RKL: LDK-ja sërish sulmon Qosen

Urrejtja, që ka grumbulluar një segment militant në radhët e LDK-së kundër akademikut të nderuar, Rexhep Qosja, ka shpërthyer edhe kësaj radhe për shkak se akademiku Qosja ka përkrahur idenë e deputetit të Kuvendit të Kosovës,  Ramë Vataj për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, duke arsyetuar se ka qenë shumë i nevojshëm ndryshimi i tij. Sipas Qoses, mënyra e funksionimit të deritashëm të ASHAK-ut, ka bërë që ky institucion i shkencës dhe artit të jetë i politizuar skajshmërisht dhe të shndërrohet në një shtëpi partiake të Lidhjes Demokratike të Kosovës. LDK-ja, kësaj radhe  është zemëruar tejmase edhe me Qeverinë e Kosovës, të cilën e akuzon përse  ka financuar kompletin e veprave të akademikut Qosja.


Reagimi LDK-së kundër idesë së deputetit të Kuvendit të Kosovës Ramë Vataj për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ASHAK-un, është një reagim jo vetëm i pamatur por edhe i panjerëzishëm, sepse mbështetja e  një ideje, të një deputeti apo zyrtari qeveritar është e drejtë krejtësisht e arsyeshme, e ligjshme dhe e natyrshme e një intelektuali, aq më tepër kur ky intelektual dhe akademik, veç tjerash me fakte e argumente  ka treguar botërisht se ASHAK-u është krejtësisht i politizuar dhe këtë të vërtetë lakuriqe  e di krejt Kosova, e dinë gazetarët, qytetarët, profesorët studentët, e di Isa Mustafa e LDK-ja, e dinë të gjithë,  sepse dihen botërisht me emër e mbiemër akademikët, dihet cilës parti i përkasin, dihet edhe “puna dhe angazhimi” i tyre, meqë ata bëjnë gjumin akademik partiak, marrin të ardhura të majme dhe flenë qetë-qetë mbi sa e sa sfida e probleme me të cilat ballafaqohet Kosova.


ASHAK-u, realisht ka qenë dhe po mbetet një çerdhe, qejfi e vetëmburrjeje e akademikëve partiakë dhe për këtë ekzistojnë sa e sa fakte. Dihet botërisht se  cilës parti dhe cilës prejardhje politike e ideologjike  i kanë takuar dikur shumica dërrmuese e akademikëve të ASHAK-ut. Dihet insuficienca e tej shprehur e këtyre akademikëve për t’ u përballur me sfidat, me të cilat  përballen çdo kund në botë akademikët, që nuk bëjnë gjumë akademikësh, por që qëndrojnë në ballë të interesave kombëtare e qytetare.


Dhe, kur komentojmë qëndrimin djallëzor të një stafi brenda LDK-së kundër, doktor, profesor Rexhep Qoses, opinioni liridashës në Kosovë e më gjerë  nuk i ka harruar  kurdisjet staliniste të ish ministrit  të arsimit,  kur në korrik të vitit 2007 urdhëroi Policinë e Kosovë për ta nxjerrë jashtë institutit të Albanologjisë, Rexhep Qosen dhe për të emëruar në postin e drejtorit të dhunshëm të Institutit,  titistin, Ismajl Hasani, i cili në vitin 1989, në Ferizaj  publikisht kishte mbështetur masat e dhunshme në Kosovë nga  regjimit kriminal i Milosheviqit.


Dështimi i LDK-së për ta larguar madje dhunshëm dr Rexhep Qosen nga Instituti i Albanologjisë në verë të vitit 2007, ishte njëri nga dështimet më të turpshme të militantëve të kësaj partie, të cilët nuk e durojnë dot akademikun Qosja, në radhë të parë sepse kritikon me të drejtë dhe atakon antikombëtarët, plastofilët, mercenarët, argatët e të huajve të djeshëm e të sotëm dhe tëra horrllëqet e partiakëve të konvertuar.


Rikthimi i sindromit të pashëruar të LDK-së sa herë përmendet akademiku, shkrimtari kritike dhe intelektuali numër një i kombit, Rexhep Qosja, tregon shpirtin e varfër dhe të mjerë të këtyre njerëzve, të cilët  nuk futen dot në garën e konkurrencës së vlerave dhe emancipimit kulturor e filozofik, nuk kanë dije as gatishmëri për debat të kulturuar me gjuhën e fakteve e argumenteve dhe në mungesë të këtyre kapaciteteve intelektuale, ata kanë zgjedhur gjuhën e urrejtjes, përfaljeve, nënçmimit dhe injorimit. Natyrisht se nga injorantët e tillë nuk  pritet asgjë tjetër përveç injorancës.


Reagimi, kundër botimit të një kompleti të librave të akademikut ndër më të nderuarit e kombit shqiptar, vetvetiu tregon gjendjen mjerane të korit të këtyre kritikucëve, të sojit të danjollëve të djeshëm e të sotëm, të cilëve tani u ka mbetur vetëm kukurisja, meqë nuk kanë në dorë pushtet legal për të eliminuar personalitete sikur kanë bërë gjatë kohës së robërisë, disa syresh madje vegla të njohura të ish- regjimeve.


 


Disa nga reagime në mbrojte të akademikut Qosja në verë të vitit 2007


 


31. 8 2007 Prof. Abdyl KADOLLI:  VANDALIZËM MBI SHKENCËN SHQIPTARE


 


 


Drama në Istitutin Albanologjik të Prishtinës ka marrë përmasa shqetësuese që nga hyrja e masave të dhunshme në këtë institucion.


Thyerja e zyrës së Akdemik Rexhep Qoses dhe e disa punonjësve të tjerë shkencorë, madje ndalesa për të hyrë në këtë institucion, si persona non grata, janë akte që i njohin vetëm regjimet fashiste e totalitare.


Thyerja e dhunshme e studios dhe e arkivit të punës shkencore është më tepër se krim, që duhet t’i nënshtrohet procedurës penale.


Ky është krim ordiner mbi lirinë e krijimtarisë dhe cenim i rëndë i dinjitetit intelektual dhe integritetit moral të shkencëtarit!


Dramën në Institutin Albanologjik të Prishtinës e ka shkaktuar Ministria e Arsimit dhe e Teknologjisë, duke vënë drejtorin e dhunshëm dhe duke ndryshuar dhunshëm statutin e Institutit.


Kjo është teknologji e dhunës sllave.


Kjo të përkujton mbylljen e Institutit më 8 mars 1994, kur policia serbe kishte vënë drynin e ndryshkur në portën e xhamtë të Institutit.


Ç’kërkon tash policia në institutin shkencor? Ta ruajë drejtorin e dhunshëm, që di vetëm të përkufizojë hapësirën dhe të thyejë porta!


Ky është një akt i lig, që fyen gjithë shkencën e kulturën shqiptare.


Para një akti të tillë vandal do të hezitonin edhe pushtuesit dhe juntat ushtarake.


Këtë akt kaq primitiv s’kanë mundur ta bëjnë as oponentët më të përbetuar të Qoses. Mjerisht, tash e bëjnë kameleonët e klanit diktatorial.


Këto akte totalitare kanë zgjuar natyrshëm reagimin e opinionit shkencor e demokratik, por vandalizmi ka vazhduar edhe më tej.


Deri sot Qeveria e Kosovës ka heshtur përballë këtij vandalizmi politik, andaj edhe përgjegjësia më e madhe morale e politike bie mbi të.


Nëse Kryeministri nuk mund ta shkarkojë ministrin e Arsimit për skandalet e këtilla, atëherë ai vetë meriton të japë dorëheqje.


Gjejeni diku në botë ndonjë jurist ministër të arsimit e shkencës?


Nuk lejohet që polpotistët të luajnë me dinjitetin e integritetin e institucioneve shkencore. Vetëm mediokrit që nuk marrin erë nga shkenca, mund të bëjnë skandale të këtilla. Vetëm ata që nuk kanë lexuar asnjë vepër të Qoses, mund të kenë një konsideratë kaq të ulët ndaj tij.


A nuk merituaka në pleqëri një studio të punës Njeriu që ka shkrirë tërë jetën në veprat shkencore e artistike?


Mjerisht, fatin e këtillë e kanë pësuar gjenitë gjatë historisë, sepse nuk kanë mundur t’i kuptojnë shoqëritë e tyre.


Rexhep Qosja sot është një monument kulturor, që do t’ia kishte lakmi çdo popull. A e meriton populli ynë këtë monument?!


Këtë nuk mund ta kuptojnë vetëm sharlatanët, mediokrit dhe analfabetët politikë.


Ky terror psikologjik ndaj Akademik Qoses është një shenjë e keqe për shoqërinë tonë.


Ky është inkuizicion, akt fashist, që nuk guxon të ndodhë në shoqërinë demokratike.


Populli me këso pushtetarësh të dhunës vështirë do ta fitojë lirinë, madje edhe Pavarësinë.


Ky është një Turp i madh kombëtar. Të gjithë ata që heshtin para një akti të këtillë, solidarizohen me turpin dhe turpi i mbuloftë!


Reagimet e protestat do të vazhdojnë deri në rrëzimin e ministrit të arsimit dhe deri në largimin e Njeriut të Zi nga Instituti Albanologjik i Prishtinës.


Ky është cenim i rëndë i institucionit kombëtar.


Ky është terror politik!


Vepra kombëtare e Qoses akuzon për këtë diktaturë e vandalizëm.


Kjo është më shumë se çmenduri politike.


Prandaj, ruhuni nga pushtetarët e uritur dhe analfabetë!


 


 


Shoqata Shqiptaro-Amerikane reagon kundër sulmit te Akademik Dr. Rexhep Qosjes


Kë po e pengon Akademik Rexhep Qosja?!


 


Incidenti që ndodhi para dyerve të Institutit Albanologjik të Prishtinës ndaj Akademik Qosjes, ishte pamja më e shëmtuar që kemi parë në këto tetë vjetë lirie në Kosovë ndaj abuzimit për punë shkencore të intelektualit madhor kombëtar. Shoqata Shqiptaro-Amerikane Veprimtarëve, Intelektualëve dhe Afaristëve në Çikago(SHBA),përkitazi me përseritjen e akteve të abuzimeve të intelektualëve shqiptarë, që dikur regjimi serb i Beogradit me platformën e gjenocidit të paparë, ata i privojë nga e drejta për jetë e punë shkencore, para opinionit të gjerë publik dhe të institucioneve në Kosovë, del me këtë Deklaratë:


 Është thënë me kohë se një popull dhe institucionet e saj që e përbuzin (lexo:abuzojnë) ga e drejta për punë shkencore intelektualët e vetë kombëtarë, nuk kanë se çfarë të mendojnë për ardhmërinë. Nuk ka dyshim se Akademik Rexhep Qosja është një prej zërave intelektual shqiptarë dhe me profilin e tij shkencor që ishte shembull edhe në rajon, se si duhen të parashtrojnë vizionin për kombin e vet dhe të Kosovës. Të gjithë ata që e njohin Aklademik Qosjen dhe angazhimin e tij shkencor, politik dhe si njeri në frontet e para të polemikës,të argumentit historiko-shkencor për çështjen e pazgjidhur shqiptare në trojet e veta në Ballkan me “shkencën(!)” antishqiptare të Akademinë e Shkencave Serbe në Beograd dhe me gjerë, dhe ne kujdestar serbë të pushtetit dhe kishës ortodokse serve për shkatërrimin e substancës kombëtare shqiptare nëpër kohë…!


 Ky është Akademik Rexhep Qosja që të gjithë ia kanë lakmi punës së tij të përditshme shkencore nga 12 orë në ditë, vetëm e vetëm që shkenca shqiptare,aspektet e kulturës albanologjike, gjuhësore,të traditës dhe pikësynimi gjithëkombëtar për liri dhe pavarësi të Kosovës të ecën me kohën dhe në participim me kahet e qytetërimit të sotëm. Po e themi shtruar se në kohën kur Akademik Qosja ishte drejtor i Institutit Albanologjik(1974), ky tempull i dijes dhe shkencës albanologjike mbuloi hapësirat gjithëshqiptare për ndriçimin, studimin e mirëfilltë shkencor me kriteret e avansimit të saj edhe në qarqet ndërkombëtare shkencore.


 


Ndaj, kë po e pengon Akademik Rexhep Qosja?!


 


Me këtë rast dhe duke e gjykuar si të rëndë “vendimin(sic!!)” të MASHT-së dhe të Ministirt aktual Agim Veliu, i cili me dofarë skenarë partiak dhe të qarqeve joformale nëpër koluare të Prishtinës, pa fije turpi dhe me mangësitë e tij për të njohur se cili është Instituti Albanologjik ,ka sjellur për ushtrues drejtori sociologun Dr.Ismail Hasani. Asgjë nuk kemi kundër z.Hasani, por jemi të shtrenguar të themi publikisht se sjellja tashti e aktit të dytë të abuzimit për Akademik Qosjen (gati-gati si emetim(sic!!!) të organeve të dikurshme të gjenocidit serb që e patën në shënjestër nëpër kohë intelektualin madhor kombëtar, kjo që ka ndodhur parta dyerve të këtij tempulli, Qosja nuk e ka merituar…!


 


Jemi të indinjuar thellë dhe duke e parë Atdheun nga larg, Diaspora Shqiptare në Amerikë, përmes kësaj Deklarate thekson nevojën e ngutshme që organet relevante të Kosovës (Qeveria,Parlamenti dhe Partitë Politike) të ndërhyjnë në zgjidhjen e problemit në Insitutin Albanologjik të Prishtinës, në mënyrë që punonjësit shkencorë të segementit albanologjik dhe të fushave tjera kërkimore-shkencore në këtë tempull të dijes, të zgjedhin vetë pa ndërhyrje nga jashtë organet udhëheqëse të saj.


 Për rastin e krijuar, zgjidhja më e mirë do të ishte që dr.Ismail Hasani (sociolog) të largohet nga Instituti Alabanologjik i Prishtrinës dhe të shkoj atje ku e ka vendin në katedrën Siciologji-Filozofi dhe,fundja në kushtet më të mira pse mos të jetë edhe drejtor i Insitutit Sociologjik apo nga fusha politike. Na duhet t,i themi z. dr. Hasani se Akademik Qosja nuk ka sulmuar askend as me likfidim apo me fyerje të rënda nga fjalori i tij i pasur letrar dhe shkencor. Këtë më së miri e dimë ne që ishin studentë të tij dhe kolegët shkencorë në këtë tempull të dijes dhe më gjerë.Këtu diçka nuk është në rregull me vetë Minstrin Agim Veliu, për të cilin mendojmë se për shkencën albanlogjike as që ka ndonjë haber. Nuk e dimë se në çfarë niveli profesional i ka parametrat e tij, por rastësia e profilizimit të partisë së tij (LDK-ja) e solli aty ku është. Historia, thoshte Hasan Prishtina,është gjyqi që i frigohem më së shumti!


Akdemik Qosja e ka vendin e punës (pa mandat) në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Duhet thënë edhe këtë për MASHT-së dhe vetë Minsitrit Agim Veliu se shkenca dhe punonjësi shkencor kudo në botën demokratike nuk i duhet kurrfarë mandati. Akademik Qosja do të punojë ashtu si dinë nga fusha e tij shkencore dhe e dijes albanologjike bashkë me punonjësit e rinj që vetë i ka përgatitur për të hyrë në udhëkërkimin për dije dhe shkencë. Në botën e qytetëruar profilin e Qosjes, njerëzit e qeverive, të parlamenteve dhe burrat e shteve, i ftojmë në raste solemne për të dëgjuar fjalëmadhën dhe me kompetencë shkencore për ndonjë çështje aktuale të vendit. Ndërkaq, për sjelljet e pamira dhe me prapavijë politike, ministri i arsimit do të duhej të jepte dorëheqjen…!


Kosovës i duhet Akademik Rexhep Qosja!


Kryetari i Shoqatës,


Prof.dr.Astrit MEHMETI


Drejtori Ekzekutiv,


Prof.Skënder KARAÇICA


Sekretari,


Mahmut SKENDERI


 


 


 RKL: Sulmohet integriteti dhe dinjiteti i akademikut tonë emblematik, Rexhep Qosja


 


Tetë vjet pas çlirimit të Kosovës nga barbarët serbë dhe nga regjimi kriminal i Milosheviqit, ende në vendin tonë kanë mbetur dhe po veprojnë shpenguar mbeturinat e këtij regjimi. Dhe, mjerisht, këto mbetje të ish regjimit kolonialist të Serbisë i gjen të postuar kudo në vendet kyçe, ku më shumë e ku më pak, në të gjitha institucionet e Kosovës, në tërë hierarkinë sunduese, në të gjitha ministritë, në SHPK, në të gjitha qeveritë komunale, madje disa syresh edhe në TMK, e cila tashmë po shpërbëhet, falë “angazhimit” të këtij segmenti nga këto radha. Dhe, pikërisht për këtë, regjimi aktual i Beogradit kërkon të bisedojë me shqiptarët lidhur me përcaktimin e statusit, me qëllim për t’ i bindur ata të bashkëjetojnë, ashtu sikur paskan “bashkëjetuar” me decenie të tëra. Fakti se në Nish brenda muajit lëshohen mbi 10 mijë pasaporta serbe për qytetarët shqiptarë,“besnikë” të Serbisë, të cilët e pranojnë këtë shtet si të vetin, është një ilustrim tjetër i kësaj situate kaotike, e cila po mbretëron në vend. Në këtë situatë ndodhin edhe akte të ndryshme vandale, sikur është rasti i fundit me dhunimin e Zyrës së akademikut emblematik të kombit shqiptar, Rexhep Qosja, mbajtja në arrest e dhjetëra ish-luftëtarëve dhe eprorëve të UÇK-së, burgosja dhe ndëshkimi i qindra të tillëve, largimi nga vendet e punës me përgjegjësi i kuadrove me prejardhje politike antijugosllave etj.


 


Recidivet e masave të dhunshme


 


Futja e masave të dhunshme nëpër institucione ka qenë praktikë dhe vepër e sistemit të kaluar komunist jugosllav. Nën të tilla masa kundër interesave të kombit shqiptar, sidomos prej vitit 1981 kanë vepruar edhe një plejadë e tërë komunistësh shqipfolës projugosllavë, të cilët kanë mbështetur, e mjerisht disa prej tyre edhe sot e kësaj dite e mbështesin regjimin e Serbisë okupatore.


Një rast i tillë na rikthen në kujtesë futjen e masave të dhunshme në Ferizaj, në fillim të viteve 90, kur asokohe punonte edhe njëfarë Ismail Hasani, deri atëherë i panjohur. Ai, brenda natës u bë i njohur me qëndrimin e tij pro masave të dhunshme, duke kritikuar e fyer të gjithë ata shqiptarë, të cilët nuk po iu bindeshin masave të tilla. I mbetur i vetmuar, ndërkohë ky njeri iu bashkua radhëve të LDK-së ku edhe do të shquhet për “veprimtari” politike dhe jo vetëm politike. Do të ishte harruar ky njeri, ky Ismail Hasani, ashtu sikur edhe shumë të tjerë të sojit të tillë, po të mos ishte rikthyer sërish në skenë, si instrument i zbatimit të masave të dhunshme, atje ku ministri i arsimit, (bokseri i LDK-së në kuvendin e fundit, Agim Veliu), nuk kishte arritur sukses. Ai kishte provuar me vjet të tëra ta merrte në dorë Institutin Albanologjik, por nuk gjente dot një person të përdorshëm dhe të përshtatshëm për ta ndërsyer në këtë drejtim. Ndërkohë, ai gjeti më të përdorshmin dhe më të përshtatshmin, për të vënë në jetë metodat e tij policore kundër Institutit Albanologjik të Prishtinës. Ismail Hasani i dikurshëm, i treguar tejet i suksesshëm në vendosjen e masave të dhunshme nën regjimin e Milosheviqit, arriti që përmes policëve të tij të uniformuar apo të pauniformuar, ta atakojë dinjitetin e njërit prej akademikëve dhe veprimtarëve më të merituar të kombit tonë.


Ky turp dhe kjo vepër e damkosur antikombëtare, ndodhi më 29 gusht 2007, në Prishtinë, me ç’ rast akademik Rexhep Qosja u kërcënua të dorëzonte çelësat e Institutit dhe të largonte sa më parë veprat dhe gjësendet e tij nga atje. Duke parë se Qosja nuk thyhej, ashtu sikur nuk ishte thyer asnjëherë në të kaluarën e tij, policia e Agim Veliut, dhunoi Zyrën e këtij institucioni duke shkaktuar rrëmujë dhe duke lënë prapa damkën më të zezë që i është bërë ndonjëherë këtij institucioni meritor të gjuhës dhe kulturës së kombit shqiptar në përgjithësi.


Në komunikatën e tij lidhur me këtë ndërhyrje vandale, akademik Rexhep Qosja, veç tjerash, ka deklaruar: “ Pas shumë viteve të fyerjeve dhe poshtërimeve të ndryshme, që më bëri përmes disa medieve që i kontrollon një taraf partiak i LDK-së, me ndikim në Ministrinë e Arsimit, të mërkurën më 29 gusht 2007, bëri tani për tani hapin e fundit në cenimin e integritetit e të dinjitetit tim dhe në rrezikimin e jetës sime. Përmes një individi, i quajtur anëtar i një firme private për sigurim, më ndaloi hyrjen në Institutin Albanologjik, kurse pak më vonë ky taraf e theu zyrën time në këtë Institut…”


Sulmi kundër akademikut, Rexhep Qosja dhe kundër Institutit Albanologjik të Prishtinës në përgjithësi, nga ky tash për tash janë dëbuar edhe katër punëtorë shkencorë të këtij Instituti: Fadil Graiçevci, Jahir Ahmeti, Hysen Matoshi dhe Arben Hoxha, duhet të dënohet me forcë nga të gjitha forcat përparimtare në vend dhe nuk duhet lejuar, që kjo praktikë e UDB-së të zbatohet në këtë mënyrë dhe me këtë lloj të vrazhdësisë dhe destrukcionit tipik serb, tetë vjet pas çlirimit të Kosovës me gjakun e derdhur rrëke të mijëra dëshmorëve e martirëve të kombit.


Cenimi i dinjitetit dhe integritetit të akademikut Rexhep Qosja dhe Institutit Albanologjik në përgjithësi nga individë dhe tarafe me prejardhje ideologjike projugosllave, është një tregues tjetër i vazhdimësisë së agonisë dhe i pamundësisë së përcaktimit të statusit të Kosovës.


Po të mos i kishte Beogradi lidhjet e veta të pashkëputshme me shumë kuadro besnike të veta në Kosovë, po të mos ishte në pyetje ruajtja dhe begatimi i atyre interesave përmes grupeve të ndryshme të bashkëpunëtorëve, po të mos ishin qindra mijëra shqiptarë që për të nxjerrë një pasaportë me vulë të këtij shteti, pranojnë se janë qytetarë lojalë të Serbisë, Beogradi nuk do të kishte përse të insistonte në rikthimin e sundimit kolonialist në vendin tonë.


Pikërisht sepse nuk janë ndërprerë me kohë këto lidhje të rrezikshme të bashkëpunimit në shumë segmente, jo vetëm tregtare e ekonomike, pikërisht sepse sundimi 87-vjeçar serb në Kosovë ka krijuar lidhje të thella kumbarie e vëllazërie në mesin e një pjese të shqiptarëve lojalë, shkëputja definitive nga Serbia po bëhet me shumë vështirësi, e ndoshta një ditë do të eskalojë edhe me rreziqe të reja dhe pasoja të paparashikueshme.


Sulmi kundër Rexhep Qoses dhe Institutit Albanologjik, nuk do të ndalet me kaq, për shkak se në Kosovë, në mënyrë perfide po restaurohen segmente të praktikave të policisë sekrete serbe, të dirigjuara me mjeshtëri nga Beogradi.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur rreth marrëdhënieve të tensionuara mes Vjosa Osmanit e Albin Kurtit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur lidhur me marrëdhëniet e  tensionuara mes presidentes …