MINISTRI BYTYQI: TË PUNOJMË SË BASHKU PËR NXITJEN E DIVERSITETIT NË SHKOLLA

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, mori pjesë në konferencën përmbyllëse të projektit “Nxitja e kulturës demokratike dhe e diversitetit në shkollë”, projekt ky i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës. Ky projekt është zbatuar në 20 shkolla pilote dhe përgjatë dy viteve kanë marrë pjesë rreth 200 përfaqësues, përfshirë drejtorë, mësimdhënës, prindër dhe pjesëmarrës të komuniteteve. Ministri Bytyqi falënderoi BE-në dhe Këshillin e Evropës për mbështetjen në këtë projekt që i ka kontribuar rritjes së cilësisë në shkollat tona. “Ky projekt i ka kushtuar një rol të rëndësishëm dhe të veçantë krijimit të një kulture demokratike dhe nxitjen e diversitetit nëpër shkollat tona, një çështje shumë e rëndësishme dhe një përpjekje shumë e madhe edhe e partnerëve tanë, por edhe e MAShT, që të kemi shkolla sa më të zhvilluara”. Ministri Bytyqi përmendi faktin se në kuadër të këtij projekti është bërë edhe trajnimi i mësimdhënësve, me qëllim të mbështetjes së sistemit arsimor në Kosovë. “Si rezultat i këtij projekti, janë rritur aftësitë e mësimdhënësve trajnerë për të ndihmuar dhe monitoruar proceset demokratike dhe gjithpërfshirëse në zhvillimin e shkollave”, tha ministri Bytyqi dhe theksoi se tash kur ky projekt po përfundon, trajnerët janë të gatshëm për t’u angazhuar në proceset konkrete të zhvillimit të shkollave dhe do të lehtësojnë zhvillimin e proceseve përmes dhënies së trajnimit në nivel vendor dhe rajonal për ekipet e shkollave të zgjedhura pilot të angazhuara ndaj proceseve të zhvillimit profesional. “Ky projekt ka nxjerrë në pah që politikat, rregullat dhe praktikat shkollore duhet të hartohen në mënyrë të tillë që të ndalojnë dhe të parandalojnë diskriminimin e drejtpërdrejtë dhe të tërthortë”, tha ministri Bytyqi. Ministri theksoi edhe rolin e prindërve në këtë proces dhe tha se prindi duhet të jetë gjithmonë pjesëmarrës në zgjidhjen e këtyre çështjeve, sepse ata janë edukatorët kryesorë të fëmijëve dhe e dinë më së miri se cilat janë kërkesat e fëmijëve të tyre për t’i zgjidhur problemet që paraqiten ndaj diskriminimeve të caktuara. “Kur flasim për edukimin e fëmijëve dhe të rinjve tanë, ne flasim për të ardhmen e Kosovës, andaj duhet të ketë një angazhim të përbashkët që vërtetë në shkollat tona të kemi një zhvillim gjithpërfshirës për fëmijët dhe krijimin e mundësive të barabarta duke mos lejuar diskriminimin për cilindo fëmijë, apo komunitet të caktuar”, tha ministri Bytyqi dhe theksoi se kështu do të kemi një sistem arsimor shumë më të zhvilluar dhe cilësi në arsim.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …