leoni

Nis ndërtimi i shkollës së re të mesme në Ferizaj

Ditëve të fundit janë shpeshtuar investimet infrastrukturore në fushën e arsimit, duke mundësuar riplanifikimin më të gjerë të nevojave për hapësira dhe krijimit të kushteve më të mira për mësim. Në këtë kuadër, edhe të premten, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, bashkë me drejtorin e Arsimit, Afrim Llabjani, drejtorë të drejtorive komunale, zëvendësministra, Kryesuesen e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Kristina Gashi-Bytyçi dhe dhjetëra profesorë dhe staf arsimor vunë gurthemelin e shkollës së re të mesme në Ferizaj, investim ky i Komunës së Ferizajt, që ka një vlerë prej 1.8 milionë eurosh. Duke uruar mësimdhënësit, nxënësit dhe personelin tjetër pjesëmarrës në këtë ceremoni, i pari i Ferizajt, Agim Aliu tha se ndërtimi i kësaj shkolle në këtë zonë, dhe ditë më parë edhe shkolla tjetër që ka filluar të ndërtohet – ajo profesionale, do t’i japin kësaj zonë një ritëm të ri, një zhvillim të jashtëzakonshëm, duke e shndërruar në një kompleks godinash arsimore me kushte sipas standardeve më të larta për infrastrukturën shkollore. Kjo godinë, që përbëhet nga 29 klasë dhe disa kabinete përfundimisht do t’i mundoj qeverisjes lokale të zbatoj me efikasitet më të lartë reformën e ndërmarr në arsim, si dhe të mundësoj riplanifikimin e shfrytëzimit të hapësirave shkollore, me theks të veçantë të shkollës “Gjon Serreçi” e cila aktualisht nuk përmbush kushtet e nevojshme për zhvillimin e mësimit. “Kjo shkollë e mesme do të thotë që do të krijohen dhe do të mundësohen kushte edhe më të mira të punës në mënyrë që të avancohet puna profesionale e profesorëve, mësimdhënësve, por në të njëjtën kohë edhe që nxënësit të kenë kushtet më të mira që të marrin atë që japin mësimdhënësit tanë, profesorët tanë. Sigurisht se është edhe një mundësi që ne të bëjmë një riplanifikim dhe pikërisht ne kemi zgjedhur këtë lokacion edhe javën e kaluar kur vendosëm gurthemelin e shkollës profesionale edhe sot kur po vendosim gurthemelin e kësaj shkolle, që të kemi një ambient të mirë dhe të kemi një lloj kompleksi të arsimit, respektivisht të shkollave në kuadër të një kompleksi të përgjithshëm që ne kemi bërë në kuadër të planifikimeve urbane për këtë zonë. Do të jetë një ndër zonat më të rëndësishme të qytetit dhe në kuadër të këtyre planifikimeve siç e dini tashmë do të ketë edhe objekte të tjera përcjellëse e që janë përafërsisht në kuadër të fushës së arsimit. Do të jetë një shkollë e cila do të ketë 29 klasë, pra do të jetë me kapacitete më të shtuara se shkollat tjera dhe sigurisht se edhe me kabinetet tjera dhe ka një kosto prej 1milionë e 800 mijë euro, por nuk është çështja tek shuma sa është tek ajo se vërtet jemi në vitin 2018, në përfundim të këtij viti dhe kur vihet gurthemeli për një shkollë në fakt tregon që ne ende nuk e kemi përmbyllur ciklin e investimeve kapitale në fushën e arsimit, sado që është investuar gjatë këtyre dekadave, sidomos në dekadën e fundit, kjo tregon që ende nuk është bërë mjaftueshëm për të bërë kushte më të mira për të gjitha ata që janë pjesë e fushës së arsimit. Kjo shkollë sot është një mundësi më shumë që të na mundësoj riplanifikimin, në mënyrë të veçantë që ne të bëjmë pastaj zgjidhjen e situatave të cilat janë sfida të qeverisjes sime sa i përket infrastrukturës, respektivisht krijimit të objekteve të reja, në mënyrë të veçantë një riplanifikim që ka të bëj sidomos me shkollën “Gjon Serreçi” ku ne e dimë që është një shkollë e cila nuk plotëson kushtet as për së afërmi për të mbajtur mësimin. Prandaj më lejoni edhe njëherë të uroj gjithë qytetarët e Komunës së Ferizajt për këtë objekt të ri infrastrukturor në fushën e arsimit, por në mënyrë të veçantë, të gjithë ata që janë pjesë e fushës së arsimit dhe që kontribuojnë që e ardhmja e fëmijëve tanë dhe e nxënësve tanë të jetë më e mirë. Kjo nuk do të përfundoj me kaq, ne krahas ndërtimit, krahas përmirësimit të infrastrukturës siç e dini kemi marr edhe hapa të tjerë që përplotësojnë angazhimin tonë të përbashkët me personalin arsimor që janë në kuadër të reformave, respektivisht në kuadër të platformës qeverisëse dhe ato janë të prekshme tashmë nga personeli arsimor, por ne nuk do të ndalemi do të vazhdojmë edhe me hapa të tjerë sepse jemi këmbëngulës që të realizojmë platformën tonë qeverisëse sa i përket fushës së arsimit” tha i pari i Ferizajt, Agim Aliu. Ky projekt ka një kosto prej 1.803.500 euro dhe përbëhet nga 29 dhoma mësimi, 4 kabinete, 1 bibliotekë– me sipërfaqe të përgjithshme të objektit prej afro 7000 m2 – projekt 3 vjeçar.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …