Ambasadorja e deritanishme e SHBA-së në OKB, Nikki Haley, ka kërkuar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, që të tërheq misionin e UNMIK-ut nga Kosova. Letra është dërguar më 9 tetor, në po të njëjtën ditë kur Haley kishte njoftuar tërheqjen e saj nga posti i Ambasadores në OKB, ndërsa në letër ajo ka vlerësuar përpjekjet e Guterresit për ruajtjen e paqes në botë. “Kur misionet paqësore të OKB-së bëjnë punë të mirë, vendet janë në gjendje t’i japin fund konfliktit, të krijojnë procese demokratike politike dhe t’i zhvillojnë kapacitetet e veta. Për vite me radhë, misioni i OKB-së në Kosovë [UNMIK] ka qenë shembull i asaj se si OKB-ja ka menaxhuar një konflikt kompleks”, ka thënë Haley, raporton Koha.net. Suksesi i Kosovës, vazhdon Ambasadorja në letrën e saj, “i shënuar me 10 vjet pavarësi këtë vit, duhet të jetë shkas për festë dhe simbol i kontributit të madh të OKB-së ndaj paqes dhe stabilitetit në rajon”. “Fatkeqësisht, UNMIK-u mbetet i pandryshuar, pavarësisht progresit dhe deklaratave të vazhdueshme nga shumica e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit se UNMIK-u ka kohë që e ka përfunduar mandatin e tij”, shkruan më tej në letrën e Haleyt. “Për këto arsye, kërkoj nga Sekretariati të ushtrojë autoritetin e tij dhe të iniciojë një rishikim strategjik të UNMIK-ut për të zhvilluar një strategji dalëse. Ndërmarrja e këtyre hapave do t’i jepte KS të OKB-së informacione për t’iu qasur dhe vlerësuar prezencën e OKB-së në Kosovë, siç bëjmë me të gjitha misionet tjera të OKB-së. Marrja e këtij hapi, po ashtu, do të avanconte normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë në ambiciet e tyre të përbashkëta për t’u integruar me fqinjët e tyre evropianë. Për më tepër, jam e bindur se një rishikim i tillë dhe një strategji dalëse do të ruajë integritetin e përpjekjeve tuaja të gjera paqeruajtëse për reforma”, ka theksuar tashmë Ambasadorja në largim e SHBA-së në OKB, Nikki Haley. Në fund, ajo e falënderon Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së dhe i thotë se pret me padurim “të vazhdojmë të punojmë bashkërisht për të ndihmuar në mbështetjen e përpjekjeve për paqe në Kosovë dhe në mbarë botën”.
Kontrolloni gjithashtu
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …