Dr. Shefqet KRASNIQI: NJË DITË NË MEKËN E NDERUAR

 


Gjendem në Mekën e shenjtë, në Qabenë e bekuar, ku janë duke u mbajtur edhe garat e Kur’anit për të tridhjetetretën herë me radhë. Këto gara janë të nivelit ndërkombëtar, me 146 garues nga 53 shtete të botës, e në mesin e të cilave edhe Kosova me përfaqësues Jasir Krasniqin, tim bir.


Garat janë të organizuara nga Mbretëria e Arabisë Saudite ndërsa unë marrë pjesë si vëzhgues. Në fakt, derisa po vëzhgoja garat meditoja po kështu në madhështinë e kësaj feje dhe këtij libri, Kur’anit. Njerëz të racave të ndryshme dhe me gjuhë, tradita dhe zakone të ndryshme, por që të gjithë e ndienin njëri tjetrin për vëlla. E kush i vëllazëron e bashkon njerëzit më shumë e më mirë sesa ky Islam, zaten për këtë edhe ka zbritur.


Ky Kur’an i cili nga dita që zbriti vazhdon të jetë i shëndoshë dhe i pandryshuar për as edhe një shkronjë të vetme, dhe kështu do të vazhdoj deri në amshim. Faktikisht, Kur’ani është libri i vetëm qiellor i mbetur ashtu si ka zbritur, pa pësuar asnjë ndryshim. Ky Kur’an vazhdon të jetë libri më i lexuar dhe më i popullarizuar në mbarë botën, e njëkohësisht më së shumti çmohet, studiohet, ruhet e mësohet përmendsh. Madje kjo e fundit është karakteristikë e vetëm Kur’anit. Tash e katërmbëdhjetë shekuj vazhdon të lexohet e të mësohet për njëzetekatër orë rresht në të gjitha vendet e botës, nga të gjithë popujt, si ata që e dinë gjuhën arabe dhe e kuptojnë, si nga të tjerët që nuk e kuptojnë fare por e lexojnë atë sepse është libër i Zotit të tyre, është fjalë e Zotit të tyre. Është shumë interesant se si mund të zihet përmendësh tërë ai libër nga dikush që nuk kupton asnjë fjali, siç është rasti me djalin tim dhe shumë të tjerë që po marrin pjesë në këto gara, ku aq mirë e rrjedhshëm e lexojnë këtë libër saqë është vështirë t’i mbash lotët. Djem të moshave të reja deri në dhjetë vjet, bile diku – diku ka edhe më të vegjël që e kanë mësuar tërë këtë libër përmendësh. Po të nderuar ky është një argument në vete se Kur’ani nuk është punë e njeriut, por i të madhit Zot i Cili ua lehtëson zënien përmendësh atyre që ia mësyjnë. Thotë Allahu: “Ne Kur’anin e bëmë të lehtë për mësim, (për zënie përmendësh), po a ka ndokush që merr mësim?” (Kur’an, el-Kamer: 17).


Këto gara kanë dhe një veçori tjetër. Po mbahen në Mekë, dhe atë mu në Qabe, në një skaj të saj, aty ku edhe ishte fillimi i zbritjes së tij para 1440 viteve, me të cilin Allahu e nxori Mekën dhe banorët e saj nga ajo errësirë që i kishte kapluar, në dritë, dhe edhe sot e kësaj dite vazhdon ta luaj të njëjtin rol. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Është e vërtetë se ky Kur’an udhëzon për atë rrugë që është më se e vërteta, e besimtarët që bëjnë vepra të mira i përgëzon se ata pa dyshim do të kenë shpërblim të madh” (Kur’an, el-Isra: 9). Ka udhëzuar në rrugën më të mirë deri më tani dhe do të vazhdon ta bëjë të njëjtën gjë me emër të Allahut xh.sh. pa u mposhtur dhe sfiduar nga askush. E si të sfidohet kur ky Kur’an vet i thërret njerëzit që t’i qasen, ta studiojnë, ta krahasojnë atë me kë të donë, e do të binden se libër i kujt është ai. Allahu i Madhëruar ka thënë: “A nuk e përfillin ata (me vëmendje) Kur’anin ( a nuk e studiojnë atë)? Sikur të ishte prej dikujt tjetër, përveç prej All-llahut, do të gjenin në te shumë kundërthënie” (Kur’an, en-Nisa: 82).


Kur’ani nuk vuan nga kundërthëniet dhe ata që mundohen të gjejnë diç të tillë në të vetëm do ta humbasin kohën kot. Kur’ani madje nuk bie ndesh as me shkencën, për të thënë se i paraprin asaj në shumë drejtime. Në vazhdimësi po zbulohen gjëra nga shkenca, e që më pas po kuptohet se ato veç paskan qenë të cekura në Kur’an, e për këtë shih se çka thotë Allahu: “Ne do t’ua bëjmë atyre të mundshme që t’i shohin argumentet Tona në horizonte( në qiej e në tokë, në pemë e perime, në male, kodra e dete…)dhe në veten e tyre deri sa t’u bëhet e qartë se ai (Kur’ani) është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë?” (Kur’an, Fusilet: 53). A nuk ju mjafton atyre ta kuptojnë se Zoti qëndron pas çdo gjëje që ju e shihni, se çdo gjë ka urtësinë e vet pse është krijuar ashtu e jo kështu?!


Kur’an është i bukur për ta lexuar, i lehtë për ta mësuar, i ëmbël për ta dëgjuar, në të ka informata për të kaluarën, njoftime e lajme për të ardhmen…Ai është rruga e vërtetë, nuk ngopen me të dijetarët, nuk lodhën e as nuk ndiejnë monotoni prej tij lexuesit e dëgjuesit. Çudirat e tij nuk përfundojnë. Ai që flet me të gjithherë ia qëllon, ai që gjykon me te kurrë nuk gabon. Ah mjeri unë për popullin tim që e kanë hedh pas shpine këtë libër, ah mjeri unë për ta sikur ta kishin lexuar, mësuar e studiuar, sikur mesazhin e tij ta kishin kuptuar, pastaj edhe ëmbëlsinë e tij do ta kishin shijuar, e rrugën e tij me siguri do ta kishin pasuar. Po të nderuar ky është Kur’ani që ne si popull ende shumë pak dimë për të, shumë pak merremi me të, shumë pak i kushtojmë rëndësi. Allahu na drejtoftë neve të gjithëve, na bëftë që ta duam Kur’anin, ta lexojmë e ta mësojmë, ta analizojmë e ta studiojmë dhe me te të punojmë, në mënyrë që të lumtur e krenarë të jetojmë, po edhe të mirat e Xhenetit nesër në botën tjetër t’i shijojmë, amin dhe deri javën e ardhshme me një temë tjetër! Selam alejkum nga Meka e Nderuar.


 


 


Dr. Shefqet KRASNIQI: EKLIPSI I HËNËS


 


Para pak ditësh një pjesë e madhe e njerëzve nga anë të ndryshme të botës patën rastin ta shohin eklipsin e hënës, ku ajo u zë diku pjesërisht e  diku edhe tërësisht. Është interesant se me këtë fenomen janë ndërlidhur gjithmonë besëtytni. Njerëzit kur ka ndodhur eklipsi i Hënës apo i Diellit janë frikësuar dhe kanë filluar të mendojnë se diçka do të ndodh, apo është afër ndodhja e ndonjë të lige. P.sh arabët para ardhjes së Islamit kanë konsideruar se zënia e Hënës ndodh kur vdes ndonjë njeri i madh, si ndonjë mbret, apo njeri fetar, etj. Kështu, gabimisht, besuan edhe ditën kur Profetit Muhamed i vdiq një djalë shtatëmbëdhjetë muajsh me emrin Ibrahim, e që rastisi të ndodhë eklipsi i hënës. Njerëzit e ndërlidhën këtë me vdekjen e tij, ndërsa Muhammedi, alejhi selam, u kujdes maksimalisht që bindje të tilla të gabuara, të paktën në mesin e muslimanëve të mos ekzistojnë. Atëbotë, Profeti Muhamed tha: “Dielli dhe Hëna janë dy argumente (shenja) prej argumenteve të Allahut. Ato nuk zihen për vdekjen e as për lindjen e askujt, por me to Allahu i frikëson robërit e Tij, ashtu që kur të zihet Hëna e Dielli falni namaz dhe lutuni derisa të ndriçohen ato”.
Po, të nderuar, eklipsi i Hënës po ndodh bile edhe atë jo rrallë, e shkenca thotë se ajo ndodh kur Hëna hyn në hijen e Tokës, për ç’shkak nuk mund të ndriçohet nga Dielli kështu që paraqitet eklipsi i saj. Shkencës duhet t’i besojmë dhe nuk dyshojmë në këtë realitet, mirëpo kush është ai i cili krijoi Hënën e Diellin, Tokën e Qiellin? Kush është Ai i Cili e vë në lëvizje Hënën e Diellin dhe çdo gjë tjetër, pos Allahut të Madhëruar, siç thotë në Kur’an: “Për ju i nënshtroi Diellin dhe Hënën që në mënyrë të zakonshme vazhdimisht (pa ndërpre) udhëtojnë. Për ju përshtati edhe natën e ditën” (Kur’an, Ibrahim:33)
Ajete të kësaj natyre janë me dhjetëra ku paraqitet dhe dëshmohet se Allahu i Madhëruar jo vetëm që është Krijues i gjithësisë dhe çfarë ka në të, porse edhe të gjitha këto janë dhe veprojnë sipas një preciziteti të përkryer, të vënë paraprakisht nga Vet Ai. Nuk ngecin, nuk harxhohen, nuk e gabojnë rrugën, dhe jo vetëm Dielli e Hëna, por shiko me miliona e miliarda yje të cilat gjinden në këtë gjithësi, e që të gjitha lëvizin dhe kryejnë funksionin e tyre në mënyrën më të saktë të mundshme. A nuk është e gjithë kjo një argument i qartë se Mjeshtri i gjithësisë është vetëm Allahu dhe askush tjetër!? Hëna, një satelit i tokës, një krijesë e çuditshme, të cilën të gjithë e duam, në veçanti kur është e plotë. Ah sa e bukur është Hëna, por më i bukur është Krijuesi i Hënës dhe i gjithësisë. Ajo Hënë e cila në fillim duket shumë pak si draper, e më pas për çdo natë vie duke u rritur e plotësuar derisa të mbushet e tëra e të bëhet e plotë, e pastaj vije duke u zvogëluar derisa të harxhohet fare e të fshihet tërësisht. Për çdo natë ka pozitën e saj të veçantë, ku gjithsej ka njëzet e tetë pozita, e dy net fshihet e nuk duket fare, nëse muaji i ka tridhjetë ditë, apo fshihet një natë nëse muaji i ka njëzetë e nëntë ditë. E pse të jetë e tillë, gjithherë në ndryshim, përkundër Diellit i cili nuk ndryshon, gjithherë është i plotë, shihet ashtu edhe si është?! Allahu i Madhëruar ka dashur që nëpërmjet Hënës ta caktoj edhe kohën, -natyrisht përpos shumë funksioneve tjera të cilat i luan- ngase njerëzit më herët nuk kanë pasur si ta dinë se kur është fillimi i muajit, mesi apo fundi i tij, e nëpërmjet Hënës e kanë ditur këtë dhe e kanë matur kohën. Për atë arsye kanë thënë p.sh: në fillim të Hënës, në mes të saj apo në fund, do t’i vijë filani, do ta bëjmë këtë e këtë e kështu me radhë. Bile kështu kanë vepruar edhe tek ne populli ynë, e ka të atillë që edhe më tej veprojnë, edhe unë fal Zotit me Hënë e di saktë se në cilën ditë të muajit jemi. E pse Allahu e zgjodhi bash Hënën për këtë? E zgjodhi atë ngase atë e shohin tërë njerëzimi, pastaj atë e kuptojnë të gjitha shtresat e njerëzve, si ata që dinë ta matin kohën me Diell, apo dinë të lexojnë, si ata që janë analfabet, si të vjetrit si të rinjtë, që të gjithë janë të barabartë në këtë çështje. Thotë Allahu në lidhje me këtë: “Ai e bëri Diellin shndritës, e Hënën dritë dhe asaj (hënës) ia caktoi fazat -pozitat, që ta dini numrin e viteve dhe llogarinë. All-llahu nuk e krijoi këtë për tjetër, pos me qëllim të caktuar. Ai ia sqaron argumentet një populli që kupton” (Kur’an, Junus:5)
Si do që të jetë, të medituarit për Hënën e Diellin dhe për këtë gjithësi dhe të studiuarit e saj është një madhështi, është një kënaqësi, është një botë e pashtershme me njohuri e çudira. E ne nuk jemi këtu të flasim për astronomi, e as fizik, por për eklipsin e Hënës me të cilin Allahu do t’ia tërheq vërejtjen njerëzve se ata veç e kanë lëshuar rrugën e Tij dhe se Ai është i hidhëruar në ta. Andaj le ta dinë ata se nuk i kanë punët mirë me Zotin e gjithësisë, e ai që nuk i ka punët mirë me Të le të ketë kujdes se mund të pason dënimi nëse nuk përmirësohet. Pra qëllimi kryesorë i eklipsit të Hënës dhe Diellit është që njerëzit ti kthehen mesazhit qiellor, ti rregullojnë raportet me qiellin. Një gjë duhet pasur parasysh se edhe vërshimet vijnë si rezultat i shirave të shumta, por kush është Ai i cili i lëshon shirat, apo edhe cunami vie si rezultat i ndonjë tërmeti të madh në det apo oqean, por kush është Ai që shkakton tërmetin, e kështu me radhë. Ai është Allahu, Krijuesi i gjithësisë, andaj kthehuni o ju njerëz tek Ai, në fenë e Tij, në mesazhin e Tij para se të bëhet vonë. Allahu na ruajt nga hidhërimi i Tij, nga dënimi i Tij, nga çdo e ligë e cila mundë të na godet si shkak i mëkateve tona. Amin dhe deri javën e ardhshme me një temë tjetër selam alejkum ve rahmetullah.


 


Dr. Shefqet Krasniqi: SHQIPTARËT DHE PALESTINA


 


Veç sa lamë pas vitin e ri hixhri, apo atë të kalendarit hënor. E tash filluam një vit të ri ku shpresojmë se do të jetë i suksesshëm për ne si popull, por pse jo edhe për mbarë njerëzimin. A nuk ka ardhur Islami për mbarë njerëzit, a nuk ua do të mirën të gjithë njerëzve, a nuk synon lumturinë e tyre në këtë dhe në botën tjetër?! A nuk rrjedh emri Islam nga fjala ‘selem’, e që do të thotë, paqe, lumturi, siguri, qetësi, mirësi për të gjithë? A nuk është edhe përshëndetja e muslimanëve ‘selam’, pra paqe? A ka kush në botë që ka përhapur paqen më shumë sesa myslimanët dhe a ka kush që e do më shumë atë për mbarë njerëzimin, sesa myslimanët? Çdo kush që pretendon se e përhapë paqen, apo ua do atë të tjerëve, ai e ka për interes dhe kjo është duke u parë qartë në tërë botën. Gjithsesi, përjashtim bëjnë myslimanët, por -mjerisht- ata tashmë nuk janë faktor me rëndësi. Historia  e di fortë mirë të kaluarën e tyre se kush kanë qenë dhe çfarë synimi kanë pasur, kështu që le të shpresojmë se rikthimi i tyre në skenë nuk do të vonojë dhe se me vet kthimin e tyre edhe njerëzimit do t’i kthehet nderi dhe dinjiteti.


Kthehemi aty ku mbetëm, jemi në ditët e para të muajit të parë të kalendarit hixhri apo hënor, në muajin Muharrem, që pas tri dite, apo më konkretisht me dhjetë (10) Muharrem është një datë goxha me rëndësi për muslimanët, ngase është dita e “ashureve”, dita kur Allahu shpëtoi Musaun a.s. dhe popullin e tij dhe fundosi Faraonin dhe ushtrinë e tij. Për t’i treguar mbarë botës se para fuqisë së Allahut nuk mundë të dalë asnjë njeri, e as një fuqi tjetër në botë sado qoftë ajo e madhe apo e fortë. Çdo gjë është e vogël për ballë lartmadhërisë së Allahut xh.sh. “Zoti yt është ai i fuqishmi, ngadhënjyesi” (Kur’an, Hud: 66).  E si shenjë falënderimi për Zotin që ju ndihmoj atyre myslimanëve, Musau agjëroi, pastaj populli i tij, po edhe Profeti Muhamed a.s. agjëroi dhe urdhëroi të agjërohet ajo ditë duke ja shtuar një ditë para apo mbrapa, e që premtoi shumë sevap për atë që agjëron atë ditë.  Kjo ngjarje e madhe ndodhi diku para 3500 viteve, atëherë kur profeti Musa ishte urdhëruar nga Zoti që popullin e tij izraelitët t’i marr nga Egjipti dhe t’i shpëtoi ata nga mizoria dhe tortura e Faraonit, për t’i dërguar më pas në Palestinë, në Xhaminë Al-Aksa, xhami kjo e cila pati një histori shumë të vjetër, shumë interesante dhe me plot ndodhi. Xhami kjo për të cilën edhe sot e kësaj dite janë të armiqësuar shumë keq dy popuj, që secili nga ta pretendon se ka më shumë hak dhe të drejtë në të, pra janë këta popujt palestinez dhe izraelit. E që ky i dyti me ndihmën e anglezëve dhe të tjerëve në vitin 1948 shpalli shtetin e tij brenda territorit të Palestinës dhe vazhdoi të okupoj toka të një pas njëshme, e të dëboj miliona palestinez jashtë shtetit të tyre, e që si rezultat i këtij pretendimi dhe kësaj politike, u bënë shumë lufta arabo izraelite. E meqë ra fjala, tashmë Pelestinezët janë shumë afër realizimit të ëndrrave të tyre për ta shpallur shtetin e tyre, së paku ata po shpresojnë dhe po përpiqen për çka kanë edhe përkrahjen e shumë shteteve të botës. Ngase njerëzit instinktivisht janë të përgatitur që ta përkrahin viktimën, që të qëndrojnë krahë të dobëtit. Jam shumë i bindur se edhe ne shqiptarët – së paku shumica dërmuese- qëndrojmë krah palestinezëve në realizimin e aspiratave të tyre.  Jo vetëm pse ata janë myslimanë dhe i përkasin fesë tonë dhe kaq, por pse kanë vuajtur shumë dhe është e drejtë e tyre e plotë që edhe ata të jetojnë si njerëzit tjerë, ta kenë shtetin e tyre, lirinë e tyre. Ne si myslimanë edhe fetarisht jemi të obliguar që të qëndrojmë krah të ligjve e të dobëtëve. Ne si mysliman dënojmë atje ashpër holokaustin, apo vrasjen masive të evrejëve nga ana e nazistëve gjerman gjatë luftës së dytë botërore, ngase ai ka qenë një zullum dhe padrejtësi që ju është bërë njerëzve të pafajshëm, në veçanti kur dihet se ajo torturë nuk kurseu as gratë e fëmijët. Por këtu përkrahim palestinezët dhe të drejtën e tyre për shtetformim, ngase ata kanë hekur shumë dhe janë duke hekur. Atëbotë, gjatë luftës së dytë botërore evrejtë ishin viktimë, ndërsa nazistët fajtorë, kurse sot, palestinezët janë viktimë, ndërsa Izraelitët janë okupatorë. Në Palestinë që nga koha e okupimit janë vrarë me mija gra e fëmijë, janë dëbuar miliona njerëz nga vatrat e tyre, janë okupuar mbi 80% e territorit të shtetit të tyre, të tokës së tyre që e kanë trashëguar me shekuj. Ne shqiptarët nga Kosova më së miri e dimë se çka është me vuajtur nga armiku, se çka është me qenë të okupuar. Ne ia besojmë më së miri atij populli i cili lufton për liri. Kur ka qenë koha për t’i përkrahur e mbrojtur evrejt i kemi përkrahur, bile shqiptarët janë ndër popujt që shumë i kanë përkrahur evrejt dhe i kanë fshehur gjatë okupimit gjerman. Duke i strehuar ata nëpër shtëpitë e tyre, me çka kanë rrezikuar edhe tërë familjen. Por tashmë situata qëndron krejt ndryshe dhe se ne si popull duhet komplet ta përkrahim popullin palestinez. Por ja që si duket qeveritë tona, ajo e Kosovës dhe e Shqipërisë, nuk mbajnë këtë qëndrim. Ato kanë vendosur që me çdo kusht të qëndrojnë krah Izraelit, duke mos përkrahur iniciativën palestineze për pavarësi. Nëse qeveria jonë është shumë e varur nga faktori ndërkombëtar, për mos me thënë se nuk guxon ta njoh shtetin palestinez duke pasur frikë se po i dëmton proceset e shtetformimit, për çka ndoshta edhe justifikohet deri diku, po qeveria e Shqipërisë si ta justifikoj qëndrimin e saj?!


Qëndrimi i Shqipërisë përball palestinezëve në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-ës, e pastaj edhe gjatë vizitës së kryeministrit Berisha në Izrael, ishin dy hapa pro Izraelit dhe kundër Palestines, gjë që ka befasuar shumë qytetarë të kombit tonë. Si bëhet që qeveria shqiptare të dal kundër dëshirës së popullit të saj, si bëhet që t’i dal krah fajtorit? Çfarë dallimi ka mes okupimit serb në Kosovë dhe atij Izraelit në Palestinë? Pse ne patëm të drejt lirie, e ata nuk paskan? Kush vuan sot në botë më shumë sesa populli palestinezë, ku vriten e persekutohen më shumë gratë e fëmijët sesa në Palestinë? Lehtë është me përkrah të fortin, por është vështirë me përkrah të dobëtin. Ajo është burrëri, ajo është drejtësi, ajo është mirësi, që ‘të zezes t’i thuhet e zezë, por edhe të bardhës t’i thuhet e bardhë’, pavarësisht se nganjëherë mundë të kushtoj. Mendoj se kryeministri shqiptar ka bërë një gabim të madh që nuk ka vizituar edhe anën tjetër të palestinezëve, për t’i shikuar hallet e tyre, për t’i dëgjuar ata, për ta parë me sytë e vet se sa vuan një popull i tërë.


Pastaj a ndalen me menduar qeveritë shqiptare, se me këtë qëndrim të njëanshëm të tyre mund t’i dëmtojnë raportet tona si komb me mbi 60 shtete islame në botë, të cilat sot ani pse nuk janë faktor vendimmarrës në botë, megjithatë kanë një ndikim shumë të madh. Tekefundit, varet pranimi i shtetit të Kosovës prej tyre. Mendoj se politika e shteteve shqiptare nuk duhet të jetë e ndikuar apo e prekur nga disa liderë të qeverisë palestineze karshi qeverisë së Serbisë se nuk kanë për ta njohur Kosovën, por duhet të jetë e respektit të lirisë, jo e reciprocitetit, në veçanti ndaj një populli që për nga vuajtja janë të parët në botë.


Nuk do të doja të ndahem me ju pa shprehur edhe befasinë time për të mirë nga shkrimi i publicistit Veton Surroi, i cili prej një vizionari dhe strategu shprehu një qëndrim shumë të matur dhe të peshuar mirë, qëndrim human dhe apolitik, e që në fakt do të duhej të ishte edhe qëndrimi i qeverive tona.  


Allahu i drejtoftë qeveritarët dhe politikanët shqiptarë, e ju ndihmoftë popullit palestinezë në realizimin e ëndrrave të tyre, ashtu siç na ndihmoj neve. Amin dhe deri javën e ardhshme me  një temë tjetër selam alejkum.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …