16 tetori shënon ditën kur në vitin 1908, në Gjirokastër kishte lindur, Enver Hoxha, prijësi komunist i Shqipërisë, personaliteti më me ndikim dhe me reputacionin më të fortë kombëtar e ideologjik të kohës, themeluesi i Partisë Komuniste Shqiptare, komandanti partizan, i cili me bashkëluftëtarët e tij, udhëhoqi me shumë sukses luftën Antifashiste Nacional-çlirimtare dhe ndërtimin socialist të vendit.
Gjatë tërë kohës së qëndrimit të tij në krye të Shtetit e të Partisë, kishte qenë figura ideologjike e politike e unitetit shtetëror e mbarëkombëtarë. Edhe pse disa qendra botërore kishin bërë përpjekje të pareshtura për ta rrëzuar nga froni, asnjë prej tyre nuk kishte arritur. Po thuajse të gjithë kishin dështuar. Ky dështim i qarqeve më të fuqishme të botës ia shtonte fuqinë dhe besimin se askush nuk mund t’ i bënte asgjë. Dështimet e tilla, bënin që Enver Hoxha ta sforconte bindjen se ishte i pathyeshëm, në radhë të parë sepse ishte në të drejtën e tij dhe në saje të besimit se komunizmi një ditë do të përhapej në tërë botën. Edhe ashtu, në kohën e tij, socializmi ishte ideologji mbisunduese në dy të tretat e botës. Ishte ajo forca magnetike, e cila e tërhiqte dhe për më tepër, ai me kohë kishte filluar të besonte se pasonte dhe e ruante me konsekuencë marksizëm-leninizmin e vërtetë, atë burimor. Ai ishte fiksioni i tij.
Figura dhe personaliteti i Enver Hoxhës do parë e studiuar në të gjitha dimensionet kombëtare, ideologjike, politike, filozofike, gjithnjë në kontest me kohën, me kushtet e rrethanat mbizotëruese gjeopolitike dhe gjeostrategjike në botë. Mbi të gjitha do parë afria e tij me njerëz, dashuria për ta, sinqeriteti dhe miqësia, pa lënë anash edhe luftën pa asnjë kompromis kundër të keqes, kundër tradhtisë, kundër armikut të klasës, kundër asaj që ai e konsideronte të keqe e tradhtare dhe besonte me gjithë mend se ishte e tillë. Ashtu kishin menduar edhe: Marksi, Engelsi, Lenini, Stalini, Tito, Mao Ce duni, Fidel Kastro, Zhivkovi, Dupçeku, Hrushqovi, Ho Shi Mini, dhe qindra udhëheqës komunistë nga mbarë bota. Enver Hoxha në të gjallë të tij nuk e pa rrënimin dhe rënien e sistemit, te i cili i kishte varur shpresat dhe kishte punuar gjatë tërë jetës.
Ai vdiq me besim se Shqipëria do të mbijetonte. Po ashtu vdiq me besimin e patundur se Jugosllavia, e sëmura e Ballkanit, do të shpartallohej dhe Kosova e viset e tjera shqiptare do të çliroheshin nga robëria. Për shumë çka koha dhe zhvillimet pas vdekjes së tij i dhanë të drejtë, por është e pafalshme padrejtësi që po vazhdon t i bëhet ende nga politika shqiptare, e cila ka frikë nga vetvetja ta pranojë të vërtetën për Enver Hoxhën. (RKL)