SHIK-u ka gabuar me mosndëshkimin e tradhtarëve dhe kolaboracionistëve shqipfolës

Në kohën kur LDK-ja, krahu i Isa Mustafës, (i kalbur përbrenda) po mundohet të konsolidohet,  ka marrë përmasa edhe lufta, jo vetëm verbale e pacifistëve të trimëruar pas luftës, të cilët duke qenë vetë të diskredituar e të përlyer veprojnë në stilin e njohur: “Mbama djalin, t’i them sa nuk më ka thënë”. Kështu po vepron sot kreu i LDK-së, titisti i shkollës së Kumrovcit, kryekomunari  i kohës së Milosheviqit dhe krye-azilanti i tre përqindëshit, Isa Mustafa me mafien e tij tashmë të rindërtuar, të rinitegruar  dhe të fuqishme ekonomikisht.   13-vjet pas luftës në Kosovë, për lirinë e së cilës nuk ka asnjë meritë, përkundrazi ka “merita” në diskreditimin e kësaj lufte, Isa Mustafa habitet pse në Kuvendin e Kosovës janë zgjedhur deputetë, luftëtarët e lirisë, për të cilët ai thotë se i kanë shërbyer SHIK-ut, por asnjë fjalë nuk e thotë për deputetët aktualë të Kuvendit të Kosovës  që i kanë shërbyer UDB-së dhe regjimit të Titos e të Milosheviqit. Natyrisht, me këta të fundit ai vetë-identifikohet, duke i arsyetuar për veprimet e tyre pacifiste, pse jo edhe kolaboracioniste, ndërsa SHIK-u i UÇK-së, sipas tij paska qenë organizatë kriminale.(!)>>>


 


Isa Mustafa mendon se biografia e tij është e pastër politikisht dhe kombëtarisht, edhe pse tërë opinioni, madje edhe anëtarët e LDK-së, që kanë moral kombëtar e njerëzor, e dinë mirëfilli kur dhe si është ngritur në politikë ky mohikani, jo i fundit, i ideologjisë së bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me sllavët dhe pionieri i devotshëm i Jugosllavisë titiste e rankoviçiste. Isa Mustafa nuk skuqet për biografinë e tij, meqë ai e di mirëfilli se ka mjaft si ai, të cilët e duan dhe e  mbështesin, pikërisht sepse edhe vetë ata, apo baballarët dhe nënat e tyre kanë qenë pjesë e sistemit komunist titist. Kishte shumë të tillë në Kosovë dhe është iluzion të mendohet se ata kanë ndërruar bindjet, përderisa janë të përkëdhelurit e UNMIK-ut EULEX-it, pse jo edhe të preferuarit aktualë të Serbisë, e cila ka luftë me UÇK-në e me NATO-n, por kurrë nuk pati luftë me LDK-në, e Isa Mustafës.


 


Po çfarë ka Isa Mustafa me SHIK-un, të cilin nuk e kishte përmendur asnjëherë derisa Policia e Kosovës, vitin e kaluar ia arrestoi disa drejtorë të dikastereve të Komunës së Prishtinës, ku Isa Mustafa është kryetar aktual. Të përzgjedhurit e tij në ato poste udhëheqëse janë  akuzuar me prova e fakte për korrupsion, abuzime dhe keqpërdorime zyrtare. Me rastin e fillimit të hetimeve ai gishtin e orientoi te SHIK-u, dhe jo te Prokuroria, meqë sipas tij, SHIK-u po e urdhëruaka Policinë e Kosovës, edhe pse ai e di fare mirë se cila është në përqindje prejardhja politike e ideologjike e policisë së sotme. Isa Mustafa e di fare mirë se me çfarë kurdisjesh nga klanet e fshehta mafioze të LDK-së, të UNMIK-ut dhe EULEX-it janë larguar nga Policia e Kosovës qindra policë, vetëm sepse kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së.


 


Fushata, që Isa Mustafa po ia bën “SHIK”-ut, të shpërbërë katër vjet më parë akordon me kohën kur EULEX-i po përgatit hetime për sikur thuhet trafikim të organeve të serbëve nga UÇK-ja në kohën e luftës, pastaj gjykimi në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë kundër deputetit, Fatmir Limaj dhe 9 bashkëluftëtarëve të tij dhe fushatës gjithnjë konstante të Serbisë kundër kreut politik me prejardhje nga lufta e UÇK-së. I pari i komunistëve të LDK-së, asnjëherë dhe me asnjë moment të vetëm nuk ka qenë në konflikt me regjimin jugosllav, të cilit edhe i kishte shërbyer deri në kohën kur shqiptarët liridashës filluan luftën e armatosur kundër regjimit kriminal të Serbisë.


 


Isa Mustafa po e shfrytëzon rastin e përplasjeve naive të disa deputetëve të PDK-së me deputetët e Vetëvendosjes, shkas ky të cilin do ta shfrytëzonte çdo politikan i llojit dhe i prejardhje ideopolitike të Isa Mustafës dhe sojit të tij.


 


Në anën tjetër të medaljes ndodhet Shërbimi Informativ i Kosovës, i cili ka vepruar gjatë dhe pas luftës në vendin tonë. Ky shërbim ka vepruar legalisht, ndërsa shërbimi i LDK-së “Sigurimi i Atdheut” ka vepruar gjysmë-ilegalisht, edhe pse  Isa Mustafa bëhet sikur nuk di gjë fare për atë shërbim.


SHIK-u ka bërë  gabime gjatë luftës, ndoshta edhe pa dije, meqë ka lejuar infiltrimin në radhët e veta edhe të kolaboracionistëve, me qëllim për të vjelë informata nga ata, por nuk është treguar syçelë dhe asnjëherë nuk i ka ndëshkuar të tillët, të cilët kanë vepruar edhe pas luftës, në kuadër të po këtij shërbimi dhe të cilët i kanë sjellë dëme të pariparueshme. Kësaj radhe nuk do të flasim për emra të përveçëm, meqë këtu nuk qëndron esenca e këtij vështrimi.


 


Shikuar realisht, pjesëtarët e SHIK-ut ishin të rinj në moshë dhe papërvojë, të ekzaltuar me luftën, të bindur në fitore, por jo në nivel profesional  për të udhëhequr një shërbim të tillë, në kohën kur regjimi serb kishte futur në radhët e UÇK-së shumë agjentë të sprovuar, të cilët jo vetëm që raportonin për zhvillimet brenda UÇK-së, por edhe bënin veprime për ta dëmtuar imazhin e luftës dhe për të krijuar huti,  frikë, mosbesim  dhe konfuzion te popullata e zhvendosur. Në këtë drejtim, jo vetëm njëherë luftëtarët e lirisë janë  ballafaquar me veprime, që kanë rënë ndesh me luftën, por në kushte dhe rrethana të luftimeve të përditshme, në rrethana të bombardimeve të pandërprera nga forcat armike, ka qenë krejt e pamundshme të ushtrohet kontrolli i duhur në instanca të ndryshme organizative.


 


 


SHIK-u, (duke u mbështetur në intervistat dhe deklaratat publike të kreut), nuk i ka ndëshkuar kolaboracionistët, përkundrazi ka shprehur keqardhje për vrasjen e tyre, meqë ata i kishte konsideruar si thesare të informacionit.


 


Nuk mund të zbulohen lehtë vrasjet e disa spiunëve të Serbisë, që ndodhen në vitet e para pas luftës, me gjykime të montuara politike, sikur po bën përpjekje EULEX-i.  Po ashtu, është vështirë të zbulohet se kush i vrau disa veprimtarë të LDK-së,  madje edhe dy gazetarë të “Bota sot”, meqë të dhënat që përfliten janë mjaft konfuze  dhe pa dëshmi relevante. Janë vetëm paragjykime, të orientuara kundër SHIK-ut, pa asnjë të dhënë konkrete. Por dihet botërisht se dikush i vrau ata njerëz. Ishte ky ndonjë shërbim kriminal që thirrej në emër të SHIK-ut dhe vepronte  pa dijen e kreut, apo ndonjë shërbim i sofistikuar dhe  profesionist i Serbisë, i përbërë nga ish inspektorët e UDB-së,  apo  ishte i implikuar Shërbimi i Atdheut?  Pse të mos dyshohet edhe në këtë shërbim kur dihet se ka zhvilluar e ndoshta edhe zhvillon veprimtari të tillë subversive.


 


Të gjitha do të zbulohen kur të jetë larguar nga Kosova EULEX-i UNMIK-u, shërbimet klandestine të Serbisë dhe shumë shërbime të të huajve, që aktualisht veprojnë në Kosovë përmes OJQ-ve dhe organizatave të tjera. Zbulimi  i së vërtetës do të ndodh  kur forcat e vërteta liridashëse të Kosovës ta marrin në dorë Prokurorinë dhe organet  e Drejtësisë, krejtësisht të pavrara dhe të pandikuara nga politika, cilado qoftë ajo. Deri atëherë nuk do të zbulohet dot e vërteta, sepse idealistët e lirisë, ata që janë dergjur burgjeve dhe kanë lënë gjymtyrët e tyre maleve duke luftuar regjimin serb, nuk lejojnë që margaritarët të derdhen para turinjve të derrave, meqë nuk kanë luftuar për t’u pasuruar pas luftës, as për të qeverisur, as për t u veshur me pushtet, por kanë heshtur për hir të interesave të Atdheut e të kombit në përgjithësi dhe do të heshtin derisa të “kthjellohet” qielli i Kosovës. Pikërisht atëherë do të hapen dosjet e brendshme, akuzat e disa  familjarëve, drejtuar kundër individëve të caktuar, që kanë vepruar nën maskën e UÇK-së, ata kanë heshtur dhe heshtin për shkak se nuk i besojnë drejtësisë së EULEX-it. Do të hapen shënimet e faktuara dhe  të dokumentuara të kohës së luftës, me qëllim për ta nxjerrë në dritë njëherë e mirë karakterin e shenjtë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftë kjo të cilën e pranoi dhe e përkrahu bota demokratike përparimtare dhe Aleanca më e fuqishme ushtarake e kohës,  NATO-ja, e cila për herë të parë në historinë e vet të ekzistencës, në pesëdhjetë-vjetorin e themelimit,  e ndëshkoi nga ajri Sodomën Serbi, duke ia thyer vertebren,  xhandarit të popujve të Ballkanit, krijesës monstruoze të Kremlinit, në këtë pjesë të Evropës.

Kontrolloni gjithashtu

Arben Mustafa: Pesë propozimet e PDK-së për dalje nga kriza ekonomike

Arben Mustafa: Me Bedri Hamzën Kryeministër, pensionistët do të marrin 1000 euro më shumë brenda një viti

Koordinatori për Financa në Partinë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa ka deklaruar se në qeverinë …