leoni

A. Qeriqi: Ende pa mbaruar Festa e Fiter Bajramit po vazhdon fushata e egër e disa medieve kundër islamit

 


Tashmë është bërë  krejtësisht e  identifikueshme qendra e sulmeve kundër islamit në Kosovë. Është po ajo qendër e cila në vazhdimësi ka nxitur fushatën kundër luftës së  UÇK-së, duke u mbështetur në dosjet e Ministrisë së Serbisë së kohës së Milosheviqit dhe në dosjet e Shërbimit sekret serb. Në mesin e gazetarëve të BIRN-it (Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese) ka edhe dëshmitarë të mbrojtur të Dik Martit dhe EULEX-it. Barrën kryesore “patriotike-jugosllave” kundër islamit  në këtë mes e bartë mbi supe  dega e BIRN-i ballkanik të Kosovës, e cila e ka drejtorinë në Beograd, pastaj “Koha Ditore” dhe disa gazeta e portale të tjera, të cilat tregojnë një devotshmëri të sëmurë dhe tejet fanatike, me qëllim për ta damkosur islamin në Kosovë, çuditërisht me të njëjtat mjete e metoda me të cilat dikur damkoseshin shqiptarët e besimit islam, duke i paraqitur si “muxhahedinë” në kohën e regjimit të Milosheviqit.


Gjatë ditëve të Fitër bajramit, Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese ka ribotuar për të satën herë një raport, sikur thuhet  “top-sekret” të Policisë së Kosovës, i sajuar para disa vjetësh, dhe që fliste  për rrezikun e vehabizmit në Kosovë.


Duke u mbështetur në këtë raport të para disa viteve, BIRN-i, Koha Ditore dhe Company, parashohin “rrezikun permanent që paraqet islami në Kosovë”.


Ky rrezik sipas parashikuesve të BIRN-t dhe Kohës Ditore po u zbuluaka në faqet e Internetit, në youtube, në predikimet ndryshe të disa imamëve, madje në predikimet e një hoxhe nga Elbasani, që ishte imam në Marinë të Skënderajt, i cili  u dëbua nga Kosova dhe shembuj të tillë, në esencë pa asnjë peshë dhe pa asnjë argument të mirëfilltë.


Natyrisht se askund nuk përmendet Bashkësia Islame e Kosovës, e cila unifikon 99 për qind të të gjithë besimtarëve dhe klerikëve islamë.


Ja ku përmblidhen faktet e këtyre gazetarëve, që aq shumë brengosen për “fatin e Kosovës dhe rrezikun që po e paraqitka islami.


“Rreziku për të cilin flet një raport i Policisë së Kosovës për radikalizimin e Islamit në Kosovë nuk është vështirë të verifikohet në ligjëratat që mbajnë në xhami apo predikimet që i bëjnë në kanalet e tyre në youtube disa imamë të Bashkësisë Islame të Kosovës. Njëri prej tyre mendon që shtetin që e udhëheq një femër “i ndodh kiameti”, thuhet në hulumtimin e Qendrës Kosovare për Gazetari. Kastriot Duka apo“Hoxhë” Xhemajl Duka me origjinë nga Elbasani, po e sfidon tërë shtetin e Kosovës duke mos ia respektuar vendimin që ia kishte shqiptuar para dy vjetësh. I larguar me urdhër gjykate në mars të vitit 2010, pa të drejtë kthimi në Kosovë për tre vjet, Xhemajl Duka megjithatë ka hyrë në territorin kosovar.” ( Telegraf, Koha net, BIRN)


 


Fushata kundër islamit u nxit nga sikleti që patën soji i “birnistëve” me rastin e urimit për Fiter Bajramin, drejtuar besimtarëve islamë të Kosovës dhe Shqipërisë, nga kryetari amerikan, Barak Obama, nga sekretarja  amerikane e Shtetit, Hilari Çlinton dhe nga personalitete të rëndësishme botërore. Ky urim,  çuditërisht, i fyen ndjenjat e gazetarëve të BIRN-it dhe të gazetarëve të tjerë me bindje ateiste dhe nostalgji jugosllave, të cilët kurrsesi nuk mund e përtypin faktin që Amerika uron dhe përgëzon shqiptarët islamë me rastin e festave fetare. Kemi këtu edhe një paradoks tjetër. Urimit të kryetarit amerikan Barak Obama me rastin e Bajramit nuk i dha publicitet as kreu institucional i Kosovës, por as i Shqipërisë.(!) Kjo është hetuar në të gjitha mediet, të cilat kanë dhënë lajmin krejt shkurt, pa koment dha pa lajmëruar kthimin e urimit, sipas traditës, nga ata që kanë marrë urimin. ( Kam prirje të besoj se këtë urim e kanë pritur si dush të ftoftë uji kryetarja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryetari i Shqipërisë, Bujar Nishani).  Po ashtu, nëse keni përcjellë me vëmendje afishimin e fotove në këto gazeta e portale  të besimtarëve islamë nga falja e namazit të Fiter Bajramit, keni vërejtur se fotot e afishuara paraqesin besimtarët islamë, duke u lutur me kokën përdhe, edhe pse kjo është krejt në rregull dhe është pjesë e faljes, por lutja bëhet edhe në pozitën vertikale, ulur dhe në këmbë. Afishimi i fotove me kokën poshtë, pastaj fotot nga parapa shpina në pozitën përmbys, bëhen me qëllime përbuzjeje dhe stigmatizimi. Vetëm Top Chanel ka paraqitur foton e besimtarëve islamë, në pozitë ulur, duke u lutur në “Sheshin e Dëshmorëve”, në qendër të Tiranës.


Ky qëndrim  anti islam, në radhë të parë është qëndrim i një grupi të caktuar të njerëzve me ideologji antifetare, të cilët nuk e honepsin dot islamin, por as nuk deklarohen botërisht si të krishterë, as si ateistë. Ata, nuk arrijnë të dalin nga lëkura e tyre laramane, pacifiste, djallëzore dhe të marrin qëndrim të prerë, të heqin dorë nga islami sikur bëri, Ibrahim Rugova, Ali Podrimja e disa shqiptarë të tjerë, ( të mos iu përmendim emrat të gjallëve, se do të sëkëlldisen) të cilët me gjithë rikonevertimin, vazhduan të mbesin laramanë fetarë. Të jesh laraman fetar është me keq se të jesh ateist i hapur, sepse nuk futet dot prifti në minare, as nuk bën dot hoxha kryq.


 


Islami në Kosovë ka tashmë një traditë qindra-vjeçare të mbijetesës, dhe, ka qenë e po mbetet i lidhur ngushtë me fatet e popullit shqiptar, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe me aspiratat e bashkimit të kombit. Të përkujtojmë edhe më këtë rast se 90 për qind e personaliteteve kombëtare, prej Skënderbeut e deri në kohën tonë i përkasin besimit islam. Ishin myslimanë të gjitha ata shqiptarë që luftuan kundër despotizmit osman për çlirim nga Turqia. Ishin shqiptarë islamë pjesa dërrmuese e luftëtarëve që luftuan regjimet serbe, greke, italiane e gjermane. Këto janë fakte që nuk mohohen dot, sepse shqiptarët pasi u çliruan nga Turqia nuk u rikonvertuan ashtu sikur bënë serbët, magjarët, moldavët, bullgarët, shumë grekë e të tjerë.


 


Në mesazhin e kreut të Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiut Naim Tërnava me rastin e Fitër-Bajramit  ishte nënvizuar nevoja për ruajtjen me çdo kusht të vlerave kombëtare e fetare të shqiptarëve, pa përjashtuar vlerat fetare të vëllezërve tanë katolikë e ortodoksë.


Toleranca fetare ndër shqiptarë ndodhet mbi supet e besimtarëve islamë, të cilët në Kosovë, në Maqedoni dhe në Kosovën Lindore përbëjnë 94 për qind të numrit të përgjithshëm të besimtarëve. Edhe në Shqipëri, shumica e besimtarëve i takojnë islamit. Është shumica islame ndër shqiptarë, që ia ka mbajtur  dhe po i mbanë me sukses frerët e bashkimit dhe të unitetit. Të gjitha ata besimtarë islamë që dalin jashtë këtij përcaktimi nuk ia duan të mirën kombit e atdheut, por as islamit.  


 


Dihet botërisht se edhe në mesin e besimtarëve islamë gjenden pjesëtarë agresivë dhe fanatikë, të cilët në raste të caktuara shprehin kryeneçësinë e tyre, e cila bie ndesh me mësimet bazike të Kur’anit. Por, këto raste të izoluara një në 10.000  apo në 100.000, jo vetëm që nuk sjellin ndonjë  rrezik, por as mund të krahasohen me ekstremizmin e tipit fashist të ortodoksisë serbe, apo ortodoksisë greke, që nxisin dhe përkrahin dhunën, ekskluzivitetin fetar, të cilët bekojnë vrasësit e fëmijëve dhe grave myslimane.


Ndjeshmëria fanatike e disa gazetarëve të prejardhjes ideologjike titiste e projugosllave kundër islamit nuk është më shumë se një fiksion retrograd, një sëmundje mentale, një shëmti në vetvete, e cila për fatin e mirë të mbarë të shqiptarëve, nuk arrin në tri shifra.


Brengos  fakti se përpjekjeve të tilla  anti islame iu jepet hapësirë  krejtësisht e panevojshme në shumë mediume dhe kjo natyrisht se bëhet me qëllime përfitimi nga bosët medialë, të cilët janë të lidhur me magnatët e medieve, me klane masonësh dhe me grupe që kanë për detyrë helmimin e  opinionit publik, sidomos në shoqëritë në tranzicion dhe në shtetet ku ligjet janë të dobëta dhe ku ato iu nënshtrohen klasave sunduese.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur rreth marrëdhënieve të tensionuara mes Vjosa Osmanit e Albin Kurtit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur lidhur me marrëdhëniet e  tensionuara mes presidentes …