Shkrimet në medie, të disa zyrtarëve partiakë, drejtuar kundër Adem Demaçit dhe Rexhep Qoses, riciklohen dhe marrin hov sidomos pas deklaratave të tyre publike, ku ata shprehin hapur bindjet e tyre, pavarësisht se kundër kujt drejtohen ato. Në raste të tilla, mendjet zevzeke dhe gjithnjë shërbëtore të interesave partiake, që ata i përfaqësojnë, i shtrojnë detyrë vetes të kundërvihen, duke na ofruar jo fakte, por fjalë e thashetheme dhe jo me qëllim të zbardhjes së ndonjë të vërtete, apo opsioni, por me qëllim të diskreditimit të vlerave kombëtare e njerëzore, që mbartin, sidomos këta dy emra të nderuar të kombit, Adem Demaçi për rezistencën e tij të pashembullt historike kundër pushtuesve, dhe Rexhep Qosja, veçmas për fjalën e tij të lirë, shkrimet dhe qëndrimin e tij të guximshëm në mbrojtje të interesave të kombit e Atdheut.
Kjo kundërvënie, duke bërë përpjekje për ta ulur besimin që Demaçi dhe Qosja gëzojnë në popull, ka një prapavijë, e cila sado e sofistikuar, zbulohet nga vetë kritikuesit, që tekefundit kanë për detyrë partiake të kundërvihen sapo u apostrofohet partia apo kryepari i saj. Në këtë aspekt, ata janë zëdhënës kujdestarë në mbrojtje të partisë nga ato që i konsiderojnë sulme edhe kur nuk janë të tilla. Çuditërisht, sapo u botua intervista, që Adem Demaçi i ka dhënë gazetës “Ekspress” ku ai tregon se kishte përkrahur idenë që të zgjidhej në postin e kryetarit të Kosovës, në kohën kur Pacolli u detyrua ta lëshonte këtë post, duke sqaruar se propozimi për pozitën e kryetarit është bërë nga një grup qytetarësh shqiptarë, që jetojnë në Amerikë, ndërsa kishte marrë edhe pëlqimin e PDK-së, mirëpo, një mbështetje të tillë nuk e gjeti nga Vetëvendosja e Albin Kurtit, dhe për njëherë, sulmohet me një shkrim nga një sejmen i Vetëvendosjes i cili i “përkujton” Adem Demaçit kohën kur ai paska thënë “Rreshtohuni pas Rugovës, sepse ky është njeriu i duhur që duhet t’i prijë popullit”. Dhe sipas tij, Bacës iu paskan dashur rreth 5 vite që ta kuptonte se Ibrahim Rugova nuk ishte njeriu i duhur që t’i printe popullit. Ja cili na qenka “mëkati” i Adem Demaçit, sipas një skribi të Vetëvendosjes, i cili qenka zhgënjyer në Demaçin, sapo ky zbardhi publikisht një fakt, për mosdhënien e pëlqimit nga Lëvizja Vetëvendosje lidhur me kandidimin e tij në postin e kryetarit të Kosovës.
Ky shkronjës komentesh me asnjë fjalë nuk tregon se ishte pikërisht emri i Adem Demaçit me të cilin identifikohej dhe rritej Lëvizja Vetëvendosje. Dhe pikërisht kur ajo fitoi një pjesë të elektoratit dhe nga Lëvizje u bë parti, ashtu si LDK-ja e dikurshme, atëherë kreu i Vetëvendosjes e anashkaloi Demaçin, sepse rrezikonte portin e të parit të Vetëvendosjes.
Demaçi, ashtu sikur e njohim ne, kurrë nuk e ka pranuar as e pranon luftën brenda shqiptarëve. Në raste të tilla, ai gjithnjë ka lëshuar pe, sepse ai me veprën e tij jetësore në shërbim të kombit e atdheut ka arritur të radhitet me mendjet më të ndritura, jo vetëm të kombit por edhe të njerëzimit. Shembulli i tij i qëndresës dhe heroizmit, është shembull unikat në historinë tonë, por edhe në historinë e përbotshme të luftës kundër despotizmit, krimit dhe shkeljes së të drejtave njerëzore. Për këtë qëndrim ka marrë edhe mirënjohje ndërkombëtare. Përpjekjet e herëpashershme, të individëve apo grupeve të ndryshme që mbrojnë interesa meskine politike, për ta përbaltur këtë emër të përveçëm të historisë së kombit shqiptar, janë përpjekje të mjera, të ulëta, djallëzore e pse jo edhe idiotike për synimet që pretendojnë t’i arrijnë me sulme të tilla, të cilat gjithsesi se do t’iu kthehen bumerang.
Kohëve të fundit, ngjashëm është vepruar edhe me shprehjen e urrejtjes dhe egërsisë uloke kundër akademikut të nderuar, Rexhep Qosja.
Një javë më parë, në një intervistë për gazetën “Epoka e Re” akademiku, Qosja, duke komentuar zhvillimet në veriun e vendit dhe duke u shprehur pro qëndrimeve e veprimeve të Qeverisë së Kosovës, ftoi LDK-në e Vetëvendosjen, që nëse janë të gatshëm dhe nëse shfaqin gatishmëri të njëmendtë le ta tregojnë trimërinë e tyre në veri të Kosovës, përderisa nuk pajtohen me aksionet e Qeverisë, KFOR-it dhe EULEX-it. U desh vetëm ky konstatim realist i profesor Qoses dhe përnjëherë filloi të derdhet mllefi e urrejtja kundër tij. Pa vonuar, në një konferencë shtypi të grupit të “ekspertëve” për ekonomi të LDK-së duke marrë shkak, për sikur thuhet shpenzimet që paska bërë Qeveria për botimin e kompletit të veprave të akademikut, Qosja, një zyrtar i mjerë i kësaj partie nuk pati turp të thotë se vepra e Qoses nuk paska madje as vlera shkencore. Si duket, ky shpirtrob nuk e kupton dot fjalën, shkencë. Sa për vlerat e pakontestueshme të veprave të profesor, doktor, Rexhep Qoses flasin më së miri vetë veprat e tij të botuara në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e në vende të tjera, me tirazhin më të madh dhe që kapërcejnë qindfishin e lexuesve në krahasim me lexuesit e veprave të Ibrahim Rugovës, veprat e të cilit, po ashtu janë financuar nga Buxheti i Kosovës.
Për këtë kontestim, qoftë edhe verbal, të veprave të akademikut, Rexhep Qosja, do të duhej të kërkonte falje vetë kreu i LDK-së, po të kishte seriozitet, maturi dhe përgjegjësi në këtë parti politike, sepse nuk mund t’i lejohet një mendje-robi të japë gjykime të tilla kur flet në emër të partisë, meqë besojmë se jo të gjithë në LDK pajtohen me konstatime të tilla paushalle.
Krijimtaria e shkëlqyer e profesor doktor, Rexhep Qoses gjithnjë ka rrezatuar dhe rrezaton frymëzim, dije, korrektësi, gjuhë komunikuese, pozitë të qartë dhe të shëndoshë kombëtare, afinitet, vullnet dhe talent në trajtimin e të gjitha problemeve, me të cilat është marrë dhe merret aktualisht, qoftë në kritikën letrare, në krijimtarinë e mirëfilltë artistike dhe në mbrojtje të fuqishme të të drejtave të lirive të shqiptarëve dhe të realizimit të aspiratave të natyrshme të tyre për çlirim dhe bashkim kombëtar.
Kritikucët e Demaçit dhe Qoses nuk janë emra që i njeh opinioni, dhe të tillë mund të gjenden me bollëk në forumet e pista të shumë portaleve, por fakti se ata flasin në emër të partive që i përfaqësojnë, është brengosës, jo për Demaçin e Qosen, por për ata vetë dhe partitë e tyre, sidomos për Lëvizjen Vetëvendosje, e cila është ngritur duke e shfrytëzuar emrin, mundin, kapitalin politik e kombëtar dhe meritat e pakontestueshme të Adem Demaçit. Nuk fitohet dot lufta kundër Demaçit dhe Qoses, andaj edhe përpjekjet për t’i përbaltur këto dy figura të ndritshme të kombit, janë përpjekje ogurzeza të shpirtvegjëlve mendje-robër, të cilët në punën e tyre sizifiane mundohen ta fshehin diellin me shoshë dhe shpeshherë “fluturojnë” symbyllur, ashtu sikur flutura, e cila i turret dritës dhe digjet në dritën e qiririt.