Zeqir Bekolli: Lamtumirë gjeneral Shaban Shala – shëmbëlltyre e atdhedashësit të përkushtuar

Njëzetvjet më vonë, pikërisht me 31 dhjetor 2011, kur në mënyrë simbolike, në fshatin Negroc  u shënua njëzetvetori i betejes së madhe të Prekazit, të udhëhequr nga komandanti legjendar Adem Jashari, aty, në një retrospektivë njezetvjeçare, doli në shesh pesha dhe rëndësisa e  Gjeneral Shaban Shalës, në hapat e parë të lëvizjes së armatosur.


 


Gjeneral, Shaban Shala, ushtarak, atdhetar dhe shumë i përkushtuar për çështjen kombëtare, papritmas ndërroi jetë, më 5 janar 2012 dhe u nda fizikisht prej nesh duke lënë mbrapa një bagazh të një veprimtarie atdhetare të cilin ia ka lakmi secili, që atdheun e ka dashur dhe ka luftuar për të. Shabani, qysh si fëmijë, ishte frymëzuar nga veprat e heronjve dhe patriotëve tanë të mëdhenj. Ndikim në jetën dhe personalitetin e tij kanë pasur edhe rilindësit tanë, jeta dhe vepra e të cilëve i përkushtohet atdheut. I brumosur dhe i frymëzuar nga veprimtaria e gjeneratave para tij, e shtyn t’i qaset rrugës së vështirë dhe përplot me sakrifica, rrugës së çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës. Ky ishte caku, pikësynimi dhe ideali i Gjeneral Shaban Shalës, vepra e të cilit dëshmon për këtë. >>>


 


Meqë, populli ynë jetonte nën një sundim të egër totalitar serbo-jugosllav ku shqiptarët, në raport me popujt tjerë të ish-Jugosllavisë, jo vetëm që nuk ishin të barbartë, por ata shtypeshin dhe persekutoheshin pa ndërprerë. Kjo gjendje e rëndë e popullit të tij  ndikuan që ai të futej në veprimtarisë ilegale  për çlirim dhe bashkim kombëtar. Rrethanat tejet të vështira për veprim dhe nevoja për të përhapur ide dhe koncepte për përparimin e statusit të Kosovës, deri në shkëputjen e saj nga ish-krijesa artificiale që quhej Jugosllavi, për Shabanin ishin një rast i mirë për të vepruar. I ngarkuar nga Grupi ilegal pas viteve të tetëdhjeta, Shaban Shala merr pjesë në një aksion që për rrethanat e kohës ishte tejet i vështirë.  Në Drejtorinë e Arsimit (të kohës) të komunës së Drenasit, arrinë të marrë një makinë-Shaptilograf e cila përdorej në ilegalitet për shumëzimin e materialeve ilegale dhe të trakteve të ndryshme me të cilat kundërshtohej pushtuesi dhe i bëhej ftesë popullit për ta përmbysur atë. Ky aksion i Grupit, të cilit i përkiste Gjeneral Shala, ia kishte futur frikën në bark strukturave të atëhershme shoqërore-politike të komunës të cilat nuk kalonte takim pa e përmendur, duke shfaqur edhe paaftësinë e struturave e të sistemit për mos zbulimin e rastit dhe ndiqimin e tij. Ky rast dëshmonte se Grupi ku ishte  Shala ishte i organizuar .


Duke vepruar në rrethana tejet të vështira, të një ndjekjeje policore-ushtarake Gjeneral Shala në vitin 1985 arrestohet. Në fushatën e madhe të arrestimeve kundër shqiptarëve,  në gjyqin e Prishtinës, për veprimtarinë e tij patriotike, u denua me 9 vite burg të rëndë të cilat i kaloi nëpër burgjet jugosllave, dhe një periudhë kohore bashkë me dr. Jakup Krasniqin (aktualisht kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës) e kaloi në burgun e Novi Sadit. Ashtu siç ishte i vendosur dhe i përkushtuar në jetë Gjeneral Shala edhe gjatë qendrimit të tij në burg dhe në hetuesi ishte i pa epur dhe falë qendrueshmërisës së tij shumë shokë të idealit me të cilët kishte bashkëpunuar, i kishin shpërtuar persekutimit. Qëndrimi i gjatë në burgjet serbo-jugosllave personalitetin e tij e bënë edhe më të fuqishëm, sepse edhe nga ato pozita e pa për së afërmi pozitën e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, ngase bugjet e asaj periudhe ishin përplot shqiptarë. Kjo bëri që Gjeneral Shala edhe pas daljes nga burgu të vazhdonte veprimtarinë e tij atdhetare. Kësaj radhe i angazhuar në kuadër të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut në Drenas, Gjeneral Shala zhvilloi një aktivitet të palodhshëm në evidencimin dhe përcjelljen e informacioneve për ngjarjet në terren. Ishte një shok i mirë dhe një bashkëpunëtor për lakmi. Për çudi, ai,  nuk dinte për lodhje.Edhe pas daljes nga burgu Shabani ishte marrë në pyetje dhe maltretuar nga policia, por pavarëshisht prej të gjithave asnjëherë nuk ishte gjunjëzuar.


 


Në vitin 1991, përkatësisht më 30 dhjetor , me rastin e rrethimit të hekurt që iu bë familjes dhe përpjekjeve të policisë për ta kapur komandantin legjendar Adem Jashari, n Prekaz, Gjeneral Shaban Shalën e shohim tek merrej me koordinimin e veprimeve në Drenas, për të shkuar në Prekaz, për t’u dalur në ndihmë vëllëzërve Jashari dhe Grupit të rezistencës .Luftimet aso kohe në atë fshat kishin filluar në orën 3,15 minuta të mëngjesit të 30 dhjetorit dhe kishin vazhduar deri pas orës 15 të asaj dite . Policia serbe në fshehtësi kishte rethuar familjen Jashari dhe nëpërmjet megafonit kishte kërkuar që të dorëzohej Adem Jashari. Komandanti legjendar i ndihmuar nga vëllezërit e tij Hamëz dhe Rifat Jashari, jo vetëm që nuk u dorëzuan , por në drejtim të forcave pushtuese ndezën zjarrë dhe hodhën bomba duke lënë në vend dy policë të plagosur . Ato luftime i udhëheqte komandanti legjendar Adem Jashari i shoqëruar me mbi 26 vullnetarë të asaj dite në pyellin afër lagjës Kodrali. Jehona e luftimeve të asaj dite, kundër forcave policore ushtarake të shoqëruara me autoblinda dhe helokopterë ishte përhapur shpejtë në komunën e Drenasit dhe në mbarë Kosovën. Nga anë të ndryshme u nisen vullnetarë të shumtë drejt Prekazit . Edhe në komunën e Drenasit lindi nevoja për një organizim në rast të përhapjes së luftimeve . Në këto rrethana Shabanin e shohim bashkë me Jakup Krasniqin, Ramiz Lladrofcin, Gani Sylën, Ilmi Zekën, dhe veprimtarë të asaj periudhe duke marrë masat e nevojshme për veprime në rast të shkallëzimit të luftimeve.


Meqë luftimet e asaj dite përfunduan brenda ditës , lindi nevoja  për të ndërmarrë veprime e duhura për strehimin e vëllezëve Adem, Hamëz dhe Rifat Jashari, në mënyrë që ata të mos binin në duart e pushtuesit. Kështu, të nesërmen, vëllezërit Jashari, falë edhe kontributit të Gjeneral Shaban Shalës, në natën e Vitit të Ri të vitit 1991-1992 u srehuan në odën e Jakup Krasniqit, ku edhe e kaluan natën e ndërrimit të moteve. Më pastaj, strehë e sigurtë për komandantin legjendar ka qenë edhe shtëpia e Gjeneral Shales.


Njëzetvjet më vonë, pikërisht me 31 dhjetor 2011, kur në mënyrë simbolike u shënua njëzetvetori i betejes së madhe të Prekazit, të udhëhequr nga komandanti legjendar Adem Jashari, në fshatin Negroc, aty ku me vëllezërit e tij kishte kaluar natën e ndërrimit të moteve komandanti legjendar, u evokuan shumë kujtime për këtë ngjarje të madhe të njëzetviteve më pasë. Pikërisht aty, në një retrospektivë njezetvjeçare, doli në shesh pesha dhe rëndësisa e  Gjeneral Shaban Shalës, në hapat e parë të lëvizjes së armatosur. Prandaj, nuk ishte e rastit se komandanti legjendar Adem Jashari dhe heroi i kombit Fehmi Lladrovci në qenien e tij përbënin dy simbole të rëndësishme kombëtare, udhërrëfyes dhe frymëzues drejt punës dhe veprimeve të mëtejme për çlirimin e vendit. Gjeneral Shala e adhuronte pa masë edhe simbolin e rrezistencës sonë kombëtare  Adem Demaqin.


Puna e tij e palodhshme në kuadër të KLMDNJ-së dhe angazhimet e tij konkret për të marrë çdo informacion, për të ditur secilën lëvizje e veprim të forcave pushtuese, pos që kërkonin përkushtim, kërkonin guxim dhe kohë. Në periudhën kur nisi përndjekja, burgosja, madje edhe likuidmi i veprimtarëve dhe pjesëtarëve të  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që vepronin në ilegalitet, Gjeneral Shala ishte pjesëmarrës i drejtpërdrejt i procesit gjyqësor maratonik me rastin e gjykimit të Nait Hasanit dhe 23 shqiptarëve që akuzoheshin për veprimtari të njëjtë. Nën petkun e KMDLNJ-së, ai arriti ta përcjellë procesin dhe të raportojë për rrjedhat e tij.


Ai nuk ishte i pranishëm të secila ngjarje, të secili fshat apo lagje e komunës së Drenasit duke kërkuar informacine nga burimet e dëshmitarë duke mbledhur dëshmi të rëndësishme për t’i dërguar sa më parë në KLMDNJ. Natën e 1 marsit të vitit 1998, e takuam tek po hynte në shtëpinë e Rexhepëve për t’u njohur më për së afërmi me krimin, që kishte bërë policia dhe ushtria serbe mbi banorët e fshatrave Likoshan dhe Qirez, vetëm dy orë pas tërheqjes së forcave serbe nga këto fshatra. Për të kompletuar të dhënat, ai, këtë vend do ta vizitojë edhe të nesërmen. Në këtë fazë, ai më nuk ishte vetëm pjesëtarë i KMDLNJ-së. Rënia heroike e Jasharëve dhe e komandantit legjendar Adem Jashari, në shpirtin e tij u përcoll me dhembje të mëdha. Këto dhembje gjeneral Shala i riktheu në forcë. Kështu, në betejën e zhvilluar në fshatin Gjergjicë, ndërmjet pjesëtarëve të UÇK-së dhe forcave serbe, që vinin nga drejtimi i Kjevës, e takojmë Shalën tek kordinonte veprimet. Aso kohe, në fshat ushtarët e UÇK-së bartnin maska, kurse pak më tutje Shabani gjendej pa maskë, dhe duke vëzhguar lëvizjet e armikut në rrugën e asfaltit Prishtinë- Pejë. Jo fort larg tij, një djalosh, i ulur mbi një arkë me municion mbante një automatik në duar. Shabani, i shpjegoi në detaje luftimin e disa orëve më parë dhe suksesin që atë ditë maji kishin pasur forcat e UÇK-së, para se të mbyllej Gryka e Llapushnikut.


Në këtë periudhë forcat policore kishin bërë përpjekje për ta arrestuar, por falë shkathtësisë së tij, arrin të shpëtojë. Kur kishte parë se ishte i pamundur veprimi nën petkun e KLMDNJ-së, Gjeneral Shala veshi uniformën e UÇK-së, duke u bërë edhe pjesë e Shtabit të kësaj ushtrie.  Angazhimi i tij i drejtpërdrejtë në uniformën e UÇK-së ishte i rëndësishëm për shumë arsye. E para, Shabani ishte një njeri u urtë, i gatshëm për të mbledhur rreth vetës njerëz, i guximshëm dhe vizionar për qëllimin që kishte ai dhe UÇK-ja të cilës i takonte. Edhe nën uniformën ushtarake ai nuk u nda për asnjë çast nga detyrat që merrte nga Shtabi dhe deri në mbarimin e luftës punoi me zellin më të madh. Kontributi i tij i pamohushëm është edhe në fazën e pasluftës në ish-TMK. Mbi të gjitha Gjeneral Shala, vëlla i dëshmorit, Bedri Shala,  arrti t’i lë vendit dhe atdheut të tij shëmbëlltyrën e një atdhedashësi të përkushtuar i cili deri në momentin e fundit të jetës së tij punoi dhe veproi për çlirimin dhe të mirën e vendit, në mënyrë që gjeneratat tona të ardhshme të jetojnë në liri. Vdekja e tij e hershme është një humbje e madhe për familjen dhe kombin, kurse ne bashkëkohasit e tij nuk na mbetet gjë tjetër veç t’i themi : Lamtumirë Gjeneral Shala dhe faleminderit për gjithëatë që bëre për kombin dhe vendin !

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …