RKL: Bisedime dhe opsione për rishikimin e pavarësisë

Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, tashmë nuk po quhen bisedime teknike, sepse u doli boja, por realisht, ato, nga bisedime politike, po sharrojnë drejt bisedimeve për rishqyrtimin e statusit të Kosovë dhe gjetjen e një modeli të pranueshëm, të bashkëjetesës, Serbi-Kosovë,  në radhë të parë për Serbinë, sepse Kosova qenka e “obliguar” ndërkombëtarisht të pajtohet me fatin dhe të mos ua prish ndërkombëtarëve, edhe në rast se ata “çmenden” dhe kërkojnë rikthimin e Kosovës nën Serbi. Edhe për një solucion të tillë, do të gjenden poltronë-politikanë që do të pranojnë një kompromis të tillë, në radhë të parë për hir të miqve, sepse, sikur thonë ata, pa angazhimin e tyre nuk do ta kishim as këtë lloj pavarësie, e cila ka mbetur në gjysmë të rrugës, e papranuar nga shumica dërrmuese e shteteve të botës, por e pranuar nga Amerika dhe disa shtete të fuqishme të rruzullit.


 


Përveç bisedimeve në Bruksel, të cilat kryesuesja e delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri i quan shumë të suksesshme dhe dobiprurëse për vendin tonë, kohëve të fundit po qarkullojnë opinione ndër më të ndryshmet sikur janë modeli i dy Gjermanive, modeli i Tirolit, modeli i Tajvanit e kështu me radhë, modele të cilat në Kosovë i lansojnë përkrahësit e Serbisë dhe disa nga “miqtë” tanë “të dëshmuar”. Propozimet e tilla nuk janë propozime analistësh të pasur me ide, por në radhë të parë janë propozime qeveritarësh dhe diplomatësh të njohur të botës.


 


Modelin e dy Gjermanive, për habinë e madhe të një pjese të opinionit e ka përkrahur edhe Presidenca e Kosovës, konkretisht, Ilir Deda,  këshilltar numër një i kryetares, Atifete Jahjaga, i cili ende mendon dhe beson  se Kosova është pjesë e Serbisë dhe  në të ardhmen ajo duhet të bashkohet,  ashtu sikur është bashkuar Gjermania. Në një intervistë për gazetën “Dnevnik” të Novi Sadit , Ilir Deda, thotë se Rezoluta 1244 e OKB-së nuk korrespondon me situatën në Kosovë, ndërsa ka vlerësuar se opsioni më real për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Serbisë dhe Kosovës, është modeli i dikurshëm i Gjermanisë Perëndimore dhe asaj Lindore, të cilat më vonë do të bashkoheshin në një Serbi unike, ashtu sikur ndodhi bashkimi i dy gjermanive. Veç tjerash ai ka deklaruar  se askush nuk e kushtëzon integrimin e Serbisë me njohjen e Kosovës, sepse qenka  në interes të Kosovës, që Serbia të pranohet në BE-së, pasi kjo po  nënkuptuaka dhe sjelljen dhe përgjegjësitë evropiane të saj. Aktualisht, Presidenca ende nuk ka njoftuar opinionin se është ky qëndrim privat i një këshilltari,  apo edhe qëndrim zyrtar i kryetares së Kosovës, Atifete Jahjaga, të cilin tash për tash nuk do të donim ta besonim. Deri në reagimin e saj, apo të ndonjë këshilltari tjetër,  rezervojmë të drejtën që këtë deklaratë të papërgjegjshme të këshilltarit Deda, ta marrim si të vërtetë dhe qëndrim zyrtar të Presidencës, krejt derisa ai të detyrohet të thotë se mediet e kanë interpretuar gabimisht, sikur thonë pa pikë turpi shumë politikanë tanë labilë e servilë, që plasojnë ide për ta matur pulsin e opinionit.


Modeli i quajtur “ i dy gjermanive” nënkupton një serbi të ndarë në dy pjesë, të cilat më vonë edhe do të mund dhe do të duhej të bashkoheshin, ashtu sikur është bashkuar Gjermania. Në rastin e Gjermanisë kishim një komb të ndarë në dy shtete dhe në rastin e Kosovës, kemi një popull jo serb, i cili historikisht ka jetuar në këto territore, gjithnjë shumicë, dhe  mbi të cilin për një shekull të plotë, në mënyrë sistematike institucionale, është  ushtruar  dhunë, diskriminim, gjenocid, dëbim dhe pretendime për shfarosje kolektive, nga të gjitha regjimet serbe prej Pashiqit e deri te Tadiqi.


 


Propozimi për modelin e dy gjermanive, është propozim për rikthimin e Kosovës nën Serbi, meqë ideja e bashkimit kombëtar të Kosovës me Shqipërisë është përjashtuar fuqishëm nga Sali Berisha dhe nga Hashim Thaçi e zyrtarë të tjerë të lartë në Prishtinë, Tiranë e në Shkup. Çuditërisht, këta politikanë, në fjalimet e tyre asnjëherë nuk kanë qenë po aq decidivë edhe në sanksiononim e bashkimit të Kosovës me Serbinë, apo ndoshta mendojnë se ajo vetëkuptohet, me faktin se Kosova është shpallur  shtet i pavarur.


 


Një propozim tjetër i këtij lloji, kohëve të fundit është aktualizuar nga përfaqësuesi i lartë ndërkombëtarë për Bosnjë e Hercegovinë, Valentin Inzko, i cili për ridefiminin e statusit të Kosovës  ka propozuar modelin kinezo-tajvanez si zgjidhje të kënaqshme. Ai ka vlerësuar se është e mundshme rruga sipas shembullit të marrëdhënieve të Kinës me Tajvanin. Sipas tij, kjo do të ishte më së shumti në interes të serbëve të Kosovës qendrore, i ka thënë, z Inzko, gazetës vjeneze “Kurir”. Edhe në këtë rast kemi të bëjmë me pranimin antihistorik të faktit se Kosova i përket Serbisë, vetëm sepse prej vitit 1912 është pushtuar nga Serbia. Tajvanezët janë kinezë me gjuhë, racë, fe, kulturë etj, por në kushte dhe rrethana të pas Luftës së Dytë Botërore erdhi deri te ndarja e kësaj pjese nga Kina komuniste.


Këto dhe propozime të tjera të këtij lloji nga diplomatët e ndryshëm madje edhe të shteteve mike të Kosovës, janë alarmi i fundit për Qeverinë e Kosovës, nëse nuk dëshiron të përballet në radhë të parë me veteranët e luftës dhe me të gjitha forcat liridashëse të kombit, të cilëve dita ditës po u humbet durimi për këto por edhe për shkak të gjendjes së tyre sociale gjithnjë e më të rënduar. Presim që Presidenca e Kosovës, sa më parë ta sqarojë opinionin lidhur me deklaratën skandaloze të këtij këshilltari të skandaleve tashmë të njohura për opinionin tonë.


 


 


( Të përkujtojmë me këtë rast se një kompromis i tillë, i politikanëve poltronë, ka ndodhur në Mbledhjen e Prizrenit, në gusht të vitit 1945, kur për hir të ruajtjes së integritetit të Serbisë dhe përparimit që do të kishte Kosova po t’ i bashkohej asaj, u mor vendim që Kosova të vetëvendos për bashkim me Serbinë. Nënshkruesit e këtij turpi kombëtar u shpërblyen me poste të larta gjatë tërë kohës së robërisë, dhe njëri prej tyre, 67 vjet më vonë,  aktualisht është edhe deputet në Kuvendin e Kosovës).


 


Komunstët titistë kundër deputetit, Nait Hasani


 


 Në prill të vitit 2010, deputeti i PDK-së,  Nait Hasani, pati ushtruar kallëzim penal në Prokurorinë e Qarkut të Prishtinës dhe në atë të EULEX-it, drejtuar kundër disa ish-zyrtarëve shqiptarë të regjimit të  ish-Jugosllavisë, të implikuar në krime kundër njerëzimit, si  dhe për gjenocid të ushtruar kundër shqiptarëve liridashës të Kosovës, të cilët janë vrarë, janë masakruar dhe zhdukur gjatë kohës së regjimit jugosllav. Në mesin e atyre që janë përgjegjës për këto krime, deputeti Nait Hasani kishte evidentuar këta zyrtarë të lartë titistë e rankoviqistë, shumica syresh të vdekur, disa të tjerë të vdekur për së gjalli si: Fadil Hoxha, Sinan Hasani, Dushan Mugosha, Ali Shukriu, Rexhai Surroi, Imer Pula, Veli Deva, Xhevdet Hamza, Xhavit Nimani, Sahit Zatriqi, Mehmet Maliqi, Mehmet Shoshi, Jusuf Karakushi, Mahmut Bakalli, Azem Vllasi, Remzi Kolgeci, Rrahman Morina, Jusuf Zejnullahu, Hashim Rexhepi, Metë Kuçi, Mehmet Lumi, Hasan Mehmeti, Ibush Kllokoqi, Nazmi Mustafa, Xhemshit Duriqi, Hazër Susuri, Nikë Lumezi, Miftar Jasiqi, Hilmi Zhitia, Rexhep Haxhimusa dhe Vesel Latifi. >>>


 


I vetmi deri tash nga të gjallët, që u është përgjigjur akuzave të deputetit, Nait Hasanit me një kundër padi, në Gjykatë, është gazetari i përbetuar i dikurshëm dhe diferencuesi i zellshëm i gazetarëve në Rilindje,  gjatë viteve  80-të, Zenun Çelaj, i cili  kërkon  nga deputeti, Hasani që faktet kundër tij t’i paraqesë para një gjyqtari. Nëse këtë nuk e bën, ai kërkon që ligji ta thotë fjalën e vet duke e shpallur fajtor Nait Hasanin dhe avokatin e tij, Bajram Krasniqi, për shpifje dhe fyerje.  Kjo “vakia” më e frikshme  e Kosovës na përkujton atë anekdotën e shtëpiarit,  që e kishte zënë hajnin, por nuk e mbante dot. Dikur ishte pajtuar ta lëshonte, por hajni tashmë iu kishte kërleshur dhe nuk e lëshonte, duke e akuzuar përse kishte marrë guxim dhe e kishte  kapur për fyti.


 


Ish dhe tani Prokurori i vetëm, i cili asokohe kishte shfaqur gatishmëri të përballet me faktet dhe ligjin, është  Hilmi Zhitia. Të tjerët,  nga mesi i të gjallëve nuk u ndien për së gjalli, të vetëdijshëm se ka kush i mbron, ka kush shkruan libra për ta, ka kush iu jep medalje e iu ndan merita për së gjalli e për së vdekuri dhe ka kush organizon edhe ceremoni shtetërore, mortore e postmortore me rastin e vdekjes së tyre edhe fizike.


Deputeti, Nait Hasani, me nismën e tij të drejtë në aspektin kombëtar,  asokohe kishte marrë përkrahjen e opinionit liridashës të Kosovës, por jo edhe përkrahjen e bashkë-partiakëve të tij, por as të bashkë-deputetëve aktualë të Kuvendit të Kosovës. Si do të mund të kalonte një propozim i tillë, sado i drejtë dhe sado human, kur titistët, ata vetë, si dhe bijtë e bijat e tyre udhëheqin  shumicën e institucioneve të Kosovës, sidomos institucionet që kanë të bëjnë me sigurinë, krimin dhe drejtësinë?


Pavarësisht nga kjo, nisma e deputetit, Nait Hasani ishte një sfidë që iu bëhej institucioneve të Kosovës për të parë përmbajtjen kombëtare të tyre, për t’u bindur në prejardhjen ideologjike dhe përgjithësisht për të bërë një “matje” të nivelit të “moralit” kombëtar të zyrtarëve të lartë të shtetit, të cilët nuk po shkëputen dot nga nostalgjia e tyre bastarde, as edhe nga Serbia, e cila disponon të dhëna jo vetëm sekrete lidhur me klasën aktuale politike, aktualisht poltrone ndaj BE-së, sikur ishte klasa dhe paraklasa e tyre, poltrone ndaj Beogradit.


 


Titizmi, si ideologji dhe praktikë e bashkëjetesës dhe hibridizimit  të kombeve e kombësive në ish-Jugosllavi tani po rikthehet në formën e multietnicitetit, i  akomoduar në Kosovë me planin famëkeq dhe antishqiptar të Marti Ahtisarit.


Këta 30 e më shumë emra të përmendur, për bashkëfajtorë në krime kundër shqiptarëve, në nismën e deputetit, Nait Hasani na përkujtojnë radhën e dytë me 300 emra të tjerë, radhën e tretë me 3000 e kështu me shumëfishim të shifrave… Ata emra na sjellin në kujtesë  edhe 30 e më shumë dëshmitarët e mbrojtur të EULEX-it, 30 e më shumë dëshmitarë të Dik Martit, të cilët  qind për qind rrjedhin nga ky gjak i përzier dhe kanë të njëjtën ADN politike e antikombëtare me  prindërit tyre me kumbarët e “pobratimët” e tyre serbë, pa çka se mund të kenë edhe kodin e njëjtë gjenetik.


 


 


Mendjelehtësia adoleshente, apo hipokrizia e një zyrtari të lartë të Qeverisë


 


 


 


 


Duke komentuar “fitoren” e Qeverisë së Kosovës në fillimin e realizimit të marrëveshjes për  të ashtuquajturën, “lëvizje të lirë”, zëvendës-ministri i Punëve të Jashtme,  Petrit Selimi, në një shkrim për gazetën “Ekspres” shkruan se marrëveshja e fundit e arritur, në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me “lëvizjen e lirë” për Kosovën do të thotë, “një e rame e dy të vrame”. Dhe duke shpjeguar këto dy të “vrame” ky zyrtar i lartë i Qeverisë, mundohet t’i bind kolegët e tij në gazetë dhe ndonjë tjetër që e lexon shkrimin e tij se “ Kosova dhe Serbia u morën vesh që Serbia të lejon hyrjen dhe daljen nëpër Serbi të qytetarëve kosovarë me letërnjoftime të Republikës së Kosovës, duke iu shtuar atyre një copë letër, të ngjashme me solucionin që ka përdor Greqia vis-à-vis qytetarëve me dokumente maqedonase gjatë ‘90. U njohën edhe tabelat e lëshuara ekskluzivisht nga Ministria e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës. U krijua reciprocitet i plotë edhe në njohje të polisave të sigurimit. Serbia tash e shumë muaj tentoi të eskivonte marrëveshjen. Fillimisht insistuan të fillojnë lëshimin e ca kartelave të improvizuara identifikimi në pika kufitare në vend të letrave bashkëngjitëse por kjo nuk u pranuar nga ndërmjetësuesit europianë. Për qytetarë të Kosovës letërnjoftime me foto lëshojnë vetëm organet kosovare. Ato serbe mund vetëm të suplementojnë copëza letre si akt simbolik, por realisht, është ID’ja me foto ajo e cila konfirmon identitetin apo origjinën e dikujt.”


I entuziazmuar deri në delir lidhur me epërsinë që paska krijuar Kosova ndaj Serbisë, ky gazetar i “Ekspresit”, të cilit iu dha bingo në  “Big Brotherin” elektoral të PDK-së, aktualisht  zëvendës-ministër i Punëve të Jashtme, (meqë nuk kishte marrë votat e duhura për t u bërë deputet), bën përpjekje të na bind se Serbia  qenka dorëzuar, se ajo edhe  “de iure” e paska pranuar pavarësinë e Kosovës, madje-madje, Kosova  ja paska “rrasë” Serbisë “dy me një”. Kjo është logjika eksplicite dhe hipokrite e një mendjerobi, i cili tërë prepotencë adoleshente dhe naivitet banal, mbulimin e tabelave të veturave të Kosovës me tabela të Serbisë e quan fitore, meqë “Serbia po e lejon hyrjen dhe daljen nëpër Serbi të qytetarëve kosovarë me letërnjoftime të Republikës së Kosovës, duke iu shtuar atyre ( vetëm) një copë letër”,  një copë letër mbase edhe e pavlerë, si letër, por një letër zyrtare e një shteti, një letër që rikonfirmon sovranitetin e pretenduar të Serbisë mbi Kosovën. Me rëndësi për këtë, Petritin qenka “ID-ja me foto, e cila  po e konfirmuaka identitetin dhe origjinën e dikujt”. Edhe ky si duket e ka dëgjuar atë anekdotën e Nasradinit dhe gomarit, andaj na dërdëllis dhe sikur thotë me bindje, besomëni burra se “Serbisë me një rënë ia kemi shkaktuar  dy varrë dhe nëse vazhdojmë të korrim edhe fitore të tjera si kjo, gjatë bisedimeve të ardhshme, vaj Serbia çka paska për ta gjetur”. Petrit gazetari sikur do të na thotë se tekefundit nuk është me rëndësi se kush ka fituar e kush ka humbur, është me rëndësi të bindeni se ne kemi fituar, ne me një të rënë e kemi vrarë dy herë Serbinë, e cila tashmë qenka në agoni. Interpretimi i tillë i fillimit të realizimit të marrëveshjes për të ashtuquajturën “lëvizje të lirë” dhe “reciprocitet” me Serbinë mund të pritej  nga ndonjë analist apo forumist i gazetave e portaleve të ndryshme, por interpretimi i tillë i marrëveshjes së fundit, mes Kosovës dhe Serbisë, nga një zyrtar i lartë i Qeverisë tregon mungesë totale të seriozitetit të njerëzve të Qeverisë, një përpjekje për vetë-mashtrim deri në neveritje.


Sqarim (Fjalët e zëvendës-ministrit, në kursiv, nuk janë redaktuar as janë lekturuar!

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …