Paraqitja e raportit të deputetit Dick Marty në Ansamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës si dhe paralajmërimi i paraqitjes edhe të një raportit tjetër, po ashtu shpifës dhe racist, po në këtë forum të lartë evropian, tashti nga deputeti Jean Charles Gardetto, për të gjithë ata që i kanë dy fije mend në kokë, po bëhet e qartë se kombit shqiptar po i përgatitet edhe një sfidë e rëndë e radhës. Nuk ka dyshim se fushata ndërkombëtare antishqiptare serbo-ruse, tashti e ndihmuar dhe e jetësuar, hiç më pak se në parlamentin evropian, përmes qarqeve majtiste evropiane antiamerikane, ta kujton fushatën fashiste antishqiptare të viteve të tetëdhjeta të shekullit të kaluar të ngritur nga Serbia në parlamentin federativ të Jugosllavisë së zhbërë. Ata që i përcjellin rrjedhat e ngjarjeve pak më me vëmendje nuk e kanë fare të vështirë të konstatojnë se fushata antishqiptare që sot po merr flakë në qendër të Evropës s’është diçka e re e as e rastit, por është një vazhdimësi këmbëngulëse e fushatës serbe, që në formë kryqëzate antishqiptare pat shpërthyer në Kosovë sidomos në vitin 1981 e më vonë. Ashtu si dikur para tridhjetë viteve po ashtu edhe në këto dymbëdhjetë vitet e fundit provat e kësaj sfide kanë filluar dhe janë orkestruar me të njëjtin skenar, me të njëjtat mjete dhe me të njëjtin qëllim. Në realitetin e kohës sonë kemi vetëm një risi: skenës së fushatës së dikurshme antishqiptare Prishtinë – Beograd gjatë dekadës së fundit iu ka shtuar edhe skena e OKB-ë dhe ajo e BE-së.
Gjeneratave më të vjetra u kujtohet fare mirë fillimi i vitit 1981 kur Serbia, asokohe e mbështjellë me ambalazhin made in Yugosllavia, për t’i mbuluar krimet e saja mbi një shekullore, për ta përligjur kolonizimin e vet mbi trojet shqiptare, dëbimin me dhunë të shqiptarëve nga trojet e të parëve nëpërmjet dhunës dhe gjenocidit, si dhe për të vënë sundimin e vet mbi republikat e Federatës, zhvillimin e skenarit çubrilloviqian të Akademisë së Shkencave dhe Arteve Serbe, edhe për shumë arsye tjera, e filloi në Kosovë.
Kosova, asokohe, ndonëse e pasur në mundësi dhe e varfër në fakt, përkundej në shtratin e urisë, të mjerimit, të skamjes, të padrejtësisë dhe të presionit dhe ballafaqohej me mungesa të shumta elementare për jetesë, si ato të miellit, bukës, lëndëve djegëse, rrymës elektrike, etj e deri te padrejtësitë ekonomike, politike e kombëtare. Papunësia bënte kërdi, ata që punonin pagat nuk i merrnin me muaj, ndërsa çmimet e artikujve dhe taksat rriteshin pa kontroll. Shqiptari, si qytetar i dorës së dytë, fyhej në rrugë, në vendin e punës, në zyrë dhe, mbi të gjitha, ngacmohej, rrihej, burgosej, torturohej dhe vritej pa kurrfarë përgjegjësie. Me dhjetëra kufoma të shqiptarëve gjendeshin nëpër vise të ndryshme të Kosovës, kurse kriminelët serbë jo vetëm që nuk gjurmoheshin, por edhe nëse ndonjëri prej tyre zbulohej rastësisht, aty për aty nxirrej nga hetuesitë e Kosovës dhe dërgohej në Beograd, ku, në vend që të dënohej, shpallej i sëmurë psikik…
Ky poshtërim dhe kjo dhunë shtetërore serbe mbi popullin shqiptar do të vazhdojë deri sa zemërimi i masave do të arrijë në kulm, derisa durimit të popullit do t’i vijë fundi, sa do të mjaftojë të ndizet vetëm një shkëndijë revolte në mensën e studentëve, më 11 mars 1981, dhe brenda një kohe shumë të shkurtër, revoltat dhe demonstratat mbarë popullore ta përfshijnë mbarë Kosovën, me gjithë tragjedinë dhe lavdinë që ato do të sjellin me vete. Revoltat dhe demonstratat e shqiptarëve të njëzet viteve të fundit të shekullit të kaluar Serbia, me të gjitha mjetet, që nga propaganda monstruoze e deri tek përdorimi i policisë dhe i armatës, u përpoq t’i shfrytëzojë për jetësimin e programit të saj nacional mbi serbizimin e Kosovës dhe të zbrazjes së saj nga elementi shqiptar. Vlen të theksohet se pararojë e kësaj fushate të çmendur antishqiptare, në të gjitha situatat, qëndroi dhe veproi elementi karrierist shqipfolës: pushtetarët vasalë të nënshtruar, pseudo-inteligjenca e mjerë si dhe fronti i spiunazhit si zagarë regjimi.
Në përpjekjet histerike për ta përligjë dhunën, terrorin, gjenocidin dhe etnocidin mbi tërë një popull, shteti serb shpiku, trilloi dhe futi në përdorim inskenime nga më monstruozet duke e etiketuar mbarë kombin shqiptar si popull dhunues, piroman, kriminel, terrorist… Dhunën dhe gjenocidin mbi popullin shqiptar pushteti serb do ta shoqërojë edhe me dhunën mbi institucionet politiko-shoqërore të Kosovës duke aplikuar masat e diferencimit, reduktimit të çdo elementi shqiptar në plan-programet shkollore, kulturore, shkencore, botuese, radiotelevizive, në përgjysmimin e nxënësve dhe të studentëve, në mbylljen e shkollave, shtëpive botuese, gazetave dhe radiotelevizionit, në ndryshimin e flamurit dhe të simboleve kombëtare, në revidimin e ngjarjeve historike, siç ishte ajo e Konferencës së Bujanit e deri te suprimimi i autonomisë së Kosovës nëpërmjet grykës së pushkës dhe zinxhirëve të tankeve. Ngjarje këto që, asokohe, tronditën botën demokratike dhe liridashëse, ndërsa popullin shqiptar e vetëdijesuan në shkallën më të lartë shoqërore, politike dhe historike që, nëpërmjet bijve dhe bijave më të mirë të popullit, të rreshtuar në radhët e UÇK-së së lavdishme, t’ia kthejë pushkën pushtuesit serbë, duke kaluar kështu në një luftë përmasash ndërkombëtare.
Menjëherë pas dëbimit të pushtuesit njëshekullor serb nga UÇK-ja heroike dhe nga sulmet ajrore të NATO-s së lavdishme Kosova kaloi nën protektorat të Kombeve të Bashkuara. Ndonëse shqiptarët e bënë luftën, u vranë dhe u masakruan në fushëbeteja kundër armikut serb, ndonëse gjysma e popullatës u ndoq me zjarr e hekur nga trojet e veta, ndonëse mbarë Kosova u dogj e u poq nga zjarri i soldateskës serbe, ndonëse me mijëra shqiptarë u dogjën në furrëlarta të ndryshme dhe u mbuluan në varreza masive anë e mbanë Kosovës e Serbisë deri në Beograd, marrëveshja e Kumanovës mbi përfundimin e luftës, e nënshkruar nga përfaqësuesi i armatës serbe dhe ai i KFOR-it (NATO), e përjashtoi UÇK-në shqiptare, si palë dhe si faktor që kishte bërë luftën. Me marrjen e administratës në dorë nga protektorati i Kombeve të Bashkuara, me emërtimin UNMIK, u pa qartë se Kosova do të qeveriset mbi bazën e Rezolutës 1244 të KS të OKB-së, e cila ia garantonte Serbisë sovranitetin mbi Kosovën. Faktikisht administrata e Kosovës që deri atëherë qeverisej nga Serbia, thuaja pa asnjë ndryshim, qoftë politik e qoftë me kuadro, kaloi nën administrimin e UNMIK-ut.
Ashtu si dikur, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, nën mbretërinë e një heshtje absolute, shqiptarët filluan të kundrohen si fajtor për guximin e pa toleruar të marrjes së hapit për një luftë kombëtare çlirimtare. Kriminelet serbë që kishin djegë dhe pjekë një popull jo vetëm nuk u gjurmuan por edhe kur kapeshin dhe rastësisht mbylleshin në burgje liroheshin me arsyetimin e thjeshtë dhe të pabesueshëm se e kanë thyer burgun dhe kanë ikur.
Nën maskën e demokracisë, me kombin tonë, u eksperimentua dhe po eksperimentohet në mënyrë perfide. Nën kujdesin e ndërkombëtarëve dhe me përkrahjen inferiore të politikanëve tanë, diletantë dhe servil, substanca jonë kombëtare u pjesëtua dhe u shkapërderdh pamëshirshëm. Kombi shqiptar u goditet nga të gjitha anët në gjërat më të shenjta, edhe aty ku nuk guxon të preket asnjë komb. Në radhë të parë Kosovës iu mohua lufta çlirimtare, ndërsa, për qëllime të caktuara, luftën tonë e kualifikuan si konflikt ndëretnik dhe pati përpjekje që kësaj lufte t’i japin edhe ngjyra fetare. U heshtën krimet shekullore të Serbisë. U heshtën planet dhe programet shtetërore serbe për dëbimin e shqiptarëve dhe serbizimin e trojeve të tyre. U hesht, më në fund, lufta e „shenjtë“ serbe, lufta e “tokës së djegur” për shfarosjen definitive të shqiptarëve. Sipas këtij skenari, gjithsesi edhe me ndihmën e politikanëve shqipfolës, Kosovës iu shanë, iu njollosën, iu vranë dhe iu burgosën thuaja të gjithë komandantët e luftës çlirimtare. Gjithnjë sipas këtij skenari ushtrisë së dalë nga lufta iu zhbë emri i saj i lavdishëm dhe, duke e pagëzuar me emërtime të reja, asaj iu caktuan edhe detyra të reja jashtë sferës ushtarake. Mbi një milion mërgimtarëve shqiptarë iu pamundësua riatdhesimi në kohën kur edhe refugjatëve serbë të ikur nga hapësirat jugosllave iu garantohet e drejta e pronës dhe e qytetarit të Kosovës. Lehtësirat për importin nga jashtë e rrënuan bujqësinë dhe atë pak industri që shpëtoi nga lufta. Në emër të privatizimit me mijëra punëtorë u hodhën në rrugë. Me qëllim të krijimit të pakënaqësisë në popull, me qëllim të shkatërrimit të ekonomisë vendase, si dhe me qëllim të hajnisë dhe pastrimit të parave, u shiten objektet dhe pronat kombëtare, ndërsa gjiganti energjetik i Kosovës shërbeu si vend ku u luajtën lojërat më të pakufishme dhe më misteriozet. Pastaj për dymbëdhjetë vjet rresht u arrit të bëhet fakt i kryer ndarja e Kosovës veriore si dhe zona kufitare me Maqedoninë dhe Malin e Zi. Gjatë kësaj kohe, edhe me bekimin e pushtetarëve shqiptarë, në hartën e Kosovës u krijuan enklava dhe komuna të reja të popullatës serbe si dhe u uzurpuan mijëra hektarë toke në emër të zonave mbrojtëse rreth kishave ortodokse. Për dymbëdhjetë vjet rresht, në emër të një statuti ende të paqartë të Kosovës, shqiptarëve iu ndërrua përkatësia kombëtare, iu ndërrua flamuri dhe himni kombëtar, me një fjalë iu ndërrua identiteti mijëravjeçar. Një shembull i këtillë nuk njihet kund në botën e qytetëruar. Më në fund, kërkesës së ligjshme të popullit për vetëvendosje me referendum, ndërkombëtarët dhe politika servile e pushtetarëve tanë, iu përgjigjen me dhunë policore dhe i skuqën rrugët me gjakun e dëshmorëve të ri.
Për të barazuar luftën mbrojtëse të Kosovës me luftën gjenocide të pushtuesit serb komandantët dhe ushtarët e UÇK-së u dërguan në GJN në Hagë, një pjesë e të cilëve, përmes dëshmitarëve të blerë, u dënuam me dhjetëra vite burg. Sipas skenarit Millosheviç-Tadiç, mbështetur në dosjet e përpiluara nga UDB-a serbe në bashkëpunim edhe me elementin e shitur shqipfolës, me bekimin e ndërkombëtarëve si dhe me ndihmën e një segmenti ruso-evropian, përmes fabrikimit të akuzave përbindëshe të proserbëve Del Ponte-Marty-Gardetto gjoja mbi trafikimin e organeve njerëzore, po bëhet përpjekje për kriminalizimin e luftës së drejtë të UÇK-së si dhe tashti përmes bisedimeve të reja me Serbinë ta zhvlerësojnë vendimin e GJN të Hagës mbi të drjetën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Nuk ka dyshim se raportet e deputetëve Dick Martty dhe Jean Charles Gardetto, ndonëse të përpiluara me konstruksione, shpifje dhe gënjeshtra, ne shqiptarëve na zgjuan nga letargjia dhe na përkujtuan dy të metat tona nacionale: vetëkënaqësinë dhe harresën, vese këto të dëmshme që, herë në vete e herë hapur, i pranojmë të gjithë, por asnjëherë nuk po t’i korrigjojmë.
Si popull që kemi jetuar në robëri shekullore kemi krijuar mite për prijësit tanë në shërbim të pushtetit të huaj dhe kemi pritur me besim se një ditë ata do të kthjellën dhe, duke u kthyer mbarë, do ta flijojnë interesin personal në favor të atij të përgjithshëm. Ka shembuj shumë të rralla që ky besim është përmbushë, por në rastet më të shpeshta atyre për popullin dhe atdheun e vet u ka rënë ndërmend vetëm atëherë kur armiku i ka shtrydhë si limonin dhe më në fund i ka hedhë në plehun e tradhtisë. Duke bredhur pas interesave të thjeshta personale dhe në mbështetje të bajraktarëve provincialë, ne vazhdimisht e kemi harruar armikun e përgjithshëm, i cili bashkë me dhunën dhe gjenocidin ndër ne ka mbjellë edhe farën e përçarjes si instrument të sundimit të tij më të lehtë.
Që nga „Naçertania“ e Garashaninit e deri në ditët e sotme të Millosheviç-Tadiçit Serbia ka vetëm një program nacional, që në fakt është program antishqiptar dhe pushtues ndaj trojeve tona, pavarësisht nga partitë apo regjimet që udhëheqin shtetin serb. Ne shqiptarët, jo që nuk kemi ndonjë program pushtues apo çlirues të tokave shqiptare të Sanxhakut të Nishit, të Sanxhakut të Pazarit të Ri dhe të Çamërisë, të pushtuara para një shekulli e gjysmë, por, që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e këndej asnjëherë nuk arritëm ta kemi një program zyrtar kombëtar për bashkimin e popullit dhe të trojeve që momentalisht i posedojmë me tapi si prona personale dhe mbarëkombëtare. Politikat tona partiake të pa program kombëtar, të dirigjuara nga të huajt, udhëhiqen varësisht nga rastet dhe reagojnë si komb vetëm atëherë kur populli, i mbështetur për muri, ngrihet në qëndresë nga se nuk ka ku të shkojë më tej. Duhet ta kuptojmë një herë e përgjithmonë: pa ideal dhe pa program kombëtar jo që nuk do ta arrijmë fitoren e plotë, por në vazhdimësi do të bëhemi gazi i botës.
Kosovës, sot, nën trysninë e një fushate ndërkombëtare serbe, po i mohohet e drejta e pavarësisë, po i kriminalizohet lufta çlirimtare dhe po i duhet përdhunisht të hyjë në bisedime me Serbinë, pavarësisht vendimit pozitiv të GJN të Hagës mbi të drejtën e pavarësisë së saj. Prandaj, para prijësve të Kosovës, të zgjedhur me votën e popullit, o sot o kurrë, kërkohet që në bisedimet e detyruara me palën serbe, të shkojnë si partnerë i barabartë me shtetin serb, jo për t’u gjykuar si deri me sot, por për të kërkuar llogari. Mbi shtetin serb peshon një mal krimesh dhe një det gjaku mbi shekullor. Para se ta pranojë pavarësinë e Kosovës, Serbia duhet të përgjigjet dhe të zotohet për shpagimin e dëmit njëqind e pesëdhjetë vjeçar të shkaktuar mbi kombin dhe mbi trevat shqiptare, ndërsa para se të kërkojë falje për krimet dhe gjenocidin e shkaktuar, ajo njëherë e përgjithmonë duhet të heq dorë dhe të pastrohet nga kursi antishqiptar dhe nga kursi lakmitar ndaj tokave shqiptare. Përndryshe, bisedimet duhet të prishen dhe fajin për këtë Serbia duhet ta marrë mbi vete. Nëse prijësit tanë kanë pranuar fatin e udhëheqjes së shtetit në paqe, ata duhet ta pranojnë, deri në flijim, edhe shortin e udhëheqjes dhe të bërjes së shtetit edhe në krye të detyrës së shenjtë të mbrojtjes së Atdheut. As Adem Jashari nuk ishte përjashtim në historinë shqiptare. Edhe Adem Jashari e ka dashtë jetën. Edhe ai ka pasur familje. Përndryshe, Kosova ende ka burra. Populli, si gjithmonë, është i gatshëm për mbrojtjen e qenies dhe Atdheut të vet. Ashtu si të gjitha kombet dhe të gjithë popujt e kësaj bote.
(Të drejtën e ribotimit e mban autori)