RKL: “Çare s’ kemi pa e l’shue Veriun, kem’ Kosovën muhasere” (!)

Qyteti i ndarë i Mitrovicës dhe përgjithësisht komunat në veri, na rikthejnë në kujtesë, historinë e kohës së “Baba Dovletit”. Kur Perandoria turke po i humbiste një nga një territoret nga Rusia dhe vendet sllave, në Lindje, në gjysmën e  dytë të shekullit 19-të, ajo tregtonte pa të keq me tokat shqiptare.  Sulltani, asokohe iu thoshte shqiptarëve: “S’ kemi çare pa e l’shue Ulqinin, kem Stambollin muhasere”. Prej vitit 1878 e deri në vitin 1912 shqiptarët kanë luftuar për të mbrojtur tokat e tyre, të okupuara nga Mali i Zi dhe nuk kishin arritur t’i kthenin, sepse, Evropa ia kishte bërë tapi Podgoricës. Po kështu Evropa u tregua zemërgjerë, ndaj Serbisë, Bullgarisë,  edhe ndaj Greqisë, e cila jo vetëm e okupoi Çamërinë, por edhe i masakroi dhe i dëboi mizorisht të gjithë shqiptarët, ndërsa  shkatërroi çdo gjurmë të tyre, duke mos pranuar se ka ekzistuar ndonjëherë, ajo popullatë.


Ky fat i keq po na përcjellë nga shekulli në shekull, në mënyrë ciklike, sepse as jemi bërë, as bëhemi dot bashkë, sepse Evropa, pavarësisht bindjeve iluzioniste të politikanëve tanë, ka qenë dhe ka mbetur, ajo që ishte dikur. Evropa e konstatimeve të Gjergj Fishtës, Evropa së cilës Zoti ia plasi dy sytë. (“ Heu Evropë, ti bushtra  e motit, Qe i rae mohit besës së Zotit, Po á ky asht sheji i gjytetnisë? Me da token e Shqypnisë?  Per me mbajt klyshtë  e Rusisë?).  Çuditërisht, sado të vrazhda që do t’iu duken politikanëve tanë të moderuar këto vargje, të poetit tonë të madh kombëtar, ato tingëllojnë aq aktuale, sikur të ishin shkruar sot. Sepse, betejën në fushën politike dhe ushtarake në veri, sot po e bën Bashkimi Evropian, i cili po përpiqet ta marrë me të mirë për  ta pajtuar  Serbinë, të cilën e kishte bombarduar gjatë vitit 1999, në kuadër të NATO-s, krejtësisht kundër dëshirës dhe vullnetit të saj. Edhe këto konstatime politikanët tanë do t quajnë “primitive”, sepse Evropa për ta është parajsa e premtuar, është karremi për shqiptarët syleshë, që iu besojnë profkave dhe iluzioneve.


 


 


Beteja për veriun e Mitrovicës dhe komunat e kësaj pjese të Kosovës, ka filluar qysh me rastin e ndarjes së qytetit, mbi Lumin Ibër, ku më 14 qershor 1999 u barrikaduan forcat paqeruajtëse franceze, ndërkohë që në këtë pjesë të Kosovës filluan të grumbullohen grupet kriminale nga tërë Kosova. Duke folur për këto grupe vrastarësh, kryeadministratori i parë i Kosovës, Bernard Kushner, kishte vërejtur se në mesin e krimosëve, barbaroidë serbë, kishte të tillë që mbanin si trofe, kokat e shqiptarëve të masakruar. Kushner kishte tërhequr vërejtjen se veriu ishte bërë oazë e kriminelëve, por politikanët e Kosovës, të dehur nga fitorja dhe të orientuar drejt zhvatjes së krejt asaj që mund të zhvatej, në një kohë anarkie, nuk treguan  interesimin e duhur  për veriun.


Qysh prej asaj kohe e deri tani, kjo pjesë e Kosovës, e kontrolluar nga Beogradi zyrtar, u bë një zonë, që në vazhdimësi ka rrezikuar paqen e sigurinë, duke mbajtur peng proceset politike në vend dhe në rajon. Përmes veriut, Serbia  mundohet ta mbajë peng pavarësinë e Kosovës dhe në këtë drejtim ajo ka arritur të kthejë luftën e humbur, në fitore politike, 13 vjet pas mbarimit të saj.


Në tërë procesin politik të bisedimeve të Kosovës me Serbinë, veriu ka qenë dhe ka mbetur strumbullari i politikës ankesioniste dhe kolonialiste serbe.


Beogradi zyrtar tashmë ka arritur, që veriun  ta bëjë çështje politike, e cila pritet të zgjidhet me kompromis, natyrisht duke dëmtuar njësinë territoriale të Kosovës.


Qysh në rifillimin e bisedimeve, një vit më parë, kryetari i Serbisë, Boris Tadiq kishte thënë se marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë do të zgjidhen me kompromis, ku nuk do të ketë një palë, që i fiton të gjitha dhe një palë tjetër, që i humb të gjitha. Këtë qëndrim të patundur të Serbisë kreu politik i Kosovës nuk e kishte marrë seriozisht, ndërkohë që ka lëshuar pe më shumë sesa ka pritur vetë Beogradi zyrtar, i cili ka realizuar maksimumin e kërkesave, madje duke e rikthyer Kosovën brenda kornizës së rezolutës 1244 të OKB-së, edhe pse ajo ka shpallur pavarësinë dhe është pranuar nga gati gjysma e shteteve të botës.


 


 


Bashkimi Evropian, bën politikën e vet në Kosovë, pavarësisht Kushtetutës, pavarësisht shpalljes së pavarësisë dhe pavarësisht parimit për mos-ndryshimin e kufijve. BE-së i intereson mbajtja sa më gjatë të jetë e mundshme të stus-quosë dhe pajtimit me gjendjen ekzistuese, si fakt i kryer, pavarësisht se mund të mos pajohet pala më e dobët, meqë ajo edhe  ashtu është treguar skllave dhe servile.


Delegacioni qeveritar i Kosovës në bisedime me Serbinë ka pranuar të gjitha propozimet e ndërmjetësuesit të BE-së, Kuper, të cilat kanë qenë kërkesa të mirëfillta të Beogradit, ndërkohë që kreu i delegacionit ka luajtur një rol tepër hipokrit dhe të papërgjegjshëm. Realisht ka lëshuar pe në të gjitha kërkesat, por para opinionit ka deklaruar se bisedimet janë teknike, se nuk do të ketë bisedime politike me Serbinë, se kurrë nuk do të hapet çështja e veriut, se Kosova ka fituar në tërë procesin e bisedimeve, sidomos ka fituar me rikonfirmimin e rezolutës 1244, e cila i mundëson pjesëmarrjen në konferencat rajonale. 


Beogradi zyrtar, duke pasur për ballë një delegacion të mefshtë, të frikshëm, të pa dinjitet, të papërgjegjshëm, të një Qeverie zyrtarësh të të gjitha ngjyrimeve politike, ka arritur të përfitojë maksimumin e kërkesave, madje ka arritur ta stopojë procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga vende të ndryshme të botës.


Beogradi, i ka arritur këto rezultate, jo vetëm nga presioni që i ka bërë BE-ja delegacionit të Kosovës, por në radhë të parë nga frika e qeveritarëve tanë se në rast të mospranimit të propozimeve, do të stagnonin bisedimet dhe mund të binte edhe Qeveria, ose mund të ndërrohej përbërja dhe kreu i delegacionit. Klasa politike që po merr pjesë në bisedime me Serbinë, ka shkelur interesin kombëtar të shqiptarëve në Kosovë, ka dëmtuar imazhin e  shtetit të pavarur. Për këtë dështim mbajnë përgjegjësi, Qeveria, Presidenca dhe Kuvendi. Asnjëra nga këto instanca nuk ka reaguar me vendosmëri kundër lëshimeve, që iu kanë bërë dhe po i bëhen Serbisë, pavarësisht disa deklaratave pompoze, të cilat janë bërë dhe bëhen sa për sy e faqe. 


Serbia, tashmë ka filluar ta injorojë, ta provokojë dhe ta shantazhojë Kosovën dhe institucionet e saj , herë duke ia burgosur policët e duke i poshtëruar para tërë botës, duke i vrarë shqiptarët në veri, duke i ndjekur nga veriu i Mitrovicës pjesëtarët e Policisë së Kosovës, duke i ndaluar  kalimtarët në kufi me orë e me ditë të tëra dhe duke ushtruar një presion të përgjithshëm, sistematik, një mënyrë që jo vetëm ta frikësojë klasën edhe ashtu të frikshme politike, por edhe ta thellojë hendekun mes shqiptarëve pacifistë dhe atyre militantë, të cilët edhe mund të provojnë të vetorganizohen, dhe në një rast të tillë, Serbia nuk do të rrinte duarkryq, përderisa forcat paqeruajtëse të KFOR-it tashmë kanë hequr dorë nga veriu, edhe pse ato kanë mision,  sigurimin e të gjithë qytetarëve, sigurimin e lëvizjes së lirë dhe sigurimin  e funksionimit të institucioneve.  Në një gjendje të tillë kaosi, politikanët tanë me siguri se një ditë do  të pajohen dhe do të na thonë hapur, se,  “s’ kemi çare pe e lëshuar veriun, sepse e kemi Kosovën peng”, tekefundit veriu edhe ashtu është me shumicë serbe, paçka se Presheva e Bujanovci ende janë me shumicë shqiptare.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur rreth marrëdhënieve të tensionuara mes Vjosa Osmanit e Albin Kurtit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur lidhur me marrëdhëniet e  tensionuara mes presidentes …