Që kur nis rrëfimin e saj, sa autentik e të sinqertë, po aq edhe dramatik, autorja Zarije Zenuni Bajrami thotë:
“VETË JETA IME ËSHTË NJË ROMAN I TËRË!”
Duke lexuar këtë monografi, herë-herë më ngjan me rrëfimet epike të kreshnikëve, e herë një roman, këngë apo poezi!
“AGIMI I NJË JETE PA PERËNDIM”, i autores Zarije Zenuni Bajrami, i është kushtuar gjysmës së saj, njeriut dhe shokut të saj të jetës e idealit, duke ia njohur shpirtin atdhetar e kombëtar, veprimtarinë e denjë që prej orëve të para të lirisë, Agimit!
Ne shokët e idealit, gjenerata e sakrificës, vuajtjeve e persekutimeve, dënimeve e linçimeve të një pushteti okupator e mizor, për ta çuar në vend amanetin e rrugëtimit qindravjeçar në kërkim të lirisë e bashkimit kombëtar, ia patëm borxh kombit ta derdhim gjakun e ta falim jetën.
I tillë ishte AGIMI, për të gjithë ata që e njohën nga afër, bashkëpunuan dhe vepruan, si dhe për ne që e njihnim nga larg.
Sot kemi në duar një vepër e cila si kush tjetër më mirë se gjysma e zemrës së tij, na e sjell të gjallë, bashkëshortja e heroit të kombit, Agim Bajrami.
Vetë lidhja e tyre dhe dashuria e çiltër si ndjenjë njerëzore, ishte një sfidë. Të pakta ishin femrat që thyenin tabutë kohore dhe flisnin për dëshirat dhe zgjedhjet e tyre. Ata, të vendosur me besa-besë, arrijnë t’i tejkalojnë të gjitha barrierat, duke bërë që më në fund dashuria e tyre të ngadhënjejë. Bajrami dhe Zenuni arrijnë t’i miqësojnë familjet e tyre, me ëndrrën për një jetë të tërë së bashku.
Çifti i ri, gjatë rrugëtimit jetësor do ketë të sërishme ndarjet dhe bashkimet, ditët e lumtura dhe ato të hidhura, kujtimet e panumërta, sa krenare, po aq edhe përplot dhimbje, mall, nostalgji, lot …
Burgosjet, ndjekjet, jeta dhe veprimtaria ilegale, vetëm se e forconin idealin e trimit, ia hapnin sytë, duke e ndërgjegjësuar gjithmonë e më shumë, se liria nuk vjen pa sakrificë, djersë, mund e gjak.
Duke u bërë e pamundur veprimtaria në Kosovë, sepse agjenturat dhe shërbimet sekrete nga milicët dhe inspektorët, bashkëpunëtorëve shqipfolës të UDB-së, nuk po linin më fushë veprimi, Agimi detyrohet të emigrojë në Zvicër, për të vazhduar edhe atje, me Lëvizjen Popullore të Kosovës e cila kishte tubuar pranë vetes bijtë më të mirë, patriotë e atdhetarë nga të gjitha trojet e Shqipërisë së mbetur jasht kufirit të shtetit shqiptarë.
Një ditë do merrte udhën drejt Zvicrës edhe vet Zarija me kunatin, duke kaluar peripeci e odiseadë tejet me rrezik, për të qenë krah Agimit, që të vazhdonin me rrugëtimin, me lumturinë, të ndërtonin familjen të cilën e kishin ëndërruar gjatë, të lindnin fëmijët e tyre dhe ta gëzonin jetën.
Në Kosovë, jeta e shqiptarëve për të parë ditë të bardha po bëhej gjithnjë e më e vështirë. E vetmja mundësi zgjidhjeje dhe zgjedhjeje për realizimin e aspiratave shekullore, arritjen e lirisë, heqjen e zgjedhës serbe, kishte mbetur rezistenca e armatosur.
Agimi me shokë, kurrë nuk ndenjën duarkryq. Kishin punuar gjatë duke parandjerë se një ditë, edhe do duhej ngjeshur arma, andaj një ndarje tjetër po trokiste sërish tek Zarija e Agimi. Nuk ishte aspak e lehtë kjo ndarje, sepse si asnjëherë tjetër, tani do ikte me një mision të shenjtë, e kthimit nuk i dihej…
“M’i ruaj, m’i rrit, e m’i eduko mirë fëmijët, oj nuse ….!”
“PO-, do i thoshte sojnikja Zarije – TI KERKOVE LIRINE ME PRANGA NE DUAR!
Nisu Agim Bajrami, atje të pret Kosova, shokët e idealit, i duhësh UÇK-së, atje po të thërret LIRIA …!”
Pushkët e lirisë po jehonin anembanë në trojet e Dardanisë. Bijtë e bijat të rreshtuar në radhët e UÇK-së, po e bënin luftën për liri a vdekje! Gjaku i bijve më të mirë të kombit nga të gjitha anët, ku ka shqiptarë, do derdhet si një lumë.
Agimi do bjerë në altarin e lirisë, pa ia parë kurrë armiku shpinën. Do bjerë ashtu siç edhe kishte dëshiruar, ta falë jetën për Kosovën që brezat e ardhshëm të rriten lirshëm dhe pa drojë e ta gëzojnë lirinë.
E Zarija, do vazhdojë krenare, të përkujdeset për fëmijët, që t’i rrisë ata dhe t’i edukojë më së miri. Jeta pa Agimin ishte e rëndë, ishte një luftë më vete për të. Ajo do duhej të kalonte çaste të rënda me shëndetin e saj, si dhe përkujdesjen për fëmijët, edhe pse kurrë nuk u la e vetme nga familjarët e shokëve të idealit të Agimit. Ajo nuk e kishte të lehtë çfarë dhe si do u përgjigjej fëmijëve që kërkonin të atin. Çfarë do i thoshte vajzës e cila e priste babain nga qielli, t’ia kthente “zogu i hekurt”, si do i përgjigjej djalit që e kërkonte ta përcillte për në çerdhe? Po më të voglit engjëll që nuk e njohu kurrë babain e tij, si do ia shpjegonte? Po nipave dhe mbesave të Agimit?
Librit, i janë bashkëngjitur edhe disa nga rrëfimet e shokëve të Agimit që njohu në burg, në veprimtaritë atdhetare dhe në luftë. Për heroin janë kënduar shumë këngë e janë thurur shumë vargje, të cilat i shtojnë rëndësinë librit.
E përgëzoj autoren Zarije, duke i dëshiruar shëndet e mbarësi në familje!
Në mbyllje do citoj disa nga vargjet që dhjetra vite me herët, i thurën shokët e ilegales:
“Çdo gjë që ju intereson të dini për dëshmorët, ecni në rrugën e tyre” Bahri Fazliu