e kotë, e mjerë dhe aspak njerëzore, sikur është rasti me paragjykimin, për gjoja  eliminimin e dëshmitarëve. Tash kur po shihet se Dik Marti nuk disponon asnjë dëshmi  konkrete, kur raporti i tij mund dhe duhet të pësojë një fiasko fatale, dështimi do të arsyetohet  gjoja me rrezikimin e dëshmitarëve. Në këtë mënyrë, Dik Marti dhe eurodeputetët e majtë, po bëjnë përpjekje të nxirren nga bataku ku kanë rënë dhe këtë çështje ta lënë hapur, për qëllime “humanitare”, për të mos i rrezikuar dëshmitarët, të cilët, po u rrezikuakan nga bashkëkombësit e vet.


Përse këta raportues kërkojnë nga individë të caktuar të marrin qëndrim kundër bashkëkombësve të vetë dhe pastaj të ua qajnë hallin? Këtu zbulohet më së miri intriga dhe hipokrizia e disa  mujsharëve të Evropës, të cilët  po bëjnë përpjekje ta barazojnë viktimën me xhelatin dhe në këtë mënyrë ta diskreditojnë intervenimin ushtarak të NATO-s kundër Serbisë, e cila sipas tyre është ndëshkuar pa meritë .Pretendimet e tyre për të vënë pikë barazimi mes veprimeve të UÇK-së dhe regjimit kriminal dhe fashist të Serbisë, janë pretendime antinjerëzore, antihistorike dhe bëhen me qëllim të dobësimit të pozitës negociuese të Prishtinës me Beogradin. Pikërisht duke u nisur nga një pozicion i tillë, i cili zhvlerëson pavarësinë e Kosovës, thuhet se bisedimet dë të përfshijnë  të gjitha çështjet e hapura, madje edhe vetë statusin e Kosovës, përderisa do të bisedohet lidhur me pjesën veriore të vendit


 


Hetuesit e parë të Tribunalit të Hagës, të cilët kanë filluar hulumtimin e krimeve të luftës në Kosovë, qysh në vitin 1999 janë mbështetur në dosjet e Ministrisë së Drejtësisë së regjimit të Milosheviqit, në kohën kur krimineli serb ende sundonte në Beograd. Po ashtu ata janë mbështetur edhe në dosjet e një segmenti të veprimtarëve të LDK-së, të cilët, duke u bazuar po ashtu në të dhënat e Beogradit zyrtar, kishin formuar disa qendra për hulumtimin e krimeve, që sipas tyre ishin kryer  nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.


Hetuesit e huaj, ( dihen emrat e tyre, nëse ata janë prezantuar realisht) kanë bërë hulumtime në shumë vende të Kosovës dhe kanë marrë në pyetje, ata individë të cilët kanë kundërshtuar luftën e UÇK-së dhe të tillë, të cilët gjatë luftës i kanë shërbyer regjimit të Milosheviqit.


Në të gjitha rastet, hetuesit e huaj të Tribunalit të Hagës dhe të Policisë së UNMIK-ut, i kanë joshur dëshmitarët me shuma të mëdha parash, nëse akuzojnë luftëtarët e UÇK-së, për rastet e dyshuara dhe të paragjykuara. Hetuesit kanë bërë përpjekje, që kontakti i tyre me dëshmitarët të jetë shumë sekret, por në denoncimin e tyre kanë ndihmuar liridashësit e Kosovës, të cilët  kanë përcjellë me vëmendje dhe përcjellin çdo ditë lëvizje të kolaboracionistëve, andaj edhe kanë zbuluar dhe do t’ i zbulojnë kontaktet  e tilla.


Të gjithë dëshmitarëve, pa dallim iu kanë ofruar para, nëse ata kanë qenë të varfër, ndërsa dëshmitarëve kyç, sikur ishte rasti me dëshmitarët e Tribunalit të Hagës kundër Fatmir Limajt dhe Ramush Haradinajt, u kanë premtuar ndërrim të identitetit dhe largim nga Kosova me familjet e tyre. Dihet tashmë botërisht se cilët nga dëshmitarët e tillë jetojnë jashtë Kosovës.


Disa nga dëshmitarët që jetojnë në Kosovë, dhe të cilët kanë rrëfyer për ofertat e hetuesve, pasi nuk i kanë marrë paratë e premtuara, kanë ndryshuar deklaratat dhe nuk kanë pranuar të dëshmojnë para Tribunalit të Hagës, duke mohuar deklaratat e tyre paraprake.


Paragjykimi, për rrezikimin e dëshmitarëve, është një adut për Dik Martin dhe pasuesit e tij në Evropë, Serbi dhe në Rusi. Ky adut e lë çështjen hapur. Në të kundërtën Marti dhe martiçët  e tij do të duhej të nxirreshin para gjyqit, me akuza  për deklarime të rrejshme, të pabazuara dhe të pa argumentuara dhe për fyerje e shpifje kundër tërë një populli.


Raporti i Gardetos nuk e shpëton Dik Martin nga ballafaqimi me të vërtetën, nëse  Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës insiston që të zbardhet kjo e vërtetë. Mbjellja e dyshimit, heshtja dhe arsyetimi se nuk u zbardhkan dot krimet për shkak të rrezikimit të dëshmitarëve, nuk janë as duhet të jenë fakte bindëse për drejtësinë, nëse dikush ka vullnet në Evropë, që të merret seriozisht me zbardhjen e së vërtetës, ashtu sikur u mor shkrimtari i madh francez  Emil Zola, në rastin e aferës së Drajfusit.


Dik Marti është ana e zezë e kësaj drejtësie, është njeriu i cili ka dënuar intervenimin e NATO-s kundër regjimit të kriminelit Milosheviq, është njeriu i cili i ka  përkrahur krimet serbe në Bosnje e Hercegovinë, ashtu sikur trupat paqeruajtëse të Evropës, të cilët nuk bënë as përpjekjen më të vogël për të shpëtuar boshnjakët myslimanë, në Srebernicë. Ata panë me sytë e tyre krimet më monstruoze që kanë kryer serbët kundër 8000 myslimanëve, krime barbare këto që nuk janë kryer në asnjë vend  të Evropës, pas krimeve të shëmtuara të fashizmit gjerman kundër hebrenjve gjatë luftës së Dytë botërore.  Çlirimtarët e Kosovës janë të vetëdijshëm se ekzemplarë të ideologjisë fashiste ka kudo në Evropë, por është fat i madh që ata  nuk përbëjnë dot një forcë me ndikim.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …