leoni

Isuf Ismajli: Tridhjetë vite më parë dhe tani në Kosovë

 


 Tridhjetë vite më parë në Prishtinë dhe pothuajse në të gjitha qytet e Shqipërisë verilindore, në Kosovën e atëhershme, kur ishte e pushtuar nga jugosllavët, u shfaq përkushtimi atdhetar e madhështor jo vetëm i studentëve shqiptarë, por edhe i nxënësve, punëtorëve, intelektualëve dhe i gjithë shqiptarëve liridashës, duke treguar vitalitetin e popullit shqiptar në Kosovë, por edhe në viset e tjera shqiptare, që ishin dhe janë edhe sot e kësaj dite nën Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi.


Gjaku i pastër shqiptar tridhjetë vite më parë, tronditi themelet e krijesës artificiale të Jugosllavisë titiste, e cila me dhunën terrorin policor e ushtarak me dhelpërinë e saj të zakonshme, e përkëdhelur nga bashkësia ndërkombëtare mbante nën pushtimin e saj të egër këtë pjesë të madhe të Shqipërisë.


Ky gjak i pastër shqiptar, i trashëguar brez pas brezi në trojet tona, filloi t`i çante prangat e robërisë sllave, në këtë pjesë të Atdheut, dhe botës ndërkombëtare ia bënte me dije se liria, pavarësia dhe bashkimi i popullit shqiptar mund të vonojnë, por do të jetësohen qoftë me paqe, qoftë me luftë.


 


Tridhjetë vite më vonë po ky gjak i kulluar shqiptar ia bën me dije bashkësisë ndërkombëtare, se ashtu siç ka dështuar krijesa artificiale jugosllave , do të dështojë   edhe misioni artificial i UNMIK- ut dhe EULEX – it në Kosovën shqiptare, në këtë tokë të vaditur me lot, djersë, e gjak, që s`e duron dot, as zgjedhën e huaj pushtuese e as “miqësinë” shtirur   poshtëruese.


Datat e 11 e 26 marsit, të 1 – 2 e 3 prillit të vitit 1981 kanë lënë shenja të qarta të heroizmit e madhështisë shqiptare, sepse veç të tjerave edhe jehona, porosia, përkushtimi e sakrifica e bijve dhe bijave më të mira shqiptare i mbajti gjallë të gjitha lëvizjet dhe organizatat patriotike, që u bënë shpirti i atdhetarizmit dhe qëndresës shqiptare, e madje mund të thuhet lirisht, se të gjitha këto së toku, të lidhura ngushtë me të tërë vazhdimësinë e rezistencës dhe vlerave më të çmuara çlirimtare tradicionale shqiptare, me veprimtarinë e heroizmin e komandantit legjendar Adem Jashari u bënë e dhe krismat e lirisë, pavarësisë dhe kushtrimit për bashkimin kombëtar në kohën e luftës të  UÇK- ës heroike.


 


Këto demonstrata të organizuara mirë nga ndërgjegjja popullore e shpirti patriotik, të udhëhequra nga pjesëtarë të organizatave atdhetare shqiptare janë dëshmi e qartë e një organizmi e tradite gjithë-shqiptare për të vënë në lëvizje gatishmërinë dhe vullnetin e popullit shqiptar dhe trojeve të tij, për t`u bashkuar natyrshëm.


Pjesëmarrja e  madhe e demonstruesve të moshave e profesioneve të ndryshme në këto demonstrata, është një shembull i shkëlqyer i lidhjeve dhe sakrificave vëllazërore.


Në këto demonstrata u bashkuan mësuesit me nxënësit, profesorët me studentët, punëtorët me fëmijët e tyre, shoku me shokun e me shoqen, vëllai me motrën, babai me të birin dhe kështu u mbushën sheshet, rrugët e qytetet shqiptare të kësaj pjese të Atdheut, për të bërë betejën antijugosllave ne ballë me flamurin shqiptar.


 


Nuk mund të mos theksohet në mënyrë të veçantë: guximi, sakrifica e krenaria e profesorit së bashku me nxënësit e tij, takimi i nxënësit me mësuesit e tij, aq më tepër që këta profesorë e mësues ishin edhe pjesëtarë të organizatave ilegale e atdhetare, të cilët diku hapur e diku fshehur veç të tjerave i kishin përgatitur e i kishin çelikosur me atdhetarizëm e sakrificë edhe nxënësit e studentët e tyre.


 


Tirana, Vlora, Kukësi, Shkodra dhe tërë Republika e Shqipërisë u bë frymëzim dhe  motori lëvizës i Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare që i mbante të pushtuara Jugosllavia.


Ardhja e profesorëve, shkencëtarëve e literaturës historike e letërsisë shkencës, gjuhësisë, shfaqja e vlerave të çmuara kulturore artistike shqiptare në Kosovë nga vëllezërit e motrat e asaj pjese të Atdheut, përkushtimi  dhe veprimtaria e gjithanshme e Tiranës zyrtare dhe e të gjithë Republikës së Shqipërisë së bashku me organizatat e grupet ilegale dhe veprimtaritë e atdhetarëve shqiptarë në viset e pushtuara janë dëshmi e qartë e Shqipërisë etnike edhe në Kosovë e në viset të tjera shqiptare.


Tirana zyrtare e kohës së Enver Hoxhës është bazamenti më i fuqishëm, diga e pathyeshme jo vetëm i shtetit të tanishëm shqiptar, po edhe i të gjitha viseve të Shqipërisë së natyrshme si Kosova dhe viset të tjera shqiptare që i mbajnë të pushtuara serbo –malazezo – maqedonët e  grekët.


 


Më vonë dalja në dritë UÇK- ës është krijesë e vlerave më të mirëfillta çlirimtare, e vlerave tradicionale shqiptare, pra edhe frymëzim i asaj kohe të Shqipërisë së Enver Hoxhës.


Të gjitha këto janë fakte kokëforta që hedhin dritë në errësirën e tanishme, që po e mban pezull çështjen shqiptare, qoftë si rezultat i punës dhe veprimtarisë ndërkombëtare, qoftë si pasojë e punës, veprimtarisë të vendësve, të përbërjeve të tyre politike dhe pushteteve në viset shqiptare aspak të favorshme për aspektin kombëtar shqiptar.


 


Tridhjetë vite më vonë, nga koha e demonstratave shqiptare në Kosovë, përsëri burgosje të bijve   më të mirë të kombit shqiptar, përsëri demonstrata kundër padrejtësive, kundër arrestimeve, kundër atyre që hiqen si miq, që mundohen të na poshtërojnë, të na i humbin vlerat,  të na shuajnë krenarinë, që na bëjnë shtypje për të harruar shqiptarizmën dhe që na thonë e na shtypin për të pranuar hibridizimin eksperimental nacional më të panatyrshmin e më të pështirosurin në botë.


Në vitin 1981 shqiptarët i thanë jugosllavëve se duhej të largohej nga Kosova o me paqe o me luftë, ndërsa jugosllavët na u përgjigjën me dhunën terrorin e me gjenocidin e paparë. Ata jo vetëm policinë, por edhe ushtrinë, topat, tanket helikopterët dhe avionët luftarakë i futën në funksion, për t`i frikësuar shqiptarët, për ta shuar qenien e shqiptarit në trojet shqiptare që i mbanin të pushtuara. Por nuk ia arritën dot.


 


Bijtë dhe bijat më të mirë shqiptarë u organizuan, vepruan, sakrifikuan, e i burgosën. U desh shumë mund, shumë e shumë sakrifica, luftë e gjak, por dot nuk na shqitën nga shqiptarizmi, nga dinjiteti.


Serbia bëri e ç`farë s`bëri në Kosovë mbi shqiptarët liridashës e të sakrificës, duke ushtruar dhunën më të egër fashiste.


Ushtria,  policia  paramilitarët serbë mercenarët e bandat ruse e serbe dhunuan, plaçkitën, masakruan, terrorizuan dhe u përpoqën çdo gjë shqiptare ta shuajnë. Kjo është shëmtia më madhe antinjerëzore e historisë më të re serbe në Evropë. Të gjitha këto zezona të gjitha këto shëmti, të gjitha këto njolla të zeza, të gjitha këto egërsi, barbarizma i di Evropa dhe bota.


Dhe Serbia përkëdhelet nga një pjesë e madhe e Evropës, nga politikanë e zyrtarë e punonjës të dështuar të UNMIK-ut dhe EULEX-it.


Në vend se shtetet evropiane t`i bëjnë presion UNMIK- ut dhe EULEX- it, për të kapur kriminelët serbë në pjesën veriore të Mitrovicës dhe në enklavat serbe kudo në Kosovë, EULEX me aktakuzat që i ka bërë Serbia i burgos e i ndjek çlirimtarët shqiptarë.


 


Të mbeten pa u ndëshkuar kriminelët, dhunuesit, xhelatët serbë, ata që kanë masakruar popujt liridashës, të mos e ndëshkojë Evropa, shtetin fajtor neofashist serb, që ka bërë krime çnjerëzore të pashembullta në kohën tonë, jo vetëm mbi shqiptarët, por edhe mbi kroatët e boshnjakët, madje shumë shtete evropiane edhe e përkëdhelin Serbinë, kjo e tëra përbën një shëmti të llojit të veçantë, një zezonë, duke hedhur njolla të zeza antinjerëzore në historinë më të re evropiane.


Serbia në vend se të dënohej për shfaqjen e neofashizmit të egër, të dënoheshin organizmat e saj ushtarake, policore, politike, fetare etj. që janë përgjegjëse jo vetëm për nxitjen e krimeve njerëzore, por edhe për bërjen e tyre, në vend se të dënohej e keqja, barbaria serbe dhe të zhdukeshin me rrënjë të gjitha shëmtitë dhe egërsitë e tyre, bandat dhe kriminelët serbë, që të mund të jetonin të lirë popujt, të ndërtonin ardhmërinë në hapësirat e tyre, bëhen gjoja hulumtime se ç` “krime” paskan bërë shqiptarët gjatë luftës.


 


Ta luftojnë bijtë dhe bijat më të mirë të një populli armikun dhe bashkëpunëtorët e tij, kjo nuk përbën asnjë shkelje të ligjeve njerëzore. Kjo luftë kurrë nuk mund të quhet e kriminalizuar, sepse është luftë për liri, luftë për të ngadhënjyer njerëzorja, e drejta.


 


Prandaj lufta e UÇK – së është luftë e ngadhënjimit njerëzor.


 


Serbia do të duhej të ndëshkohej jo vetëm për krimet, dhunën, terrorin e gjenocidin që e ka bërë gjatë luftës, por edhe para saj, që kur e ka pushtuar Kosovën. Prandaj regjimet serbe dhe përgjegjësit e krimeve ndaj shqiptarëve duhet të dënohen fuqimisht nga Evropa politike dhe opinioni liridashës evropian.


Shqiptarët mund t`i mbrojnë ata që luftuan heroikisht në radhët e UÇK –ës, duke u bashkuar në përpjekjet e tyre për lirinë e njëmend, duke protestuar e duke mos u pajtuar për asnjë çast akuzat serbe të përfillura e të pranuara nga EULEX- si.


 


Në qoftë se ne ngulmojmë t`i mbrojmë bijtë e këtij populli që qenë në gjendje t`ia falin jetën Atdheut, që bënë ç` është mundur për ta fituar lirinë dhe të njohjen e drejtës për bashkim kombëtar, atëherë nuk ka forcë që mund t`i mbajë në burgje e t`i dënojë.


 


Për të shpëtuar njëherë mirë nga katrahura politike, nga copëtimi i mëtejshëm i Atdheut, për të mbrojtur dinjitetin njerëzor e shqiptar, për t`i mbrojtur ata që luftuan sakrifikuan, duhet të buças zëri i bashkimit të popullit shqiptar. Fillimisht bashkimi i zërit, bashkimi i punës dhe veprimtarisë të bijve dhe bijave më të mira shqiptare është një domosdoshmëri e kohës, është një nevojë kombëtare si buka që e hamë. Ky do të ishte shtegu për t`i hapur rrugë veprimtarisë së tërësishme atdhetare për të jetësuar e bërë Shqipërinë të bashkuar me degët e rrënjët saja dhe për ta bërë atë tërësisht të lirë, të përparuar e zhvilluar.


Kjo është edhe porosia e dëshmorëve e heronjve e luftërave e përpjekjeve e sakrificave, prandaj   edhe e demonstratave shqiptare të vitit 1981.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur rreth marrëdhënieve të tensionuara mes Vjosa Osmanit e Albin Kurtit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur lidhur me marrëdhëniet e  tensionuara mes presidentes …