MINISTRI BYTYQI PRITI DREJTUES TË JAMES MADISON UNIVERSITY TË VIRGJINIAS

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Shyqiri Bytyqi, priti zëvendëspresidentin e James Madison University (JMU) të Virgjinias, Nick Langridge dhe John Rothenberger, anëtar i Bordit dhe udhëheqës i Qendrës për Ndërmarrësi në këtë universitet, me të cilët bisedoi rreth aktiviteteve të zhvilluara në kuadër të bashkëpunimit të ndërsjellë, si dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit të mëtutjeshëm. Ministri Bytyqi falënderoi Universitetin për bashkëpunimin e deritanishëm me Ministrinë, por edhe me universitetet tona publike, ndërsa theksoi gatishmërinë dhe nevojën për bashkëpunim të mëtutjeshëm me James Madison University, por edhe me universitete tjera amerikane. Ministri foli edhe për përkrahjen që ka marrë nga institucionet amerikane gjatë vizitës zyrtare në ShBA për të zhvilluar reforma që do të ngrisin cilësinë në arsim. “Ne kemi nevojë të ngrisim një standard shumë më të lartë, sidomos në arsimin e lartë dhe jemi të vetëdijshëm se këtë nuk mund ta bëjmë vet”, tha ministri Bytyqi dhe theksoi se ndihma e institucioneve dhe universiteteve amerikane është tepër e rëndësishme për Kosovën në këtë drejtim. Ministri Bytyqi foli edhe për proceset që janë duke u zhvilluar dhe për planet për ta ndryshuar gjendjen në arsimin e lartë, ku përmendi edhe nismën për ta hartuar një strategji për zhvillimin e arsimit të lartë. Ndërsa, zëvendëspresidenti i JMU, Nick Langridge, u shpreh i lumtur për bashkëpunimin që ka pasur deri tani ky universitet me Kosovën. Ai përmendi disa aktivitete të realizuara nga Marrëveshja e Bashkëpunimit mes MAShT dhe këtij universiteti, të cilat i quajti fitore të vogla, por që tha se i kanë paraprirë partneritetit afatgjatë për të cilin është i interesuar ky universitet.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …