leoni

A. Qeriqi: Vetëvrasja e dëshmitarit “X” e diskrediton procesin gjyqësor kundër luftëtarëve të lirisë

Një segment i medieve të njohura për qëndrim kundër UÇK-së, sidomos  në Kosovë, ka komentuar gjerë e gjatë vetëvrasjen e Agim Zogajt, dëshmitarit fantom të EULEX-it, i cili duke qenë i shantazhuar për disa vite rresht, ka dhënë deklarata të instruktuara dhe të sajuara nga hetuesit e këtij misioni, duke fajësuar shokët e tij të luftës për krime kundër oficerëve serbë, dhe shqiptarëve besnikë të regjimit të Milosheviqit, në rajonin e Kleçkës, gjatë kohës së luftës së UÇK-së. Përveç të dhënave lidhur me vetëvarjen e dëshmitarit X, një pjesë e shtypit të Prishtinës ka paragjykuar se  vdekja e tij nuk do ta pengojë  procesin gjyqësor kundër nëntë eprorëve dhe ushtarëve të UÇK-së, luftëtarë të Brigadës 121, Ismet Jashari-Kumanova,  në mesin e tyre edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj, i cili po mbahet në arrest shtëpiak.


 


Paragjykimet e tilla inatzeza, urrejtja e ulët e malicioze e drejtuesve të disa gazetave e portaleve në gjuhën shqipe, duke komentuar rastin me qëllim shumë të lig, kanë hedhur madje edhe dyshime se dëshmitari i mbrojtur i Prokurorisë së EULEX-it, Agim Zogaj është likuiduar në mënyrë të paqartë, edhe pse sipas zëdhënësit të policisë gjermane, Stefan Bauer, ekzistojnë dyshimet e bazuara për vetëvarje në orët e vona të së martës. Nuk ka indikacione për ndonjë shpjegim tjetër, ka thënë ai duke shtuar se megjithëkëtë autopsia do të tregojë të vërtetën. Ndërkohë që është bërë e ditur se  edhe autopsia ka treguar se Agim Zogaj e kishte varur vetën. Dyshime të tilla, për vetëvrasjen e dëshmitarit,  Agim Zogaj ka drejtuar edhe Prokuroria e Serbisë, e cila është pjesë edhe e këtij  skenari dhe instruktuese e proceseve kundër luftëtarëve të UÇK-së, së bashku me një segment antishqiptar të EULEX-it.


Paragjykimi, se procesi gjyqësor kundër nëntë luftëtarëve të UÇK-së do të zhvillohet pa pengesa, meqë dëshmitë e Zogajt qenkan të incizuara dhe si të tilla u dashka të merren për të vërteta, është një paragjykim paranoik i këtyre gazetarëve , të cilët si para, ashtu edhe gjatë dhe pas luftës çlirimtare, UÇK-në e kanë trajtuar si organizatë të inkriminuar, madje edhe terroriste.


Paragjykimet malicioze lidhur me mundësinë e shpalljes fajtor dhe dënimin e nëntë eprorëve dhe luftëtarëve të UÇK-së, pavarësisht se dëshmitari kryesor, dhe i vetëm, ia ka hequr vetes, zbulon më së miri shpirtin e tyre të urrejtjes, kur dihet mirëfilli se organet e drejtësisë ende nuk e kanë thënë fjalën e tyre dhe ende nuk është caktuar  formati i ri  i proceduarave të gjykimit pas vetëvrasjes së dëshmitarit kyç, kur tërë proceduara është vënë në një pikëpyetje shumë të madhe, për të cilën nuk po pranojnë ta flasin asnjë fjalë të vetme zyrtarët e EULEX-it.


 


Mungesa e dëshmitarit të mbrojtur,  Agim Zogaj në seancat gjyqësore kundër 9 eprorëve dhe ushtarëve të UÇK-së  do të jetë një hendikep i llojit të veçantë, për Prokurorinë dhe Trupin Gjykues, meqë si bazë për  fillimin e mundshëm të gjykimit  do të merren vetëm deponimet paraprake të dëshmitarit, por ai nuk do të jetë i pranishëm për ta mbrojtur, atë që kishte deklaruar paraprakisht. Dhe pikërisht për këtë, Trupi gjykues është i thirrur për të dëgjuar dhe për të ballafaquar palët, lidhur me fajësinë apo pafajësinë e tyre. Mungesa e dëshmitarit kyç në gjykim e devalvon tërë procesin, meqë dëshmitari ka qenë i mbrojtur, i instruktuar dhe i shantazhuar për të deklaruar kundër bashkëluftëtarëve të tij, ose për t’ u përgjigjur penalisht.


Vetëvrasja e dëshmitarit të EULEX-it, nxjerrë në sipërfaqe edhe mungesën totale të përgjegjësisë së këtij misioni për të mbrojtur dëshmitarët, edhe kur ata janë të instruktuar dhe personazhe kryesore për një proces gjyqësor. Dështimi me turp i EULEX-it në këtë drejtim shtron nevojën imediate,  që ky mision të shqyrtojë pozitën e vet në Kosovë, të pranojë sa e sa lëshime dhe gabime dhe të korrigjojnë qëndrimin që po e mban ndaj luftës së UÇK-së dhe popullit liridashës të Kosovës e më gjerë.


 


Pikërisht për shkak të indolencës dhe papërgjegjësisë së EULEX-it,  familja Zogaj nga Prizreni ka paralajmëruar se do të ushtrojë padi kundër misionit, lidhur me anëtarin e vet të familjes. Babai i dëshmitarit X, tashmë i vetëvrarë, Idriz Zogaj,  76-vjeçar ka kërkuar nga EULEX-i përgjegjësi për humbjen e djalit. Ai dyshon se djali i tij nuk ka vdekur nga shkaqe natyrale dhe nuk ka bërë vetëvrasje. Idriz Zogaj ka shpjeguar për mediet se  qysh në muajin mars 2011, Agimin e kanë marrë hetuesit dhe familja nuk e ka ditur ku e kanë dërguar. EULEX-i e ka marrë, ai  e ka përgjegjësinë çka i ka ndodh atij, ka thënë babai i Agimit, duke shtuar se familja do të kërkojë llogari nga EULEX-i, meqë ai e ka marrë peng për qëllimet e veta.  Djali i Agim Zogajt, me rastin e marrjes së lajmit për vetëvrasjen e babait ka deklaruar se i ati i është rrëmbyer nga EULEX-it dhe është detyruar të dëshmojë. Edhe familjarë të tjerë të dëshmitarët të vetëvarur kanë deklaruar për opinion se ai ka qenë tejet i shantazhuar dhe i dëmtuar shpirtërisht. Sipas anëtarëve të familjes, dëshmitë e Agim Zogajt janë dhënë nën shantazh dhe kërcënim.  Dëshmitari, X ishte shpallur dëshmitar bashkëpunues nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë, më 25 gusht 2010 dhe përndjekja kundër tij ishte e përjashtuar.


Pavarësisht  paragjykimeve paranoike të disa gazetarucëve dhe pretendimeve se edhe pa dëshmitarin kryesor gjykata do të shpall fajtorë dhe do të dënojë nëntë ish pjesëtarët e UÇK-së, fillimi i gjykimit do të ballafaqohet me mungesë të demonstrimit total të provave gojore faktike, të cilat janë bazë elementare për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm.


Rikthimi i papritur i situatës në të mirë të të akuzuarve dhe në dëm të madh e krejtësisht të pariparueshëm për EULEX-in, vërteton edhe njëherë atë thënien e mençur se “drejtësia vonon por nuk harron”.


Luftëtarët e UÇK-së i kanë fituar të gjitha betejat e deritanishme, si në frontet e luftës, ashtu edhe në çlirimin dhe ndërtimin e vendit. Ata do ta fitojnë edhe këtë betejë, sepse e drejta ka qenë dhe po mbetet në anën e tyre.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …