RLK: Kosova në trevjetorin e pavarësisë po përballet me sfida shumë serioze

 


Tri vjet më parë,  më 17 shkurt 2008, pas përpjekjeve shekullore për liri dhe bashkim kombëtar, Kuvendi i Kosovës shpalli Deklaratën e Pavarësisë, me të cilët Kosova u shpall shtet i pavarur, i kushtëzuar dhe i bunkerizuar, brenda kornizave të Planit famëkeq të Ahtisarit.  Të arriturat e Kosovës gjatë këtyre viteve kanë qenë të hetueshme, por jo në nivelin, që ka merituar dhe meriton qytetari i saj.


Gjatë këtyre tri viteve, pavarësinë Kosovës  e kanë njohur 75 shtete të botës, në mesin e tyre edhe shtetet më të fuqishme dhe më me ndikim në vendimmarrjen ndërkombëtare.


Gjatë kësaj periudhe kohore. Kosova është përballur me një varg sfidash, të cilat nuk mund të themi se janë kaluar me sukses. Shkaktari kryesor i ngecjes së zhvillimit dhe perspektivës  së Kosovës ka qenë Serbia dhe  shumica e shteteve  evropiane, të cilat edhe pse e kanë pranuar pavarësinë , ato kanë mbështetur pretendimet e Serbisë, me qëllim të degradimit të pavarësisë dhe përpjekjeve për ta mbajtur sa më gjatë një status-quo, e cila vetvetiu do t’i degradonte proceset e zhvillimit ekonomik të vendit, ashtu sikur edhe i ka degraduar.>>>


 


Duke trumbetuar idenë se Kosova është një shtet i dështuar, një shtet marionet i Amerikës, një shtet mafioz, i cili udhëhiqet nga njerëz me të kaluar të dyshimtë, madje edhe të akuzuar për krime lufte dhe trafik organesh njerëzore,  një shtet i korruptuar dhe i pa perspektivë, qarqet antishqiptare me këtë propagandë po bëjnë përpjekje për ta minuar pavarësinë e Kosovës dhe pikërisht për këtë qëllim Bashkimi Evropian ka detyruar kreun e Kosovës që ta rihap çështjen e pavarësisë, edhe pse në mënyrë diplomatike kjo thuhet ndryshe, por asnjëherë nuk është fshehur as fshihet fakti se në bisedimet e ardhshme do të diskutohet pikërisht pavarësia, meqë Serbia nuk e ka pranuar shtetin e Kosovës, as e ka njohur pavarësinë e saj.


Përpjekjet për ta minuar Qeverinë e Kosovës, përpjekjet për ta diskredituar luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përpjekjet e disa qarqeve ndërkombëtare për t’i penguar të gjitha proceset pozitive, duke e mbajtur Kosovën si rezervatin e vetëm të getoizuar në Evropë, janë përpjekje diskriminuese dhe antinjerëzore, që nuk kanë të bëjnë asgjë me fjalët  e latuara bukur. për liri, demokraci, sundim të ligjit e profka të tjera retorike e hipokrite. 


Çuditërisht, këtyre përpjekjeve iu kanë bashkuar edhe shumë qarqe me ndikim brenda Kosovës, të cilat kanë sabotuar dhe po i sabotojnë institucionet, vetëm për shkak se nuk kanë arritur t’i drejtojnë ato, si rezultat e zgjedhjeve të 12 dhjetorit.


Përpjekjet për ta paraqitur në rolin e fajtorit kryesor  vetëm PDK-në, një segment i së  cilës është në shënjestër të Serbisë, të Dik Martit, të EULEX-it dhe të të gjitha qarqeve antishqiptare, i bën një shërbim të keq çështjes së Kosovës dhe e degradon ardhmërinë e saj.


Kjo lojë e keqe dhe shantazhuese e opozitës, dashur pa dashur, iu shërben qarqeve, të cilat nuk e duan zhvillimin dhe forcimin e shtetit të Kosovës, dhe ky është qëllimi final i Serbisë.


Komoditeti me të cilin sillet opozita, në këtë udhëkryq historik të vendit, nuk është në shërbim të qytetarëve  as të perspektivës së tyre, por është në shërbim të degradimit të koalicionit të ri dhe tejet të brishtë qeveritar, me qëllim për ta devalvuar edhe më tej.


 


Gabimet e shumta dhe të njëpasnjëshme që i ka bërë PDK-ja natyrisht se do t’ i paguajë. Dhe, çmimin më të lartë të këtyre gabimeve po e paguan  shumë shtrenjtë, duke emëruar kryetar të zorit,  Behxhet Pacollin, kosovarin e pranuar dhe shumë të preferuar  nga Beogradi dhe Moska. 


Opozita e bashkuar LDK-VV-AAK, do ta vazhdojë komoditetin, me qëllim që të mos marrë asnjë përgjegjësi për bisedimet e ardhme të Kosovës me Serbinë dhe me qëllim që gjatë këtij procesi të vazhdojë ta kritikojë koalicionin për dështime, korrupsion dhe keq-qeverisje, në mënyrë që të përgatisë sa më mirë terrenin për fitore në zgjedhjet e parakohshme.


Opozita e bashkuar kundër PDK-së do të arrijë ta rrëzojë këtë Qeveri kurdo që të dojë, dhe këtë do ta bëjë, në kohën  e përshtatshme.


Institucionet e dala nga votimet e 12 dhjetorit, jo vetëm që do të jenë të brishta, por ato do të jenë të paralizuara, në shumë  segmente.


EULEX-i tashmë ka paralajmëruar ngritjen e akuzave, gjoja për korrupsion, drejtuar kundër disa emrave më me ndikim të ish Qeverisë. Do të përballen me akuza të rënda, për sikur thuhet trafikim organesh dhe për krime lufte, edhe disa autoritete të larta brenda PDK-së. BE-ja  të vazhdojë fushatën  histerike kundër  luftë së UÇK-së dhe kundër kreut të kësaj lufte, me qëllimtë t ia lehtësojë epërsinë në bisedime Beogradit zyrtar.  Do të bëhen përpjekje për ta detyruar Kosovën, të heq dorë nga veriu  dhe ta pranojë një pjesë të sovranitetit të Serbisë.


Dhe përderisa kreu i Kosovë është i detyruar dhe i zhantazhuar për të rifilluar bisedime me Serbinë, natyrisht se Serbia do të jetë ajo që do përfitojë nga këto bisedime, sepse nuk e kanë thënë kot zyrtarët e Beogradit, se nuk mund të ketë bisedime pa kompromis, dhe kompromisi nuk nënkupton, që njëra  palë t i fitojë të gjitha e pala tjetër asgjë.


Kompromisi më i keq është bërë kur kreu i Kosovës ka pranuar të rifillojë bisedime me Serbinë, të cilat,  me eufemizëm, i quan bisedime teknike, por e di mirëfilli se bisedimet do të jenë esenciale për të ardhmen e rrethuar dhe pa asnjë perspektivë të Kosovës.


Kjo gjendje realisht është pa rrugëdalje, nëse nuk reagon populli, nëse nuk reagojnë veteranët e luftës dhe forcat e vërteta liridashëse të Kosovës. Pa një reagim  të vendosur gjithë-popullor, Kosova pas bisedimeve me Serbinë nuk do të jetë as kjo është tani, madje do të jetë më keq sesa parasheh plani i Ahtisarit.


Duhet pranuar faktin se tri vjet pas pavarësisë, Kosovën e ka sjellë në këtë gjendje klasa e saj politike, pozita dhe opozita, e cila iu ka nënshtruar fare lehtë diktatit dhe presionit të BE-së për rifillimin e bisedimeve me Serbinë. Por tani nuk mjafton vetëm të konstatojmë dhe të kërkojmë llogari prej tyre, sepse prej mbarimit të luftës e deri sot, askush nuk i ka dhënë llogari këtij populli. Dhe, pikërisht për këtë po sillemi në rrethin vicioz.

Kontrolloni gjithashtu

Limaj

Fatmir Limaj: Nuk i frikësohemi zgjedhjeve, institucionet duhet të formohen përmes marrëveshjeve politike

Lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se vendi ka nevojë urgjente për formimin …