leoni

Dr. Fahrush REXHEPI: Islami nuk e mohon identitetin kombëtar

 


Mbështetur në shumë argumente Kur’anore, mund të themi se burimet themelore të islamit, si dhe vetë feja islame kanë qëndrim pozitiv dhe të pranueshëm ndaj kombit. Nocioni “komb” nga arabishtja “kavm” përmendet në shumë vende në Kur’an, që nënkupton se islami e njeh fenomenin komb, pasi vetë dëshira e Krijuesit të gjithësisë ishte që njerëzit të jenë të ndarë në popuj, në raca e në fise të ndryshme. Kështu, në Kur’an thuhet: “Dhe në mesin e argumenteve të Tij, që dëshmojnë për ekzistencën e All-llahut, janë edhe krijimi i qiejve dhe i tokës, si dhe llojllojshmëria e gjuhëve dhe e ngjyrave tuaja. Në këto, pa dyshim, ka fakte për dijetarët”.(Kur’an, 30: 22).


 


Në Kur’an, nocionin “kavm” (komb) e gjejmë edhe në ajetin : “Ne asnjë nga të dërguarit nuk i dërguam ndryshe vetëm në gjuhën e popullit të vet,  ashtu që ai t’u shpjegojë atyre (në atë gjuhë)”.(Kur’an, 14:4).


 


Vetë fakti se në këto ajete Kur’anore përmenden nocionet “komb”, “popull”, “racë”, gjuhë”, jep të kuptojë të drejtën  e njerëzve për manifestimin e ndjenjës kombëtare dhe për përdorimin e gjuhës amtare në rrafshe të ndryshme të jetës, që është një prej komponentëve kryesorë të kombit.


 


Shprehjen e nacionalizmit apo dashurinë ndaj kombit të vet e vërejmë edhe te profeti Muhamed (a.s), te shokët e tij dhe te halifët myslimanë. Ja si e përshkruan Hafiz Ali Korça profetin Muhamed (a.s) në vjershën e tij “Muslimanizma dhe nasjonalizma”, të ushqyerit me dashuri për kombin e vet: “I math pejngamberi nur (dritë) i gjithësisë unë jam areb (arab) thoshte faqe njerzisë”. “Nder të math e njihte kombësinë e vet. Që këtë e thotë edhe Kur’ani vet”. “Nasjonalist them pejngamberët ishin se librat në gjuhët e veta i kishin”. Ndërsa për ndjenjat nacionaliste të halifit Ebu Beker, ai shkruante: “Edhe Ebu Beqri kombin e lëvdonte, fenë-mëmëdhenë të dyja i donte”.


 


Dallimet në raca, fise, kombe dhe tradita, sipas islamit, janë vlera shoqërore, që kanë për qëllim lehtësimin e marrëdhënieve reciproke dhe njohjen ndërmjet njerëzve. Në Kur’an shkruan: “O ju njerëz vërtet Ne ju krijuam juve prej një burri dhe një gruaje, ju bëmë popuj dhe fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se tek All-llahu më i ndershëm ndër ju është ai që më tepër është ruajtur nga të këqijat …”.(Kur’an, 49:13).


 


Duke u mbështetur në këto principe, raportet ndërmjet fesë dhe kombit te shqiptarët janë zhvilluar normalisht, duke qenë si një binom i pandarë në mes vete, që kanë luajtur rol të rëndësishëm te shoqëria jonë. Është e paanalizuar mirë dhe e palogjikshme pyetja që shtrohet shpeshherë nga disa individë, si: “Cila është më e rëndësishme: feja  apo kombi?”. Këtë pyetje pothuajse dinë ta shtrojnë vetëm disa pseudopatriotë dhe pseudointelektualë shqiptarë. Kur shtrohet kjo pyetje, sikur insistohet mënjanimi ose eliminimi i njërit apo i tjetrit identitet, veçanërisht i atij fetar. Mendojmë se çdo individ që mundohet të ngrihet në aspektin kombëtar duke e mohuar apo duke  injoruar fenë, nuk është patriot i vërtetë me plotë kuptimin e fjalës. Prandaj, vlerësimet e disa pseudopedagogëve, pseudohistorianëve dhe pseudointelektualëve që i ndajnë në “bardh e zi”, raportet ndërmjet fesë dhe kombit janë së pari tendencioze, por edhe të padrejta dhe të paargumentuara shkencërisht. 


 


  rikujtojmë se dikur komunizmi në Shqipëri kishte zhvilluar një propagandë të rrejshme, kinse feja nuk e njeh kombin, se ajo e pengon arsimimin, se feja është një opium për popujt, se ajo e pengon unitetin dhe zhvillimin e shoqërisë etj. Nëpërmjet luftës kundër fesë, komunizmi shpeshherë  ka nxitur konflikte dhe urrejtje ndërfetare, me pasoja për popullin shqiptar, ashtu siç po veprojnë sot në Kosovë disa letërnxirës nëpër gazetat tona, disa mbeturina me elemente të ideologjisë ateisto-komuniste.


 


Nëse feja bie ndesh me kombin dhe me shkencën, si dhe pengon zhvillimin dhe arsimimin e shoqërisë, dhe nëse shqiptarët  asnjëherë nuk paskan qenë të lidhur për fenë, veçmas për islamin, siç deklarojnë disa individë me mentalitet të së kaluarës, dhe nëse feja ishte ndaluar edhe me kushtetutë përplot gjysmëshekulli në Shqipëri, atëherë cilët janë shkaktarët që e lanë Shqipërinë vendin më të pazhvilluar, më të prapambetur dhe më të izoluar në Evropë dhe më gjerë? A thua mos vallë feja, pa pasur fare të drejtë ushtrimi përplot 50 vjet në Shqipëri?!. 


 


Prandaj, fetë te shqiptarët asnjëherë nuk kanë qenë faktorë që kanë penguar zhvillimin e proceseve në Shoqëri. Përkundrazi, ato kanë ndihmuar në zhvillimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar, kulturor dhe në integrimin gjeopolitik të shqiptarëve. Islami, si program dhe sistem i të jetuarit në kuptimin e gjerë të fjalës, kurrë nuk ka qenë përjashtues, as ndaj elementëve të kombit, as ndaj feve të tjera. Pikërisht mbi këto parime edhe është bërë më i lehtë kalimi masiv i shqiptarëve në islam gjatë kohës së Perandorisë Osmane. I nisur fillimisht si rezistencë ndaj dhunës asimiluese sllave dhe interesit për integrim, kalimi në islam me kohë mori rolin e ruajtjes së identitetit shqiptar nga aspiratat  antishqiptare të popujve përreth. Të vërteta e të qëndrueshme janë fjalët e Faik Bej Konicës, i cili thotë :”Po të mos ishte Feja Islame, populli shqiptar do të ishte shumë më tepër në numër, por jo shqiptarë…”.


 


Një fakt tjetër historik i pakontestueshëm është se serbët, gjatë viteve 1340-1347, i kishin pushtuar të gjitha trojet shqiptaro-ilire. Sllavët barbarë, shqiptarëve që nuk e pranonin fenë ortodokse, u bënin dhunë dhe tortura të llojllojshme. Nga ky shkak, më vonë osmanlinjtë në Rumeli u pritën dhe u konsideruan në shumë raste si çlirues.


 


Ata që e minimizojnë dhe e fyejnë trashëgiminë historike, kulturore, fetare dhe politike osmane ndër shqiptarët janë të ndikuar nga propaganda e veshur me petkun krishterë islamofob, e cila e paraqet shqiptarinë myslimane si “prapambetje turke”, ose si mysliman formal të zhveshur nga ndjenja fetare, duke e shndërruar atë gati në laik ose me nuancë të varfra islame. Katoliko-centristët e tillë, me emra myslimanë, krishterimin e paraqesin si feja e të parëve të tyre, duke përdorur  slogane se çdo shqiptar në brendinë e tij ka botëkuptim të krishterë. Duke i përdorur të krishterët si heronj kombëtarë, vihet theksi mbi themelimin e një ideologjie për brezat e ardhshëm që konsiston në paralelizmin e kombit dhe të heronjve të tij me krishterim dhe krishterë.


 


Këta të gjithë e harrojnë poetin e madh shqiptar, priftin katolik françeskan Gjergj Fishtën, i cili, duke e parë rrezikun nga vendet fqinje: Italia, Greqia, Bullgaria , në veçanti nga Serbia  dhe Mali i Zi, në kryeveprën e tij “Lahuta e Malcisë” u drejtohet shqiptarëve me këto fjalë:


“Por, pse na të vegjël jemi /  Pse fis e vëlla nuk kemi/  Na sot shkjaut s’mund t’i bajmë ballë/


 Qi po do t’na përpijë gjallë,/  Prandaj, thon se e lyp e mara/ Qi dhe sod na si perpara,/


 Të rrim njit me mbret t’Stambollit’/   Për me i bamën ballë Nikollit…” /


Poeti i madh i kombit, prifti Gjergj Fishta, vetë e shikonte mbretin, sulltanin, Turqinë, në atë periudhë të vështirë për shqiptarët dhe trojet e tyre, si shpëtimtar dhe si një faktor të bashkimit kombëtar, përballë fqinjëve serbo-malazez…


 


Gjatë historisë së zhvillimit të islamit, krahas përhapjes së tij në trojet shqiptare, ka filluar edhe procesi i arsimimit dhe i përhapjes së kulturës dhe i civilizimit islam, si komponentë përbërëse dhe e pandashme e fesë islame dhe e qytetërimit islam. Mbështetur në vlerat civilizuese, arsimore dhe edukative që proklamonte feja islame, në shumë pjesë dhe qendra të trojeve shqiptare nisën të themeloheshin institucione fetare arsimore, si: xhami, medrese, mejtepe, biblioteka etj., të cilat u vunë në shërbim të popullit shqiptar dhe në shërbim të kombit e atdheut.


 


Të dhënat burimore dhe kujtimet e historisë së popullit të shumëvuajtur shqiptar vërtetojnë se krerët e komunitetit mysliman shqiptar ishin frymëzues dhe drejtues, komandantë shtabesh e njësish të vullnetarëve për mbrojtjen e Shqipërisë Etnike nga sulmet çetnike e synimet komuniste për ripushtimin jugosllav të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare në vitet  1941-1945.


 


Realisht, hoxhallarët që përbënin pjesën absolute të inteligjencës shqiptare në viset e çliruara nga Jugosllavia me shumë zell dhanë prej vetës atë që mundën në atë kohë, duke e luajtur rolin e unitetit midis tri besimeve fetare shqiptare, mbi një pikë të vetme lirinë dhe unitetin e atdheut Shqipëri: “Kemi tri fe, por kemi vetëm një atdhe të përbashkët, një gjuhë, një diell e një Zot. Detyrë mbi detyra kemi mbrojtjen e atdheut, të kufirit të Shqipërisë, këtu përballë armikut shekullor”, ishte amanet i Mulla Idriz Velekincës, komandant i shtabit të Mbrojtjes Kombëtare të nënprefekturës së Gjilanit, e myfti i vendit, që ua shqiptoi oficerëve të regjimentit IV të Mbretërisë Shqiptare në Prishtinë.


Për ta vërtetuar faktin se dijetarët islamitë shqiptarë ishin mësues të denjë të kauzës kombëtare, kujtojmë edhe disa vlerësime politike të artikuluara në programin e mbrojtjes kombëtare të Shqipërisë Etnike nga vaizi (ligjërata) i mulla Vejsel Gutës, i mbajtur në xhaminë “Bajrakli” të Prizrenit, më 17 prill 1943, në dyvjetorin e çlirimit nga pushtuesit jugosllavë, citojmë: “Kosova nga traktati i turpshëm i Versajit hangri grushtin ma të rëndë, u nënshtrua nën zotimin mizuer të një pakice t`egër. Mbeti pothuaj 30 vjet rresht nën shkelmin serb e shkëputën prej nanës Shqipëri…Por, durimin nuk e humbi, shpresën e kishte të gjallë se dikur për hir të së drejtës hyjnore do të binte edhe për Kosovën buria e lirisë”. Kjo buri e lirisë, të cilën sikur e kishte parandier mulla Vejseli para 65 vjetëve, për Kosovën bie më 17 shkurt 2008.


 


Në anën tjetër, personalitetet fetare islame shqiptare patriotike me kohë e kishin denoncuar tradhtinë kombëtare, që mund të vinte veçanërisht nga partia komuniste. Mulla Mustafë Bara, pas formimit të aradhës partizane të Shalës, pasi e fali namazin e xhumasë, kishte kërkuar nga xhemati të betohej mbi Kur`an  se do të luftonte deri në fund kundër partizanëve në tokat shqiptare etnike, ndërsa partizanëve nga radhët e shqiptarëve u tha: “Të ktheheni në shtëpi, ose të dilni në Serbi, përndryshe në çdo moment ju pret plumbi i Mbrojtjes Kombëtare të Shqipërisë”.


 


Lista e hoxhallarëve të viseve shqiptare jashtë Shqipërisë Londineze që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e mbrojtjes kombëtare të “Shqipërisë Etnike” është shumë e gjatë dhe kalon numrin mbi 300 hoxhallarë.


 


Në rrethanat e pas Luftës së Dytë Botërore, tani në Jugosllavinë e Re, nën regjimin komunist, shqiptarët do të përjetonin drama tragjike edhe për gjysmëshekulli. Vetëm gjatë viteve 1945-1950, nën urdhrat e pushtetit sllavokomunist të Beogradit u rrahën dhe u masakruan rreth 50 000 veta, vetëm pse ishin shqiptarë. Në këto rrethana të rënduara për shqiptarët, ulemaja shqiptare, atdhetarë të shquar, si: Mulla Hysen Statovci, mulla Mehmet Dobrosini, mulla Kadri Llashtica, mulla Sadri Prestreshi, myderriz Tahir efendi Thaçi, mulla Adem Ibrahim Maloku, myderriz Hasan efendi Nahi, mulla Riza Osmani, Hafiz Jakup Muqeziu, mulla Iljaz Broja, mulla Ibrahim Polaci, mulla Nurë Gjinoci, mulla Ahmet Çunaku dhe shumë të tjerë u vunë përsëri në shërbim të popullit shqiptar, duke u bërë pjesëmarrës të rezistencës popullore kundër dhunës ushtarake dhe policore serbo-sllave. Madjem shumë prej këtyre hoxhallarëve ishin veprimtarë të dalluar në organizatat politike nacional-demokratike shqiptare, si dhe të dënuar e të persekutuar nga regjimi pansllavist.


 


Roli i ulemasë shqiptare, sipas të dhënave ekzistuese, ishte shumë i rëndësishëm, ndoshta edhe vendimtar në pengimin e shpërnguljes së shqiptarëve nga Kosova për në Turqi, pas “marrëveshjes xhentëlmene” në Split në vitin 1953, e cila kishte për qëllim shfarosjen e shqiptarëve dhe shpërnguljen e tyre nga Jugosllavia për në Turqi. Për këtë arsye, në planet sekrete serbe ekzistonin lista të gjata me emra të hoxhallarëve, që duhej likuiduar pa asnjë hamendje, nëse nuk do të shpërnguleshin nga Kosova. 


 


Mbështetur në të gjitha burimet relevante faktografike të historisë së kombit shqiptar, institucionet fetare islame të Republikës së Kosovës dhe prijësit fetarë shqiptarë të këtyre institucioneve gjithherë kanë qenë në vijë kombëtare-në shërbim të popullit dhe të tolerancës ndërfetare. Këtë rrugë institucionet e Bashkësisë Islame dhe liderët e tyre fetarë kanë vazhduar ta ndjekin edhe gjatë periudhës së fundit të historisë më të Re të popullit shqiptar. Të kujtojmë me këtë rast se nga vitet e 90-ta e deri me përfundimin e luftës së fundit në Kosovë, qindra hoxhallarë kanë qenë të përfshirë në lëvizje e në parti politike, të cilat në programet e tyre kishin për objektiv lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Institucionet e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës-këshillat e tyre, xhamitë,  veçmas medreseja “Alaudin”, ishin shndërruar në qendra të organizimit kombëtar. Këtë e dinë të gjithë, me përjashtim të ndonjë shpirtligu, i cili nuk do ta pranojë realitetin.


 


Edhe gjatë zhvillimit të luftës së fundit në Kosovë, shumë nga teologët islamistë, të cilët po i quan dikush, kanë qenë të rreshtuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës  e dhjetëra të tjerë kanë rënë dëshmorë në altarin e lirisë. Karakteristikë edhe e luftës së fundit është se një pjesë e madhe e dëshmorëve tanë rrjedhin nga familje të mesme e  të varfra, me traditë dhe orientim fetar. Madje, edhe në këtë luftë nuk është shënuar asnjë hoxhë të ketë qenë në anën e pushtuesit. Mu për shkak të pozicionimit kombëtar të hoxhallarëve, sulmi i politikës neofashiste serbe mbi objektet fetare islame nëpër Kosovë ishte shumë i egër, që rezultoi me djegien dhe rrënimin e mbi 200 xhamive, ashtu sikurse më 1919, kur 80 për qind të xhamive Serbia i shndërroi në stalla kuajsh.


 


Ta harrosh këtë kapitull aq të freskët të historisë së Kosovës dhe të akuzosh BIK-un dhe kreun e saj për ekstremizëm islamik dhe heqje dore nga shqiptarizmi për shkak të kërkesave legjitime të besimtarëve islamë, është më tepër se absurd dhe injorancë. Të rikujtojmë faktin se kreu i Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, mr. Naim efendi Tërnava, i cili rrjedh nga një familje e njohur nacionaliste, në kohën kur në medresenë “Alaudin” mbaheshin qindra tubime me karakter kombëtar politik, atdhetar, kulturor e arsimor, ishte drejtues i këtij institucioni fetar, i cili edhe pas fillimit të luftës në Drenicë e mbështeti dhe e ndihmoi në çdo aspekt UÇK-në, që tanimë po e zhvillonte luftën dhëmbë më dhëmbë me forcat kriminale serbosllave.


 


Të akuzosh Bashkësinë Islame të Republikës së Kosovës dhe kreun e saj për ekstremizëm, duke i keqinterpretuar dhe duke i devijuar nëpërmjet shpifjeve e gënjeshtrave deklaratat e tij publike, është e pandërgjegjshme dhe jomorale.


 


Në fund, u bëjmë me dije të gjithë atyre që pa argumente e akuzojnë dhe e identifikojnë BIK-un me individë a grupe ekstreme islamike, dhe atyre që e akuzojnë për lojalitet  ndaj interesave të besimtarëve, se Bashkësia Islame e Kosovës dhe kreu i saj nuk i përkrah veprimet e asnjë grupi, i cili dëmton imazhin dhe interesat e shtetit të pavarur të Kosovës. Mendojmë se zhvillimi dhe konsolidimi i shtetit të pavarur të Republikës së Kosovës është jetik për të gjithë ne. Por, paralelisht me këtë, Bashkësia Islame e Kosovës nuk do të pranojë të jetë servil i askujt, pra as i politikës ditore në dëm të interesave  të besimtarëve islamë që jetojnë në Kosovë. Besojmë se të bashkuar në një rrugë mund të ecin edhe shteti, edhe feja drejt integrimeve evropiane, aty ku e ka synimin edhe shteti sovran i Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …