Ahmet Qeriqi: KPM-ja vazhdon të plaçkitë mediet e caktuara në Kosovë

 


Komisioni i Pavarur i medieve në Kosovë, nuk ka  përmbajtje të mirëfilltë institucionale, me faktin se me vite të tëra ka parapëlqyer të mbetet  në një fazë eksperimentuese, duke u financuar nga Buxheti i Kosovë dhe në të njëjtën kohë duke vjelë edhe taksa  nga mediet, të cilat paguajnë “gjobat vjetore” për licencë. Me rastin e caktimit të shumës për licencë të medieve, KPM-ja ka aplikuar mënyrën selektive të vjeljes së taksave, nga viti në vit. Atyre, që kanë paguar rregullisht, iu është rritur kisti vjetor deri edhe 40 %, ndërsa më së miri kanë kaluar ata që nuk paguajnë fare, të cilët janë kërcënuar me marrje të licencës, por as ka ndodhur, as do të ndodh ndonjëherë.


KPM-ja, me qëllim përfitimi,  ka pesëfishuar çmimin e licencës, për mediume elektronike, që emetojnë në Kosovë,  në krahasim me shumën që paguajnë mediet në vendet e rajonit. Për shembull në Vojvodinë, licenca, në tërësi,  për një medium lokal kushton  800 deri në 1200 euro. E ngjashme është taksa edhe në Maqedoni e në Shqipëri. Ndërsa në Kosovë KPM-ja ka vendosur shumën 5000 euro për një medium lokal, sikur iu ka caktuar Radios-Kosova e Lirë për shtatë vjet transmetim. Mirëpo, duke qenë se shumica e drejtuesve të medieve e kanë pranuar këtë taksë, KPM-ja, pa marrëveshje paraprake me drejtuesit e mediumeve, në mënyrë krejtësisht arbitrare, për çdo vit rrit taksën e licencës. Kisti për Radion Kosova e Lirë në vitin 2010 ka qenë  390 euro, për vitin 2011, 480, euro  në vitin 2012 është rritur në  545. Nëse shuma e kërkuar nuk paguhet me kohë, KPM-ja rezervon të drejtën e aplikimit të kamatës ndëshkuese, të cilën për çdo muaj ua adreson medieve, që nuk arrijnë ta paguajnë me kohë gjobën, apo atyre të cilët nuk paguajnë fare.


Vetëm në drejtim të vjeljes së taksave KPM-ja është këmbëngulëse, ndërsa ankesat e ndryshme të medieve lidhur me pengesat dhe interferencat që shkaktojnë mediumet elektronike, nuk i merr fare parasysh. Po ashtu ky ta quajmë institucion, ka shkelur dhe shkel të drejtat e transmetimit të Radios-Kosova e Lirë, për të mbuluar me dëgjueshmëri  tërë territorin e Kosovës, për shkakun e vetëm se është medium i themeluar nga SHP i UÇK-së dhe si medium  i tillë mbetet i papranuar nga zyrtarët e KPM-së, shumica prej të cilëve kanë punuar në kohën e regjimit të Milosheviqit. Me rastin e caktimit të valës transmetuese KPM-ja (ZKPM) Radios-Kosova e Lirë i ka caktuar valën 94.2, në të njëjtin brez me Radion Shtetërore të Maqedonisë, e cila transmeton me 10 Kw fuqi dalëse dhe mbulon gati tërë territorin e Kosovës.


Në kërkesat tona për mënjanimin e interferimit, drejtori i Difuzionit, B.G i rrudh krahët dhe thotë se nuk autoritet në valët FM, meqë sipas tij, brezi i valëve në Kosovë ende qenka nën rrjetin  radiodifuziv  të Serbisë. “Me dashtë Serbia na i bllokon valët” thotë ky zyrtar…


Gjendja e përgjithshme në KPM është kaotike, meqë ky institucion nuk i jep përgjegjësi asnjë instance të pushtetit, madje edhe 13 vjet pas luftës në Kosovë nuk ka arritur të konsolidohet as të plotësohet, nuk ka arritur të kryejë obligimet që ka ndaj medieve, ka injoruar mediet në pikëpamje ideologjike e politike, ka përkrahur dhe përkrah vetëm mediet e ashtuquajtura multietnike dhe ato që emetojnë në gjuhën serbe.


KPM-ja në nuk është Komision i Pavarur, sikur është vetë-emëruar por është krejtësisht i varur nga politikat e OSBE-së, e cila edhe e ka themeluar, ka qenë dhe mbetet i përkrahur nga UNMIK-u dhe nga EULEX-i. Për shkak të majorizimit dhe animeve politike,  që mbretërojnë në KPM,  konsiderojmë se Komisioni Parlamentar i Medieve duhet t’ia marrë KPM-së të drejtën e menaxhimit të frekuencave për mediet elektronike dhe këto të drejta t’i adresohen ART-së, për shkak se KPM-ja ka krijuar një monopol të paligjshëm mbi mediet,  duke stimuluar mediet e caktuara dhe duke injoruar mediet e tjera, madje  duke i kërcënuar edhe me mosdhënie apo marrje të licencave.


Komisioni Parlamentar ka për detyrë të merret edhe me caktimin e shumës së pagesës së përcaktuar për marrjen e licencës, shumë kjo e cila është më e shtrenjta në rajon, ndërsa Kosova është vendi më i varfër në rajon dhe në Evropë. Është e turpshme për institucionet, Kuvendin, që një zyrtar parazit i KPM-së, me pak shkollë apo pa shkollë fare  të marrë trefishin e rrogës së një profesori të shkollës së mesme, meqë KPM-ja ka dy burime të qëndrueshme  të të ardhurave, ashtu sikur është po aq e turpshme dhe e kundërligjshëm plaçkitja që iu bën medieve KPM-ja, duke rritur tagrin e licencës për çdo vit dhe duke vendosur kamatë ndëshkuese nëse shuma e caktuar  nuk paguhet me kohë. Këto veprime arbitrare të zyrtarëve të KPM-së janë të dënueshme dhe me mënyrën e pasurimit të këtij insitucioni duhet të merren zyrtarët përgjegjës, ata që marrin paga nga buxheti i Kosovës për të hulumtuar keqpërdorimet dhe abuzimet e tilla.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur rreth marrëdhënieve të tensionuara mes Vjosa Osmanit e Albin Kurtit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur lidhur me marrëdhëniet e  tensionuara mes presidentes …